A KISHTE TRUPA KOMANE NË USHTRINË E SKENDERBEUT?

0
1227
Ndoc Selimi

Ndoc Selimi

Prania e komanëve, ndoshta, edhe në formacione luftarake shqiptare na del në dy shkrime. Eqerem Bej Vlora thotë se Flav Komneni në dokumentet që përmendin Pal dhe Gjergj Kastriotin thotë: “I biri i këtij të fundit, së bashku me mercenarët e tij, në betejën e Fushë Kosovës në vitin 1389 mori pjesë në anën e serbëve“. (Bëhet fjalë për Gjon Kastriotin të birin e Gjergjit dhe të atin e Skënderbeut – shën aut.). Ne kete beteje, Gjon Kastrioti merr pjese ne aleancen ballkanike sebashku me serbet dhe te tjere shtete. Del pyetja kush ishin këta mercenarë, veç komanëve?. Shqiptare jo, se shqiptarët kanë shkuar të inkuadruar në farmacione luftarake e nuk mund të quhen mercenarë.

Turqit, që shpesh i gjejmë si mercenarë, në rastin konkret përjashtohet fakti, pasi nuk mund të bënin një luftë kundër po vetë turqve. Atëherë kur shumë princër si bullgarët, serbët, hungarezët etj., mbanin luftëtarë komanë mercenarë, nuk përjashtohet mundësia që edhe Gjon Kastrioti të kishte një pjesë nën komandë. Po te kjo vepër që u citua më lart thuhet se Gjon Kastrioti zotohej t’i shkonte në ndihmë Venedikut “me mercenarët“ e tij sa herë t’i kërkohej. (Eqerem Bej Vlora, “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri” fq. 100 – 101). Një tjetër fakt që në mund të aludojmë për prezencën e komanëve në formacionet luftarake të princave shqiptarë na e jep poeti i Rilindjes sonë Kombëtare Naim Frashëri te poema “Histori e Skënderbeut”, nga ku shkëputëm vargjet e mëposhtme:

“Ish Kamani, q’ ishte burrë,
Më trim nga gjithë të parët,
Nuk’i trembej syri kurrë,
Pa e donin shqipëtarët;
I holl’ isht’ e pak’i gjatë,
Nukë kish shumë mustaqe,
Vij si zeshkët e i thatë,
E s’kish fare mish në faqe…”

Pra, Naimi thotë “pa e donin shqipëtarët“ duke na bërë të ditur se Kamani nuk ishte shqiptar, por ishte si vëlla mes tyre, si luftëtar e si trim, pa e donin njësoj si të ishte shqiptar. Edhe emri Kamani që sigurisht nuk ishte emri i vërtetë, por një pseudonim që ka marrë emërtimin e prejardhjes nga fisi i komanëve si mund të themi “shkodrani”, “korçari” etj, që është një gjë krejt normale e sidomos në luftë. Pra nga emër i përgjithshëm është kthyer në të përveçëm e aq më shumë në emër njeriu.

“Vij si zeshkët…” – thotë Naimi – duke na përcjellë edhe një cilësi karakteristikë tjetër, ngjyrën e lëkurës të komanëve, për të mos hyrë pastaj në hollësi të tjera siç është guximi, mostrembja nga vdekja, etja për luftë e beteja, ashtu si ishin rritur gjithë jetën e tyre me shpatë në duar. Kështu Kamani del kundër nënshtrimit prej turqve duke mbajtur një fjalim të gjatë e plot moral që bie erë luftë e duke vendosur përfundimisht fatin e mbrojtjes vetëm me luftë. (N.Frashëri, “Histori Skenderbeut”, poemë, Kapitulli I”) Nuk dihet ku e ka marre Naimi kete burim kaq te sakte duke e pershkruar figuren e Kamanit origjinal siç ishin; trima, te zeshket, me pak mustaqe e gati qose, fytyre te dobet e te shkathet. Kush ka ndjekur ne vitet 70′ rrecitimet ne publik te nje tjeter Naim Frasheri , aktorit, artist i popullit qe vdiq teper i ri, kurre nuk tha “Ish Kamani”, por “Ish komanas qe ish burre”.

Edhe se dokumentet shqiptare nuk flasin, ka gjasa që në përbërjen e ushtrisë së Skënderbeut ka pasë një pjesëmarrje të trupave komane në formacionet luftarake në përbërje të trupave shqiptare tashmë të shqiptarizuar prej më shumë se 120 vjetësh më parë në truallin e Shqipërisë. Ashtu siç thote edhe Barleti se ” Huniadi pothuajse nuk e nderroi kurre ushtrine hungareze dhe vllahe”.

(M.Barleti “Historia e Skenderbeut” fq 81.
Ndoc Selimi (Kultura e Komanit dhe Komanasit), 2013, fq. 160.