shpetimnazarko.com 8 dhjetor 2018
Publicistikë
Pse nuk jam me studentët?
Amani ore na shpëtoni nga këta, thoshte një nga analistët tanë pardje në emision. Ju keni energji dhe vetëm nga ju e presim shpëtimin… Eeee, po ju keni eksperiencë, i përgjigjesh i mikluar një nga përfaqësuesit e studentëve grevistë.
Nuk ja shkrepa gazit, po mu kujtua Gavroshi i vogël i Hygoit gjenial. Gavroshi bredh midis tymit dhe zhurmës së barrikadave duke mbledhur plumba, e secilit prej këtyre të fundit, që i fishkëllen në kokë i përgjigjet me vargje:
”Rashë përtokë o unë i mjeri
Dhe fajin e ka Volteri
Me rrecka trupin mbuloj
Dhe fajin e ka Rusoi…”
Dhe Gavroshi i vogël vrapon duke i pritur me qejf e gaz plumbat. Hygoi gjenial do t’i mjaftonte e tepronte analistëve tanë, që të kuptonin, se kush i çon në revolucion, a më së paku në protestë njerëzit…
Sikur studentët të dilnin së pari të kërkonin në tekstet e tyre-zëvëndësimin e Noizit apo të maskarallëqeve tjera të ngjajshme-me Hygoin, a të tjerë kolosë që kanë çuar përpara Francën dhe botën, edhe unë si një analist ditëzi, do të kisha shkuar me qejf në atë përpjekjen e tyre.
Po të kishin Hygonë nëpër tekste, pale të kuptonin apo të mësonin ca rreshta përmëndësh prej tij, nuk do të ngriheshin për kauzën e tarifave të ngelsave apo kushtet e konvikteve, si në fillimet e dhjetoristëve të 90-tës.
Hygoi është i ashpër dhe i tejkaluar do të thoshin disa. Bile dhe baballarët e revolucionit që çojnë me gaz Gavroshin drejt vdekjes, Volteri dhe Rusoi janë po aq të vjetër. E prandaj ndoshta në tekstet tona nuk janë më fare ose pak fare…
Eh mirë mund t’u përgjigjeshim. Le të dëgjojmë bababallarët tanë, që thuajse 100 vjetë më parë shkruanin me gojën e Nebil Çikës…
“Mund te thuhet se fuqia per te ndier te miren dhe te bukuren nuk eshte më ndër ne.
Duhet vepruar perpara të keqes që kërkon barin e saj.
Piktura me siper nuk eshte veçse nje pamje e mbetjes sone shume prapa ne rrugen e qyteterimit, sepse qyteterim do te thote lulëzim, do te thotë gëzim e vullnet veprimi.
Shoqeria eshte si nje piramide. Ne maje jane mentarët (intelektualet) dhe në baze turmat popullore. Ne mes eshte shtresa e mesme (kategoria mesatare). Por largësia midis mentarëve dhe turmave në Shqiperi eshte shume më e madhe se kudo tjeter dhe piramida ne mes s’ka shume njerëz.
…mentarët tane jane duke u marre vetem me biseda kafenesh.
Ska pra ne Shqiperi, nje rreth mentar (intelektual) ku te levizin idete, ku te bëhen vepra kulture, madje as ne shtresat e larta te shoqerise.
Ne Shqiperi s’ka mentarë me ide te caktuara e prandaj s’kemi edhe levizje e rryma idesh te caktuara, s’kemi ide rreth te cilave te jene mbledhur njerez. Ide udheheqese pra, ide qe te jene si parime drejtonjese.
Me nje fjale skemi nje intelektualizem shqiptar, një jetë shpirterore.
Mentarët tane jane vlera ose fuqi vetem virtuale. Vlera individuale tani per tani në shërbim të interesit vetjak te tyre, te stomakëve delikatë te tyre.
Kombi eshte veper arti dhe këndej rrjedh fakti qe kombet s’jane krijuar nga burrat e shtetit, por nga poetet.
Në realitet, drejtuesit e vertete te nje kombi nuk jane administratoret dhe burokratet anonime, por mendimet dhe besimet qe ka ai komb.”
Po a mund ta bëjmë këtë? Nebili është po aq i vjetër dhe bile ca si shumë prej nesh as nuk e dimë fare që ka rrojtur.
Nuk do ndonjë laps a penë të kuptosh, se pa ato që shkruan Nebil Çika, jemi të vdekur. Edhe sikur Rama të plotësojë tërë kushtet që kërkojnë studentët, bile dhe ca të tjera që ata nuk i kanë ndër mënd.
Kadareja e ka përshkruar në mënyrë gjeniale (sepse e njeh më mirë nga unë e të tjerë dhe Rusonë, Volterin, Dideroin dhe Nebil Çikën), se çfarë ndodh në këto raste.
Kishte vdekur një njeri – shkruan në një nga kryeveprat e tij. Ekspertët vinin vërdallë dhe nuk kuptonin psenë. Ishte vetëçjerrë, gjakosur dhe vetëmbytur. Po pse?
Për tërë natën ky njeri ishte përpjekur të bënte një … këngë.
Përpjekja e studentëve ka lindur e vdekur pa filluar. Ajo s’ka brënda as Volter dhe as Didero, as Ruso dhe as Nebil Çikë.
Po bëhesh me Ramën thotë dikush. Mundet…
E shoh që vjen vërdallë fare i vetëm. Duke u përpjekur të vërë rregull me një çetë qeveritarësh, treçereku i të cilëve nuk kanë haber po dhe si të tjerët nga kollosët që përmënda më lart. Vjen vërdallë me tërë fuqinë e një individi që përbuz edhe vetë ata që ka vënë afër tij. Natyrisht që jam me të në shumë gjëra. Isha dhe jam me të kur i vuri kazmën shumë prej ngrehinave të kalbura, që i quanin universitete. Jam me të kur – shumë prej teksteve po plehra – i zëvëndësoi me ato që ka bota e përparuar në shkencat egzakte. Po nuk jam me të kur nuk thërret të vjetrit e mëdhenj në skenë dhe pret ta ndërtojë Shqipërinë me liliputë, që vijnë me shumicë vërdallë tij dhe bëjnë llogari me lapsa torollakësh.
E shoh dhe hera-herë më vjen keq.
Po pastaj më kujtohet Gavroshi dhe them. ”Mirë t’i bëhet…”
Për të ngritur vendin në këmbë dhe për të shkulur të keqen nga rrënjët, duhen thirrur në skenë agallarët e mëdhenj. Po nëse ata nuk i gjejmë se janë larg duhet thërritur Nebil Çika dhe mjeshtrat e mëdhenj të viteve 30-të. Ata janë ndihmësat realë të tij dhe jo ministra e ministrucë, që vijnë vërdallë dhe janë më ditëzes se analisti që kërkon ndihmën e studentëve për ta shpëtuar…
Po hyj në radhën e idealistëve pa kokë, që thurr poezi në këto ditë të vështira?
Jo, jo. Nuk ka asnjë shans të shkojmë përpara nëse të vjetrit e mëdhenj nëpër tekste i zëvëndësojmë me banalitete…
Nuk ka pasur dhe nuk besoj do të ketë asnjë komb që ikën përpara në këtë mënyrë.
Unë do të jem me studentët kur ata të kërkojnë këtë gjë së pari. Tani nuk jam me ta. Duke luftuar për të drejtat e ngelsave dhe kushtet e konvikteve, më duket se i ngjajnë ca lypsave të mjerë, që kërkojnë një krodhë bukë aty në cep të rrugës…