A të kam treguar ndonjëherë për Berlinin?

0
380
Aerial view of Berlin

Ela Ribaj

Unë nuk e njoh vdekjen e të tjerëve, njoh vetëm vdekjen time. Është një vdekje e thjeshtë, e lodhshme, por të paktën nuk është e mërzitshme. Ajo ngre kështjella të mëdha mes meje dhe ekzistencës. Ime më një natë më rrëfeu se njerzit si unë lindin të pregatitur për të vdekur, por jo për të jetuar. Nuk e kam besuar kurrë në fakt derisa një ditë njoha vendin ku shpirti im u ngjiz. Nuk e kam rrëfyer kurrë sekretin e rilindjes time, por sot do e bëj. Kam vendosur të lejoj botën të më njohë. U ngjiza në qytetin ku muret bien dhe ngrihen sa herë bota ka nevojë të ndryshojë. Unë vdes sa herë largohem nga Berlini, e ngjallem që në momentin e parë që e di se do të kthehem në shtëpi. A të kam treguar ndonjëherë për Berlinin?

Mos u tremb. Unë nuk flas me askënd për Berlinin. Ai është dashuria ime e vetme. Të gjithë të tjerat janë dashuri të vogla që tentojnë të më lehtësojnë dhimbjen kur jam larg vendit ku unë vdiqa për herë të parë. Ishte një park aq i gjallë sa çdo i vdekur do të rilindte. Unë thjesht isha me fat. Ndodhesha në vendin e duhur, në kohën e duhur me natyrën e duhur për të vdekur. Berlini më mësoi të dua këtë proçes të domosdoshëm për ekzsitencën time. Kjo është lëkurë që unë ndërroj si një qënie me gjak të ftohtë që jam. Ky është muri ku shembet dhe ndërtohet bota ime. Berlini… A sikur të mundem të tregoj për Berlinin…

A të kam folur ndonjëherë për Berlinin? Atje era krijoi parfumin e parë të lagësht dhe shpërndau me fllade të humbura në trupat e qënieve të shkreta si unë. Atje njerëzimi ngriti muret që ndanë shumë botë, shumë kujtime, shumë ëndrra. Aty Berlini krijoi mantelin e parë të vdekjes, fiks sipas përmasave të trupit tim. Ai më tregoi sesi festohen ditëlindjet në parajsë, por është një e fshehtë mes meje dhe qytetit tim. Nuk mund të thyej betimet e dhëna në heshtje sa herë flija nën parqet e tij, mbështjellur me sigurinë që vetëm një nënë mundet t’a japë. Berlini nuk braktis askënd. Është nëna që rrit një fëmijë jetim dhe nuk pendohet kurrë për vendimin e marrë. Berlini është jetë, frymë, oksigjen, gjethe. Berlini është ujë, mur, formë lirie. Pse nuk shkon në Berlin?

Ke nevojë për shpjegime, ndryshe nuk do të më kuptosh. E fillojmë nga pyetja më e vështirë deri para se të njihesha me Berlinin. Për të vdekur ashtu siç duhet të vdisja më duhej të gjeja kush ishte dashuria ime e parë. Ndryshe nuk do të mund të thyeja asnjë mur të karakterit tim. Mendova për të gjithë burrat që kisha njohur, për të gjithë gratë, për prindërit, familjen. Ata nuk ishin dashuria ime e parë. Një ditë kur trupi im ishte mbytur nga i nxehti sikurse sot iu luta qiellit për ndihmë. Gjithmonë më ka ndihmuar, ndaj unë vendosa të mendoja se Zoti ndodhet atje. Filloi të binte shi menjëherë pas lutjes time. Atë ditë njoha jetën dhe zbulova që dashuria ime e parë ka qenë uji. Unë linda nga mitra e një nëne me 72% ujë, jetoj në një trup me 72% ujë dhe jam banore e tokës që ka 72% ujë. Ndaj e dua shiun kaq shumë. Nuk ia kam treguar askujt këtë, përveç Berlinit.

A të kam folur ndonjëherë për Berlinin? Të lutem mos ma rëndo shpirtin. E kam të vështirë ta bëj një gjë të tillë. Unë nuk flas kurrë për gjërat që i dashuroj. Berlinin e dua më shumë se çdo gjë tjetër në jetën time e ndaj për të mund të rrëfej vetëm kaq, e dua. Nuk e di e sata dashuri e imja ka qenë Berlini, por kjo nuk ka rëndësi. Është dashuria më e rëndësishme në jetën time. Aty mësova të ngre themelet e karakterit tim kaq jo elegant, kaq të ashpër, padurueshëm dhe shumicën e kohës fëminor. Gratë si unë nuk rriten kurrë.

Ngjaj me çdo grua, por asnjë grua nuk më kupton, madje dhe asnjë burrë. Me siguri që ime më ka patur të drejtë. Njerzit e ftohtë si unë njohin vetëm vdekjen. Për jetën iu flet çdokush, por nuk mund të kapërcesh aq lehtë muret si ato të Berlinit. Për ta ndërtohen muze. Bota i shikon me lakmi dhe heshtin. Berlini i mësoi botës se çfarë është të vdesësh për së gjalli dhe të ringjallesh më i fortë se kurrë, ndaj dhe unë jam kështu.

A të kam prezantuar ndonjëherë me Berlinin? Është i gjallë, frymon, mbijeton nga llumi i njerzimit dhe sërish krijon strehime për të njohur vdekjen tënde, por dhe jetën. Mua Berlini më strehoi 15 vite gjashtë javë e katër ditë. Ti nuk e di sa të rëndësishme ishin ato sekonda. Aty dëgjova zërin e tokës, barishteve, erës, jetës. Berlini më mësoi të mbijetoj e me Berlinin askush nuk mund të jetë i barabartë. Sikur të mund të të dërgoja atje ku lindi energjia e Berlinit. Ti nuk e imagjinon dot. Është muri më i thjeshtë për të krijuar. Aty ti e beson që ekziston. Në Berlin unë pashë dritën për herë të parë…

Nëse nuk të flas për Berlinin më kujto. Do të thotë që jam më mirë se ç’duhet ose më keq. Thjesht kur të më shikosh në heshtje dije që mendoj për shtëpinë. Për qytetin tim gri që ka humbur në gjurmët e një kujtese të largët. Nuk ia kam thënë askujt këtë, por nëse Berlini do të ishte një burrë do të kisha një fëmijë me të dhe më pas do largohesha përgjithmonë nga ai. Do i vidhja arsyen e vashdimësisë së jetës e do t’a lija të lirë. Mbase për këtë e dua kaq shumë Berlinin sepse ai më la të lirë.

A të kam treguar ndonjëherë kush është frika ime më e madhe? Janë zinxhirët. Gjithçka është e lidhur me ta. Ata të marrin lirinë dhe janë po të njëjtët që ta japin. Mjafton një hallkë e tyre të prishet dhe gjithçka shëndërrohet në një efekt domino që të jep atë që më së shumti më dha Berlini. Mos u bëj një zinxhir. Të gjithë kemi lindur për të gjetur lirinë e të tjerëve, jo tonën. Sikur të mund të të flisja për Berlinin do më kuptoje, mbase më kupton që tani!

Shkrimet e mia janë shpesh absurde. E marrin fillensën nga një buzëqeshje e panjohur dhe me të krijojnë me mijëra histori. Imagjinata ka qenë çmenduria ime e parë. Shkrimet e mia lindën të tilla. Unë nuk mund të shkruaj për diçka që nuk mund ta imagjinoj, ndaj besoj që tani e ndjen më shumë shkrimin tim në rrugën tënde të logjikës. Ti je thjesht një pikëz e madhe në shkrimet e mia. A të kam folur ndonjëherë për Berlinin? Ti s’më ke pyetur akoma dhe ndaj unë stepem, por kjo nuk do të thotë që do të stepem gjithmonë. Unë kam guximin e një budallai! Shpesh jam njësh me veten.

Shumë shpejt do të të rrëfej magjinë e prekjes së qytetit tim, që ndonëse nuk mban lëkurë njeriu më hipnotizon. Unë jam një njeri i thjeshtë në rrugën e ndërlikuar të jetës. Jam krijuar me shumë pak përbërës dhe mund të të them, që e vetmja gjë e saktë e imja është energjia e hijes time. Me të e kam ndjerë dhe timbrin e zemrës së qënieve të panjohura si ti! A do të dish pse të shkruaj kaq shumë? Sepse ti për mua je i vetmi mur ku do të shkruaja për Berlinin. Do e takoj shpesh, do jetoj brenda tij, do jetojë brenda meje, do e prek, por nuk do e njoh kurrë. Nuk dua ta njoh… Unë njoh vdekjen time. Vdekja e të tjerëve nuk më duhet.

Berlin, ne kemi jetuar gjithçka që poret e lëkurës së shpirtit kanë vendosur. Të gjithë ëndrrat e shuara në parqet e tua dhe prekjet e një jete tjetër. Për dashurinë nuk i flas askujt, as për mënyrën si unë dashuroj, ndaj thjesht kur horizontet e shikimeve tona përplasen ti buzëqesh. Kaq më mjafton. Unë nuk kërkoj asgjë nga ti Berlin. Unë thjesht të dua.