TË TJERËT PËR NE
ANDRZEJ ZANIEWSKI*
E S E
( Përktheu nga polonishtja: MAZLLUM SANEJA )
EMRA TË SHKËMBINJVE QË SHKËLQEJNË NË GJI
(Parathënie e librit me poezi të zgjedhura të poetit FATOS ARAPI “ MË JEPNI NJË EMËR” e përkthyer në polonisht nga Mazllum Saneja& Eva Smietanska në botim të Shtëpisë së njohur Botuese “Komograf” në Varshavë të Polonisë, tetor 2013.)
…” Dhe si luftëtar i varfër
që mbështet kryet mbi gurë
gjer të nisë lufta prapë
dua kokën ta mbështes
mu në gjoksin tënd prej dielli…”
(Po trokas në zemrën tënde)
Biografitë e shkrimtarëve i lexoj nganjëherë porsi poezi apo epose të përbëra nga shumë poezi. Ndërkaq, shpesh ndodh që të kuptosh në tërësi synimin dhe kuptimin e këtyre rrëfimeve dhe tregimeve, përpiqem të arrij deri tek skutat më të largëta të letërsisë së tyre kombëtare, në këtë rast, deri tek historia e gjuhës së krijuar përmes mijëvjeçarëve. Mbaj mend, në vitin e kaluar kanë kaluar 550 vite nga data e lindjes dhe e krijimit të dokumentit më të vjetër të shkrimit shqip ‘Formula e Pagëzimit’ (1462) e peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit. Ndërkaq, i pari monument i madh i shqipes së shkruar dhe i pari libër i botuar është “Meshari” i autorit Gjon Buzuku, i botuar më 1555, derisa Fjalori latinisht-shqip i Bardhit (1635), e cila ishte e para vepër e llojit të veçant për gjuhën shqipe me rreth tre mijë fjalë.
Së këndejmi, mjafton të vështrosh me vëmendje hartën e Shqipërisë bashkëkohëse dhe vendet përreth, për të kuptuar gjenealogjinë-a thua të gjuhëve? – popujt që jetojnë këtu, pastaj historia e kulturës së tyre, arrijnë deri tek periudhat më të largëta dhe, që janë të ndërlidhura ngushtë me lindjen e qytetërimit mesdhetar.Ndaj, këto janë kohët dhe epokat e Argonautëve e të Heraklitit, lufta e Trojes dhe e Homerit, Odiseut-Uliksit, Eneut, perëndive, titanëve, heronjve, nimfave… Këtej u zhvillua një lidhje tregtare, luftarake dhe natyrisht mitologjike, deri sot shumë hulumtues bëjnë zbulime në skajet e saj Ogigie – Ishulli i Vdekur.
Harta fsheh sekrete, mijëra sekrete. Një çikë sepse tashmë sot dihet për Ilirët, Enkelejtë, Molosët, Pellazgët, përveç sigurisë, që mbrojtën me guxim dhe forcë selitë e tyre, brigjet e tyre shkëmbore para të huajve. Greqia arriti në rreth pak a shumë ku dhe sot. Mëtej fillonin tokat saktësisht të panjohura, shpella misterioze dhe tatëpjetë deri në nëntokë, male të egra, terrene gjuetie për robërit, sepse ne punën e tyre e kanë bazuar fuqine e vet Helada demokratike dhe Roma krenare. Këto zona filluan të njihen pas Itakës së famshme dhe ishujve Leukos, Paksos dhe Korkira – Korfuzi i sotëm, e banuar përmes Feakëve, gjatë, po më kot duke mbrojtur pavarësinë e vet.
Relativisht jo larg kësaj vije, në vendin ku Deti Jon është afër Detit Adriatik, shtrihet Vlora – dikur Aulona, ku lindi Fatos Arapi.Vendlindja zakonisht përcakton identitetin e poetit. Megjithatë nuk vendos per talentin, prirjen, sepse për këtë vendosin zotat, koincidencat e shumë rrethanave. Megjithëkëtë, me siguri një ndikim të thellë kanë në jetë, në ngjarjet, në zgjedhjet e rrugëve.
Fatos Arapi – një poet i një ndjeshmërie të jashtëzakonshme, i pajisur ndaj me një dhanti nga vetë fati: shushurima e valëve të detit antik, ngurtësia e shkëmbinjve, në të cilat ndoshta pushoi Odiseu dhe fiqtë e gjelbër, drurët e ullinjtë dhe korijet me lisa. Poetin gjithnjë e shoqëronin shqiponjat ndoshta dhe shpendë grabitqarë, e me siguri pulëbardhat dhe grumbulli i zogjve shtegtarë, te cilat shtigje këtejpari shpiejnë.
Perënditë kanë dhënë shenja. Pjesa tjeter është varur nga poeti, shtegtari, këngëtari që zgjodhi fatin, drejtimin e udhëtimit, udhëkryqet, ndryshe fatin e vet. Duke lexuar këto poezi brilante, mendohem se çfarë shenja ka parë atëherë autori i poezive “Vëllezër Hamletë” dhe “Stuhia” :
“Njërin krah të pulëbardhës
Tjetrin krah tramundana
Në gojë të dallgëve e reve
Klithje e zogut digjej nën shira.
Mbi mua e nën mua: shpirti
apokaliptik i një perëndie të egër”
(Stuhia)
Poeti polak Władysław Broniewski me të drejtë shkroi: ‘Dhe njëri krah i poezisë është vdekja / derisa krahu tjetër është dashuria’. Dhe menjëherë kam vënë re ngjashmëritë në dramatizimin e brendësisë të veprës- kësaj hapësire të ëndërrimit të autorit. Në veprat e Fatos Arapit na rrethojnë dhe, jo vetëm vizionet e stuhisë , dhe jo vetëm zogu që lufton me erën e fortë, edhe poeti ndien frymëm ogurzezë dhe të tmerrshme. Dy forca, dy vektorë të qartë etik vigjiluakan mbi djaloshin nga Deti Jon, duke e shpënë atë në thellësirat e fatit.
Kjo një energji e pashtershme e Jetës dhe një nevojë e pamposhtur e Lirisë. Me një mirëkuptim të thellë e lexoj poezinë emblematike “Ti mos më ler vetëm” duke e lexuar si një manifest kundër vetmisë si lutje, si kërkesë mbi praninë e mikut të përjetshëm. Ajo është e bukur, ndonëse marrësi vë maskën. A thua mos vallë është femra? Apo Zoti? Apo Fati? Apo zogu mbi dallgët e detit? E parëndesi! Na mahnit kompozicioni dhe lutja e fashitur…
Një rol i jashtëzakonshëm dhe me dy kuptime në poezitë e Fatos Arapit i përket detit, tërësisht sikur vetëdija e pranisë së tij të ia përtërij poetit forcën dhe guximin. Për poetin shqiptar dhe heroin antik si elementi më i rëndësishëm ishte deti – vetë deti. Tiresiasi ia paralajmëron vdekjen Odiseut, që vjen nga deti, pas shumë viteve të përhumbura në mërgim dhe pas fitores prfundimtare. Për Fatos Arapin – deti është një substancë jetëdhënëse, një hapësirë iluzion i lirisë, duke i lejuar për mallin e ngashëryer, të ëndërroj, të luftojë dhe të kujtoj.
“Përse paskam frikë t’i afrohem detit
Kaq kohë pa e parë… Kaq kohë pa u parë…
Unë e Joni… rritur me njëri-tjetrin…
Së largu më mbështjellin zëra të njohur
Gjëmimi i përmallshëm, hutues i detit”
(Përse paskam frikë t’i afrohem detit)
Deti bëhet për poetin një qenie shumë e afërt dhe e rëndësishme, një lidhje e ngushtë, të cilin nuk e harron dot dhe askurrë.
“Po nisem pa u përshëndetur me detin.
Vetëm kësaj radhe
nuk dola në brigjet e njohura të përfalesha
me pulëbardhat e mia…
Nuk e durokam dot më ndarjen prej tyreMë duhet të nisem?
Pa kthyer kryet pas!”
(Duke u larguar prej Vlorë)
Na rrethon një atmosferë e afërt me panteizmin. Krijuesi –
ose forca misterioze jetësore e përmbush me praninë e vet natyrën. Ekziston si në fluturimin e zogut ashtu edhe në reflektimin e valëve, në lulet e portokallit dhe në thellësirat e lëna në brigje të detit përmes shputave të këmbëve të djelmoshave. Këtu gjeta një nga poezitë më të bukura për bukën…
“Mbrëmë
Kur nëna ndante bukën në tryezë
mora një copë në duart e mia.
dhe m’u duk sikur ngrita ashtu
një grusht dheu të ngrohët”
(Në tryezë)
Vizionet e poetit ndërlidhen, shndërrohen, pësojnë një metaformozë në një koherencë të plotë. Buka kthehet në poezi-kryevepër kushtuar atdheut, ndaj, në këtë temë jashtëzakonisht të vështirë, për shkak se nuk kërkon vetëm njohuri, po edhe ndjenja…
“Atdheu është buka e uritur
Të ikën nga duart e dot nuk e ngop
Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.”
(Atdheu)
A nuk është kjo një poezi e hidhur karshi një realiteti brutal, ku ndihet i zhgënjyer zëri i trishtë i poetit, fjala e një vetëdije tragjike, koncepte të afërta me dëshpërimin e poetit. Kjo nuk është dëshpërim i vrullshëm, po dëshpërim i shoqëruar me shqetësimet e mëdha të poetit, që vihej në mbrojtje të dinjitetit dhe të vetëdijes kombëtare. Si të mos shqetësohej shpirti i trazuar i poetit që gjithnjë kërkonte një shoqëri të pastër e dinjitoze, kur vështronte në atdheun e vet se si po nëpërkëmbeshin vlera, nderi dhe dinjiteti.Sepse buka e shtëpisë së familjes mbetet po ajo bukë nga metafora për atdheun, sepse edhe toka nën shputat e këmbëve mbetet po ajo. Dhe ato janë gurra të pashtershme të fuqisë dhe shpresës, duke u përtërirë pareshtur…
Hijet ngjallen, kthehen si ”poetët e fatit tragjik” Vazhdon edhe mëtej gjendje e dëshpërueshme, por jo e disfatës…”Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka“. Në poezinë miniaturë “Një pikëllim i lirë” Fatos Arapi mban tërë hidhërimin dhe pikëllimin e fatit të vet, po njëkohësisht dhe vetëdijen e fitores.Sepse nuk është e mundur ta marrësh pikëllimin, nuk mund ta shlyesh nga kujtesa, nuk mund të ndalosh mendimet- ndaj kjo është liria! E pamposhtur, liria jote, e cila të lejon ta ruash dinjitetin… Koncepti i ‘lirisë’ kthehet jo vetëm njëherë në këto poezi dhe nuk e lë të qetë poetin…
Vdekja është rimarrje e kësaj pjesëzë të lirisë që e zotërojmë. Tek varri i lirisë – tek varri i vëllait – duke kujtuar Vllasin ‘Qiririn tënd të ndezur/ mbroj në grushtet e mia’ . Dhe mbi këtë varr përkulet druri i tmershëm i shkaqeve dhe pasojave…
“Dhe të mendosh pastaj:
Çfarë peme e çuditshme që qenka liria!
Me rrënjët e saj
Në eshtrat e tua, të këtija e atija
Mijëra…mijëra… mijëra
Milionë…milionë…milionë për lirinë e vdekur
nga poli në pol
nga populli në popull
nga shekulli në shekull”
(Dhe të mendosh pastaj…)
Bota bëhet e tmerrshme dhe e rrezikshme… “ Është lodhur me ty vdekja populli im” – kjo poezi i drejtohet drejtpërdrejt Shqiptarëve, një vendi që është pjesë e Evropës. Shqipëria bëhet një vend i një malli e nostalgjie të parealizuar, i një lirie të varrosur, i ëndërrimeve të humbura, i “shpresës së çmendur”. Dhe kështu u krijua imazhi i vërtetë, sugjestiv i një populli të pamposhtur, duke vazhduar me shpresat e vet…
“Të mjerët Shqiptarë
me vdekjen në sy,
kërkojnë të çmallen me vdekjen diku.
Dhe çan Evropës me sytë nën këmbë
Shpresa e çmendur”
(Shpresa e çmendur)
Poeti sikur do të ikte Evropës, i cili nuk do të lirohej dot nga malli i therur : “Të çmallesha me vëllain e vrarë”, i ndihmon poetit shkëlqimi i detit mbyllur nën qepalla dhe në një det kujtimesh, ku gjithnjë e shoqëron poezia – poezi të mrekullueshme shkruar përmes tërë jetës. Temat epike i ndihmon këtu arti brilant i fjalës poetike të bardit lirik. Gjithnjë mahnitemi me shtigjet e tij poetike deri te mbretëria e fjales poetike dhe e konceptëve aq të thjeshta, po që janë tej kohore dhe të përjetshme , të zakonshme po që janë të shkruara në mënyrë të jashtëzakonshme. Na magjeps guximi dhe forca e zërit, autenticiteti i rrëfimit poetik, qartësia dhe tejdukshmëria e komunikimit. Fati nuk e kurseu poetin nga dhembja, pikëllimi pas vdekjes për të afërmit, lamtumirat dhe vdekjet pa lamtumira. Përsosmëria në ndërtimin e frazave, në saktësinë e lidhjeve dhe të asociacioneve, në krijimin e imazheve simbolike, të fituara në ndeshje me cinizmin, mizorinë, poshtërsinë, indiferencën.
Është vështirë të vlerësosh çmimin se si poetët rëndë e paguan për madhështinë e vet – për vërtetësinë dhe ndjeshmërinë e ndërgjegjës. Në poezinë “Pse erdha në jetë” autori shpjegon…
“ Un’ nuk erdha në jetë që të lus perënditë;
Që profetët e mykur mësonjës t’ i kemi;
Që duke biseduar të pyes: a u mërzite
Dhe i qetë në shtrete të lëçit pasdite,
Nëpër vargje budallë, poetët budallenj”
Nga poezitë e Fatos Arapit aq shum kam mësuar për Shqipërinë dhe Shqiptarët, për fatin e poetëve shqiptar dhe të jo poetëve, për emigrantët që përshkuan shumë kontinente, duke mos harruar askurrë se nga e kanë prejardhjen dhe mbi bukurinë magjepsëse të natyres përreth, dhe gjithashtu për “zogjtë që urrejnë qiellin”, për “parazitë moçal dhe krime, për skajet e pista dhe zilitë e shëmtuara”. Filozofia e dëshpërimit e ngjashme me idetë dhe botëkuptimet e Jean Paul Sartre’s të “Rrugëve të Lirisë” deri te bindjet e errëta të Mircea Eliade’s, këtu ballafaqohet dhe ndeshet me rezistencën e brendëshme të poetit të pamposhtur, me vetëdijen e trashëgimisë antike, që atë e krijoi.
Para pesimizmit, defetizmit, dekurajimit të pafuqishëm poetin e mbrojnë brigjet e Detit Jon, hijet stërgjyshore, vargmalet e Vitoshes dhe zëri i përmallshëm i fyellit që arrin nga Tomori. Udhëtimet apo ndoshta bredhjet endacake bëhën universitete te letërsisë. Dhe kthehet e kaluara e thellë… Gjej Skënderbeun e famshëm të njohur nga medaljoni në portën e Ndërtesës së Artë në rrugën ”Długa”në Gdańsk. Sulltan Murati bisedon me Shqiptarin me pranga të vëna në Fushë-Kosovë më 1389. Historia përhapet dhe zgjerohet përtej kufijve. Kjo tashmë nuk është vetëm Shqipëria, jo vetëm Gadishulli Ballkanik… Poeti vete, arrin edhe më larg. Deri te kampi i përqëndrimit në Dahau, deri te Ditari i Ana Frankut, dëshiron të takohet me poetin e vdekur francez Robert Desnon , me te burgosurin e Auschwitz-it dhe të Terezinit, sepse edhe i betohet dashurisë së vet…”Unë do të vi, do të vi, do të vi…/në jetën tënde të larë prej dielli”.
Një realitet i mrekullueshëm, me ngjyra, tërheqës – bota e grave , e vetmja dhe gjithnjë e veçant, vetëm e jotja, vetëm imja, ku fjalët e dhëna të mirëbesimit, që tashmë shekuj me radhe po ato fjalë, nuk vjetërohen kurrë dhe nuk humbin as ngjyrat e veta.
Fatos Arapi është një mjeshtër i rrallë i lirikës intime, të rrëfimëve dhe lutjeve më subtile… Dhe ia përkujtova vetvetes ngazëllimin dhe entuziazmin tim, ngritjet dhe rëniet, të gjitha çastet e lumtura dhe të gjitha disfatat e mia… Dhe zëri poetik i poetit si madhështi hyjnore…
„Po ecin përmbi taka të holla e të shpejta
Dëgjoni trokëllimën e rrëmbyer të tyre ?
Nën trokëllimat – ritme të këmbëve të lehta,
Me një gëzim të kthjelltë,
Drejt dashurisë rend jeta…”
(Miliona dashuri)
Femra, muza, kujdestarja, nëna, e dashura, e vetmja… Invokimet mbesin paemër, po ato i përmbush malli, gjakimi, shpresa e njëjtësuar me dashurinë. Ndodhitë, përjetimet nga jeta e poetit, të skicuara me një delikatesë, ndonëse të trishtuara dhe tragjike, të ngërthyera në ritmin e poezisë, që marrin pjesë në krijimin e rrëfimit, me një qasje mjeshtërore artisti…
“E ndolla me sy
Dhe në heshtje i thashë:
– Sonte kam nevojë
Më pritet fryma”
* * *
( Kishte çelur lulja e ullirit )
Na tërheq thellësia e këtyre mendimeve, përsiatjeve, rrëfimeve… E ndjejmë situatën dramatike, në të cilën lind dhe krijohet poezia, dhe njëkohësisht rritet para nesh
ai muri i fshehtë i misterit. Poezi për familjën, për më të afërmit. Dhe klithma e brendëshme e poetit, përzier me dhembje e mall të lektisur, mbi varrin e babait, të nënës, të gjyshës, të gjyshit …
“Të gjithë po hedhin nga një grusht dhe
Po unë mbi te hedh
Dy-tri copëra qielli…”
* * *
( Një grusht dhe mbi varr )
Dhe, dielli i vogël me luleshqerra në varrin e nënës. Poeti i vetmuar me arkëzën mbi supe duke shkuar. Dhe varri i gjyshit i gjetur në varrezat e Stambollit… Evokimi për poetët e vdekur Nazim Hikmetin dhe Orhan Veliun… Gjithnjë më kujtohen ato varreza në Stamboll, që vizituakam verës më 1975…E ndiej dhe e kuptoj dhembjen e thellë të poetit, sepse edhe babain tim e pushkatuan në Oswiencim më 1943, dhe varr nuk ka.
Vetëm vdekja i rrethon dhe i bashkon poetët, i afron ata në mes vete… Vetëdija se kohën nuk mund ta zmbrapsësh, sepse ‘tufëzën e pjekur të kujtimeve’ vetëm mund ta këputësh, se duhet të pajtohemi me kalimin e kohës në pakthim, se njohuria jonë rrjedh nga ngjarjet, të cilave nuk mund t’i shmangemi dot , dhe na ndihmon që ta kuptojmë vetveten…
“Jeta është stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi përherë udhëtarë
dhe kemi ndër duar bagazh të pandarë,
një valixhe të vogël
përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh”.
(Jeta)
Poezitë e Fatos Arapit janë ese të ngjeshura intelektuale.Nuk mjafton vetëm t’i lexosh, po para së gjithash duhet t’i përjetosh, të përsiatësh gjatë leximit. Sepse të kuptosh poezinë e Fatos Arapit duhet të kesh një përgatitje intelektuale. Sepse çdo poezi mund të jetë si një fillim i shqyrtimeve të mëtejshme ekzistenciale, morale, filozofike. Zatën poezitë e këtilla i lexojnë dhe i vlerësojnë njerëzit me një ndjeshmëri të thellë, që kanë një përvojë të madhe,me një bagazh përjetimesh , duke gjurmuar nëntekstet e fjalëve, që nuk pajtohen me botën e prapët dhe realitetin brutal dhe tragjik, e njëherazi duke ruajtur distancën kundruall ngjarjeve dhe qetësinë ndaj fjalëve, të cilat ata i plagojnë…Ndaj, të gjithë duke nxituar brigjeve të detit – antik dhe bashkëkohës.
Artistët …” Poetët shpejtojnë përherë për diku” me besim dhe shpresë, se liria është pranë e pranë.
Po, liria nuk dhurohet, por fitohet. Me gjak.
* Andrzej Zaniewski – poet, prozator dhe kritik i njohur polak në botë.
( Përktheu nga polonishtja: Mazllum Saneja )
(Parathënie e librit me poezi të zgjedhura: “Dajcie mie imie” (Më jepni një emër) i poetit tonë të mirënjohur Fatos Arapi.
Librin e përkthyen nga gjuha shqipe në gjuhën polake Mazllum Saneja & Eva Smietanska. Librin e botoi Shtëpia e njohur Botuese ‘Komograf’, Varshavë, tetor 2013.)