A ishte Aleksandër Moisiu komunist?

0
1234

Me rastin e 138 vjetorit të lindjes së aktorit të madh

Nga Pjetër Logoreci

Gjatë përpunimit të qindra dokumentave, artikujsh, pjesë librash apo copza gazetash, që kisha nxjerrë nga arkivat në Vjenë mbi jetën dhe veprën e Aleksander Moisiut, më terhoqi vemendjen (në disa prej tyre) etiketimi i tij si: …bolshevik, komunist, çifut, revolucionar, filo-rus, i kuq… etj… etj… I joshur për të gjetë shpjegimin e këtyre epiteteve, vendosa të lexoj, ato materiale që kisha zgjedhur, duke u përqëndruar në zbulimin e argumentave të kësaj “akuze”. Vërejta me keqardhje që, mënyra se si shkruhej ishte provokuese, e rëndë, fyese dhe ndikonte mjaft (por jo tek unë), që të prishej imazhi i një mjeshtri të kalibrit ndërkombëtar të skenës, të një aktori të pakrahasueshëm, për nga talenti, me kolegët e tij në të gjithë Europën…

Sot, për këtë shkrim, vendosa me qëllim titullin e mësipërm, pasi kjo pyetje ishte një temë e shumë diskutuar, në të gjitha trevat gjermanishtfolëse. Cili pra ishte shkaku që aktorit të madh ju veshën këto epitete? Cili ishte reagimi i tij në këtë rast? Sa ndikoi propaganda keqdashëse nacional-socialiste, e qarqeve të caktuara, në jetën dhe aktivitetin e gjeniut të skenës Aleksander Moisi? Sa ndikuan tek ai lëvizjet revolucionare të kohës në Gjermani dhe simpatia e madhe, që ai kishte për Rusinë Sovjetike? Edhe pse personalisht, e njoh shumë mirë historinë e jetës së Aleksander Moisiut, dëshiroj që sa më poshtë vijon, t’i trajtoj problemet thjeshtë duke u mbështetur në shkrimet dhe artikujt e shtypit të kohës mbi ngjarjet apo rrethanat dhe jo mbi komentet dhe emocionet e mia përsonale, për elementët që shkaktuan këtë zemratë dhe fushatë kundër Moisiut tonë.

Ishin vitet 1918-1919, vite që sollën lëvizje të vrullëshme politike, kur përfaqësues të lëvizjeve e grupeve komuniste si Roza Luxemburgun e Karl Liebknecht, për të mbrojtur idetë e tyre u flijuan nga ushtarët e gardës kombëtare gjermane.

Biografi i Moisiut, gjermani R. Schapër shkruan: …Ishte koha kur në Berlin, ishte rrëzuar Kaiseri dhe mbi fortesën e qytetit valvitej flamuri i kuq. Kur turma të mëdha qytetarësh, punëtorësh, studentësh i drejtoheshin Reichstag-ut, me parulla ndër duar, ku shkruheshin fjalët “Liri, Paqe, Bukë”. Kur u rrëzua monarkia dhe socialdemokratet morën fuqinë. Moisiu ishte në Berlin. Ai nuk bënte sehir, por luante një rol aktiv, të rezikshëm për te, në revolucionin gjerman. Ai besonte në një revolucion mbarëbotëror, ndërsa, recitonte plot zjarr para turmave të mijëra punëtorëve Tolstoin, gjë që bëhet shkak të etiketohet nga gazetarët si bolshevik… Edhe regjisori i famshëm Max Reinhardt, tregon për turma demostruesish që i kalonin poshtë shtëpisë …Moisiu ishte me kryengritësit, ai mbante një shirit të kuq në krah… Nga mesi i demostruesve, Aleksandri i thërriste atij…“Ejani poshtë Profesor, këtu ka nevojë për ju. Këtu luhet teatri i vërtetë, ejani…”

Në një gazetë të Salzburgut, nga Siegfried Geyer u botua një artikull ku autori i tërhiqte vëmendjen Moisiut me keto fjalë: …e keqja e Aleksander Moisiut është se ndjehet romantik e nga kjo ai i egzagjëron gjërat, por njekohësisht kërkon të jetë edhe njerzor; po ka vetëm një rrugë: Ai duhet të mbaje (mbyllë) gojën. Askush nuk do ngrihej kundër tij sikur ai të mos ligjëronte vazhdimisht në disa shoqëri të vogla të përkrahësve të komunizmit, gjë që bën që ai të marrë vulën e bolshevikut dhe të bëhet qesharak e i padashur në syrin e të tjerëve…

Por Aleksandri nuk ndalej. Ai dëshëronte të ishte sa më aktiv në përpjekjet për vëndosjen e barazisë sociale. “I dashur vëlla Moisi” i flisnin punëtorët dhe të vegjëlit, pranë të cilëve ishte kurdoherë me artin e punën e tij. Por kjo gjë nuk i pëlqente qarqeve të caktuara nacionaliste, të cilat e vendosën atë në shenjestër duke përgjuar me rreptësi aktivitetet e tija në publik. Me qëllim për ta denigruar dhe për ta larguar nga aktiviteti politik dhe jeta sociale që bënte, kundër tij filluan sanksionet e para.

Në numrin 176, të ditës së shtunë 28 qeshor 1919, në GAZETA E PUNETOREVE (ARBEITERZEITUNG), organ i socialdemokratëve austriak, në mes lajmëve të tjera, është botuar shkrimi me titullin:

…MOISI NUK MUND TE SHKOJE NE PRAGE…

Nga Praga lajmerohet që… “Shfaqja e Aleksander Moisiut e cila është lajmëruar për javën që vjen në Pragë, do të anullohet; pasi Moisiut nuk i është dhënë lejeudhëtimi për në Republikën Ceko-Sllovake. Shkaku i refuzimit – BINDJET DHE AKTIVITETI I TIJ KOMUNIST NE VJENE…

Në një lajm tjetër nga Berlini, një bashkëpunëtor i gazetës vjeneze Neuen Wiener Jurnals, po në vitin 1919, lajmëron me fjalë befasuese nga zyra e gjëndjes civile atje, mbi kurorëzimin e aktorit Aleksander Moisiut me kolegen nga Deutsche Theater, aktoren Johanna Terwin. Autori i shkrimit kërkon të bëjë lajm, duke theksuar me qellim praninë e gruas së komunistit internacionalist Karl Liebknecht, si mike e familjes dhe dëshmitare e martesës e ciftit Moisiu.

LAJMI

…Moisiu, sipas bindjes së tij, shumë të kontestueshme BOLSHEVIKE, është celebruar sot, por, vetëm në gjendje civile. Si dëshmitare të martesës, Moisiu ka zgjedhur Togerin Bremer dhe gruan e vejë të Karl Liebknecht. Moisiu vetë, e përshkruan skenën e përjetuar në gjendjën civile kështu: …nënpunësi i zyrës u tregua me mua dhe Johannën shumë i ashpër e mospërfillës. Pastaj, krejt ndryshe, me ton shumë lutës e miqësor ftoi togerin Bremer që të firmosë. Kur erdhi radha e zonjës Liebknecht, ftoftë e pyeti atë për emrin e burrit të saj… dhe pastaj me një ton të ashpër e përbuzës, i tregoj asaj se ku duhej të qëndronte si dëshmitare…

Në një kronikë të 30 janarit 1920 nga Hamburgu me titull:

Një mbrëmje e dështuar kulturore e Moisiut në Hamburg

…shkruhet: …Një mbremje ku do të ligjëronte Aleksander Moissi, u prish nga pasuesit e partisë nacionaliste. Ato „përshëndetën“ hyrjen e Moisiut në sallë me vishkëllima, më pas hodhën pjesë karrigash të thyera aty ku ai qëndronte, shtinë me revolet e tyre fishekë zhurmues, duke e detyruar atë që të largohej nga podiumi. Ligjërimi i tij u desht të ndërpritej.

Në numrin 54 te shkurtit 1920, në Gazeta e Punëtorit (Arbeiterzeitung), gazetari Heinrich Ströbel boton artikullin:

Nje provokim nacionalist

…se sa është shtuar nacionalizmi gjerman, si rezultat i presionit e propagandës së jashtme, e tregojnë vargu i grupimeve të oficerëve e ushtarakëve, studentëve e organizatave, të cilët për shkak të dobësisë e heshtjes së qeverisë, janë vëndosur jo vetëm kundër kriminelve të luftës e shkaktarve të dhunës, por edhe kundër revolucionarve të rinj, shpirtit paqësor dhe demokratik.

Aleksander Moisi, që dikur u përshendet me zjarr nga të gjithë gjermanët, sepse zgjodhi Gjermaninë fitimtare si atdhun e tij, tani u pengua dhe u ndalua që të lexonte Goethën dhe Moritz, për shkak se kohët e fundit në Hamburg por rritej influenca e Revolucionit dhe e shpirtit për ndryshime radikale… Ligjërimi i Moisiut nuk u zhvillua, pasi u pengua nga Organizata Nacionaliste e Studentëve, edhe pse ndjekësit e Moisiut, që mbushnin pjesvn më të madhe të sallës, ishin të gatshëm për ta mbrojtur atë, ndërsa policët në mëndyrë demostrative mbushnin korridoret…

Kjo ngjarje u pasqyrua edhe në gazetën Giornale D’Italia, në një kronikë të 31 janarit të po atij viti.

Aktori Moisi në mes fishkëllimash

Aktori gjerman Aleksander Moisi, thuhet të jetë komunist, e kjo famë e keqe i solli atij gjatë shfaqjes fishkëllima nga nacionalistët në sallë. Nuk i mjaftoi atyre që ai luftoj për Gjermaninë dhe që mundohet të shmanget nga cdo propagandë politike. Aktori interpretoj pjesë të Schillerit, Heines, Tolstoit, dhe për këtë, u shpërblye nga publiku, parmbrëmë, me hudhje të plumbave plasës. Admiruesit e tij reaguan; disa studentë u ngjitën në skenë për ta detyruar atë të tërhiqej…

Pas kësaj ngjarje, Moisiu u detyrua të reagoj publikisht, për provokimet që ndodhën gjatë ligjëratave të tij në qytete të ndryshme. Në një shkrim të tij të titulluar Moisiu si Politikan, të botuar, në gazetën DIE ZEIT, të 7 korrikut 1919, ai shkruan:

…nuk po shkruaj që të mbrohem nga kjo propagandë e shfrenuar negative që gazetat e bëjnë falas kundër meje, por, sepse mua më bën të ndjehem keq, si në rolin e të akuzuarit në kërkim, që fshihet…, nuk jam marrë kurrë publikisht me politikë. Kanë dy motive, ato që më akuzojnë si komunist: i pari: se i kam premtuar studentëve vjenez që të flas në një takim të tyre dhe kisha zgjedhur për këtë qëllim një fjalim të Viktor Hygoit mbi Volterin, dhe i dyti: sepse kam firmosur për një protestë që do të shpëtonte një jetë njërzore…

Në të vertetë, është e pamundur që të merrem me një lëvizje politike, sepse ka vite që kam vëndosur të gjitha forcat e mija, jo për ndonjë revolucion apo kundrarevolucion, por për artin tim, profesionin tim… Më akuzojnë që jam komunist e që fitoj shumë! Po, unë bëj një punë shumë të vështirë, që paguhet,… nuk i interson kujt, dhe është puna ime si i shpenzoj paratë… Këtë dëshiroj tua them të gjithë atyre që më akuzojnë si politikan, …në vend që të përqëndrohen në arritjet e mija në skenë…

Në gazetën Neue Wiener Jurnal të datës 14 shkurt 1920, në shkrimin me titull

Vetëmbrojtja e Moisiut

Gazetari shkruan: …”Moisiu pretëndon se po akuzohet rëndë nga disa përsona e grupe, që nuk dihen e që nuk mund të vërtetohen konkretisht, se është i angazhuar në partitë politike si komunist e si kundërshtar i Gjermanisë. Kjo gjë ka zemëruar rininë nacionaliste të Hamburgut. Kur Moisiu po luante Kufomën e Gjallë në Thaliatheatër, filluan të ndigjoheshin fishkëllima të egra të cilat nuk lejonin që ai tv dëgjohej.

Ndodhi edhe më keq, gjatë një ligjerate të Moisiut, që me sa duket prekte ndjenjat nacionaliste apo atakonte pjesë të propagandës antisemitiste, prekte grupe të rinisë të paangazhuar, të oficierëve, të familjarve të tyre, të shoqatave të vullnetarëve, studentëve, nxënësve, të cilët u grumbulluan dhe filluan të bëjnë zhurmë duke thirrur, fishkelluar, goditur trumpetat që mbanin me vehte, sapo Moisiu doli në podium.

Shashka plasëse e tymuese, këmbë të thyera karrigash fluturuan në skenë. Perballë këtyre përsonave, por të pafuqishvm, qindra perkrahës të aktorit luteshin që ai ta vazhdonte ligjeratën, por thirrjet e tyre mbulosheshin nga këngë patriotike të rinisë nacionaliste. Pas kësaj, disa përsona të nxehur e agresiv, deshtën të sulmonin Moisiun në Podium, duke e detyruar atë të largohej në dhomën e aktorëve, që të ndalohej më e keqja. Vetëm pas pak kohe, arriti policia dhe punonjësit e sigurisë, të cilët ishin të lajmëruar për aktivitetin disa ditë përpara. Kjo mbrëmje për të cilën, të nesërmen, u debatua 3 orë në parlamentin e qytetit, la gjurmët të thella.”

Pas kësaj ngjarje të padenjë, Moisiu mendoj se duhet të sqaronte publikun për këtë keqkuptim, duke botuar në shtyp këtë mesazh: “…disa zëra më akuzuan si kriminel e tradhëtar i kombit. Pa ndonjë dëtyrim ligjor, vullnetarisht, me fillimin e luftës u lajmerova në armaten gjermane, ku si cdonjeri mora mësimet ushtarake, …kalova të gjithë mundimet e luftës dhe të burgut si rob lufte, deri sa arrita që duke rrezikuar jetën, të arratisem. Gjatë burgosjes në Francë u sëmura nga tuberkulozi i mushkërive, nga i cili vuajta shumë në një klinikë në Zvicër. A është kjo një tradhëti ndaj atdheut?? Jam komunist thërrasin disa zëra. Unë pyes: Ku i mora unë këto mësime? Nuk kam pasë kurrë lidhje me politikën. Dhe kjo është e thjeshtë: unë nuk jam politikan dhe nuk dua që të jem i tillë.

Qëllimi im i jetës është ti sherbej artit. Apo quhem Komunist se me punën që bëj i shërbej punëtorëve e të gjithë atyre që janë ndjekës të artit. A mundem unë ti ndaloj ndjekësit e mij të vizitojnë Shtepinë e Artit, Teatrin? Përkundrazi, unë do mundohem që kurdoherë të sjell në mes të errësirës të jetës së njërzve të thjeshtë, Diellin e Artit. Pra ose jam një lider i komunistëve ose jam një udhëheqës i të gjithë gjermanëve. Po e mbyll duke përdor fjalët e Goethës:…unë nuk njoh shoqëri tjetër, që është më e “vogël” se sa i gjithë njerzimi…

Autorja Ursula L. Alex në librin e saj Deutsche Volksfront, faqe 23 shënon: ”…Në vitin 1921, u themelua ne Gjermani IAH (Internationale Arbeiterhilfe – Solidariteti internacional i punëtorve). Kjo organizatë u formua që të mblidhte ndihma për të uriturit në Rusi, por edhe në botë, kjo si një ideologji e sforcuar e partisë komuniste në emër të “solidaritetit proletar”. Në këtë shoqatë ishin pjestar personalitete, si fizikanti Albert Einstein, shkrimtari Leonard Frank, shkencëtari Alfons Goldschmidt, piktori Georg Grosz, publicisti Maksimilian Harden …aktori Aleksander Moissi. Shoqëria IAH, sipas sindikatës së përgjithëshme gjermane, ishte kolona e tretë e politikës komuniste.

Kjo është pasqyruar edhe në thirrjen e kësaj shoqate që gazeta austriake Neue Freie Presse e datës 3 shkurt 1922 boton në rubrikën e quajtur …Drejtuar Artistëve dhe Intelektualëve të Austrisë

…vazhdojnë të vijnë lajme të këqia nga krahina të ndryshme të Rusisë, ku uria po bën kërdinë. 30 milion njerëz, sipas lajmeve tronditëse nga Rusia, janë prekur nga uria ekstreme…, kufoma të vdekurish dergjen rrugëve pa u varrosur. Gra dhe fëmij vdesin në rrugë nga semundjet dhe gjvndja e keqe… Rusia që na dha Dostojevskin dhe Tolstoin, Gogolin dhe Cehovin, poete që i shkruajtën dhimbjes e shpirtit njerzor, pret nga Europa një deshmi të dashurise njërzore…

…Vetëm Bukë…

Punëtorët tonë janë bashkuar në organizata të fuqishme, me qëllim që të ndihmojnë të uriturit. Por thirrja i drejtohet të gjithëve edhe artistëve të cilët e kanë mision të punës së tyre angazhimin kundër dhimbjeve njërzore…

Poshtë thirrjes rreshtohen të gjithë emrat e komitetit organizator, ku bën pjesë edhe emri i Aleksander Moisiut.

Një gazetë tjetër që etiketon Moisiun si cifut komunist është dhe gazeta Prager Tagblatt, nr. 97 e datës 27 prill 1921, ku në mes të tjerash shkruhet: ”…shfaqja e tretë e Wedekind “Schloss Wetterstein” u anullua si rezultat i një theatërskandali. Drejtuesit e këtij theatri u detyruan që të refuzonin shfaqjen e planifikuar atë ditë, për një mbrëmje ku do të ligjeronte aktori Aleksander Moisi, NJE KOMUNIST CIFUT, ligjërate që në të vertetë nuk është e dobishme…

Ndërsa në një link gjerman, me informacione për Theatrin, Filmin, TV-në, Show-n, …për aktorin Aleksander Moisiu ndër të tjera shkruhet: ”…Moisiu, në vitin 1918 vendosi që ti bashkohej lëvizjes Spartakiste të rezistencës në Gjermani…

(Shënim i artikullshkruesit: Levizja Spartakiste ishte një bashkim i socialistëve marksist në Gjermani, të cilët gjatë luftës së parë botërore, synuan një Revolucion Proletar Internacional, për të rrëzuar Kapitalizmin, Imperializmin dhe Militarizmin e botës… Spartakistët morën pjesë aktive në revolucionin e nëntorit 1918-të…)

Edhe në shkrimin e Hamburger Abendblatt, 19.5.2000 në shkrimin Legjenda e Teatrit dhe Simpatizanti i grave, autori W. Mommert shkruan: “…Në historikun e karrierës së aktorit ka edhe një faqe politike, atë të luftës së parë botërore, kur ai u lajmërua vullnetar për në front, për të luftuar për Gjermaninë, por që më pas u izolua dhe u etiketua nga Nazistët si „ cifuti komunist“…

Së fundi, duke e mbyllur shkrimin, dëshëroj të theksoj për lexuesin që, pothuajse e njëjta fushatë presioni ndaj aktorit Aleksander Moisiu, u përsërit në shtyp edhe në vjeshtën e vitit 1931. Kjo pas një ngjarje që në opinion njihet si “Skandali Moisiut”, ku propaganda nacionalsocialiste u bë shumë agresive, duke organizuar lëvizje, demostrata apo pengesa të ndryshme gjatë ligjeratave apo shfaqjeve të Aleksander Moisiut në skenë.

Vjenë, me 26.3.2017