A me nejt, a me ik?

0
550

A me nejt, a me ik?

Miranda Dobraj

Jam msue m’u rrit nën polenin e atdhedashunisë
me nejt me durue dhimbjen e urisë
me kpucat e zbathuna si të Lulit gjeni
kam çue stervitet e mia të mdhaja.

E ti pash besën thujem a me nejt, a me ik?

Kam krye dhe shkollën e varfenisë
e atë gjithmonë ma kujtonte zilja e orëve
kur të tjerët merrnin rrugën për në byfe me ik
unë zgjedhja Dhaskalin e udhës së shkronjave…

E ti moj Shqipe, më thuaj a me nejt a me ik?

Kam msue me shku me tesha të faluna
e nana më motivojke, bijë mos qaj
ti shpejtë do marrësh shkollën, do i kesh të tana
dhe Zoti të shpërblen kur dituninë nisesh me nxan.

E ti moj nanë, pa më thuaj sot, se si ky vend m’ka katandis?

Eh, fjalët e gjyshit zor i kam m’i harru
se mundi i tij për dituni gjith si qiri u shkri
m’ka thanë çika jem për vend me pas dashni
vuajtjet për vendin n’ditar i ka shkri…

E ti gjysh larg ike, më thuej si t’ia bëj mos me ik?

M’kujtohet luhatja e babit anë e kënd dhomës
si sot unë që luhatem, a me nejt a me ik
në kry i vlonin të gjitha hallet
për veshjen, shkollën e ushqimin për secilin fëmijë

E ti babë më thuaj, si t’ia bëj që luhatjes sonë t’i vë vendosmëni?

E ti Kosovë, me atë gurin tand çajem
se unë s’kenkam aq e rand sa me qëndru
ai guri i rand që në vend vet peshojka
si ortek mbi mu, u rrokullis, m’ka mblu.

Eh, ti Kosovë, t’paktën kufomën mbama!


Ai iku Hanë?

Ai shkoi Hanë.
Shkoi përtej çdo shtegu
që unë mund ta gjej.
Mbylli çdo derë për mua.
Ai iku Hanë.
Më la të vetmume me melodinë e shiut,
më la veç erën që fryen
e më sjell kujtimet.
Ai nuk më la diell.
Ai më la me ty Hanë,
thua se ti më mjafton
për të çu para çdo ëndërr,
për të çu para këtë jetë.
Ah, Hanë! Sa dhimbka shpirti,
po mbytka fryma.
Më mbyti më shumë se
helmi që pinë Romeo e Zhulieta,
më dhemb helmi
sepse ka kohë që gjindet brenda meje.
Pikoj helm Hanë, në vend që të pikoj gjak.
Pikoj helm e mbushem vrerë me veten.
Nuk mundem më.
Të betohem se secila rrugë
dhe secili veprim
më duket që kërkon një forcë shumëtonshe
të cilën unë nuk mund ta përballoj.
Unë po thahem Hanë, kripa e lotëve të mi,
mbyti ëmbëlsinë brenda meje.
Dita-ditës po mbytem.
Hanë, të lutem shumë,
ti bëhu qiriu i fundosjes sime.
Kaq për mua, Hanë!


Kur ti kërkove lirinë

Kur ti kërkove lirinë prej meje
unë u bëra dallëndyshe, shtegtova diku
ku s’je ti.

Shtegtimi shpirtin ma prangoi, flatrat m’i theu
por ty të dha lirinë.

Unë e burgosura, e jotja pafundësish
të vuaj fajin se të dashta pambarimisht.

Vitet e dënimit tim përjetësisht
mund t’i shpëtojë veç fryma e ringjalljes.

Atëherë kur prangimit tim do i dihet vlera
lirisë tënde do i vihet çmimi.

/GazetaLetrare.com