A foli dikush për krimet dhe gjenocidin e ish-regjimit komunist në Maqedoni dhe të periudhës së tranzicionit demokratik mbi shqiptarët?!

0
403

Tema e ditës:

Abdulla Mehmeti

A janë të vetëdijshëm drejtuesit e partive politike të shqiptarëve se, vrasja dhe burgosja në masë e pjesëtarëve të një populli nga pushteti përmes proceseve të montuara politike, si dhe shpërngulja në masë e pjesëtarëve të atij populli me qëllim të ndryshimit të strukturës demografike të popullsisë në atë shtet përbëjnë krim të organizuar dhe gjenocid, ndërsa pjesëmarrësit në atë pushtet cilësohen bashkëfajtorë në ato krime, sipas të drejtës ndërkombëtare?!

A e kupton dikush pse liderët e partive të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, më tepër takohen me ambasadorët e shteteve të tjera në Shkup, se sa me qytetarët shqiptarë vendës, përkrahësit dhe votuesit e tyre? Fotografitë nga këto takime me ambasadorë të jashtëm i vërshojnë përditë mediet në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera. Pse këta liderë nuk i publikojnë fotografitë nga takimet e fshehta të tyre me bosat e nëntokës kriminale, me agjentë të shërbimeve të huaja sekrete, me drejtuesit e fondeve të zeza të agjenturave të huaja dhe të fondacioneve që i financojnë dhe i mbajnë në pushtet këta politikanë, me para të pista dhe për qëllime edhe më të pista?!

Ndër krimet e klasifikuara si gjenocid bën pjesë edhe:
“Shkaktimi i qëllimshëm i kushteve jetësore, që sjellin shkatërrim të pjesshëm apo të plotë fizik të një grupi kombëtar, etnik, racor, ose religjioz.”

Pse largohen në masë shqiptarët nga trojet e veta etnike, sidomos nga Maqedonia? Nga kushtet e mira që u ka siguruar pushteti dhe partitë politike të tyre, apo nga varfëria e skajshme, shkatërrimi i ekonomisë, korrupsioni dhe krimi i organizuar, papunësi dhe pasiguria që ua kanë imponuar shqiptarëve, përmes strategjisë dhe planeve armiqësore që i zbotojnë këta faktorë mbi shqiptarët?!

Shpërngulja në masë e një popullsie për mungesë të kushteve për mbijetesë (të shkaktuara me qëllim) përbën krim gjenocidi!

(12 janar 2020)

Poshtëshënim:
“Konventa për Ndalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit u ratifikua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar më 9 dhjetor, 1948, dhe hyri në fuqi më 12 janar, 1951. Ajo përmban një definicion të pranuar ndërkombëtarisht, i cili u përfshi në legjislacionin kriminal kombëtar të shumë vendeve, si dhe u pranua nga Statuti i Romës i Gjyqit Penal Ndërkombëtar, traktati që themeloj Gjyqin Kriminal Ndërkombëtar. Konventa (në nenin 2) definon gjenocidin si “cilin do nga veprat në vazhdim kryer me qëllim të shkatërrimit tërësisht ose pjesërisht të një grup kombëtar, etnik, racor, ose religjioz: si:

(a) Vrasjen e anëtarëve të grupit;
(b) Lëndim serioz trupor apo mental të anëtarëve të grupit;
(c) Shkaktim të qëllimshëm të kushteve jetësore llogaritur të sjellin shkatërrim të pjesshëm apo të plotë fizik;
(d) Marrja e masave për të ndaluar lindjet brenda grupit;
(e) Transferimi me dhunë i fëmijëve nga një grup në tjetrin. etj.”