Aderimet, servilizëm i pastër politik!

0
327
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 24.08.2019

Intelektuali që shkelë parimet dhe idealin e tij për një post politik, është më i rrezikshëm se vetë kusarët politikë.

Promovimi i aderimeve të reja nga ana e subjekteve politike shpërfaq frikën e humbjes në zgjedhje, ndërsa publiciteti i të aderuarve shpërfaq ambiciet e sëmura për pushtet.

Aderimet e gazetarëve, analistëve, publicistëve, poetëve dhe këngëtarëve, sportistëve dhe muzikantëve në parti politke në prag të zgjedhjeve janë bërë dukuri e zakonshme në Kosovën e pasluftës.

Paradoksalisht aderimet e figurave publike në një subjekt politik i nxjerrin jashtë lojës aktivistët dhe veprimtarët më të devotshëm që kanë kontribuar me vite e dekada për rritën dhe zhvillimin e një partie politike.

Joshja e aderimeve, produkt i frikës së humbjes në zgjedhje

Liderët partiakë nga frika e humbjes në zgjedhje nuk zgjedhin forma as mjete për të arritur qëllimin e tyre politik. Vënja në krye të listave zgjedhore e “prurjeve” të reja, pa i verifikuar dhe provuar kontributin e tyre në praktikë më shumë i ka dëmtuar sesa i ka forcuar subjektet politike.

Me “prurje” të reja nuk forcohet partia, nuk reformohet e as ngritet më larrtë seqë është me bazën e saj elektorale. Përkundrazi “prurjet” e reja e irritojnë dhe demotivojnë elektoratin besnik të një subjekti politik.

“Prurjet” e reja, në rast dështimi të subjektit të ri nuk e kanë problem largimin prej tij. Në këto 20 vitet pas çlirimit, janë krijuar një klasë e politikanëve parashutist të cilët kanë defiluar pothuajse nëpër të gjitha partitë dhe koalicionet politike.

“Prurjet” e reja u ngjanë mercenarëve dhe prostitutave, aty ku paguhen më mirë shkojnë menjëherë dhe pa ngurrim. Janë persona “apolit” apo të papërcaktuar, nuk janë idealist dhe as atdhetar, shitën për para dhe u shërbejnë të gjitha ideologjive dhe pushteteve.

Pra, tek “prurjet” e reja nuk bëhet fjalë për ideologji, koncepte e programe politike, por për interesa personale. Thjeshtë “prurjet” e reja (parashutistët) vrapojnë pas subjekteve të mëdha sa për ta zënë një pozitë, një ulëse në parlament e cila u sjellë pagë të mirë dhe benificione të shumta pa punuar asgjë.

Shitja e gazetarëve dhe analistëve, fundi i shpresave për ndryshim

Të tillë janë edhe disa opinionist e analist (opinionist) të cilët me vite i shesin opinionet e tyre si të pavarura sa për të krijuar imazhin e tyre (të rrëjshëm) në opinionin publik, për t’u shitur më pas si vezët në treg tek subjektet e inkriminuara politike, për t’u futur në listat zgjedhore të subjekteve që deri dje i mbanin në thumb të kritikave.

Në Kosovë kaq lehtësisht ndërrohen rolet brenda natës. Një gazatarë apo analist (opinionist) që deri dje është lexuar me ëndje nga lexuesit kthehet në shërbëtorë servil të një lideri partiakë me ideologji të kundërt politike.

Mirëpo, me të hyrë të gazetarit apo analistit (opinionistit) në politikë ndryshojnë gjërat. Ata nuk shiqohen më me simpati nga opinioni publik, për shkak se bëhen pjesë e sistemit politik dhe nuk reflektojnë më shpresë për ndryshim.

Gazetarët apo analistët që deri dje ishin në shërbim të informimit dhe shpërndarjes së vërtetës në opinionin publik, që ishin sinonim shprese për ndryshime pozitive në shoqëri, me të aderuar në në një subjekt politik bëhen e kundërta e saj, bëhen thyerësit më të mëdhenjë të shpresave të qyterarëve.

Bashkimi i forcave intelektuale, gazetarëve dhe analistëve (opinionistëve) për formimin e një subjekti të ri politik do të ishte goditja më e madhe për klasën e inkriminuar politike dhe do të paraqiste shpresën më reale për ndryshime pozitive në vendin tonë.