NGA KALOSH ÇELIKU
E pabesueshme, sa përngjanë Ngjarja historike e Dy Nuseve nga Katundi, që ecnin rrugës për në Kërçovë te “Pazari i Grave”, me “Armikun e padukshëm” koronavirusin. Biseda e tyre si dy shoqe besnike, për ta lehtësuar këmbë rrugën. Masat e Qeverisë: “Rri në shtëpi! Laj duart me sapun! Distancë: Dy metra larg edhe me gruan! Dilni në ballkone, dhe kërceni si Arusha me dajre!” Ora Policore: Arrestime. Dënime. Dhunë.
Përkrah masave të Qeverisë, Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, doli me një vendim paralel me një sërë masash për festën e Fitër Bajramit: “Besimtarët namazin e sabahut ta falin nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa namazi i Bajramit të bëhet në xhami, por të mos zgjasë më shumë se 15 minuta! Rijaseti i BFI, për shkak të situatës aktuale me koronavirusin ka anuluar organizimin e Manifestimit qëndror tradicional të faljes së Fiter Bajramit”.
Duartrokitje, kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçit, në konferencën me gazetarët: “Gjatë festës së Fiter Bajramit, duhet karantinë, dhe të ndalohet lëvizja, për shkak të mundësisë së përhapjes të koronavirusit. Shembull, të merret Turqia, si një vend shumë i zhvilluar dhe që sillet me shumë përgjegjësi. Presidenti Erdogan vendosi që vendi të futet në izolim të plotë për katër ditë me rastin e festës së Bajramit”. (?!)
Krahpërkrahu ecnin rrugës Dy Nuset me pashterka të kuqe, dhe ferexhetë e zeza hedhur krahëve duke tjerrë bisedën maratonike. Theshethemet e botës. Papritmas, udhën ua preu një turmë njerëzish me një arkivol mbi katër krah. Hoxha i Allahut, dhe “xhemati” e përcillnin “xhenazen” mes varreve. Njëra, nga Nuset ofshau: I shkreti! Zoti ia faltë mëkatet! Xhehnetin.
Nuses tjetër, me pashterkë të kuqe palë-palë, dhe ferexhenë e zezë hedhur krahëve, i rrëshqiti këmba nga guri në ujë. Përpak, desh u rrëzua në hurdhë, nuk duroi dot pa folë si gjylvetare. Shpërtheu: Ai çka ka lypë, e ka gjetë. Po, unë laga këmbën…