A ranë në kurthin e Thaçit, Kurti dhe Mustafa?

0
545
Kurti - Thaçi - Mustafa

Albin Kurti, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

OPINIONE

NGA XHAFER LECI22 MARS 2020BOTASOT.INFO

Hashim Thaçi, përmes kërkesës për shpalljen e gjendjës së jashtëzakonshme në Kosovë, kishte zgjedhur si rastin më të volitshëm, për ta provuar prishjen eventuale të Qeverisë Kurti dhe rikthimin e tij përsëri në pushtet. Hashimi e dinte se gjendja me Coronavirusin në Kosovë, nuk ishte aq e rëndë, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Por siç e dimë deri me sot, Hashimin e kanë rekrutuar emisarët e huaj, për hesape të Beogradit. Dhe Hashimi, do provonte që përmes gjendjes së jashtëzakonshme, ta këtë nën kontrollin e tij të plotë situatën në Kosovë, pavarësisht se si do zhvillohej, nëse eventualisht do vinte deri tek protestat! A. Kurti dhe I. Mustafa, duhet ta kenë të qartë, se Qeveria nuk guxon të bije, populli do ju denojë, i keni borxh. Binomi Vjosa dhe Albini, edhe pse rival në fushatën zgjedhore, ata shpallën aleancën qeverisëse, pavarësisht nga kush do të kryesohej qeveria në ardhje.

Fitorja e kësaj aleance ishte entuziaste, për shumësinë e popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve të kudondodhur, ngaqë ishin lodhur nga krimi i organizuar, korrupsioni masiv, haraçi i dhunshëm dhe prepotenca e vrazhdët pushtetare. Për largimin nga pushteti shumëvjeçarë të Hashim Thaçit me aleatë, meritorë kryesorë janë LDK-ja dhe Vetëvendosje, përkatësisht, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. Qasja për krijimin e koalicionit qeverisës, hezitimi dhe mosbesimi reciprok, i LDK-VV, ishte skajshëm provokativ dhe zhgënjyes. Megjithatë angazhimi i Vjosa Osmani, si promotore, për të tejkaluar pengesat, më shumë subjektive se sa objektive, arriti qëllimin. Vjosa e dinte se koalicioni me VV-në, nuk ishte zgjidhje ideale, por i domosdoshëm gjithësesi. Sepse, për rrethanat e spektrit politik në Kosovë, nuk kishte rrugë të dytë. Me krimin në shtet e pushtet, nuk mund të vazhdohej. Rrjedhimisht, ishte Vjosa që LDK-ja ishte bashkëfituese e zgjedhjeve, krahas Vetëvendosjes.

Prandaj ajo meriton vlerësimin e duhur dhe kundërshtimi nga ajo i Mocionit, është në pajtueshmëri me kontributin e saj. Andaj, edhe nisma për rrënimin e Kështjellës, të ngritur me shumë mund e djersë, është e dhimbshme për Vjosën, elektoratin e subjekteve LDK-VV dhe të shumicës absolute të shqiptarëve. Merrnu vesh si burrat e vërtetë, duke respektuar në detaje ligjet dhe vazhdoni bashkëqeverisjen. Nëse lejoni rikthimin në pushtet të atyre, të cilët deri dje e drejtuan vendin dhe plaçkitën pamëshirshëm pasurinë tonë të përbashkët, atëherë, ligjërisht, përgjegjësia bie mbi supet e juaja VV-LDK! Ka mjaft fakte se Agim Veliu, nuk e ka merituar postin e Ministrit të Brendshëm, por këtë e ka kërkuar dhe, siç kemi mësuar, janë detyruar të ia japin!

LDK ka mjaft kuadro të përgaditura me biografi shumë të pastër, prandaj do duhej dikush tjetër ta gëzonte postin e Ministrit të Mbrendshëm. Isa Mustafa ka bërë një mal gabime, nuk po i përmendi të gjitha, vetëm një, mjafton votimi-zgjedhja për president të vendit tonë, Hashim Thaçin, këtë dhe të gjitha të tjerat opinioni i dinë. Na kujtohet në vitin 2014 incidenti, kur ish-Ministri i Transportit dhe PosTelekomunikacionit, Fatmir Limaj u përplasën me Zëvendës Ministrin nga radhët e LDK-së, Naser Osmani, ish-Kryemnistri H. Thaçi, edhe pse fajtorë ishin te dy, Hashimi e shkarkoj Naserin, por jo edhe Limajn! LDK e kundërshtoi shkarkimin e Naserit, Prof. Fatmir Sejdiu, e quajti të ligjshëm largimin e tij.

Albin Kurti, pavarësisht se është i zgjuar, duket qartë se në politikë dhe diplomaci ende është i pa pjekur, në aspektin e ngutësisë dhe kokëfortësisë. Kosova ka Kushtetutë Parlamentare, shkarkimi aq i shpejtë i Ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, i përngjante ish shteteve të një mendësie politike komuniste. Sepse paraprakisht nuk ishte konsultuar me partnerin, LDK-në dhe siç është shprehur vet Albini në media, vetëm një gjysmë ore, para se ta shkarkonte A. Veliun, e kishte njoftuar kryetarin e LDK-së I. Mustafën! Njësoj si Albini ishte i shpejtë në reagimin e tij, edhe Isa Mustafa për prishjen e bashkëqeverisjes! Kjo na bën të mendojmë shumë, se, si Albini edhe Isa, nuk e paskan pasur me zemër largimin e Hashimit me shokë nga pushteti!

Po sjell një tregim nga baba im i ndjerë, Osman Leci. Njëri e kishte pyetur një burrë: ”Kush je ti?” Ai përgjigjet: “Jam belaxhinj!” Ky me shpejtësi ia kthen: “Menzi që pres!” Edhe Albini e Isa menzi paskan pritur apo jam gabim? Për ata që duan të mësojnë për rregullat e demokracisë, dëshmojmë me shkarkimin e dy ministrave të Bundestag-ut gjerman, pa asnjë problem: 1. – Shkarkimi i Ministrit të Mbrojtjes Rudolf Scharping, për aferën e tij, në vitin 2001, për fotografinë e tij të bërë në një revistë, kur ai po bënte pushime në Mallorca. Fotot u shfaqën kur ai dërgoi ushtarë të Bundeswehrit gjerman në Maqedoni. 2. – Ministri i zhvillimt Dirk Niebel kërkoi falje në Bundestag, për importin e papaguar të taksave të një qilimi-tepihu, të falur në Afganistan. Vetë e kërkoi shkarkimin në vitin 2012.

Wendlingen, 22.03.2020