Flet Agim Vinca – profesori i shquar dhe studiuesi i letërsisë shqipe
Për Agim Vincën mund të thuhet ajo që ka thënë Cvajgu për Stendalin: “një gjysmë shekulli pa asnjë armë tjetër përveç krenarisë së tij (…), por në këmbë deri në çastin e fundit (…). Kundërshtia është prirja e tij, ndërsa pavarësia kënaqësia e tij”. I vetëm kundër të gjithëve, por asnjëherë jo indiferent për fatin e të tjerëve. Kjo është vetëm njëra nga shumë arsyet që më ka nxitur për ta bërë këtë Intervistë
Intervistoi: Miftar KURTI
Ideja për të bërë një intervistë me Profesor Agim Vincën, më ka lindur fillimisht më 22 maj 2007, në Ferizaj, me rastin e shënimit të 60-vjetorit të lindjes së profesorit. Intervista qe paraparë të botohej në revistën letrare “Fjalë e valë”, organ i SHSHM “Jakup Ceraja”. Pata përgatitur 20 pyetje dhe ia pata dërguar. “Më vjen keq, Miftar, kam dhënë shumë intervista këto ditë, jam harxhuar…”, më pat thënë ndër të tjera Profesor Vinca.
E pashë se të tjerët ishin treguar më të shpejtë, më të shkathët, më të kujdesshëm se unë. Nuk kaloi shumë kohë dhe idenë e modifikova. Kjo ndodhi në vitin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pretendimi im tashmë ishte që të bëja diçka ndryshe nga ç’kishin bërë të tjerët për Profesorin (dhe mentorin) tim të nderuar. Ideja ishte që të bëja një intervistë më të gjatë me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij. Pata përgatitur projektin ideor, ku kësaj radhe ishin shtruar 65 pyetje (për 65 përgjigje), si simbolikë e 65-vjetorit të lindjes. Madje, si titull të punës e pata caktuar “Jeta në rrugën 65”.
Në një mbrëmje korriku, derisa isha oficer kujdestar në TMK, në Kazermën “Isa Boletini” në Mitrovicë, atëherë kur profesori gjendej për pushime në vendlindje, ia pata dërguar projektin në adresë elektronike. “Kur të kthehem në Prishtinë, bisedojmë”, më pati shkruar ndër të tjera, duke më falënderuar për idenë. Puna filloi mirë, por nuk po ecte me ritmin e dëshiruar për shkak të angazhimeve të shumta të profesorit me studentët, për shkak të angazhimeve të tij në veprimtari të ndryshme krijuese dhe shkencore, por edhe për shkak të modestisë së tij. Ndërkohë, në redaksinë e revistës “Fjalë e valë”, ngase profesor Vinca ishte njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të saj, qe dhënë ideja që me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij, të përgatitej një numër tematik kushtuar veprimtarisë së tij letrare dhe shkencore.
Në dhjetor 2012 revista doli nga shtypi, kurse në janar 2013, u promovua në Fakultetin e Filologjisë, në prani tëshumë studentëve, të kolegëve të tij profesorë, por edhe të personaliteteve të rëndësishme kombëtare, në mesin e të cilëve ishte edhe Adem Demaçi. Kështu që ky projekt nuk qe shkruar të finalizohej as me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij. Atëherë, në vazhdim shtova numrin e pyetjeve për dy-tre fish, sepse kishin mbetur shumë çështje pa u prekur. Pas kësaj isha i sigurtë se me rastin e 70-vjetorit do të arrija në cakun e dëshiruar, do ta përfundoja këtë projekt. As kësaj here nuk u arrit synimi. Sepse, kësaj radhe, doli një pengesë e papritur: profesori i qe nënshtruar një operacioni. Gjendja pas operacionit nuk shkoi mirë. Profesorit iu keqësua gjendja shëndetësore aq shumë sa gati na iku, gati na la. Zoti, kujdesi familjar dhe mjekësor, por edhe karakteri i tij i fortë, bënë që ai ta kalonte këtë gjendje, ta merrte veten dhe kështu ta vazhdonim punën në realizimin e kësaj ideje.
Në këtë Intervistë të gjatë kemi biseduar për origjinën e tij, të familjes dhe fisit; për vendlindjen, fëmijërinë, rininë e tij; për shkollimin (nga ai fillor e deri në doktoratë), për mësuesit e shkollës dhe të jetës; për punën si mësimdhënës i shkollës fillore, të mesme dhe në universitet; për angazhimet e tij në protesta e demonstrata, në mbrojtje të gjuhës, flamurit, kombit dhe lirisë së tij; për veprimtarinë e tij krijuese, shkencore dhe atdhetare; për sfidat nëpër të cilat kaloi gjatë jetës së tij; për jetën në robëri; për gjendjen në Shqipëri dhe të shqiptarëve në Maqedoni; për historinë, letërsinë dhe kulturën; për korifenjtë e historisë dhe të kulturës shqiptare; për dukuri e fenomene letrare; për kritikën, historinë dhe teorinë e letërsisë, për metodat letrare; për Nobelin dhe nobelistët; për disidentët dhe disidencën; për poetë e prozatorë, kritikë letrarë e studiues të letërsisë; për publicistë e polemistë; për politikanë e figura historike; për jetën e intelektualit në kohë robërie; për librat dhe bibliotekën, për leximin e shkrimin; për të mirat, të metat dhe besëtytnitë; deri edhe për dukuri e fenomene natyrore etj., etj. Për gazetën “Nacional” po shkëpusim pjesë nga kjo Intervistë e gjatë, ku Profesor Vinca flet për dukuri dhe fenomene natyrore, për personalitete të historisë, filozofisë, gjuhësisë, artit e shkencës, kulturës e politikës etj.
Profesor Agim, në këtë kapitull dëshiroj t’jua parashtroj disa pyetje të shkurtra (të tipit anketë) për dukuri dhe fenomene natyrore, për personalitete të historisë, filozofisë, gjuhësisë, artit e shkencës, kulturës e politikës etj. Nga dy opsionet duhet ta zgjidhni vetëm njërin opsion.
M. Kurti: Mes imazheve të bukura të hënës dhe ngrohtësisë së diellit, kë do ta zgjidhnit?
A. Vinca: Diellin, sepse edhe hëna prej tij e merr dritën.
M. Kurti: Po mes shirave të rrëmbyeshëm dhe ortekëve të borës?
A. Vinca: E dua shiun dhe borën, por shirat e rrëmbyeshëm sjellin dëm, kurse orteku është vdekjeprurës. (Kujto tregimin Rrungaja në mars të Martin Camajt).
M. Kurti: Dimrin e acartë apo verën me shumë vapë?
A. Vinca: Unë jam i jugut dhe më shumë e duroj të nxehtit se të ftohtit.
M. Kurti: Shiun apo borën?
A. Vinca: Borën. Vdes pas peizazheve me borë.
M. Kurti: Pranverën apo vjeshtën?
A. Vinca: Të dyja, por vjeshta më duket më poetike.
M. Kurti: Mendimin apo ndjenjën?
A. Vinca: Si poet ndjenjën, si studiues mendimin, ndërsa si njeri jam diku në mes, me anim nga e para.
M. Kurti: Të dëgjuarit apo të shikuarit?
A. Vinca: Sytë janë dëshmitarë të pazëvendësueshëm.
M. Kurti: Më me lehtësi do të përballeshit me mikun mashtrues apo me armikun?
A. Vinca: Me armikun gjithsesi.
M. Kurti: Cilin do ta favorizonit Ju, Sokratin apo Platonin?
A. Vinca: Jam sokratik.
M. Kurti: Aristotelin apo Hegelin?
A. Vinca: Aristoteli është i pari.
M. Kurti: Herodotin apo Tukididin?
A. Vinca: Herodotin.
M. Kurti: Homerin apo Shekspirin?
A. Vinca: Pas Zotit Shekspiri ka krijuar më së shumti.
M. Kurti: Mikelanxhelo Buonarotin apo Leonardo da Vinçin?
A. Vinca: Kam pasur rastin t’i shoh në origjinal Moisiun e Mikelaxhelos dhe Monalizën e Da Vinçit. Të dy janë gjenialë, njëri në pikturë, tjetri në skulpturë.
M. Kurti: Moxartin apo Betovenin?
A. Vinca: Amadeusin.
M. Kurti: Gjon Buzukun apo Pjetër Bogdanin?
A. Vinca: “E nsë dashunit të botësë sanë”.
M. Kurti: Marin Barletin apo Frang Bardhin?
A. Vinca: Barletin për Historinë, Bardhin për Apologjinë.
M. Kurti: Nënë Terezën apo Ferid Muratin?
A. Vinca: Nëna vjen para birit.
M. Kurti: Kristoforidhin apo Çabejn?
A. Vinca: U takojnë kohëve të ndryshme, por kanë pasur të njëjtin mision: t’i shërbejnë gjuhës shqipe. Profesor Çabejn kam pasur nderin ta njoh edhe si njeri dhe të mahnitem me modestinë e tij.
M. Kurti: De Radën apo Naim Frashërin?
A. Vinca: Nuk mund t’i ndaj. Dhe nuk dua.
M. Kurti: Këngët e Milosaos apo Lulet e verës?
A. Vinca: Milosaon në tërësi, Lulet e verës për poemthin Bukurija.
M. Kurti: Migjenin apo Lasgushin?
A. Vinca: Janë dy maja të poezisë moderne shqipe, por unë jam më shumë migjenian…
M. Kurti: Konicën apo Nolin?
A. Vinca: Noli është idhulli im, nëse kam një të tillë.
M. Kurti: Koliqin apo Kutelin?
A. Vinca: Unë jam rritur në mjedisin për të cilin flet Kuteli në rrëfimet e tij.
M. Kurti: Mjedën apo Fishtën?
A. Vinca: Sa më shumë e njoh poezinë, aq më shumë e dua Mjedën.
M. Kurti: Kadarenë apo Qosjen?
A. Vinca: Të dy janë krijues të mëdhenj të kombit (jo “baballarë”), veprës së të cilëve unë i kam bërë shumë shërbime, ashtu siç kam mësuar shumë prej tyre.
M. Kurti: Jakov Xoxën apo Dritëro Agollin?
A. Vinca: Dritëroin si poet, Xoxën si prozator.
M. Kurti: Ali Podrimjen apo Azem Shkrelin?
A. Vinca: Mos më shti me u prishë me “babën Ali”, post mortem.
M. Kurti: Jakup Cerajën apo Sabit Idrizin?
A. Vinca: Jakupin kur kam qenë i ri, Sabitin edhe në pleqëri.
M. Kurti: Aleksandër Moisiun apo Bekim Fehmiun?
A. Vinca: Asnjëri nuk ka luajtur në skenën shqipe, por na kanë nderuar me talentin e tyre.
M. Kurti: Sandër Prosin apo Ndrekë Lucën?
A. Vinca: Sandër Prosin, të cilin, pos në skenë dhe në ekran, e kam takuar edhe në jetë.
M. Kurti: Skënderbeun apo Ismail Qemalin?
A. Vinca: Skënderbeu është mbi të gjithë.
M. Kurti: Ahmet Zogun apo Enver Hoxhën?
A. Vinca: Nuk jam me ata që e braktisin atdheun. Por jam kundër atyre që e shtypin atë.
M. Kurti: Adem Demaçin apo Adem Jasharin?
A. Vinca: Nuk bën pa asnjërin, ashtu siç nuk bën pa hazreti Ademin.
M. Kurti: Rexhep Meidanin apo Alfred Moisiun?
A. Vinca: I respektoj të dy, Meidanin e kam edhe koleg, si profesor, jo si president.
M. Kurti: Sali Berishën apo Bamir Topin?
A. Vinca: Bamirin, pa dyshim.
M. Kurti: Ibrahim Rugovën apo Fehmi Aganin?
A. Vinca: Njërin e kam pasur profesor, tjetrin koleg të studimeve. Profesori ka përparësi.
M. Kurti: Hashim Thaçin apo Ramush Haradinajn?
A. Vinca: Dikur të dy, tani asnjërin.
M. Kurti: Noel Malkolmin apo Robert Elsien?
A. Vinca: Elsin e kam pasur mik. Kemi bashkëpunuar sidomos në fillimet e punës së tij si studiues i letërsisë shqipe.
M. Kurti: Sipas mendimit Tuaj, cila ka peshën më të madhe historike, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) apo Ushtria Çlirimtare e Kosovës (1998)?
A. Vinca: Pa të parën s’do të ishte as e dyta. Historia ka vazhdimësi.
M. Kurti: Kongresi i Manastirit (1908) apo Kongresi i Drejtshkrimit (1972)?
A. Vinca: Pa shkronja s’ka drejtshkrim.
M. Kurti: Profesor, cilën e zgjidhni mes këtyre dy poezive tuaja: Ode biçikletës sime apo Kambanë në qafë?
A. Vinca: “Oden…” e kam pikë të dobët.
(Pjesë nga libri “Magjia e ligjërimit” (Intervistë me Poetin dhe Profesorin Agim Vinca) të autorit Miftar Kurti)
Piktura më e bukur dhe më e thellë e Gazmend Freitag
Shkruan: Asje DUKA
Piktura është poezi, është muzikë, është epokë, është ekzistencë njerëzore, është natyrë. Piktura më e bukur dhe më e thellë; Gazmend Freitag, lindi nga një dashuri e zjarrtë për të dashuruar me zjarr, e cila rrjedh nga përkushtimi e pasioni, për të cilin edhe sakrificat më të mëdha janë kënaqësi të ëmbla. Kjo është dashuria që e bën të ndjejë dhe të krijojë këtë “burrë”, të hedhë në tablo me pastërtinë dhe pasionin e engjëjve jetë dhe frymë njerëzore, kolosët dhe titanët e mendimit dhe të veprimit botëror. Janë ato çaste që mendja i shndërrohet në stuhi mendimesh, si një uragan, si një Niagarë, kërkon të derdhë në letër, për të kapur të pavdekshmen, përjetësinë.
O vepër e përsosur, pikturë e bukur, e dehur nga frymëzimi e pasioni, dritë kumbuese, për gjeniun e letrave shqipe: Ismail Kadarenë, dhe aradhen e atyre që lanë gjurmë në ekzistencën njerëzore, ritmi juaj i mahnitshëm i mendjes, i zemrës dhe dorës tuaj, dominon me ndjesitë e thella duke përsosur poezitë e tyre, në një pikturë të vetme, me më të dëlirat dhe më të lartat shqisa.
Dora juaj fisnike dhe mendja juaj e mprehtë dominon pa sforco çdo penelat e pëlhurë, është si muzikë që këndoni, duke i shkrirë gjithë dobësitë dhe arritjet me joshjen e magjishme të veshur me art, ju jetoni me vërtetësi dhe lartësoni gjithçka nga vini, duke plotësuar varfërinë e ideve me vrullin e fuqishëm të së bukurës brenda jush, të fantazisë, me penelin tënd hyjnor, duke mposhtur dobësitë e botës dhe duke lartësuar vlerën, fitimtar, i dëlire si yll i qetë, lartësohet prej jush, gjithçka që i përket. Ne duam të rilindim vazhdimisht. Ndiqi ëndrrat, mos hiq dorë, tashmë i keni lënë gjurmët tuaja në këtë botë gjigante.
Marrrë nga gazeta NACIONAL