Adem Demaçi, një jetë vuajtje dhe përpjekje për liri! (1936-2018)

0
922
Adem Demaçi, pikturë

Gani Qarri

Në njëvjetorin e shuarjes së simbolit të sakrificës

Hero i sakrificës me shpirt shpërthyes, kryengritës e revolucionar, zëri kumbues i të cilit, një jetë gjatë, jehoi fuqishëm dhe pareshtur për barazinë e Kosovës, çlirimin e atdheut dhe lirinë e shqiptarëve, nën ish pushtimin serbo-jugosllav, u shua një vit më parë.

Bazuar në versionin zyrtar, Adem Demaçi u lindë më 26 shkurt të vitit 1936 në fshatin Lupç të Besianës, ndërsa vdiq më 26 korrik të vitit 2018 në kryeqytetin e Kosovës së lirë, në Prishtinë.

Ndërsa sipas të dhënave nga e ëma e tij, Adem Demaçi, thuhet të jetë lindur dikundë në fundgusht apo fillimshtator të vitit 1935, por pasi që i ati Zeqir Dema, e regjistroi atë rreth 6 muaj me vonesë – pra më 26 shkurt të vitit 1936, nga atëherë, kjo dhe mbeti data zyrtare e lindjes së tij.

Asokohe me gjithë gjendjen e rëndë ekonomike të familjes, që në fillim u krijua përshtypja se Ademi i vogël, vërtetë ishte një fëmijë i lindur me fat, për faktin se ai nuk qe i detyruar të shkonte te hoxha në mejtep, për t`iu imponuar hieroglifët arabe, e as te mësuesi serb për belbëzime në ciriliken serbo-sllave, por në njërën nga shkollat e para, të sapo-hapura shqipe në Prishtinë, ku që nga dita e parë, do të përvetësonte me afsh, shkronjat e alfabetit kombëtar në gjuhën e ëmbël të nënës.

Në vitet 1941-1944, pas dëbimit të forcave pushtuese të Serbisë, gjegjësisht të mbretërisë serbo-kroato-sllovene nga trojet e pushtuara shqiptare, me insistimin e mësuesve dhe studentëve shqiptar nga Kosova si dhe vendimin e ministrisë së atëhershme të arsimit të Shqipërisë së vjetër të udhëhequr nga Ernest (Kolaj) Koliqi, në vitin 1941 në Kosovë dhe trojet tona tjera etnike nën pushtimin sllav, u dërguan mbi 200 mësues e profesor dhe për herë të parë në historinë tonë të re, u hapën edhe në qytetet dhe fshatrat më të mëdha të Kosovës, shkollat në gjuhën amtare shqipe.

Këto shkolla, jo vetëm se nxorën gjeneratat e para të shkollarëve e intelektualëve në tokat e pushtuara shqiptare nga sllavët, por edhe kuadrot e ardhshëm edukues, në gjuhën shqipe, që do të mundësonin vijimësi të pandërprerë të shkollimit të shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ripushtimit të trojeve tona etnike përfshi edhe Kosovën nga Serbia dhe Jugosllavia komuniste.

Ndaj, pasi që tanimë shkollat shqipe ekzistonin dhe përkundër zhvillimit të luftimeve, ato u mbajtën të hapura dhe nuk u mbyllën asnjëherë, edhe regjimi i ri pushtues jugosllavo-komunist u detyrua, që pas aq shumë premtimeve për barazi dhe të drejta kombëtare, të mos mund ti mbyllte më si më parë, as shkollat në gjuhën shqipe dhe lejoi vijimësinë e tyre.

Falë kësaj, Adem Dema edhe gjimnazin atëherë 8 vjeçar do ta përfundonte në gjuhën shqipe, në vitet 1946-1953, në Prishtinë, mote ato nga më të rëndat, që kalonin shqiptarët nën sistemin komunist jugosllav dhe terrorin UDB-asho-serbo-shtetëror, udhëhequr nga antishqiptari më i madh i kohës, serbi Aleksandër Rankoviq.

Krahas mësimeve, në vitet e 50-ta, Ademi filloi të merrej edhe me shkrime letrare të cilat i botonte në revistën “Jeta e re”.

Kjo revistë atëbotë drejtohej nga autori dhe krijuesi i mirënjohur shqiptar Esat Mekuli, i cili për krejt sa mundi dhe diti, gjatë gjithë kohës e ndihmoi, influencoi dhe udhëzoi drejtë e mbarë, Ademin e ri.

Pas mbarimit të gjimnazit, Adem Dema regjistroi “Letërsinë Botërore” në Beograd, prej nga, pas sëmundjes së nënës së tij, e cila jetonte e vetmuar, ngase babai i Ademit i kishte vdekur më herët, në fund të semestrit të pestë, ai u detyrua që ti ndërpriste studimet dhe kthehej në Prishtinë, për tu përkujdesur vet për të ëmën, të cilit për t`ia mundësuar mbijetesën, edhe pse ende student, gazeta “Rilindja” i ofroi punë dhe emëroi redaktor të saj.

Në ato vite të turbullta, Adem Demaçi fillimisht shkroi librin me tregime “Kthimi” në të cilin ai trajtonte historinë më të dhembshme të kohës, si dëbimin me dhunë të Shqiptarëve në Turqi, damkë që sipas marrëveshjeve turko-jugosllave, shqiptarët për tu dëbuar nga pushtuesi, kamufloheshin si turq dhe sikur mos të mjaftonte edhe kjo, dëbimin e tyre, nuk guxonte kush as ta quante dëbim, por me termin cinik – “riatdhesim”?!

Për aq më zi, e gjitha kjo, ndodhte ku tjetër, pos pikërisht në vendin e shqiptarëve ku ish asqerët pushtues turko-otoman, gjatë kryengritjes kombëtare, siç do të shprehej Demaçi përmes një personazhi në librin “Gjarpërinjtë e Gjakut” nuk hezitonin fare, që t`ua ngulnin singjitë (thikat) edhe fëmijëve shqiptar në djep.

Ndërsa në verën e vitit 1958, kur Ademi ishte vetëm në moshën 21 vjeçare, botoi romanin e tij të parë me titull domethënës “Gjarpërinjtë e Gjakut”, që po ashtu ishte romani i parë edhe në gjuhën shqipe, që kishte dalë deri atëherë në Kosovë.

Në këtë libër, përveç temës së gjakmarrjes në Kosovë dhe Shqipëri, Adem Dema i ri, trajtonte edhe çështjen e pushtimit dhe vuajtjet e shqiptarëve nën robërinë sllave, ani pse, të vendosura si analogji, në vite të mëhershme pushtimi dhe periudhat e sundimit otoman.

Por edhe armiku e shërbëtorët e tij nuk flinin dhe mu në kohën kur krijimet e tij panë dritën dhe filluan zhvillimin e mirëfilltë, vetëm rreth një javë para 28 Nëntorit dhe festës së Pavarësisë Kombëtare, më 19 nëntor të vitit 1958, Adem Demaçi do të arrestohej nga UDB- serbe me akuzën për “propagandë armiqësore kundër Jugosllavisë”!

Fillimisht ai u dënua me 3 vjet burg, për të vazhduar pastaj mbajtjen e pafund të tij, të mbyllur padrejtësisht në kazamatet sllave, nga dënimi në dënim për gati 30 vite me radhë.

Kështu që më 1969, pra rreth 11 vite pas burgosjes, në shenjë respekti ndaj tij, organizata ndërkombëtare “Amnesty International”, Adem Demaçin e njou dhe shpalli të burgosur të ndërgjegjes.

Burgosja e Demaçit vazhdoi pa ndërprerë për plot 28 vite të trishta, ndërsa ai u lirua nga burgu, vetëm në vitet e 90-ta dhe prag-shkatërrimin e ish Jugosllavisë komuniste, i cili pas rreth 30 vitesh në burg dhe pothuajse po aq tjerave nga dalja në liri, ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare, më 26 korrik të vitit 2018 në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Ndaj dhe me të drejtë, për Ademin u tha, se ai u shkri për popull e liri dhe bëri një jetë të tërë-trimëri për komb e atdhe.

Po ashtu, u publikuan biografi të autorizuara e të pa autorizuara, u fol e shkrua me pietet gjithandej, për bëmat e mëdha dhe të-vetëm-njëhershme të tij, si dhe kujtuan në vijimësi, vuajtjet biblike e të papërsëritshme të heroit Adem Dema.

Rruga që Ademi ndoqi, që nga fillimi, ishte një hapërim me peripeci dhe pengesa të jashtëzakonshme, si dhe vështirësi të pa përshkruara, por ai asnjëherë nuk u dorëzua para sfidave as u nënshtrua para sprovave sa do të mëdha e të mundimshme që mund të ishin ato.

Ai, u qëndroi përherë stoikisht të gjitha vështirësive dhe me idealin e lirisë në zemër, u vendos burrërisht në ballë të kauzës kombëtare.

Siç e thoshte dhe përsëriste disa herë edhe vet, qysh në moshën rinore, me gjithë dëshirën e madhe për shkrime dhe letërsi, Adem Demaçit prioritet në veprimtarinë e tij personale, iu imponua politika, jo që ai e deshi atë, por  ajo iu vërsul atij, prej të cilës nuk mundi të ikte as pati nga t`ia mbante, ngase pikërisht politika ishte arma më e fuqishme, me të cilën pushtuesi diskriminonte më së rëndi vendin dhe popullin shqiptar.

Madje robëria, shtypja dhe përçarja ndërmjet shqiptarëve, e mbjellë ndër shekuj e dekada nga okupatori për sundimin sa më të lehtë të tyre, fillimisht ia kufizuan e më vonë edhe pamundësuan edhe Ademit që të arrinte kudo dhe thoshte hapur të gjitha ato që asokohe, atij i vlonin në shpirt.

Kështu që gjendja e rëndë dhe me aq shumë kufizime që dominonte mbi vendin, nga një regjim dhe pushtues i huaj e i paskrupullt si serbo-sllavët, e detyruan Adem Demaçin që mendimet e veta ti shprehte në një mënyrë më tjetër, paksa më të kamufluar dhe vetëm përmes shkrimeve dhe letërsisë.

Ndaj edhe në krijimet e tij, shohim se si janë shkrirë e gërshetuar e kaluara dhe aktualja, miti e historia, politika që diskriminonte popullin e tij dhe tragjikja e vuajtjes biblike të shqiptarëve, e mbi të gjitha, mbijetesa e rëndë e bashkëkombësve nën pushtimet e huaja si dhe gjakmarrja, që në mënyrën më të drejtpërdrejtë pasqyrohet dhe gjykohet fort e në mënyrë të vazhdueshme, në romanin “Gjarpërinjtë e Gjakut”.

Roman-Bestseller për kohën! – i cili megjithatë nuk mundi të përdorej lirisht  edhe pas shkarkimit më 1966, të Aleksandër Rankoviqit nga të gjitha funksionet dhe përfundimit të fushatës famëkeqe të tij, që atëbotë, në popull njihej si “mbledhja e armëve.

Ai ishte vërtetë kasapi i njëmendtë i shqiptarëve nën udhëheqjen e të cilit nga UDB, shumë njerëz u vranë e gjymtuan dhe lanë jetën dhe ikën nga vendi pa asnjë faj, vetëm pse ishin shqiptar dhe rob nën okupimin e një shteti të huaj e barbar si serbo-sllavia.

Ndaj, përjetime të tilla kishin lënë aq shumë vragë e mbresa të dhembshme në shpirtin e Adem Demaçit, sa që tablo të tëra të atyre katrahurave, megjithëse të vendosur në periudha më të vjetra dhe nën pushtues tjerë, do të përshkruheshin deri në detaje edhe në romanin e tij- “Gjarpërinjtë e Gjakut”.

Roman që në vete bart një mesazh të fuqishëm njerëzor e patriotik, i cili është botuar e ribotuar mese dhjet herë me radhë, një citat të përzgjedhur nga njëri prej personazheve të të cilit, qoftë edhe vetëm si ilustrim,me këtë rast e ndjejë të nevojshme që medoemos ta veçojë dhe vendosë edhe në këtë shkrim timin:

Kam pa shtëpitë duke u kallë me njerëzit mrenda!… Kam pa nanën me fëmi në duar të djegun si thëngjilli… Kam pa ushtarin… duke ja ngulë fëmisë në djep singinë… Kam pa eshtra njerëzish duke i ngreh qentë zvarrë!…

Libër ku katrahurat e vuajtjes dhe diskriminimit sikur nuk njohin më fund as kufi, me vazhdimin e shfletimit të të cilit, shprehjet marrin kuptim edhe më tragjik,vepër që nga të rinjtë e Kosovës kërkohej aq shumë, sa që ish regjimi pushtues komunist jugosllav, nga frika e trazirave politike, kishte marrë vendim arbitrar që romanin-bestseller të kohës-“Gjarpërinjtë e Gjakut” ta ndalonte, kurse autorin Adem Demaçin ta dërgonte në burg për gati tridhjetë vjet me radhë.

Rrëfime të ngjashme trishtimi hasim edhe në librin tjetër të Adem Demaçit me titull, “Kur Zoti harron” botuar më 1954 në revistën letrare “Jeta e re”, në të cilin edhe aty, ai shpreh hapur dëshpërimin e tij me akuza të rënda, drejtuar (qoftë edhe në mënyrë analogjike) jo vetëm regjimit pushtues sllavo-komunist, por edhe mungesës së ndihmës humane dhe njerëzore, nga vendet më të fuqishme evropiane e botërore, për bashkëkombësit që vuanin dhe vdisnin në dyluftim me shtypjen dhe mjerimin e atij regjimi barbar okupues.

Një dramë më vete, dhe dëshmi më tepër, për qëndrimin konsekuent antishqiptar të sistemit shtetëror sllavo-komunist, është edhe veprimi ndaj tij, i cili posa përfundonte dënimin e parë, rigjykohej përsëri, kështu që u dënua tri herë radhazi, më; 1959, 1964, 1975 dhe mbajti plot 28 vite burg.

Është interesant të ceket se me burgosjen e Ademit, fatin e autorit e pësoi edhe romani i tij “Gjarpërinjtë e gjakut” dhe vetëm pas shkatërrimit të Jugosllavisë dhe daljes së Adem Demaçit – alias Mandelës së Kosovës nga burgu, edhe libri në fjalë mundi të publikohej përsëri, duke u botuar së pari më 1990 në Lubjanë.

Por përkundër të gjithave dhe megjithëse ai bashkë me librat e tij, mbahej i burgosur, i ndaluar dhe i persekutuar gjithanshëm nga regjimi pushtues jugosllav, edhe për vitet sa qëndroi në burg, Demaçi mbeti shkrimtari më i lexuar në Kosovë dhe gjithë trojet shqiptare nën ish Jugosllavi.

Ndaj qoftë si personalitet, politikan apo krijues, përkundër kritikave të drejtpërdrejta, jo gjithmonë të bazuara dhe me arsye, si dhe ndonjë ideje “dëshpëruese” politike, tërësisht të paperceptueshme për shqiptarët, si ajo për krijesën imagjinare “Ballkania”, për vet faktin se veprimtaria e tij, ishte e gjatë dhe e shumëdimensionale, Adem Dema mbetet unikat kombëtar dhe dallon prej shumë autorëve të tjerë shqiptar, i cili për hir të interesave të vendit, ishte në gjendje të shkonte deri në “vetëmohim” të vetvetes, siç do ta titullonte  (Libër për Vetëmohimin) edhe njërën nga veprat më të rëndësishme të tij.

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës botoi për herë të parë kompletin e veprave të Adem Demaçit, simbolit të rezistencës së shqiptarëve dhe njërit prej krijuesve më të mirënjohur të Kosovës, të lexuar dhe adhuruar kudo në trojet tona etnike.

Kompleti përfshinë shtatë romane, një dramë, një përmbledhje me poezi dhe një tjetër vepër me tregime, nën titujt vijues:

“Gjarpijtë e gjakut”,
“Libër për Vet Mohimin”,
“Shkrumbnajë e dashur”,
“Nëna Shegë e pesë gocat”,
“Heli e Mimoza”,
“Dashuria Kuantike e Filanit”,
“Politika dhe Pushka”,
“Fërkime”,
“Tung vargu im” dhe
“Alb Prometeu”.

Përkundër të gjitha vuajtjeve dhe peripecive, Demaçin as dënimi i gjatë dhe 28 vitet e kaluara në kazamatet jugosllave, për çka edhe konsiderohej, jo vetëm si Mandela i shqiptarëve, por edhe i Evropës, nuk mundën ta largonin nga angazhimi i tij politik e njerëzor, i cili menjëherë pasi u lirua nga burgu, vazhdoi sërish aktivitetin e njohur tanimë edhe humanitar.

Nga viti 1990 deri më 1995,Adem Dema ishte kryetar i Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) në Kosovë.

Ndërsa, përveç emrit të mirë si shkrimtar, Demaçi u “promovua” edhe si disident i “pasionuar” politik duke u shndërruar në personalitet të mirënjohur në përmasa globale i cili, për veprën dhe përpjekjet e pareshtura në shërbim të lirive dhe të drejtave njerëzore, do të nderohej edhe me çmime ndërkombëtare.

Kështu që në vitin 1991,nga Parlamenti Evropian, Adem Demaçi u nderua ” Për Lirinë e Mendimit” me çmimin “Saharov”.

Ndërsa në vitin 1995, ai u nderua nga Universiteti i Oslos, me çmimin për ” Të drejtat e Njeriut”

Gjatë periudhës së luftës 1998/1999, z. Demaçi u emërua zëdhënës politik i UÇK-së, pozitë të cilën ai e mbajti deri në takimet e mbajtura në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, kur në shenjë mospajtimi me zhvillimet atje, do të jepte dorëheqje.

Nga viti 2005 deri në vitin 2007, ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Baca Adem ishte edhe idealist i pa shoq, personalitet i mirënjohur kombëtar brenda e jashtë vendit, i cili nuk “rrnoi vetëm për të tregue”, siç do të shprehej At Zef Pëllumbi, por gjeti forcë edhe tu mbijetonte të gjitha peripecive, për të përjetuar për gjallje të vet, çlirimin e vendit dhe lirinë e Kosovës.

Më 26 nëntor të vitit 2010, me rastin e kujtimit të arritjeve më të mëdha historike e kombëtar dhe festimit të dinjitetit e krenarisë së shumëfishtë të kremteve të të gjithë popullit shqiptar, si; Pavarësisë së Shqipërisë, Ditës së Flamurit Kombëtar, Kujtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Festës së Lirisë, të cilat të gjitha bashkë dhe njëra pas tjetrës-radhazi, sollën dhe vulosën përjetësisht; Pavarësinë e Shqipërisë, çlirimin e Kosovës si dhe më shumë të drejta e dinjitet për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.

Ndaj, nga ushtruesi i atëhershëm i detyrës së presidentit të Kosovës, z. Jaskup Krasniqi, për kontributin e vazhdueshëm kombëtar dhe merita të veçanta për lirinë e Kosovës, bazuar në rregulloren shtetërore mbi dekoratat dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ai nderoi Adem Demaçin, si njërin nga personalitetet më të merituara të vendit, me Dekoratën “Hero i Kosovës”!.

Me një fjalë, Adem Dema ishte dhe mbeti hero i sakrificës për lirinë e atdheut, kryengritës i përjetshëm me ideal dhe mendim të pa luhatur personal, i cili ndërroi jetë, duke mos u pajtuar asnjëherë me padrejtësitë dhe luftuar pareshtur të keqen edhe në paqe e liri. Adem Dema mbylli sytë më 26 korrik të vitit 2018,në moshën 82 vjeçare, për tu shndërruar përgjithmonë në legjendë dhe përjetësi. Lavdi të përjetshme jetës dhe veprës së tij!.