Me rastin e ndarjes nga jeta:
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
Sot, më 26 tetor 2016, përmes TV u njoftua se u nda përgjithnjë nga jeta, Akademiku Alfred Uçi (Korçë, 15 dhjetor 1930-Tiranë, 26 tetor 2016), personalitet i shquar i arsimit, kulturës dhe shkencës mbarëkombëtare shqiptare.
Përveç njohjes së kahershme dhe takimeve të pashkëputura me të, sidomos në vitet e fundit, së bashku me prof. A. Uçin, kemi qenë në udhëtimet e bëra në Shkup (10 tetor 2012), Prishtinë(23 nëntor 2012) e Ulqin(8 mars 2013) dhe, së fundi, në Pogradec(11 maj 2013). Atje dërguam dhuratë librin e tij, kushtuar Petro Nini Luarasit dhe morëm pjesë në veprimtaritë e bukura dhe mbresëlënëse, që u organizuan, me atë rast. Kudo ai u prit me nderim e respekt të veçantë, për përkushtimin e dëshmuar ndaj Atdheut e popullit, për ndihmesën e pakursyer në edukimin dhe mësimin e brezit tonë të ri dhe për veprat e shumta e plot vlera, që ai ka shkruar dhe që zenë një vend të merituar në letrat shqipe.
Për ta kujtuar sadopak jetën dhe veprën shumëplanëshe të Akademikut të njohur Alfred Uçi, më poshtë po ripublikoj një shkrim modest, të cilin e pata shkruar, me rstin e organizimit të ceremonisë festive për 80-vjetorin e ditëlindjes së tij. Ndërsa tani marrim pjesë në hidhërimin e madh për ndarjen e tij nga jeta dhe i dërgojmë ngushëllimet më të sinqerta: bashkëshortes Rozeta, dy vajzave e familjarëve të tjerë, si dhe kolegëve e miqëve të tij të shumtë.
Të paharruara qofshin jeta dhe veprimtaria pedagogjike e shkencore, kulturore e botuese etj., të prof. Alfred Uçit-Akademik!
Tiranë, 26 tetor 2016
1.
Prof. Alfred Uçi feston 80 vjetorin e lindjes…
Një jetë e mbushur me mësime e studime: të mesmet në Korçë, Tiranë e Shkodër dhe të lartat për estetikë e filozofi, në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, më 1949-1954. Detyrën e pedagogut e nisi në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës. Pastaj, me krijimin e Univesitetit të pare shqiptar, dha lëndët e estetikës e të filozofisë, në disa fakultete të tij. Në vitin 1970, iu dha titulli “Profesor” e më pas “Akademik”, kur u krijua Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, ka kryer detyra të rëndësishme drejtuese: drejtor i Institutit të Kulturës Popullore (1979-1987) dhe kryetar i Komitetit të Kulturëse e Arteve (1987-1990). Për meritat e tij, në vitin 2005, u nderua nga Presidenti i Republikës, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Gjatë jetës së tij, përveç veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare në Tiranë, ka marrë pjesë dhe ka referuar në kongrese, konferenca e simpoziume shkencore jashtë vendit, si në Sofje, Athinë, Ankara, Beograd, Prishtinë, Vjenë, Itali, Suedi, Francë etj. Ka shkruar një numër të madh artikujsh, referatesh e kumtesash me tematikë nga fusha e filozofisë, sociologjisë, estetikës, etnografisë, folkloristikës, kritikës letrare etj.
Duke përgjithësuar përvojën e punës dhe të kërkimeve të veta, prof. A.Uçi ka shkruar e botuar mjaft libra. Ndër ta, përmendim: “Estetika, jeta, arti” (1970), “Probleme të estetikës” (1976 e 1980), “Labirintet e modernizmit (1978), “Mitologjia, folklori, letërsia” (1982), “Çështje teorike të estetikës dhe të kultures” (1986),”Estetika” – Vëllimi I, II, III (vitet 1987-1988), “Shekspiri në botën shqipare” (1996), “Dostojevski në kohën tonë” (1997), “Ferrparajsa Danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti” (greqisht, në Athinë, 1998), “Grotesku kadarean”(1999), “Estetika e groteskut – Teoria dhe historia” (2001), “Estetika në folklor dhe në letërsinë shqipe” (2001), “Paradigma të ndërgjegjes shoqërore – estetikë filozofike e politike” (2001), “Estetika e groteskut”-në tre vëllime dhe libri i ri i tij është “Filozofia e donkishotizmit”.
2.
Pra, prof. Alfred Uçi kishte se çfarë të tregonte dhe të dëshmonte para familjarëve, kolegëve, ish-studentëve të panumërt, miqëve e dashamirëve të jetës, në festimin e 80-vjetorit të ditëlindjes. Ishin të pranishëm: akademikë e profesorë, personalitete të jetës politike e shoqërore, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë. Gjithashtu, merrnin pjese, në këtë ceremoni: ish-Presidentët e Shqipërisë, prof. Rexhep Meidani e Alfred Moisiu, kryetari i Akademisë së Shkencave Gudar Beqiraj e zv. i tij Muzafer Korkuti, këshilltari i Kryeministrit Nerinan Ceka e të tjerë.
Ata kishin ardhur së bashku, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit Tiranë, për ta uruar e përgëzuar për jetën e tij të begatë e të përkushtuar, në fushat e arsimit, kultures dhe shkencës sonë mbarëkombëtare. Me fjalën e tij me peshë, studimete botimet e shumta, ai është bërë një personalitet i njohur, si brenda dhe jashtë vendit tonë.
Veprimtarinë e mësipërme e hapi dhe e drejtoi Erion Kristo. Ndërsa vetë prof. Uçi i përshëndeti dhe i falënderoi nga zemra pjesëmarrësit për nderin, që i bënë dhe u ndal shkurt rreth disa pikëpamjeve të tij në studimet dhe botimet e ndryshme, sidomos në fushën e estetikës dhe filizofisë së jetës. Duke u shprehur me modesti, ai nënvizoi se çdo gjë e ka bërë në shërbim të popullit e Atdheut, brezit të ri të vendit tonë.
Me plot emocione, e përshëndeti prof.Uçin, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, koleg e bashkëkrahinas i tij. Në vazhdimësi, për aspekte të jetës, veprimtarisë dhe botimeve folën, me radhë, kolegë e ish-studentë të tij: Moikom Zeqo, Gjergj Simoni, Josif Papagjoni e Zyhdi Dervishi. Kryetari i Shoqatës “Devolli” i dorëzoi atij dëshminë “Krenaria e Shoqatës Devolli” dhe propozoi që prof. Alfred Uçit, personalitet i shquar shumëplanësh, t’i jepet edhe titulli më i lartë, “Nderi i Kombit”.
Gjatë kësaj veprimtarie u shfaq një dokumentar televiziv, i cili fliste, me gojën e vetë prof. Uçit, për jetën dhe veprimtarinë e tij të pasur, në mjaft fusha të jetës. Gjithashtu, u recituan pjesë të ndryshme, që lidheshin me aspekte të veçanta të krijimtarisë së tij mjaft të pasur. Mjedisin festiv e bënë më të gëzueshëm recitimet dhe buqetat me lule të freskëta, që i dhuruan atij nipër e mbesa dhe i uruan nga zemrat e tyre të vogla, jetëgjatësi e lumturi.
Gjithashtu, në këtë festë të gëzuar u njoftua se miq e dashamirë të A.Uçit, nga brenda e jashtë vendit, e kanë uruar atë me mesazhe të ngrohta, me rastin e kësaj ngjarjeje të shënuar, si nga Shqipëria, Kosova, Kalabria, Amerika e tjerë. Në këtë veprimtari festive, u tha se atij i kishte dërguar një mesazh urimi, kryesia e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë.
Në mbyllje, pjesëmarrësit i kaluan disa çaste së bashku, në koktejin e organizuar me këtë rast, nga familja dhe bënë mjaft fotografi, të cilat do të mbeten kujtim i paharruar për të gjithë.
(Tiranë, 15 dhjetor 2010)