A shitet Dibra?

0
936

Dionis Xhafa

E majta shqiptare, PS dhe LSI fituan në Dibër dhe kandidati fitues ishte Muharem Rama, që kandidoi me siglën e Partisë Socialiste. Edhe pse përballë ishte një zëvendësministër në kabinetin e Sali Berishës, sërish nuk ia doli të fitojë. Kjo tregon disa gjëra. Më së pari, se PD-ja ka rënë ndjeshëm si forcë politike dhe se ka rrezik rrëshket e shkon forcë e tretë në vend, pasi zenitin e saj e kishte shumë herët, më 1991 e s’mund ta mbajë akoma me atë faktor, kaq të hershëm.

Gjithashtu, opozita dëshmoi edhe forcën e arsyes dhe jo arsyen e forcës, për të bindur dibranët. Pra, opozita ka një sërë problemesh se përse nuk i fitoi zgjedhjet. Dhe, më 2017, kur të ketë zgjedhje të përgjithshme, ka mundësi që maxhoranca fiton ndjeshëm, në mos edhe më thellë se viti 2013. Opozita ka rënë nën një batak të thellë dhe e ka të vështirë të dalë prej andej. Ndërkaq, pozita ndodhet mirë. Mirëpo, diferenca e votave kaq e madhe vështirë të jetë e pastër. Dibranët, përkundër legjendave ‘legjendare’ në atë zonë, se mund t’i bëjnë ballë çdo gjëje, armik e stërarmik, shiten.

Po, ata shiten. Kjo, për shkak të interesave personale. Një popull kaq i varfër sa ç’është në Dibër, shitet shumë kollaj. Por, nuk ishte vetëm shitja si persona të dibranëve, arsyeja e vetme e fitores të së majtës. Tjetër ishte se pushtetin qendror e ka PS dhe LSI, e se frika është se nëse Dibra ia jep votën opozitës, kjo zonë mund të mbetet e mjerë dhe e varfër, përgjithmonë, duke mos vënë dorë mbi të, askush. Mbi të gjitha, e rëndësishme është se janë legjenda e madhështi gojëdhënash popullore të gjitha, se dibranët nuk shiten.

Ata janë në mos më të varfërit e republikës. Varfëria në disa zona të krahinës arrin kulmin e vet. Mjerim e skamje si në Dibër, vështirë se gjendet në ndonjë rreth tjetër të Shqipërisë. Dibrani shitet, sepse varfëria ka qenë dhe është prezente në atë zonë. Varfëria ka qenë dhe mbetet faktor i shitjes së njerëzve, në mendim e në gjithçka.

Tiranë, 14 shtator 2016