A po lëviz rrota e ndryshkur e një drejtësie të kalbur?!…

0
529

Nga Fran Kamshi

Me shumë vështirësi duket se rrota e ndryshkur e një drejtësie të kalbur po lëviz nga vendi dhe vetingu i shumëpërfolur, me të cilën ka më se dy vjet që merret klasa politike dhe gjithë shoqëria shqiptare ka nisur startin e tij në lidhje me organet e drejtësisë. Një gjyqtar është seleksionuar nga mekanizmat e vetingut, disa gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, nga paniku i zullumeve të tyre, kanë dhënë dorëheqjennga garimi për në organet e drejtësisë, duke mos iu nënshtruar vetingut. Megjithatë ende reforma në drejtësi është në kuadrin e një zhurmënaje propogandistike dhe vetingu ecën një hap para, dy hapa pas.

Në fakt kush e pengon reformën në drejtësi dhe vetingun që të mund të japin frytet e premtuara dhe për të cilat kanë hyrë garant dhe ndërkomëbtarët?

Tri forcat kryesore politike në vend, PS, PD dhe LSI-ja janë gijotina e vetingut dhe e reformës së pretenduar në drejtësi dhe këtë e tregoi edhe një herë mënyra se si iu turrën këto tre forca politike drejtësisë, duke i bërë presion dhe shantazhuar për ta mbajtur atë nën kontroll. Që me rastin “Tahiri”, ku njëra palë mprihte gijotinën dhe pala tjetër krijontë “alibitë” e mosndëshkimit, me arrestimet e titullarërve të lartë të Rrugëve, si pjesë e LSI-së, me arrestimet në Lezhë të kryetarit të bashkisë, të kreut të këshillit të qarkut dhe të disa punonjësve të përfshirë në skandalin e pronave në bregdet, njëra palë, pozita thërret “rroftë” dhe pala tjetër-opozita, PD dhe LSI-ja thërrasin “poshtë”, njëra palë sulmon organet e drejtësisë, pala tjetër i mbron ato, duke e bërë çdo proces të goditjes së korrupsionit dhe të “peshqëve të mëdhenj” të shantazhuar politikisht dhe nën darët e një presioni permanent.

Me “gërshërët e ligjit” në dorë, me shpata e heshta të mprehura dhe me “duar të pastra”, pas mbulimit e fshehjes së pisllëkut të tyre, po shfaqen emisarët e majtë e të djathtë fshatrave e qyteteve kudo, ata që ia kanë ndjerë lezetin pushtetit, për gjoja luftën me “tolerancë zero” kundër baronëve që grabisin djersën dhe gjakun e shqiptarëve… dhe realisht, asgjë për hajër. Asgjë për mbrapshtinë e këtij sistemi të montuar kaq djallëzisht, asgjë për rrënjët që gjenerojnë pa pushim, ekzema e depresion masiv.

Të lumtur janë ata të paktë, që nuk e dinë se rrënjët e këtij shteti janë në ajër, ose më mirë me thënë në baltë e llucë korrupsioni, kontrabandë, krim e gënjeshtra, mashtrim dhe në gjithë aliazhet e pista të shoqërisë së konsumit dhe shumë pak, madje aspak pastërti e siguri, që i duhen themelit të një ndërtese për të qëndruar në këmbë.

Dhe vjen një moment, kur shpresa e të gjithë atyre që i mbanin dhe i mbajnë shpresat tek reforma në drejtësi, tek vetingu, tek mundësia që të ndryshojë një herë e përgjithmonë raporti i qytetarit të këtij vendi me shtetin e të drejtës, gjithçka shkërmoqet nga babëzia bipartiake, nga fakti kokëfortë se këta politikanë që kemi në krye nuk mund të bëjnë reformë në drejtësi. E kam thënë edhe herë tjetër dhe do ta përsëris, nuk mund të bëjnë reform ata që e kanë katandisur drejtësinë në njëlevzë të indoktrinuar të politikës. Nëse ka një reform që duhet nisur urgjent dhe me ngutin më të madh ajo në fakt duhet nisur nga politika, pasi ajo po i gjeneron të gjitha llojet e krizave shqiptare dhe po kthehet në një boomerang për gjithë kursin e zhvillimit dhe të progresit shqiptar.

Në kushte të tilla, edhe sikur kjo reformë e shpallur dhe reklamuar me bujë të realizohet e plotë e pa hile nga forcat politike në drejtim, tre partitë tona nuk do të munden ta bëjnë ndërtesën shtetërore të drejtësisë të qëndrojë si duhet në themelet e veta. Aq më pak do të ndodhë kjo, kur këta “reformistë” e njerëz të “ndryshimit” janë pikërisht ato forca politike, që gjithçka në fjalë e kanë ngritur vetë dhe me qëllim, mbi themele korrupsioni e krimi, nga ku kanë pasur e do të kenë mundësi të realizojnë objektivat e dallaveres së tyre, pa të cilat ato do të shpërbëheshin si subjekte politike.

Tashmë janë bërë shumica ata që mendojnë se shkaktarët e vërtetë të mjerimit shpirtëror dhe ekonomik nuk janë budallenj, as edhe të paaftë profesionalisht a mendërisht, apo se, ata nuk marrin vesh nga zanati i tyre! Ata e njohin shumë mirë zanatin dhe misionin e tyre prej oktapodi, për të shfrytëzuar e përvetësuar pasuritë, që i përkasin popullit. Ata nuk çojnë ujë në mullirin e progresit tonë ekonomik e të shumëçkashëm sepse mbrojnë interesat e Klanit Grabitës, kurse interesat tona si popull ia kanë shitur vetë djallit!

Qeveritarët dhe opozitarët “tanë” mbrojnë interesat e Klanit Grabitës dhe jo interesat e popullit! Reforma në drejtësi është një shpëlarje truri dhe asgjë më shumë; e tillë do të mbetet nëse ata që e kanë inicuar, mbrojtur dhe financuar, aleatët tanë ndërkombëtarë, nuk do të këmbëngulin në pastërtinë absolute të kësaj nisme madhore, që ajo të mos degjenerojë në një barrë tjetër për shoqërinë shqiptare, siç kanë degjeneruar të gjitha reformat në këtë vend.

Me reforma gjysmake e hileqare si ajo e Kodit Zgjedhor; me heqje imunitetesh kur nuk të hyn më në punë, apo duke e përdorur atë për gjueti shtrigash; me ndryshim ligjesh e nenesh të Kushtetutës sa herë nuk u del hesapi, duke e shndërruar në një rreckë, që vetëm Kushtetutë nuk mund të quhet, me “vetingun”, që po nuk u nis nga politika dhe politikanët nuk mund të ketë kurrëfarë rezultati, nuk shkohet askund, përveçse në një ricklim krizash.

Dhe, për sa kohë do të mungojë një reagim i fortë popullor, për sa kohë populli nuk do ta kontrollojë këtë trepartitizëm frentik dhe nuk do të shfaqë reagimin e tij uragan dhe me votën e tij për të shprehur ndryshimin, trepartitizmi do të jetë një gijotinë jo vetëm për vetingun dhe reformën në drejtësi, por për vetë të ardhmen evropiane të shqiptarëve në BE!

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar