AGIM MATO YNË I MADH

0
274
Agim Mato e Anton Nikë Berisha në afërsi të qytetit Tranit, Itali

Agim Mato e Anton Nikë Berisha në afërsi të qytetit Tranit, Itali

Në vend të In memoriam

Shkruan: Anton Nikë Berisha

“Intelektualët e vërtetë, qi me vetëdije të detyrës s’vet, ushtrojnë profesín e letrave janë syni i kombit; nji sy qi merr dritë nga vuejtjet e gzimet e kalesës, qi e forcon at dritë në përvojë të së tashmes dh’e flakron si rreze terr-shporuese kah ardhmenija e palindun.
Pá veprën dritëpërhapëse t’intelektualvet të njimendët, nji komb âsht si i verbti mbi nji udhë plot gropa e çarravína të rrezikshme”.
ERNEST KOLIQI

Nuk është thënë rastësisht se poetët (shkrimtarët) e mëdhenj nuk vdesin; në çastin kur pushojnë së frymuari, këmbehen vetvetiu me poezinë e tyre, me atë që na e kanë krijuar dhe na e kanë lënë trashëgim. Pra – fjala e tyre poetike – vazhdon të jetojë dhe të komunikojë me lexuesin e të ndikojnë estetikisht në ta, edhe pse ata nuk janë në mesin e tyre. Ndodh kështu për arsye se poezia, që kanë përftuar shpreh shpirtin, ngjiz emrin e tyre dhe lexuesi edhe pse s’ka mundësi ta takojë fizikisht poetin, e takon poezinë e tij dhe kjo e mban lexuesin të pa shkëputur me të.

Këtu, pos të tjerash, qëndron rëndësia e poetëve të mëdhenj; e fjalës së tyre poetike, që vazhdon të jetë e gjallë e të komunikojë me atë, që e lexon dhe njësohet me të. Duke folur për rëndësinë e artit Karl Gustav Jung-u thoshte “[…] arti përfaqëson një proces vetërregullimi shpirtëror në jetën e kombeve dhe të epokave.”

Pikërisht për këtë fakt arsyetohet shprehja se poetët janë hyjnorë për artin e tyre, për ndikimin estetik që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë me veprat e tyre. Poeti ynë arbëresh, De Rada, thoshte se poezia është si profecia, ndërsa Poradeci theksonte se poezia është hyjnore, i tillë është çdo varg dhe çdo fjalë për arsye se brenda saj është shkrirë shpirti i poetit.

Gjithë kjo që thashë lidhet ngushtë me poetin e Sarandës, Agim Maton, i cili këto ditë u nda fizikisht nga ne; lidhet me poezinë e tij dhe me vlerat që e cilësojnë atë.

Agimi vuajti për poezinë, e pësoi për poezinë, po ajo ishte dhe kënaqësia e tij, frymëmarrja e tij shpirtërore. Këtë e përligjin më së miri poezitë e tij.

Në sistemin e komunistëve ai e pësoi nga poezia, si ndodhi dhe me shumë sivëllezër të tij krijues në Shqipëri, që, po ashtu, e pësuan rëndë:

U ndesha me censorë, që sterilizonin shpirtrat e poetëve
në dobi të ca perëndive të rreme, që kishin populluar dhunshëm planetin.
Për shumë kohë penën ma sekuestruan
si një armë të paligjshme që nuk më takonte ta mbaja.
Për shumë kohë: “Sus!… sus!”, më ndëshkonin
dhe ngela pa zërin tim, pa gjuhën time, pa librat e mi.
(Ti libër)

Mirëpo, pikërisht dashuria ndaj artit të fjalës, ndaj poezisë, e bëri Agimin jo vetëm t’i përballojë vështirësitë, po dhe të ndjejë atë kënaqësinë e pazakonshme, që ajo mund t’i shkaktojë poetit: poezia u bë etje dhe ngushëllim shpirtëror, që u përligj dhe u njësua në shprehjen poetike të tij, sa të mëvetësishme, po aq të pasur. Kështu u vlerësua nga studiuesit shqiptarë dhe nga studiuesit italianë.

Tridhjetë vite jetoi me dashurinë e fshehur për poezinë, të fshehur thellë në qenien e tij dhe kur mbërrin çasti i pritur aq gjatë ndodhi diçka e rëndomtë:

Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën
e braktisur të poezisë
e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,
duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,
veglat e mia të punës
të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi
me perënditë,
ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi
bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për
salltanetin e madh të vdekjes
(Mea culpa)

Agim Mato nuk qe vetëm poeti i parë i Sarandës me trojet përreth, po dhe frymëzuesi dhe nismëtari i shumë veprimtarive letrare. Ai, bashkë me Timo Mërkurin, Bardhyl Maliqin e me të tjerë, e ngritën në nivele të larta bashkëkohore “Klubin të krijuesve jonianë” (Agimi për shumë vite ishte kryetar i këtij klubi). Klubi u bë i njohur sidomos për takimin tradicional të quajtur “Trirema e poezisë Joniane” (ide e Agim Matos), në të cilin vite me radhë morën pjesë krijues nga: Maqedonia, Bullgaria, Greqia, Spanja, Italia etj. Saranda ishte i vetmi qytet në Shqipëri që e nxiti një bashkëpunim të përmasave të këtilla me poetët e huaj dhe e vuri në komunikim letërsinë tonë shqipe me letërsitë e tjera.

Agim Mato Natyrisht, merita më e madhe për këtë, i përket Agim Matos.

Me një fjalë, në rrafshin letrar e kulturor Saranda u njësua mirëfilli me emrin e Agim Matos, po edhe ai u njëjtësua me qytetin e tij: organizoi shumë takime letrare, po edhe nxiti krijuesit e qytetit e të rrethinës që të shkruanin e të botonin.

Për t’u ndihmuar atyre, e themeloi dhe shtëpinë botuese “Milosao”, që u bë vatra kryesore e botimeve të veprave letrare të shkrimtarëve të hapësirës joniane. Mirëpo, ai e kaloi dhe këtë kufi: botoi dhe vepra të autorëve të tjerë: të shkrimtarëve arbëreshë, të shkrimtarëve të Kosovës dhe të shkrimtarëve italianë.

Falë aftësisë dhe këmbëngulësisë së Agim Matos, u krijuan marrëdhënie me disa shkrimtarë të huaj, sidomos me shkrimtarët italianë të Barit, të Leçes, të Tranit, të Formia-s, Gaeta-s etj.

Duhet të përmend sidomos bashkëpunimin shumë të frytshëm me grupin e shkrimtarëve italianë, që janë të bashkuar rreth revistës letrare “La Vallisa” (që botohet rregullisht tash mbi 40 vite), të prirë nga prof. Daniele Giancane (Xhankane).

Këmbimi i përvojave me shkrimtarët italianë, si dhe botimi i poezive dhe i antologjive në dy gjuhë (shqip dhe italisht), siç është vëllimi Na bashkon një det. Antologji me poetë italianë dhe shqiptarë të jugut (Milosao, Sarandë 2016), është punë që lidhet pandërmjetësisht me emrin e Agim Matos.

Më duhet të përmend këtu edhe qëndrimin vëllazëror të Agimit përballë shkrimtarëve kosovarë, një fisnikëri e pafund. Edhe ata ia kthyen këtë të mirë: “Ars klubi Beqir Musliu” i Gjilanit, i drejtuar nga shkrimtari Sabit Rrustemi, e ftoi në Gjilan dhe shkrimtarët vendorë e vlerësuan lart poezinë e tij; shtëpia botuese “Faik Konica” e Nazmi Rrahmanit, i botoi vëllimin me poezi të zgjedhura “Shkretëtirë harrimi” (Prishtinë 2018), ku janë përfshirë poezitë e tij artistikisht më të ngritura.

Dhe Agimi ynë i madh bëri dhe punë të tjera, për të mirën e letërsisë sonë e për qytetin e vet, Sarandën. Bëri pikërisht atë që e thotë Ernest Koliqi për intelektualin në mendimin e vënë jo rastësisht në krye të këtij shkrimi, që i përgjigjet mirëfilli poetit Agim Matos.

E kam thënë në një shkrim tjetër se kur vdes një shok i shtrenjtë vdes dhe një pjesë e jotja, ndërsa kur vdes një shok dhe poet i madh, vdes një pjesë më e madhe e jotja.

Agim Mato ishte një poet dhe një shok për shembull.

Mendoj që krijuesit jonianë të Sarandës duhet t’i vënë emrin e Agim Matos klubit të tyre. Me këtë do ta nderojnë klubin dhe do ta nderojnë emrin e poetit të tyre e tonin. Kjo do të jetë punë e parë që duhet të bëjnë ata dhe qyteti i tyre, për të vazhduar edhe me nisma të tjera.

Prishtinë, 12 maj 2021