13/07/2016
Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mirë të historisë së kinemasë shqiptare.
Ndoshta po të kishte lindur në SHBA, ai do të kishte qenë më i madh se Robert De Niro, i cili jo vetëm ka emrin e Robertit tonë, por është gjithashtu me origjinë shqiptare.
Por në Shqipëri, Robert Ndrenika është padyshim aktori më i madh i kohëve moderne dhe zor se do të ketë ndokush që do të mund t’ia zërë vendin.
Por dhe pse të gjithë shqiptarët e dashurojnë, pak njerëz e dinë historinë e jetës së tij. Për shembull e dinit që Ndrenika ka qenë njëherë deputet i Parlamentit shqiptar? Apo se çfarë urren më shumë? Raporti i Ndrenikës me Vunoin e Himarës? Si hoqi dorë 4 vjet nga Teatri kur humbi bashkëshorten. Për këtë arsye “Tirana Observer” boton sot një speciale me 50 fakte nga jeta e aktorit të madh…
1- Robert Ndrenika ka lindur më 10 janar të vitit 1942.
2- Robert Ndrenika cilësohet si një ndër aktorët më të mëdhenj të historisë së kinemasë shqiptare.
3- Familja e tij është nga fshati Vuno i Himarës.
Robert Ndrenika në rininë e tij
4- Në vitet 1960-1964 studioi për aktrim në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu”. Pas mbarimit të shkollës, deri më 1970, punoi si aktor në teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 luajti në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve, i quajtur ndryshe Teatri i të Rinjve, dhe me pas në Teatrin Kombëtar, deri në vitin 2001, kur doli në pension.
5- Robert Ndrenika ka dy vajza.
6- Robert Ndrenika ka pasur një histori mjaft të bukur dashurie me gruan e tij, Polikseni. Ai e adhuronte bashkëshorten e tij. Por edhe ajo e adhuronte të shoqin, që e shoqëronte gjithmonë në prova.
7- Por pasi Polikseni u sëmur dhe vdiq, Robert Ndrenika e vuajti shumë largimin nga jeta të bashkëshortes së tij. Aq sa për katër vite nuk shkeli më në teatër. Por në prill të vitit 2012 ai fitoi mbi vuajtjen dhe u rikthye fuqishëm teatrit me rolin e doktor Shuster.
8- Ka kryer detyrën e drejtorit të Teatrit Kombëtar në vitet 1993-1994.
9- Për shumë vite Robert Ndrenika ka punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Akademinë e Arteve.
10- Robert Ndrenika në vitet 1992-1996 ka qenë i zgjedhur si deputet i Parlamentit.
11- Por Ndrenika e kuptoi që politika nuk ishte për të dhe pas vetëm një legjislature e braktisi politikën.
12- Aktori i madh ka pasur më pas edhe oferta të shumta nga partitë politike për t’u rreshtuar me ta, për të përfituar nga emri i tij i madh.
13- Por Ndrenika i refuzoi të gjitha ofertat, duke mos u përzier më kurrë me politikën.
14- Robert Ndrenika shquhet për larminë e roleve, për kalime të natyrshme nga drama dhe tragjedia në komedi dhe grotesk.
Robert Ndrenika në disa nga rolet e tij
15- Robert Ndrenika ka thënë se ka shumë aktorë që i pëlqejnë, por që nuk i ka kopjuar kurrë. “Në fillim kisha aktorë të preferuar, por me kalimin e kohës doja vetëm të bëhesha vetvetja. Po të mundohesh të kopjosh, nuk bën përpara. Duhet të gjesh veten tënde në art.” Po ashtu në raport me kolegët është ndër të rrallët aktorë që nuk ka pasur kurrë konflikte me kolegët e vet. Madje është mjaft i dashuruar nga ata, dhe të gjithë e shohin si modelin e tyre.
16- Është ndër të vetmit aktorë që rolin e luan me një sens të spikatur realist. Ndrenika është skicues i karaktereve të goditura. Përjetimi i tij është i thellë dhe tejet organik, buron dhe shkakton emocion.
17- Me një portret të dashur dhe zërin që di të futet në lëkurën e çdo personazhi, prej vitit 1970 kur hyri si aktor në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, e deri më sot ai vijon të rrisë dimensionin e tij artistik.
Robert Ndrenika në disa nga rolet e tij
18- Në teatër ai ka interpretuar në vepra si “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, etj.
19- Teatri nuk është e vetmja dashuri e Ndrenikës. Një mori personazhesh na e sjellin në kujtesë nga interpretimet që ka pasur në kinematografi.
Robert Ndrenika në disa nga rolet e tij
20- Ka interpretuar mbi 30 filma, midis të cilëve mund të përmendim “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Bolero” e shumë të tjerë. .
21– Në vitin 1979, Ndrenika u nderua me çmimin “Artist i Merituar”
22- Në vitin 1988 aktori i madh merr titulli “Artist i Popullit”.
23– Në vitin 2012 dekorohet nga presidenti Bamir Topi me Urdhrin “Nderi i Kombit“, me motivacionin: “Personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, artistit të madh e të dashur për publikun, i cili i ka dhëne dhe i jep teatrit dhe kinemasë shqiptare vlera të papërsëritshme me rolet që realizoi me mjeshtëri, origjinalitet dhe me frymë thellësisht kombëtare, duke dhënë njëherazi një kontribut të qenësishëm në shkollën shqiptare të aktrimit”.
24- Është nderuar me Kupën për Aktorin më të mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, të De Filipos dhe në Festivalin e Filmit të vitit 1979, për rolin e prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”, ndërkohë që ka marrë edhe dhjetëra çmime të tjera në Shqipëri.
Robert Ndrenika në disa nga rolet e tij
25- I pyetur që të zgjidhte tre rolet e tij më të spikatura, Ndrenika ka thënë: “Sa për rolet që ndjej më të afërta, do të thosha se të gjitha interpretimet kanë brenda dhimbjen, djersën, mundin, gëzimet dhe historinë e tyre. Ndoshta nga rolet më të mira në kinema për mua mbeten ai i “Koncert në vitin ‘36”, “Prefekti” dhe “Mësonjëtorja”.
26- Robert Ndrenika për filmin e famshëm “Koncert në vitin ‘36” shprehet: “Për “Koncertin…”, ku interpretoj nënprefektin, më shtyu dhe më frymëzoi një lloj vaniteti dhe kotësie që kanë shpeshherë nëpunësit e provincave, të cilët duan ta kenë gjithnjë mirë me “qendrën”. Është një rol universal mendoj dhe vetë filmi, i cili është nga më të mirët e kinematografisë shqiptare, ka gjithashtu një mesazh universal brenda tij.”
27- Roli i Qazim Mulletit tek “Prefekti” ka qenë më delikati për të. Ai e ka rrëfyer kështu: “Duhet të them se përveç emrit, ai rol ka pak të përbashkëta me personazhin historik. Nuk dua ta përligj Qazim Mulletin e vërtetë, por pak a shumë edhe prefekti, në konceptin tim, ka qenë një pushtetar, i cili ka brenda vetes një karakter popullor që rron edhe sot e kësaj dite. Kujtoj shprehje të tij, si për shembull “pas kaq muajsh, jeni bërë të gjithë komunistë”, më pas thuhej “po ndenje kaq muaj në burg me hajdutët, je bërë edhe ti hajdut” etj. Injorancë ka pasur edhe më vonë, në kohën e komunizmit. Madje ka qenë ajo injorancë e disa zyrtarëve, që më frymëzoi edhe për rolin, pasi unë Qazim Mulletin nuk e njihja fare”.
28- Në vitin 2012, Ndrenika i kërkoi falje familjes së Mulletit: “Në këtë histori që lidhet me rolin tim të Prefektit, mua më vjen keq dhe më duhet t’u kërkoj falje dy personave: gruas dhe djalit të Qazim Mulletit. Që të dy ata panë një kalvar të padrejtë vuajtjesh dhe padrejtësish nëpër internimet”.
Robert Ndrenika në disa nga rolet e tij
29- Arratisja e të vëllait nga vendi i shkaktoi jo pak probleme Ndrenikës. Në atë kohë, ai u hoq nga filmi “Fije që priten”, pas përfundimit të xhirimeve.
30- Në kujtimet e tij, regjisori Muharrem Fejzo tregon se për rolin kryesor në këtë film fillimisht ishte përzgjedhur dhe e interpretoi Robert Ndrenika, por pasi filmi u pa nga Feçorr Shehu, u dha urdhër që aktori të zëvendësohej. Arsyeja ishte se Ndrenika kishte një vëlla të arratisur. Muharrem Fejzo tregon dëshpërimin dhe sikletin përballë aktorit, i cili me fisnikëri, jo vetëm që nuk shfaqi asnjë shenjë qejfmbetjeje karshi regjisorit, por merrte mbi vete edhe fajin e rixhirimit të filmit.
31- Edhe pse është artisti më i kërkuar për intervista, Robert Ndrenika nuk flet shumë për mediat. Po pse? Ja çka thënë vetë aktori i madh: “Kam besuar gjithnjë që një aktor popullor e përmbush komunikimin e tij me publikun më së miri nëpërmjet shfaqjes në skenën e teatrit dhe në ekranet e kinemasë apo të televizionit. Shfaqjet e shumta të tjera në median vizive dhe atë të shkruar sinqerisht më janë dukur të tepërta”.
32- Por në një intervistë të rrallë dhënë vite më parë, me plot zgjuarsi dhe modesti, Ndrenika ka rrëfyer disa fakte të panjohura për jetën e tij.
Robert Ndrenika
33- I pyetur se çfarë do të thotë të jesh aktor i madh në një vend të vogël si Shqipëria, Ndrenika i është përgjigjur kështu: “Pak rëndësi ka nëse është vend i vogël apo i madh. Një vend i madh, mbase do të ofronte një famë më të madhe; Shqipëria është vërtet një vend i vogël, por është vendi im. Është padyshim një sadisfaksion shumë i madh që njerëzit e popullit tënd që flasin gjuhën tënde, të ndjekin, të njohin dhe të vlerësojnë”.
34- Ka më shumë miq apo armiq? “Miq pa dyshim. Kam miq të shumtë të vjetër e të rinj në moshë. Është një nga pasuritë e jetës sime”, ka thënë Ndrenika.
35- Një ditë e zakonshme e Ndrenikës? Aktori i madh zyrtarisht ka dalë në pension, por siç ka thënë ende punon me dëshirë shumë të madhe kur i ofrohen role që i përshtaten dhe i pëlqen. “Jashtë skenës, qëndroj pranë familjes”, ka thënë Ndrenika.
36- Kur ndihet i pafuqishëm Ndrenika? “T’u kundërshtoj nipit dhe mbesës”, ka thënë aktori i madh.
37- Por çfarë e lodh më shumë? “Humbja e kohës”
38- Çfarë urren më shumë? “Demagogjinë”
39- Çfarë do më shumë? “Energjinë pozitive; harmoninë midis popujve dhe njerëzve”
40- Raporti i Robert Ndrenikës me paratë: “Dikur një njeriu im thoshte: “As kam, as më mbarohen”. Këtë raport dua të kem dhe unë me paranë”.
41- Raporti i Robert Ndrenikës me Tiranën…? “Tirana padyshim është një qytet shumë i dashur për mua. Qyteti ku kam lindur e jam rritur. Do të ishte mirë të kishte më shumë hapësira e gjelbërim sepse ka zona të mbingarkuara, por sidoqoftë mbetet Tirana jonë”.
Robert Ndrenika
42- Raporti i Robert Ndrenikës me Vunoin: “Është vendi i dashur i të parëve të mi për të cilin kam një mall të përhershëm e emocion të veçantë”.
43- Raporti i Robert Ndrenikës me familjen: “Gjëja më e shtrenjtë që kam”.
44- Raporti i Robert Ndrenikës me gratë…: “Kam qenë i rrethuar nga mamaja, motra, gruaja dhe dy vajzat e mia, si dhe mbesa ime e dashur Ana. Këto janë gratë e jetës sime”.
45- Raporti i Robert Ndrenikës me gazetat dhe televizionin…: “ Ndjek shtypin e përditshëm rregullisht. Ndjek edicionet e lajmeve në televizionet kryesore si dhe filmat artistikë cilësorë kur mundem. Me endje ndjek filma dokumentarë-shkencorë dhe historikë. Më vjen keq që televizionet shqiptare, ende nuk prodhojnë filma televizivë e telenovela, por vetëm shfaqin prodhime të huaja”.
46- Raporti i Robert Ndrenikës me pijen dhe duhanin: Më pëlqen një gotë verë me miqtë a me familjen. Ndërsa duhani është një “shok i keq”. Tani nuk e pi më”.
Robert Ndrenika
– Kur Ylli Dylgjeri i bëri një pyetje në Facebook për pleqërinë, Robert Ndrenika i ka dhënë një përgjigje mjaft prekëse. Dylgjeri e pyeti se ku donte ta kalonte pleqërinë dhe Ndrenika iu përgjigj kështu: “Druaj se pleqërinë do ta kaloj atje ku janë rrënjët e ‘Rrapit Madhështor’ në Orosh të Mirditës!”. Dikujt mund t’i ngjallë habi se çfarë lidhje mund të ketë Ndrenika me Mirditën, duke qenë se ai vetë është me origjinë nga Vunoi i Himarës. Mirëpo, është një periudhë e njohur historike, kur mjaft katolikë të veriut të Shqipërisë, u zhvendosën në jug gjatë kohës së Skënderbeut. Një pjesë prej tyre u zhvendosën në Itali, së bashku edhe me trashëgimtarët e prijësit e shqiptarëve, ndërsa një pjesë mbetën në zonën e bregdetit të Dhërmiut dhe Himarës.
48- Robert Ndrenika ka një veçori në interpretimet e tij, shumica e roleve të tij ishin personazhe që, në atë kohë, cilësoheshin negative. Por mjeshtëria e jashtëzakonshme në interpretimin e këtyre personazheve nga Robert Ndrenika i gdhendi ata në mendjen e shikuesve aq fort sa vetë Roberti shpesh herë thirrej me emrat e personazheve të tij.
49- Në vitin 2010, në anketën e organizuar nga “Tirana Observer” për “Njeriun e Vitit”, qytetarët zgjodhën pikërisht aktorin e madh Robert Ndrenika si ‘Njeriu i Vitit’. Në fakt, në çdo vit, Ndrenika do të zgjidhej pa frikë ‘Njeriu i Vitit’.
50-…Dhe nëse do të bëhej një sondazh se cili është njeriu që shqiptarët duan më shumë, rezultati do të ishte padyshim: ‘Robert Ndrenika’. Emri i tij, ashtu sikurse portreti përcjell pa dyshim simpati dhe energji pozitive…