AKUZAT E ISMAIL KADARESË PËR LETËRSINË…

0
1994

Nga Isak Ahmeti

“Vetëdëshmi të Ismail Kadaresë për letërsinë”, Cilat janë arsyet që Ismail Kadareja e mohoi letërsinë shqipe të Kosovës dhe disa nga shkrimtarët e traditës, është titulli i studimit monografik të Anton Nikë Berishës, të cilin e botoi Buzuku, 2013, fq.130.

Te Parathënja e romanit :Nata e Kosovës, Onufri, Tiranë 1999, fq. VII-XV, të Rexhep Hotit, I. Kadare ka bërë vlerësimin e veprave të letërsisë së Kosovës:

1. “Të mbushura me dokrra avangardiste, pjesa më e madhe s’kishin asnjë lidhje me Kosovën”;
2. “Të mbushura me dokrra avangardiste me përçartje kinse moderniste, me vanitet dhe vetëkënaqësi të pashembullt, këto libra e kishin braktisur prej kohësh Kosovën. Në to nuk gjeje asnjë gjurmë të fytyrës, të frymës, të pamjeve, të ankthit, të dramës, të shpirtit të fatit të saj;
3. “Në orën e tij tragjike, në orën e tij më të rëndë, populli i Kosovës mbeti pothuaj i pambrojtur nga kultura e tij. Ai mbeti i zbuluar përballë propagandës së egër serbe, e cila mbushi me mashtrime dhe barbarinë e saj atë hapësirë që duhej të pushtohej nga kultura shqiptare”.

Këto vlerësime të Ismailit, shkruan A.N Berisha në studimin e tij në fjalë (fq.10), edhe njohësit më të përvuajtur të letërsisë shqipe të Kosovës, atij që ka lexuar vetëm 4-5 vepra të rrafshit mesatar të saj, njëmend ia zënë frymën. Në këtë Parathënie, I.Kadare e ka”mohuar dhe përçmuar në mënyrën më të skajshme “letërsinë shqipe të Kosovës. Madje kurrë, shkruan studiuesi Berisha, I.Kadare nuk pati forcën e duhur shpirtërore dhe intelektuale të kërkojë falje publikisht për përbuzjen dhe përçmimin që kishte shprehur për letërsinë shqipe të Kosovës dhe për vrerin e pa parë që kishte derdhur për të, pa përdorur asnjë argument dhe pa përmendur asnjë titull të një vepre, duke përfshirë këtu edhe veprën madhore të Ali Podrimjes, natyrisht dhe veprat e Anton Pashkut, të Azem Shkrelit dhe të dhjetëra shkrimtarëve të tjerë të shquar të Kosovës, që pasuruan dhe e ngritën letërsinë shqipe të Kosovës dhe letërsinë shqipe në përgjithësi në kulmet e saj (A.N.Berisha, vep. e cit. fq.17-18).

Befasuese, sipas Berishës, janë edhe disa pohime për krijimtarinë e Fishtës, Koliqit, Konicës, Kutelit, pastaj disa vlerësime për Naimin, Mjedjën, Migjenin (këtë të fundit e quan uragan i ndërprerë), Trebesjinën, Pipën si dhe disa shkrimtarë me famë botërore si Xhojsi,Kafkën,Dostojevskin, Shollohovin, Sollzhenicinin, të cilët pikërisht me artin e tyre të madh u bënë të pavdekshëm… (A.N.Berisha, vep. e cit. fq 23-24). Ajo që bie në sy dhe të befason thellësisht në Parathënie (Nata e Kosovës, fq. VII-XV), është se Ismail Kadare nuk bën fjalë për romanin Nata e Kodovës të Rexhep Hotit, por për letërsinë kosovare, për të metat dhe shëmtititë e saj (sipas tij), përkatësisht për ato mijëra libra (o Zot, ku i ka lexuar ose ku i di I.Kadare këto mijëra libra?!)

Vallë,sa shumë na qenkan të “mbushura me dokrra avangardiste, pjesa më e nadhe s’kishin asnjë lidhje me Kosovën (Parathënie, fq.IX). Pa dyshim akuzë nga më të rëndat që dikush ka mundur t’i bëjë letërsisë shqipe të Kosovës, e cila, sipas Berishës, në qenësinë e saj është e lidhur ngushtë me Kosovën dhe me njeriun e saj, me fatin dhe me fatkeqësinë e tij. Prej nëntë faqeve (266 rreshta) të Parathënies vetëm në gjysmë faqe (16 rreshta), Kadare bën fjalë për romanin në fjalë të Rexhep Hotit. Dhe në këta 16 rreshta flitet për tematikën që bëhet objekt trajtimi në roman dhe thuhet i vetmi mendim, që ka ngjyrim të shkrimit diskyrsiv për një vepër letrare, edhe pse nuk thotë asgjë konkrete dhe nuk i përket në qenësi romanit…

Në Parathënie,siç vlerëson studiuesi Berisha, Kadare bën një lavdërim dhe mbivlerësim të romanit Nata e Kosovës, nga njëra anë dhe nga ana tjetër shpreh vrer dhe aq armiqësi të egër ndaj letërsisë shqipe të Kosovës. Duke bërë fjalë për mendimet dhe gjykimet e Kadaresë për letërsinë shqipe të Kosovës dhe për letërsinë në përgjithësi, Berisha thekson se Kadare ka porositur dhe inkurajuar shokët e penës që të bëjnë luftë kundër “armiqëve të artit revolucionar e komunist”… Për më tepër, sipas Kadaresë, e keqja dhe shëmtia që i bën veprat e disa shkrimtarëve më të shquar botërorë, është se me stilin e tyre, ne frymën, me përmbajtjen dhe intonacionin e tyre ato të kujtojnë “paçavuret e errësirës shekullore”.

Në kontekst me këtë Kadare ka shkruar, citojmë “Nuk është e rastit që shumë vepra të letërsisë së sotme dekadente borgjeze, me frymën e tyre, përmbajtjen, madje edhe me stilin dhe intonacionin të kujtojnë Biblën, Ungjijt, Kuranin, Talmundin dhe paçavuret e tjera të errësirës shekullore”(I.Kadare, Zhvillimk i letërsisë sonë …”Nëntori” nr. 5, Tiranë 1977, fq.111-113). Të mohosh diçka që është e pamohueshme, diçka që shekujt vetëm e kanë dëshmuar vlerën e saj, është skandaloze, do thoshim.

Koncepti i I.Kadaresë për letërsinë e Kosovës dhe për letërsinë në përgjithësi shkon e bëhet krejtësisht i qartë, mirëfilli edhe i kuptueshëm, me mënyrën e mohimit edhe të disa shkrimtarëve tanë të traditës e të veprave të tyre…

Në studimin e tij në fjalë, duke iu kundërvënë Kadaresë në lidhje me letërsinë shqipe të Kosovës, A.N.Berisha shkruan “Veprat poetike të shkrimtarëve të Kosovës përligjin artin e madh të kësaj letërsie dhe në të njëjtën kohë të letërsisë shqipe, po njëherit dëshmojnë praninë e vijueshme të Kosovës dhe të njeriut të saj, të fatit e të fatkeqësisë së tij në to, qoftë dhe si moderne, hermetike, diletanteske dhe avangardiste. Në kontekst me ketë Berisha përmend shkrimtarët si Anton Pashku, Azem Shkreli, Ali Podrimja që shprehin nivelin më të lartë të gjuhës poetike, shprehin nivelin më të lartë të vetëdijes kombëtar (A.N.Berisha, vep. e cit.fq.85-96).

Krejt në fund le të theksojmë se monografia:Vetëdëshmi të Ismail Kadaresë për letërsinë e Anton Nikë Berishës është një vepër me vlerë, shumë e rëndësishme edhe për faktin se ofron, në mënyrë të argumentuar, shumë të dhëna jo vetëm për pikëpamjet e Kadaresë për letërsinë e Kosovës dhe të letërisë në përgjithësi por edhe për vlerat kulmore të letërsisë së Kosovës që përfaqësohen me Anton Pashkun, Azem Shkrelin, Ali Podrimjen etj Libri lexohet me një frymë!