Enver Hoxhaj tha se kemi rrënjë europiane. Nuk është mendim që duhet thënë, edhe atë për shumë arsye. E para asnjë shteti në Europë nuk i intereson çfarë rrënjë kemi, por kush jemi. Meqenëse jemi aty ku jemi, e besojmë ata që në fakt jemi! Me rrënjët e popujve merret historia, politika merret me prezencën e tyre. Po pse e thotë një ministër i Kosovës se jemi europian? Kush ia sulmoi, kush ia ndalon identitetin europian dje dhe sot?
Kujt ia dërgon atë mesazh? Kujt i dedikohet? Nga kush cenohet dhe sulmohet identiteti tij europian? Jashtë nuk e bën askush! Është e mundur se ministri ndjen në rrezik identitetin europian nga brenda? E mundur! E mundur! Shefi tij ka lejuar rekrutimin e 300 vetave dhe ka zënë vendin e parë në botë me mercenarë, që duan t’ua mësojnë arabëve fenë e drejtë!
A mund të ketë edhe ndonjë arsyeje tjetër? E mundur. E mundur se i drejtohet Erdoganit i cili Kosovën konsideron vazhdimësi të sulltanatit turk. A është e mundur se ministri Hoxhaj ka dërguar mesazhe tej Bosforit duke kundërshtuar tezën e Davutoglusë, se nuk jemi mbetje osmane, por me origjinë ilire? E mundur edhe kjo! Po nëse është e mundur edhe kjo, atëherë është dashur t’i drejtohet me at fuqi ekspresive, dhe me aq ngarkesë emocionale, siç qortoi Edi Ramën.
A ka dhe arsye tjera? Natyrisht se ka! “Ne kemi rrënjë europiane!” domethënë se jemi më të mirë se afrikanët, aziatët, amerikanët dhe australianët! A është kjo racizëm? Po, ai mendim është racizëm i kulluar se ngrit popujt e një kontinenti mbi të tjerët! A mund të dëmtojë imazhin e Kosovës një theksim i tillë i panevojshëm? Po, mund ta bëjë, por duke ditur se nuk ka as fuqi ekonomike, as ushtarake, as politike, atëherë jashtë merret si reagim hiperaktiv i periferisë rurale!
A mund të jenë të struktura edhe arsye tjera në nëndijen e tij, që detyrojnë atë ta thotë një të vërtetë, që dinë bota? Po, mund të ketë! Universi shpirtëror i turbulluar mund të ketë një ngarkesë të madhe që shpërthen jashtë pa ditur njerëzit arsyen. As ai vet! Unë them, sot është e diel! Këtë din çdo njeri që lexon sot këtë përsiatje, ose që shikon datën më lartë. A ka vlerë t’u thuhet njerëzve se sot është e diel, kur dinë të gjithë? Jo, nuk ka asnjë vlerë! Është vetëm dërdëllitje!
A mund të ketë edhe ndonjë arsye tjetër? Shumë e mundur! E mundur se deshi t’i bëjë konkurencë LDK-ës, që po merret me hunzët, kallashët e Aleksandrit dhe njëri pas tjetrit politikanët kosovarë, merren me histori, edhe pse janë të kandiduar, të votuar dhe të zgjedhur të merren me politikë dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve! Po pse merren me histori? Sepse përpiqen ta dehin popullin, për t’i shitur iluzione dhe për ta ushqyer me histori, duke mos pasur asnjë rezultat në ekonomi apo politikë të jashtme!
Ndoshta ka dhe arsye tjera. Nuk është me rëndësi. Me rëndësi është e se ministri na tregoi se jemi me rrënjë europiane, por nuk na tregoi ku kemi kokën. Historianëve mund të interesojnë rrënjët tona, por Bashkësisë Europiane i intereson koka jonë dhe nuk çan rradaken se çfarë rrënjë kemi, si nuk lodhet të kuptojë rrënjët e njerëzve në SHBA!
Pra, herën tjetër ministri le të marrë guxim dhe të artikulohet pa ecejake dhe le t’i tregojë popullit nga kemi drejtuar kokën dhe nga kemi hedhur vështrimin. Kjo i intereson popullit dhe kjo i intereson Europës! Europianizmi nuk dëshmohet me prezencë fizike, por me pranimin dhe zbatimin e vlerave të përbashkëta. Një afrikan që respekton vlerat europiane, është më europian se një duduk ballkanas, që i referohet traditës, të kaluarës dhe rrënjëve!