A KA SHQIPËRIA LIDERË?

0
945

Adem Harxhi

“Doni luftë, luftë do të keni! Thyeni xhama, shponi goma!” Kështu thirri Lulzim Basha
“Do të armatos popullin!” Kundër kujt do e armatosësh popullin, Zoti President?, pyes unë Ilir Metën
“Policë, suluni të mblidhni vota!” Kështu i urdhëroi Edi Rama policët e depolitizuar.

Këto, e shumë të tjera, janë thirrje të pastra që vinë ndesh me kushtetutën. Ato nuk janë gabime njerëzore. Nuk janë nga ato gabime që i bëjmë të gjithë. Këto thirrje tregojnë se kryetarët e partive shqiptare, janë të papërgjeshëm, arrogantë dhe u ka hyrë vetia në qejf.

* * *

Shumë shqiptarë lanë vendin dhe morën rrugët për një jetë më të mirë. U mbytën dhjetëra njerëz në Adriatik, në kohën e eksodit të madh. U ngritën firmat piramidale që sollën rrënimin ekonomik të shqiptarëve dhe falimentimin e shtetit. Tragjedia e Otrantos ishte një makth i vërtetë. U rrëzua në Adriatik një helikopter ku humben jetën gjashtë njerëz të pafajshëm, si pasojë e një vendimi të gabuar. U rrëzua tuneli në rrugën e kombit, një humbje materiale kolosale. Në 17 Mars ndodhi tragjedia e Gërdecit, ku njëzetë e gjashtë njerëz të pafajshëm humbën jetën dhe qindra të tjerë u lënduan e sakatuan. U shitën kilometra të tëra det në kundërshtim me interesat e vendit e popullit. U vranë në bulevard, nga shteti i tyre, katër demonstrues të pafajshëm.

Këto janë vetëm pak nga ato ngjarje të hidhura që ka përjetuar ky popull në këto njëzetë e shtatë vjet, për të cilat askush nuk ka mbajtur përgjegjësi, as si individ e as si institucion.
Çuditërisht, sot, më shumë se kurrë, dëgjojmë nga puthadorët e politikës, që t’i quajnë shkaktarët e këtyre fatkeqësive liderë ose lidërshipi. Aq shpesh përdoret kjo fjalë, sa e besojnë edhe ata, që e dinë mirë se nuk janë të tillë, por u vjen mirë ta dëgjojnë. Sa herë e dëgjoj fjalën lider ose lidership, gjithnjë, i kam bërë vetes pyetjen:

A ka liderë Shqipëria, sot?
Unë mendoj se jo. Një lider, që të jetë i tillë, duhet të zotërojë, më së paku, këto cilësi: Të ngrejë
mbi vete përgjegjësitë e detyrës dhe të mos përfitojë prej postit dhe detyrës që kryen. Të ngrejë
lart motivimin dhe moralin e qytetarëve. Lideri duhet të jetë njeri shumë i arsyeshëm.
Nuk është vendi t’i shtjelloj këto cilësi, por, zgjodha t’u tregoj sjelljen prej lideri të ish Presidentit Xhimi Karter, në një moment shumë të vështirë. Lexojeni dhe u lutem më thoni, kemi, apo nuk kemi neve liderë?.

Në 25 Prill të vitit 1980, kur 50 amerikanë ishin mbajtur peng në Iran, për 173 ditë, Presidenti amerikan Xhimi Karter, doli në televizion, para gjithë popullit amerikan. Me një zë solemn, ai i tregoi popullit, se një skuadër ushtarake e Shteteve të Bashkuara, kishte dështuar në përpjekjet e saj për të shpëtuar 50 amerikanët peng në Ambasadën Amerikane në Teheran. Pasi Presidenti përshkroi ngjarjet, të cilat çuan në dështimin e këtij misionit, ai tha: “Ishte vendimi im, që të ndërmerrej ky operacion shpëtimi. Ishte vendimi im që e anulova atë, pasi ngjarjet u zhvilluan ndryshe. E gjithë përgjegjësia është imja”

Presidenti Karter, e kuptonte se kur preken interesat e Shteteve të Bashkuara, përgjegjësia kryesor qëndron në tryezën e Presidentit.

Një javë pas përpjekjes së dështuar për të shpëtuar pengjet në Iran, në Pentagon, një gjeneral i rangut të lartë, në fjalimin e tij lidhur me këtë ngjarje tha : “Ndjenja e fajit, që përjetova nga dështimi i misionit, ishte krejt i ndryshëm nga ndjenja e krenarisë që provova për Komandantin tim, i cili, publikisht, mori përsipër gjithë përgjegjësinë për vendimin që ndërmori.”

Të gjithë burrat dhe gratë e tjera që shërbenin në Pentagon bashkë me gjeneralin, provuan të njëjtat ndjenja. Fakti që Presidenti kishte pranuar përgjegjësinë e tij, bëri që ai të gëzojë besimin dhe respektin e të tjerëve.

[email protected]

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar