Dita, 30 prill 2018
Kryeministri Edi Rama në një intervistë ekskluzive për “Tonight Ilva Tare” në Ora News, i pyetur nëse do të hapen negociatat në qershor, tha se ai edhe ai pret si qytetarët shqiptarë për ta mësuar këtë, duke nënvizuar se ky vendim varet nga vendet anëtare të BE-së që përballen me forca skeptike për zgjerimin.
A do të hapen negociatat dhe nga se varen?
Këtë dua të di edhe unë sepse ne i kryem me sukses detyrat e shtëpisë për këtë fazë, e cila nuk është fundi i procesit të anëtarësimit dhe tani topi është në fushën e politikës pas janë vendet anëtare që duhet të mbështesin rekomandimin që objektivisht nuk do të ketë problem. Në vendet anëtare ka dinamika të brendshme dhe sigurisht edhe një frymë dhe jo në vendet e parëndësishme e cila nuk është fryma e përpara disa viteve në lidhje me zgjerimin dhe vendimmarrjes i duhet të haset edhe me rezistenca të brendshme që nuk janë të papërfillshme.
Qeveria ka diçka në dorë me këtë vendimmarrje politike?
Natyrisht, ne do të trokasim në çdo derë ku është e nevojshme të hymë në çdo derë për të këmbëngulur për meritën që kemi marrë rekomandimin si dhe për të këmbyer opinione mbi shqetësimet e tyre. Ka një moment spekulimi, pasi këtu nuk bëhet fjalë që Shqipëria kërkon të anëtarësohet sot. Mendoj se është një spekulim që vjen si rezultat i raporteve me opinionin publik ku forca antievropiane e paraqesin këtë proces a thua se këtu bëhet fjalë që nesër vendet e Ballkanit apo Shqipëria do të ulen në tryezën e familjes evropiane. Në qershor duam të çelen negociatat.
Ju e keni marrë mbështetjen për hapjen e negociatave, por ka një por për vazhdimin e reformave.
Nuk ka asnjë por. Vazhdimi i reformave është domosdoshmëri. Ato lidhen me një proces ku reformat nuk do të ndalen por do të thellohet dhe hapja e negociatave është një fazë shumë herë më e rëndë për sa i përket detyrave dhe vështirësive se sa faza e përgatitjes për çeljen e tyre.
Keni një listë që kanë rezerva dhe që kanë thënë jo?
Ne nuk kemi asnjë vend që ka thënë jo. Por, ne dimë që ka vende ku ka një debat dhe debati është i lidhur me balanca të brendshme. Për shembull në Gjermani edhe për faktin ku procedura kalon nga Parlamenti, pra qeveria duhet të marrë votën e Parlamentit. Edhe në Francë ka një lloj tensioni të brendshëm që lidhet me fuqizimin e forcave antiveropiane dhe me presionin që ushtrojnë në lidhje me zgjerimin. Ka edhe procese të afërta zgjedhore që ndikojnë tek politikanët.
Keni planifikuar një vizitë në Francë?
Ne jemi në punë përditë. Nuk është vetëm çështje takimesh, është edhe çështje komunikimesh. Është çështje kontaktesh, edhe çështje telefonatash.
Keni pasur telefonatë me Presidentin Macron?
Me presidentin Macron jo, por kemi pasur kontakte me Pallatin Elize, edhe me eksponentë të lartë të qeverisë franceze.
Keni besim se mund ta zgjidhni votën pro të Francës?
Kam besim që ne do t’i hapin negociatat. Do të jetë deri në fund një përpjekje jo e lehtë. Ne kemi në dorë një dëftesë shumë të fortë. Rekomandimi është shumë i qartë dhe lë pak hapësirë për interpretime të ndryshme. Flasim për këtë fazë, dhe nuk flasim për një fazë që ka shteruar të gjitha alternativat. Procesi i negociatave është shumë i rëndë. Është një proces me lupë me çdo detaj.
Holanda është një nga vendet që ka probleme. Keni pasur një debate me Rute që takimit të Kransmontanës?
Kemi marrëdhënie miqësore.
Me debat?
Shumë miqësore. Thelbi i debatit ishte ky; këtu nuk flasim për procesin e anëtarësimit. Nëse flasim për probleme, patjetër që Shqipëria ka probleme pasi mos t’i kishim këto probleme, Shqipëria do të ishte vend anëtar.
o.j/dita