Adem Zaplluzha, Poeti i metaforave dhe imazheve të fuqishme

0
1458
Adem Zaplluzha

Shkruan: Kujtim MATELI

Poeti prizrenas, me banim në Prishtinë, Adem Zaplluzha, gjatë vitit 2015 botoi 14 vëllime poetike dhe, në një hark kohor prej 41 vitesh, duke nisur me vëllimin poetik “Puthje” të vitit 1974, ka arritur të botojë 122 tituj librash. Po pena e tij nuk ka të ndalur. Nga krijimtaria e tij në vite, gjatë vitit 2016, ka përgatitur për të dërguar drejt shtëpive botuese dhe 19 tituj të tjerë poetikë, duke dëshiruar që në fund të këtij viti të arrijë 141 tituj librash.

Adem ZAPLLUZHA

Ky numër i lartë i vëllimeve të tij poetike, e bën atë rekordmen të trojeve shqiptare. Po mund të krahasohet dhe me vende të tjera që nuk e kanë një poet të tillë të përmasave sasiore.

Veçse në art ana sasiore është më pak e rëndësishme se sa ana cilësore. Arti është në radhë të parë cilësi. Pashko Vasa, shkodrani ynë i mirënjohur, ka mbetur si një pikë kulmore e letërsisë shqipe vetëm me një poezi që titullohet ” O moj Shqypni”. Ajo poezi ishte një kushtrim për kohën kur u shkrua, që pëlqehet dhe vlerësohet dhe në ditët tona. Kështu ndodh dhe me poetin Zaplluzha, i cili pëlqehet në të gjitha trojet shqiptare dhe diasporë. Kjo shtrirje e gjerë e poezisë së tij do të thotë se ajo ka vlera artistike. Sigurisht, vetëm ana cilësore krijon hapësirë përtej vendbanimit të poetit.

Poezia e Zaplluzhës, gati e ka rrokur jetën njerëzore. Aty shikon se si lëviz bota shpirtërore e njeriut drejt mirësisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin, atdheu përjetohet si një qenie njerëzore që mund të vdes, nëse bijtë e saj nuk i gjenden pranë në kohën e duhur. Ata që kanë marrë përgjegjësinë t`i dalin zot, duhet të luftojnë për ta lartësuar atë. Në këto rreshtime gjendet dhe Zaplluzha, i cili lufton fort me vargun e tij për të lartësuar tokën e të parëve duke krijuar besim dhe optimizëm për të ardhmen.

Në këtë mision fisnik ai ka krijuar universin e tij poetik ku lëvizin meditimet e fuqishme filozofike, reflektimet për jetën dhe vdekjen, lëviz fëmijëria dhe mosha e thyer e burrit, eleganca e femrës shqiptare. Ndien në poezinë e tij aromën e luleve, por dhe ofshamën e njeriut që përballet me varfërinë. Aty i ke të gjitha momentet me të cilat përballet një qenie njerëzore si: gëzimin dhe trishtimin, dashurinë dhe urrejtjen, harenë dhe hidhërimin, optimizmin dhe pesimizmin.

* * *

Poezia e Adem Zaplluzhës është ndërtuar mbi realitetin e trojeve shqiptare, në mënyrë të veçantë mbi atë territor që quhet Kosovë. Në atë truall ku jeta ka qenë e vështirë, në atë truall ku jeta njerëzore ka kaluar nëpër dimra të acartë. Në kushtet kur jeta nuk mund të jetohet, realiteti fillon të tjetërsohet. Fillojnë masivisht largimet.

“Po shkojnë, na ikën miqtë,
Ndoshta tani janë diku larg,
Nëpër udhët e përtejmes.
Nuk mbetën as qyqet e zeza,
Një nga një po na largohen zogjtë”.

Poezia “Dimri i sivjetëm ishte tepër i acartë” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 15, Prishtinë 2015

Realiteti estetik që krijon poezia e Adem Zaplluzhës është ndërtuar mbi realitetin e rënduar kosovar të shekullit të kaluar, por edhe të këtij fillim shekulli. Pushtimi shekullor serb u ka sjellë vetëm vuajtje. Madje
“Shkundi dhe gurët
Nëpër brigjet e durimit njerëzor”.

Poezia ” Dimri i sivjetëm ishte tepër i acartë” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq.15, Prishtinë 2015

Poezia “Nga larg dukeshin si brirë dreri” tregon largimin nga vendbanimi të shumë shqiptarëve, një largim që i ngjason tufës së lejlekëve që nuk dinë se ku do të qëndrojnë. I shitën dhe gjërat e çmuara.
“Një natë më parë
Nëna e madhe i shiti byzylykët
Dhe unazën e heshtjes vajzërore”

Poezia ” Nga larg dukeshin si brirë dreri” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 57, Prishtinë 2015.

Më pas, një heshtje e rëndë. Asnjë letër, asnjë shenjë që të tregonte ekzistencën e tyre.
“Me vite të tëra askush nuk trokiti
Në përmallimin e drurit,
Era lakuriqe për çdo mëngjes
Qante me qenin endacak të lagjes.
Qante me ngashërim
Tok me portat e mbyllura”.

Poezia “Nga larg dukeshin si brirë dreri” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 57, Prishtinë 2015.

* * *

Në poezinë e Zaplluzhës natyra lëviz duke reflektuar të gjitha ngjyrat e saj. Ndalesh një çast dhe vëren se si në pasqyrën e detit hëna kreh flokët e thinjura të natës apo yjet që kullotin nëpër flokët e xixëllonjave. Ndalesh një çast dhe vëren se si në sfondin e kujtesës, mbi krahët e një fluture, rrëshqet një varkë e bardhë. Pikturohet me ngjyrat më të ndezura natyra dhe shpirti njerëzor që lëviz bashkë me të në kohë dhe hapësirë.

Aty, në ujin e ftohtë të Lumëbardhit:
“Pastruesit e rrugëve
I lajnë mëkatet e përqafimeve të vjedhura”.
Poezia “I lajnë mëkatet e përqafimeve të vjedhura”, nga vëllimi poetik “Zëri i largët i shiut”, fq 61, Prishtinë 2015.

Tek Poezia ” Përtej gjelbërimit të bregut” përjetohet ikja e një dite të zakonshme dhe njerëzit që nuk kanë kohë të përjetojnë qetësisht këtë ikje. Zhurmat që krijojnë rrjetat e peshkatarëve ngjajnë me hingëllimën e kuajve që rendin livadheve të blerta. Aty:
“Vetëm zëri i një varke të vetmuar
Dëgjohet si vaji i detit,
Dënesin dhe varkat në damarët e kripës
Përtej gjelbërimit të bregut.
Etja ishte e madhe
Sa që i kafshonte kokrrat e brishta të kripës”.

Poezia “Përtej gjelbërimit të bregut” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 23, Prishtinë 2015.

* * *

Objekt i poezisë së Zaplluzhës bëhet gjithë hapësira ballkanike, ku bashkë me shqiptarët rrojnë dhe popuj të tjerë. Po klima që krijohet nga raportet midis këtyre popujve është e ashpër. Krahas varfërisë ku “fasulja hahet kokërr më kokërr” jetuan dhe në një klimë të akullt që ishte produkt i synimeve lakmitare të këtyre fqinjëve që nuk kishin kufi në pangopësinë e tyre.
“Një acar i Ballkanit hileqar
Gati dy mijë vjet
Po na i bren eshtrat
Po na e shlyen kujtesën
Me fshikullimën e erërave tinëzare”.

Poezia “Një acar i Ballkanit tinëzar”, nga vëllimi poetik “Zëri i largët i shiut”, fq. 42, Prishtinë 2015

Tek poezia” Fluturojnë zogjtë e verbër” jepet realiteti i trojeve tona, ku shqiptari nën qiellin e mjegulluar të pushtimit, ndjehej i huaj në vatrat e shtëpisë së tij.
“Megjithatë nuk u ndalëm asnjëherë
Në kthetrat e kohës,
Kërkonim dritën e shpëtimit.
Ishim ndoshta të parët
që i besuam dritës,
Një tunel i largët, diku përtej mendjes
Na priste me një kandil të ndezur”.

Poezia ” Fluturojnë zogjtë e verbër” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq.37, Prishtinë 2015.

Poezia “Dhe ne u rritëm si lisat në stuhi” tregon se shqiptarët për të ruajtur ekzistencën e tyre individuale, më shumë u shërbyen të huajve, se sa atdheut të tyre. Në këtë luftë për ekzistencë, individi, sado i fuqishëm që të jetë, është i destinuar të kthehet në shërbëtor. Sado të mira materiale që të kishte fituar, kur kthehej në vatrën familjare, nuk vinte si fitimtar.

Ishin pa të ardhme në vatrën e tyre.
“Mbështetur për kondakun e thyer,
Nuk ishim më për asnjë punë.
Nëpër llogore trishtimesh
I lëmë peng gjymtyrët”.

Poezia “Dhe ne u rritëm si lisat në stuhi” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 38, Prishtinë 2015.

Po poezia e Zaplluzhës ndalet dhe hedh poetikisht dritë dhe në masakrat që ushtria serbe bëri mbi popullsinë shqiptare në trojet e Kosovës gjatë vitit 1999. Dhunime e masakra deri përtej kufirit ku arrin përfytyrimi i njeriut.

Varri i një nëne të dhunuar:
Është vula më bindëse
Se diku në rruzullin e kësaj toke
Jeton një popull i ngarkuar me shumë mëkate”

Poezia “Një acar i Ballkanit tinëzar”, nga vëllimi poetik “Zëri i largët i shiut” fq 60, Prishtinë 2015

Shqiptari e ka në traditën e tij që të panjohurin ta kosiderojë mik, ta pres e ta përcjellë sipas zakonit. Të panjohurit i dhurojmë mirësi për shkak të vuajtjeve që ai ka kaluar derisa mbërriti në vatrën tonë. Kështu vepruam me të gjithë ata popuj që u dyndën në hapësirat e trojeve tona, sidomos në mijëvjeçarin e parë dhe të dytë të erës sonë. Mirëpo, kjo mirësi u shpërblye ndryshe. Dhe poeti shpreh gjykimin e tij për këtë fenomen mbarë shqiptarë.

“Ne pakëz e tepruam me mirësinë tonë,
I hapëm edhe dritaret,
Pa menduar
Se ujqërve u mjafton
Vetëm një plasaritje e murit”.

Poezia “Ta ndjejmë ekzistencën e fjalës” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq.17, Prishtinë 2015

* * *

Adem Zaplluzha është poet i metaforës. Nëse do t`i mblidhnim të gjitha metaforat e krijuara, do të shohim më mirë përkushtimin e tij ndaj poezisë. Ato nuk kanë qenë dhe nuk janë qëllim në vetvete i autorit, për ta ngarkuar poezinë sa më shumë me këtë figurë letrare. Ato janë të shkrira organikisht dhe janë në funksion të mendimit apo ndjenjës poetike. Secila është në vendin e vet dhe në misionin e saj; ta përcjellë vargun sa më artistikisht tek lexuesi.

Tek poezia ” Hapen edhe dyert e mbyllura” jepet realiteti i sotëm që po e ndryshon mentalitetin dhe mjedisin në të cilin jetojmë.
“Lagjja pakëz më ndryshe
Sot po e ndjen frymëmarrjen e së nesërmes”. Poezia ” Hapen edhe dyert e mbyllura” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 25, Prishtinë 2015.

Dhe autori i këshillon brezat e rinj që të përballojnë sfidat e jetës duke gjurmuar nëpër shpirtrat e njerëzve dhe nëpër librat e vjetër.
“Bëhu i urtë biri im!
Saqë nga urtësia jote
të mos lindin vetëm fjalët,
Por malet dhe drurët
Që ecin kah e nesërmja”.

Poezia ” Bëhu i urtë biri im” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 33, Prishtinë 2015.

Autori e shikon si të shenjtë vatrën familjare. Brenda mureve të një shtëpie, një familje e madhe apo dhe një çift i vetëm, ëndërrojnë, krijojnë dhe ruajnë vazhdimësinë e jetës njerëzore. Po në kohë të liga, shumë prej shtëpive boshatisen. Asnjë frymë nuk i ngroh më ato mure. Asnjë shpresë nuk fluturon brenda tyre.

Vetëm
“Një flutur e verdhë troket
Çmendurisht troket në portat e erës,
Askush prej atyre dyerve të rënda
Asnjë zë njeriu s`lëshojnë ato mure”.

Poezia “Asnjë zë njeriu s`lëshojnë muret” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 66, Prishtinë 2015.

* * *

Zaplluzha e ndërton poezinë e tij mbi imazhe të fuqishme poetike, thelbi i të cilave rroket pas leximit të dytë apo të tretë. Po kur kërkon që ato të depërtojnë që me leximin e parë tek lexuesi dhe që mesazhi që kërkon të përcjellë të jetë i qartë, siç janë disa nga poezitë ku trajtohet varfëria e tejskajshme apo tema e Luftës Çlirimtare të Kosovës, etj., gjuha poetike i afrohet ligjërimit bisedor, por pa e prekur atë, duke mbetur një gjuhë poetike me mesazhe të qarta që u drejtohen atyre që kanë marrë përgjegjësinë të bëjnë qeverisjen e Kosovës dhe që mund të bëjnë më shumë për këto shtresa në nevojë.

Krahas një realiteti që ndryshon vazhdimisht nga fuqia e mendjes dhe e shpirtit këmbëngulës, i cili shfaqet në autostrada dhe rrugët e reja që lidhin qytete dhe qendra të banuara, ku njerëzit rrojnë në shtëpi një e më shumë kate apo në apartamente të rinj duke bërë një jetë normale; ekziston dhe një realitet tjetër që e përbëjnë njerëzit e varfër, të cilët luftojnë për mbijetesë, për të siguruar bukën e përditshme. Kësaj shtrese në nevojë poeti Zaplluzha u ka kushtuar disa poezi. Shpaloset aty një realitet i dhimbshëm që kërkon të tërhiqet vëmendja e shoqërisë dhe të kthejë vështrimin drejt tyre për të kërkuar rrugë dhe mënyra zgjidhje për të dalë nga mjerimi.

Dhe ata që e kanë përgjegjësinë për këtë shtresë, nuk mund të mos ndihen të zënë në faj pas tablove realiste si:
“Ata përgjumen nëpër stacione trenash
Zgjohen si këndesat e egër
Me një trastë në krah depërtojnë thellë
Në varfërinë e tyre të paskajshme….”

Poezia “Më duket se këtyre njerëzve”, nga vëllimi poetik ” Mes telave gjembor”, fq 86, Prishtinë 2015.

Epopeja e madhe e Luftës Çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesve serb, ka zënë një vend të rëndësishëm në poezinë e Zaplluzhës. Lufta që hodhi themelet mbi të cilat u ngrit liria e Kosovës. Po ende nuk janë mbyllur plagët e asaj lufte. Ata luftëtarë u kthyen dhe dikush gjeti çatinë e shtëpisë të rrëzuar, e dikush muret. Po ai ushtar i Luftës Çlirimtare ende nuk ka ndalur:
“Duke kërkuar
Nëpër Kosovën martire
Fëmijët e vrarë dhe gruan e tij”.

Poezia “Ai ushtar”, nga vëllimi poetik ” Mes telave gjembor”, fq. 88, Prishtinë 2015.

* * *

Në poezinë e Adem Zaplluzhës përshkruhet një realitet tejet i bukur. Këtë bukuri e ka marrë nga trojet tona dhe e ka derdhur në vargje, imazhe që të mbeten gjatë në mendje dhe lexuesi mendon se cilën pjesë të trojeve tona ka pikturuar poeti. Gjen në ato vargje copëza peizazhesh nga Saranda dhe Lugina e Preshevës, nga Përmeti dhe Prizreni, Mitrovica dhe Ulqini, Peja dhe Tetova, aty janë gjithkund trojet tona të përthyera estetikisht dhe të realizuara artistikisht në vargje nga dora mjeshtërore e poetit. Të shkrira organikisht me peizazhin poetik janë përjetimet emocionale të shqiptarit të sotëm që fatet e veta i ka të lidhura me këto troje.

Ai shikon se
“Shiu i ngrohtë i dimrit
Sërish pikon mbi trëndafilat
Kah çelin dhembje,
Hëna e mekur nga udhëtimet e gjata
I këput lulet e fishkura të Lumëbardhit.

Poezia “Hëna e mekur”, vëllimi poetik “Në prehrin e pemëve” fq. 17, Prishtinë 2015.

Poeti depërton thellë në shpirtin njerëzor. Njeriu dashuruar me natyrën e jetën. Njeriu që dashuron dhe dashurohet përbën themelin mbi të cilën ngrihet jeta njerëzore. Poeti i thur himn njeriut të dashuruar.
Dy duar dhe nata,
Flokët e mëndafshta të mëngjesit
Notojnë mbi flluskat e vesës së zgjuar.
Sa shumë paska etje ky zgjim,
Sa shumë dete të çmendura
Në syrin e pangopur të dashurisë.

Poezia “Në shpirtrat e dy njerëzve” vëllimi poetik “Ajo nuk erdhi sonte” fq. 25, Prishtinë 2015.

* * *

U ndalëm vetëm në disa nga poezitë e Zaplluzhës të botuara gjatë vitit 2015, të cilat janë vetën disa çaste poetike, për ta ngacmuar lexuesin të shkojë drejt poezisë së tij, i cili pasi ta prekë atë, nuk do t`i largohet kurrë. Në universin poetik të tij, hyn lexues dhe del poet. Ndaj do t`ua rekomandoja dhe krijuesve të rinj, si një shkollë poetike