IDRIZ ZEQIRAJ
Shprehja – si burri i nënës -, ose njerku, kur njeriu humbë babain biologjik, ose edhe në gjallje, në rast divorcimi, ndarje, nëna e ndanë krevatin me një burrë tjetër. Dhe, kjo konsiderohet si situatë e rëndë, kulmore për fëmijën.
Dorëheqja personale e kryetarit Mustafa, e pasuar nga Luta, se “edhe kryesia është në dorëheqje”, po demantohet me veprimet kulmore, si paraqitja e kandidaturave për kryetar, e anëtarëve të kryesisë, pa debatuar fare fajësinë personale dhe kolektive!
I. Përkundrazi, është neveritëse, se të gjithë kuadrot e LDK-së, pjesë e strukturave, qoftë anëtarë kryesie apo të Këshillit të Përgjithshëm, në debatet publike, mbrojnë Thaçin dhe Mustafën dhe akuzojnë e fajësojnë VV, për prishjen e koalicionit me LDK-në! Të gjithë këta tellallë, të toksikuar nga rrënuesi i LDK-së, Isa Mustafa, edhe pse e dinë të vërtetën, gënjejnë dhe mashtrojnë me porosi. Dhe, kjo i turpëron ata para familjes, shqiptarëve dhe botës. Sepse, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, me disa argatë, këtu dhe andej Oqeanit, realizuan:
1) Prishjen e koalicionit LDK-VV;
2) Mocionin dhe rrëzimin e qeverisë-Kurti;
3) Organizimin e koalicionit me partitë-banda të PAN-it plus kryebandën “Srpska Lista” dhe krijimin e qeverisë-Hoti!
Kjo e vërtetë, absolute, konfirmohet edhe nga Amerika dhe BE-ja, madje, me emra dhe mbiemra!
II. Tellallët dezinformues të opinionit, toksikantë të lidershipit klanor, llomotisnin për vite me radhë, se kemi qenë pozitë e suksesshme dhe opozitë konstruktive; se nuk kemi qenë bisht e patericë e PDK-së, PAN-it; se nuk jemi shantazhuar nga SHIK-u dhe nuk kemi biznese të pista me ata!
a) Realisht, për 17 vjet radhazi, LDK-ja nuk ka qenë pozitë e mirëfilltë, edhe atëherë kur e ka pasur kryeministrin, ngaqë qeverinë e ka dirigjuar Hashimi me SHIK-un e tij. Sepse, LDK-ja është koordinuar dhe ka bashkuar votën me PDK-në për Demarkacionin; Asociacionin; bërjen e Hashimit president; shkarkimin e rektorit Fejzullahu; koalicionin me PDK-në: mbajtjen në pushtet, për 17 vjet radhazi të PDK-së dhe PAN-it; organizimin e rrëzimit të qeverisë-Kurti dhe krijimin e qeverisë-Hoti; e deri, së fundi, bashkimin e votës me PDK-në, për refuzimin e votimit të lehtësuar, të Mërgatës tonë, në shtetet ku ata punojnë dhe jetojnë. Skandaloze!
b) Një gënjeshtër korale dëgjojmë nga kuadrot tellallë të LDK-së se “Vjosa Osmanin nuk e përjashtuam ne, ajo u largua vet!” Ose në raste tjera: “Vjosa shkeli normat e partisë, nuk i zbatoi vendimet e saj. Statuti nuk lejon shkelje të tilla”!
E vërteta është se Dr. Vjosë Osmani i mbrojti të gjitha vendimet, madje, përpikmërisht, të marra nga strukturat e LDK-së. Por, Vjosa i denoncoi dhe i refuzoi vendimet konspirative, Thaçi-Mustafa, fatale për LDK-në dhe Kosovën. Mos, vallë, shkelje e quani kundërshtinë e Vjosës për Demarkacionin e firmosur nga Hashimi e Skëndet Hyseni, “Zajednicën” e nënshkruar nga Isa Mustafa, bërjen nga Isa të Hashim dallaverës president, koalicionin me PDK-në, denoncimin e lobimit të Hashimit, për ndarjen e Kosovës, dhe pisllëqe tjera të tandemit Thaçi-Mustafa?!
“Vjosa u tregua bukëshkalë, e rriti LDK-ja, e nominoi për kryeministre”, – thonë lidershipi me lakejtë e tyre! Ata sillën sikur t`i kenë dhënë – sisë, gji Vjosës -! Realisht, Vjosa trashëgoi dashurinë për LDK-në e Rugovën nga familja, sepse babai i saj, Raif Osmani, ishte kuadër i FARK-ut të Dr. Rugovës, për çka edhe u burgos nga pushtuesi. Ndërsa ndjenjën e dinjitetit, të lirisë të mendimit dhe të demokracisë, Dr. Vjosë Osmani, i begatoi si nxënëse e Shkollës amerikane. Përndryshe, do të ishte pjesë e turmës tuaj, që votoni me – aklamacionin – tufëzues, blegtoral!
Rrjedhimisht, Aklamacioni, për Dr. Vjosën, ashtu – si burri i nënës -, e shqetëson atë. Andaj, duke qenë në cilësinë e Nënkryetarës të LDK-së, e denoncoi – Aklamacionin -, si gangrenë të demokracisë, në përgjithësi, dhe të LDK-së, në veçanti. Ajo ishte e drejtëpërdrejtë, në akuzat e saj parimore: “Lidershipi dhe të gjitha strukturat e LDK-së, janë pjellë e keqe e – A K L A M A C I O N I T -, janë, tërësisht, të paligjshme!”
Ashtu është edhe statuti i klanit Mustafa, me të cilin ai ka livadhisur, kullotur, me sundimin despotik stalinist, anakronik – për epokën dixhitale, pëpërtej një dekade! Dhe, me këtë statut, ai po e përmbyllë karrierën politike, të palavdishme. Kuvendi-farsë, i 14 marsit 2021, në kundërshti të plotë, me anëtarësinë dhe strukturat e partisë, ka vendosur ta zgjedhë udhëheqjen e re, me “argatë” të vjetër! Thënë troç, LDK-ja “i ka hypë mizës!”