Grupi artistik i Shoqatës “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen
GAZMEND DASHI
IDRIZ ZEQIRAJ
Nëndega e LDK-së në Mynih, në koordinim me LDK-në, në Bavari, e ndihmuar edhe nga Shoqata “Sali Çekaj” dhe Shoqata “Rilindja”, organizoi Akademi Përkujtimore, kushtuar Presidentit Ibrahim Rugova, Kolonel Tahir Zemaj dhe deputetit Smajl Hajdaraj. Hymni Kombëtar dhe ai Dardan, u shoqërua nga zëri i grupit të fëmijëve të Pfaffenhofenit, nën përkujdesjen e Shemsi Hazirit.
Moderatori i talentuar, Refki Tafa, fton në skenë kryetarin e LDK-së, për Republikën e Bavarisë, Idriz Zeqiraj, i cili hapi Akademinë dhe përshëndeti të pranishmit, duke filluar nga Familjet e Dëshmorëve: Gërvalla, Çekaj, Zemaj, Hajdaraj, Blakaj, Zeqiraj; komandantin e Kosharës, Hisen Berisha, këshilltar ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes, të Republikës së Kosovës; deputetin për Bajernin e Sipërm, Deli Balidemaj; veprimtarët veteranë të çështjes kombëtare: Nikollë Skelaj, Mehmet Kokaj, Pjetër Coli, Shaqir Bushati, Ahmet Kolgeci, Hazir Muriqi, Hysen Bicaj, Emrush Tafa, Azem Zemaj, Halil Zemaj, Azem Xhema, Ismet Nivokazi, Isa Bilalli.
Pamje nga salla e Akademisë Përkujtimore
Prania kolektive e Shoqatave dhe klubeve të Bavarisë, të kryesuar, dinjitetshëm, nga përfaqësuesit e tyre, madhëroi Akademinë. Shoqata e zëshme “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, me kryetar Osman Ferizi; Shoqata “Rilindja”, në Mynih, me kryetar Bekim Gërvalla; Shoqata “Abeja” nga Moosburgu, me kryetar Xhemajl Hoxha; Shoqata Bavareze Gjermano-Shqiptare, në Mynih, me kryetar Milaim Krasniqi; Klubi futbollistik “Kosova”, me kryetar Arben Kelmendi; Shoqata “Shqiponja” nga Rosenheimi; Nëndega e LDK-së të Berlinit, me kryetar Sami Blakaj; Nëndega e LDK-së nga Starnbergu, me kryetar Musa Hamza; Nëndega e LDK-së në Landau an der Isar, me kryetar Tefik Jaha.
Si gjithëherë, të pranishëm në Akademi, brezi i dytë i aktivistëve të zellshëm: Fazli Gashi, Naim Gashi, Bashkim Leci, Halil Blakaj, Xhevdet Muriqi, Lush Cana, Ibrahim Rexhaj, Ramadan Deskaj; luftëtarët Ramadan Begu, Gani Batanina, Isuf Qetaj; i burgosuri politik shumëvjeçar Naser Krasniqi; mësuesi dhe poeti Nusret Dërguti, Fran Tanushi dhe të tjerët. Një mysafir i veçantë, nga Kosova, ishte mësuesi veteran, Ismail Gërvalla, shok klase i Ibrahim Rugovës, i cili nga aeroporti, erdhi në sallën e Akademisë.
Isa Shabani, sekretar i Degës të LDK-së në Gjermani
Sekretari i Degës të LDK-së, në Gjermani, Isa Shabani, mbajti referatin kryesor, për jetën dhe veprën e Dr. Ibrahim Rugovës. Ai, në mes tjerash, tha: “Sot në përvjetorin e 13-të të shuarjes, kujtojmë personalitetin, arkitektin, strategun e pavarësisë të Kosovës, Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova“.
U lind me 2 dhjetor 1944, dhe pa i mbushur as 6 javë, ia arrestojnë babanë, Ukën (27-vjeçar), dhe gjyshin, Rrustën (67-vjeçar), të cilët rreth 10 janarit 1945 dhe i ekzekutojnë pa gjyq, varret e të cilëve nuk janë gjetur kurrë. Shkollën fillore, përkatësisht 8-vjeçare e kreu në vendlindje dhe Istog, ndërsa Shkollën Normale në Istog dhe Pejë.
Më 1967 regjistrohet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ndërkohë edhe punon arsimtar në shkollën fillore në Obiliq. Njëkohësisht fillon të shkruajë në revistat e gazetat e kohës, si në revistën “Fjala”, e drejton gazetën e studentëve “Bota e re” dhe nxjerrë edhe revistën letrare “Plejada” dhe atë shkencore “Dituria”.
Më 1971 diplomon në Fakultetin Filozofik dhe boton veprën e parë letrare “Prekje lirike“ të cilën ua kushton tre më të dashurve të vet.
Nga 1972 për afro dy dekada, veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik, si hulumtues i letërsisë dhe regjistron studimet pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës.
Studimet specializuese, për kritikën letrare i vazhdoi në Paris, tek Profesor Roland Barthes, të cilat i mbaroi me sukses. Veç veprave tjera, projekti i tij i madh ishte monografia për Pjetër Bogdanin, të cilën e publikoi në vitin 1982. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinësë më 1984 me titull “Kahje dhe premisa të kritikës letrare shqiptare, 1504-1983” dhe në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike të këtij Instituti”.
Sekretari Isa Shabani vazhdoi me veprimtarinë politike, që nga themelimi i LDK-së, pluralizmi politik, rezistenca aktive, lufta dhe deri ke shtet-ndërtimi i Kosovës pas çlirimit”. Dhe, fjalën e tij e pëmbylli me vlerësimin e dhënë nga Bernard Kouchner: “Pa atë ngulmin e tij të lëmuar, pa këmbënguljen e refuzimit të tij, sot nuk do të kishte as Kosovë, as shpresë lirie.“
Nga e majta: Blerim Hajdaraj, bashkë-kryetar i Degës të
LDK-së në Gjermani dhe Isuf Çetaj, kryetar i Nëndegës në Mynih
Për jetën dhe veprën e Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, foli bashkë-kryetari i Degës të LDK-së, në Gjermani, Blerim Hajdaraj, djali i Deputetit. Veç tjerash, ai theksoi: ” E kujtojmë Kolonel Tahir Zemaj, në cilësinë e Komandantit të FARK-ut, përkatësisht, UÇK-së së tij, për Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Krenohemi me betejat e Komandantit elitar, në betejat ballore në Loxhë e Isniq, në Prapaçan e Jasiq, në Strellc e Dubovuik, në Baran e Junik, që i komandoi me mençuri e profesionalizëm ushtarak.
Me guximin dhe strategjinë luftarake, Kolonel Zemaj u bë sinonim i betejave luftarake të suksesshme, sinonim i luftës për liri dhe bërjen e shtetit të Kosovës. I vrarë pas luftës, në një pusi kusarësh, piratësh, kodoshësh e tradhtarësh, do të kujtohet brez pas brezi, për besë e burrëri, për sakrificë e patriotizëm, për guxim e vendosmëri, për qendresë dhe atdhedashuri. “Unë nuk kam plumba për shqiptarë”,- motoja proverbiale e Kolonelit trimosh Tahir Zemaj.
Fisnik Zemaj, nipi student i Kolonelit
Për jetën dhe veprën e e deputetit në Parlamentin e Kosovës, referoi studenti i Berlinit, Fisnik Zemaj, i cili, veç tjerash, tha: “Çdo vit, janari na tubon, për të shënuar data të pikëllimit, por, edhe të dhimbjes krenare.
Në një ditë të ftohtë të janarit, u krye vrasja, sa dinake aq edhe mizore, e veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare, kryetarit të LDK-së dhe komandantit të UÇK-së për Rugovën, Smajl Hajdaraj.
Smajl Hajdarajn do ta përkujtojmë gjithmonë si një intelektual karriere, mësimdhënës, politikan elitar, deputet në vijën e Presidentit Rugova, strateg e ushtarak, që i shërbeu, besnikërisht, paqes dhe luftës.
Ai kishte një profil të veçantë të atdhedashësit. Të veçantë e bënë jeta e tij, e cila ishte e ngjeshur me aktivitete të dendura patriotike, me ngritje dhe marrje të përgjegjësive, për interesin e kombit shqiptar në vazhdimësi, dhe atë që nga rinia e hershme e deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Djali i atdhetarit Arif Reka, heroi Smajl Hajdaraj, kontribuoi me pendë e pushkë, për çlirimin e Kosovës tonë. Ves sa e preku lirinë. Plumbat e pabesisë, të tradhtisë, në natën e 17 janarit 2002, e goditën, në hollin e banesës së tij, në lagjën “Fidanishte” të Pejës. Projektuesit e kësaj vrasjeje makabre, vazhdojnë të jenë në shtet dhe pushtet, mjerisht! Megjithatë, ngushëllohemi me urtësinë popullore: “Zoti vonon, por nuk harron!” Dënimi i vrasësve nuk do të kontribuojë vetëm në vënien e drejtësisë, por Kosovës do t`i jepë vlerën e lirisë, ndërsa familjarëve ndjenjën drejtësisë dhe të qetësisë. Nderim dhe respekt familjes Hajdaraj”, – përfundoi fjalën e tij Fisnik Zemaj.
Komandanti i Kosharës, Hisen Berisha, këshilltar
ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes
Dalja në skenë e Komandantit të Kosharës heroike, Hisen Berisha, tani, këshilltar ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes, u shoqërua me duartrokitje dhe admirim. Pinjoll i Familjes të Agë Rashkocit, një burim atdhetarie që nuk shterroi asnjëherë, pavarësisht kohërave zezonë, që, ndër mote, goditën Atdheun tonë.
“Fjala HOMAZH në përvjetorin e vdekjes së Presidentit Rugova”, – e kam titulluar fjalën time të sotme, për këtë Akademi Përkujtimore“, – nismoi fjalimin e tij Komandanti simpatik, trim e mençurak, Hisen Berisha.
Të dashur mërgimtarë të Atdheut tim!
Jam i emocionuar, që pas 20 vjetësh lirie, vij për herë të parë, në mesin e mërgimtarëve.
Fjalën time homazh, do ta filloj me disa vargje poetike të Presidentit Rugova, të shkruara në vitin ’60 e që janë betimi i tij mbi të “vërtetën”, si doktrinë mbi të cilën e ndërtoi strategjinë e zgjidhjes të çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve nën Jugosllavi.
“Po ëndërron me këngë të rritësh
Dhe ajo përpara ti flas
E di. Me degë plot do t‘goditësh
E ngado të endesh veç do të vrasë,
… bënë që për vargjet e mia t‘përvëlimit
Të më quajnë edhe njeri fare t‘prishtë.
Po herët i vranë sytë e shtrembërimit,
Se e flas t‘vërtetën e kam çiltërsisht”.
Kështu hyni në jetën e letrave shqipe Prof. Dr. Ibrahim Rugova, mirëpo kursin e të vërtetës së çiltër e mbajti edhe kur e goditën jo veç me degë.
“Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi”, – ishte motoja që e shtyu të vihet në krye të Lëvizjes Kombëtare për çlirim.
Shekulli i okupimit serb në Kosovë, kishte arritur të vrasë kokat e ngritura të shqiptarëve për liri.
Vitit 1989, Dhjetori 23, sublimoi përpjekjet e kahmotshme të shqiptarëve të Kosovës dhe bashkë me profesorë universitarë, i organizuan shqiptarët në subjekt politik pluralist, që ishte dallëndyshja e parë lajmëtare e lirisë.
Doktor Rugova themeloi Këshillin e Veprimit Kombëtar, i cili organizoi Referendumin e 26 shtatorit 1991, që vendosi themelet politike për krijimin e Republikës së Kosovës shtet i pavarur e Sovran.
Përqafimi i ideve të Doktor Rugovës nga të gjithë shqiptarët, pa dallim feje apo dallime politike dhe prezantimi i këtij uniteti kombëtar nga urtësia rugovjane, bëri që Doktor Rugovën ta mbështeste e përkrahte Senati i SHBA-së, Presidenca dhe tërë bota demokratike.
Personaliteti politik i Doktor Rugovës ngriti në mekanizmat e vendimmarrjës botërore, hallet e shqiptarëve të okupuar.
Në Kosovën e okupuar Dr. Rugova ngriti mekanizmin e zgjedhjeve të lira, formoi parlamentin, kushtetutën dhe qeverinë e Republikës së Kosovës.
Shteti i Kosovës, të cilin Presidenti e emëroi “Dardania “ Ilire, u shtri gjithandej tokave ku shqiptarët jetonin dhe i mbronin si trashëgimi stërgjyshore.
Republika, ngriti sistemin administrativ, ngriti sistemin arsimor.
Zgjimi nacional i shqiptarëve erdhi pas aneksimit të Kosovës nga Serbia e cila vendosi tanke dhe ushtri, për ta shtypur atë që historia e njeh si “Shteti i Rugovës”.
Gratë dhe burrat shqiptarë, intelektualë, atdhetarë të devotshëm, trima e njohës të artit ushtarak, formuan si kundërpërgjigje ndaj agresionit ushtarak millosheviçian, Ministrinë e rendit dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Djemtë e mërgatës që e shpëtuan Shqipërinë nga kthetrat e otomane”, ishin, pikërisht, rilindasit, të cilët frymëzuan Ibrahim Rugovën.
Ju, duhet t’i përsërisni Samiun, Avdylin, Pashko Vasen, Hasan Prishtinën, Haxhi Zekën, Ju duhet ta ringjallni “Rilindjen”, ashtu siç bëri Doktor Rugova.
Kombi shqiptar e ka panteonin e nderit, dhe aty janë Dr. Rugova dhe të gjithë burrat që po i nderojmë sot.
Burrat shqiptarë në mërgim: Enver Hadri, Vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka , Ahmet Krasniqi e Sali Cekaj, Agim Ramadani e të tjerë, janë rilindësit e kohës tonë. Ndërsa ne do t´i ringjallim me punën dhe veprimet tona, në forcimin dhe mbrojtjen e Republikës së Kosovës, shtet i pavarur dhe i integruar në BE e NATO, si dhe në miqësinë e përhershme me SHBA-në.
– Kjo është rruga e Doktor Rugovës! –
Nga takimet e shumëta me Presidentin, unë do t’i përcjell tek ju disa porosi, të cilat duhet t’i zbatojmë me fanatizem:
të qëndroni në uniformë, për të ruajtur bërthamen e ushtrisë së ardhshme të Kosovës;
të punoni që Kosova të lirohet nga kleptomanë dhe kleptokracia dhe “…të ndërtohet pushteti i mirë, që i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga dijet shkencore dhe idetë universale të progresit njerëzor.”
“Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për vlerat e lirisë“, – përmbylli fjalën e tij, Komandanti Hisen Berisha.
Krijuesi i përkushtuar llapjan, Ibrahim Hoxha, rezident në Rosenheim, vazdon të jetë shumë aktiv në jetën kulturore dhe aktivitete të tjera të organizuara nga komuniteti shqiptar në Bavari. Në Akademinë Përkujtimore, kushtuar trinomit të heronjve të Kosovës, krijuesi, tashmë, i afirmuar, Ibrahim Hoxha, përformoi, suksesshëm, monologun kushtuar Presidentit Rugova dhe u mirëprit nga të pranishmit.
Fëmijtë e talentuar: Arjana Muli recitoi poezinë për Presidentin Rugova; motrat Era dhe Vlera Kolgeci poezinë për Kolonel Tahir Zemaj; Dion Muli, poezinë për Smajl Hajdaraj; Auron Berisha – poezinë “Mos më thuaj”, të cilat u pëlqyen dhe u duartrokitën shumë.
Nxënësi Auron Berisha, nga Landau an der Isar
Në fund, kryetari i Nëndegës të LDK-së në Mynih, Isuf Qetaj, falenderoi të pranishmit, për pjesëmarrje të dinjitetshme.
Këngëtarët Musë Hertica me dy djemtë e tij, Ladi e Fita si dhe Nehat Idrizi, me grupin, kënduan për Presidentin Rugova, Kolonelin Tahir Zemaj dhe deputetin Smajl Hajdaraj.
Gazetari dhe kameromani Halil Rrustemaj, me profeionalizëm admirues, fiksoi, regjistroi të gjithë ecurinë e kësaj Akademie Përkujtimore.