ADRIATIK KALLULLI; NDËRIM E KUJTIM I NJË KOLEGU DHE MIKU TË MIRË…

0
1621

Pjesëmarrëse në përkujtimore – e dyta majtas, bashkëshortja e Adriatik Kallullit, Rezi

Në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta:

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Dje, më 20 dhjetor 2016, në mjesdiset e Universitetit të Arteve, në kryeqytet, u organizua një veprimtari përkujtimore, kushtuar prof. Adriatik Kallullit, pedagog, kritik dhe studiues i njohur, si brenda e jashtë vendit, me librat e shkrimet e tij të çmuara. Kishin ardhur familjarë, pedagogë e ish-studentë, punonjës të arsimit, kulturës e artit, studiues e shkencëtarë etj.

Me këtë rast, për të pranishmit u shfaq një dokumentar i pasur, ku flitet për jetën dhe veprimtarinë e gjithanshme dhe gjurmëlënëse të tij. Ndër personat e intervistuar ishin: Prof. Alfred Uçi – Akademik, rektori i Universitetit te Arteve Petrit Malaj, Zana Shuteriqi, Josif Papagjoni, Raimonda Bulku e të tjerë. Dokumntari, i cili shoqërohej me zërin e bukur të Tefta Radit, u ndoq me internes të veçantë dhe u duartrokit nxehtësisht.

Këtu më poshtë është një shkrim, që u publikua n shtyp e në Internet, me rastin e ndarjes prgjithnjë nga jeta, të kolegut e mikut tonë të mirë, Adriatik Kallulli. (Lindur në Bari të Italisë, më 28 gusht 1938 dhe nadarë nga jeta, në Vjenë të Austrisë, më 24 dhjetor 2011).

* * *

E kishim ndër bashkëstudentët më të mirë dhe më të dashur të kursit tonë, në Fakultetin Histori-Filologji, në fillimet e Universitetit të Tiranës, në vitet ’60-të të shekullit të kaluar. Kishte ardhur nga një fakultet tjetër, me dëshirën e zjarrtë për të studiuar për gjuhë e letërsi shqipe. Menjëherë, ai na hyri në zemër për dashëmirësinë e zemërgjerësinë, zgjuarësinë, sinqeritetin dhe humorin e tij të këndshëm. Si pa u ndjerë, ikën ato vite tona të paharruara të jetës studentore, të mbushura plot gaz e kujtime të bukura dhe të gjithë ne hymë në udhët e gjata të jetës.

Por, asnjëherë, nuk u ndamë as nuk u shkëputëm nga njëri-tjetri, si fizikisht, por dhe duke kujtuar shoku-shokun, në çdo sferë a vend, ku na çoi detyra e ritmi i jetës. Kujtoj këtu takimet e paharruara, që kemi bërë pothuajse në çdo përvjetor të përfundimit të studimeve të larta, që nga viti 1962 e në vazhdimësi. Ne mesin tonë ishte gjithnjë pikërisht Adriatik Kallulli, por dhe Luan Kokona, Remzi Sadiraj e Rinush Idrizi, që nuk jetojnë më dhe që na sillnin aq kënaqësi, gaz e hare në mjedisin tonë shoqëror.

Ishte krenari, por dhe nder për të gjithë ne bashkëstudentët, që Adriatiku zuri një vend të merituar në jetë, pedagog e kritik letrar i përmasave kombëtare. Do të duheshin faqe të tëra për të treguar e dëshmuar veprimtarinë e tij të gjerë, në këto fusha. Por po mjaftohem këtu, duke folur shkurt vetëm për librin e tij të fundit, “Pema e jetës-kritika dhe esse” (Tiranë, 2002). Në një kopje, që ai më dhuroi me dashamirësi, ka shkruar këto radhë zemre e domethënëse: “I dashur Murat, vazhdimisht i kujtoj vitet tona në Fakultet dhe pastërtinë tënde, në të gjitha marrëdhëniet me shokët; letrat e sinqerta, kur më pas shkove në Leningrad për të vijuar studimet dhe dashamirësinë tënde. Me respekt: Adriatiku, Tiranë, 17 janar 2004”.

E shfletoj me mallëngjim tani këtë libër, me afër 350 faqe, ku ai ka dëshmuar aftësitë e tij, studiues e kritik letrar. Kështu, pas hyrjes, ndër temat e punimeve të Prof. A.Kallullit, serioze e mjaft profesionale, aty janë dhe shënimet për librin e Prof. Jup Kastratit, “Historia e Albanologjisë”. Duke e vlerësuar atë në gjithanshmëri, Adriatiku ka shkruar: “Ky libër bibliografik-enciklopedik nuk është vetëm renditje kronologjike-sistematike e ndihmesave të të gjithë gjuhëtarëve tanë e të huaj për studimin e gjuhës sonë, ndonëse, edhe po të ishte vetëm kaq, do të përbënte një vlerë shumë të madhe. Por ai është shumë-shumë më tepër se kaq. Është një libër i librave, për të gjithë gjuhësinë dhe që ka të bëjë me albanologjinë. Është memuari gjuhësor për gjithë ç’është bërë dhe orientimi për shumë çka mund të bëhet”. Për këtë analizë të thelluar të tij, ai mori edhe një letër falënderimi e vlerësimi, nga vetë Prof. J.Kastrati.

Në studimet e Prof. A.Kallullit kanë zenë vend edhe ato me karakter historik. Pikërisht për këtë gjë dëshmon dhe punimi i tij, “I vdekuri i pavdekshëm”, shkruar e publikuar me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Atdhetarizmin e vet e ka shprehur qartë edhe te analiza, që i ka bërë poemës shumë të njohur të Naim Frashërit, “Bagëti e bujqësi”, ku shquhet për origjinalitetin e mendimeve të tij. Gjithashtu, me interes janë punimet e tij, po për këtë autor, poema “Qerbelaja” dhe “Filozofi”. Poetin tonë kombëtar N.Frashëri e ka vlerësuar lart Prof. Kallulli edhe kur ka shkruar për elegjinë e Çajupit, kushtuar pikërisht atij. Nderimin e respektin e madh për penat e shquara të letërsisë shqipe e ka treguar Prof. Kallulli edhe kur ka shkruar mbresat e tij, nga vizita në shtëpinë e arbëreshit dhe poetit të madh, J. De Rada dhe në vlerësim të krijtimtarisë së këtij të fundit.

Pastaj vijnë varg e varg punimet e thelluara të tij për poetët dhe shkrimtarët e shquar: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Fan S.Noli, Luigj Gurakuqi e Petro Marko. “Traktati, që përshkoi shekullin”, e ka quajtur me të drejtë librin e Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’ do të bëhet”. Por nuk ka harruar as të shkruajë dhe analizojë krijimtarinë e Faik Konicës, Lasgush Poradecit e Lame Kodrës. “Ngadhnjim ndërgjegjeje dhe mendimi të lirë”, është shprehur në artikullin e botuar, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Migjenit, që e pëlqente shumë dhe e vlerësonte aq lart. Megjithëse Prof. A.Kallulli ishte kritik i letërsisë, ka bërë vlerësime interesante dhe për “përjetësinë e veprave” të “Skulptorit të Popullit” Odhise Paskali, por dhe të Abdurrahim Buzës.

Në kujtim të pedagogëve tanë të paharruar është shkrimi kushtuar “trimit të paparsëritshëm”, Skender Luarasi dhe “mësuesit dhe studiuesit të paharruar”, Mark Gurakuqi. Kur përmend këtu këta pedagogë tanë, për të cilët ka shkruar me aq nderim e respekt Prof. Kallulli, sjell ndërmend recensionin profesional të tij për librin tim, “Filologë që nuk harrohen” (Tiranë, 2002). Ndër të tjera, aty ai është shprehur: “Të kesh një mësues shumë të mirë, nuk është një rastësi. Ndërsa të kesh një bashkësi mësuesish e pedagogësh, që janë më të shquarit e vendit në profesionin e tyre, kjo nuk përbën më rastësi e shans, por një fat shumë të madh, një pasuri shumë-shumë të vyer, sidomos të viteve studenteske. Këtë fat të madh e pata edhe unë, edhe Murati dhe sigurisht edhe qindra studentë e studente, që ndiqnin Fakultetin Histori-Filologji”.

Duke iu drejtuar krijimtarisë së pashterrshme popullore, të cilën Prof. A.Kallulli e quante “poezia e qendresës së shekujve”, e ka berë të vetin mendimin e J.Lunqvist Geijer, se: “Asnjë atdhe nuk mund të ekzistojë pa poezinë e popullit. Poezia nuk është asgjë më tepër se kristali, në të cilin mund ta pasqyrojë veten një kombësi; ajo është burimi, që nxjerr në sipërfaqe origjinalitetin e vërtetë, në shpirtin e popullit”.

Ndonëse është e pabesueshme dhe e parakohshme ndarja përgjithnjë e Prof. Adriatik Kallullit, nga familja e të afërmit, nga bashkëstudentë e kolegë pedagogë të Universitetit të Arteve në Tiranë, ku dha leksione vite të tëra; nga miq, të njohur e dashamirë të shumtë, përsëri ne ndjehemi krenarë që patëm miqësi e shoqëri me të, sepse ishte njeri, pedagog e studiues shumë i mirë, që e meritonte nderimin dhe respektin e të gjithëve. Prandaj jemi të bindur se ai do të mbetet i paharruar dhe do të kujtohet gjatë prej tyre.

(Ripublikim, shkrim në Internet e shtyp, në dhjetor 2011).

Tiranë, 21 dhjetor 2016