A e dini se çfarë është thembra?

0
600
Nikolin Lëmezhi - pagëzimi te kisha e Shën Eufemisë

Shumë të dashur vëllezër e motra!
Paqja e Jezusit qoftë me të gjithë ju!

Dua të ndaj pak leximet e të dielës së III të Ardhjes së këtij viti bashkë me ju dhe dua të filloj pikërisht me një pyetje që ndoshta ju shkandullon:

A e dini se çfarë është thembra? Dhe çfarë roli ka thembra?

Në Fjalorin e Shqipes së Sotme botuar në vitin 2002, kështu përkufizohet fjala thembër: “Pjesë e prapme e shputës së këmbës, që vjen si e rrumbullakët dhe është pak e dalë…”.

Në të njëjtin fjalor shpjegohet edhe se çfarë do të thotë “Thembra e Akilit”: pika më e dobët e dikujt a e diçkaje.

Përveç dy thembrave fizike, që zakonisht ka çdo njeri, ne kemi edhe një “thembër shpirtërore” që na ndjek kudo që shkojmë.

Shprehja “Thembra e Akilit” që tregon pikën më të dobët të dikujt a të diçkaje vjen pikërisht nga legjenda e Akilit të Greqisë së lashtë. Akili, siç mund ta kemi mësuar në shkollë, ishte një hero ake i Luftës së Trojës, personazhi kryesor dhe luftëtari më i madh në Iliadën e Homerit. Legjendat e ndryshme për Akilin thonë se ishte i paprekshëm në gjithë trupin e tij përveç thembrës, sepse kur nëna e tij Tetis e zhyti atë në lumin Stiks kur ishte i vogël, e mbajti atë nga një thembër. Që atëherë, pra, termi “Thembra e Akilit” ka ardhur të thotë një pikë dobësie.

Ndoshta u zgjata pak, por na duhet ky koncept në lidhje me leximet që dëgjuam sot. Në fakt, e Diela III e Kohës së Ardhjes quhet e Diela “Gaudete” që do të thotë e diela e Gëzimit sepse po na afron gjithnjë e më shumë afër gëzimit të Lindjes së Jezusit.

Në të gjitha leximet e sotme spikasin pikat më të dobëta të jetës, të shoqërisë, të natyrës. Zoti na vë përpara sonte disa “Thembra të Akilit”. Ato përshkruhen si: “vendet e shkreta”, “duart e lodhura”, “gjunjtë e marrakotur”, “ata që i ka lëshuar zemra”, “të verbër”, “të shurdhër”, “të shqeptë”, “të pagojët”, “kallam që e luhat era”… E në këtë listë, vëllezër e motra, mund të vendosim lirshëm ato “Thembra të Akilit” që i kemi në shtëpitë tona e madje edhe në trupin tonë. A i njohim ne këto “Thembra të Akilit”? A kemi guxim të përballemi me to?

Janë më të rëndësishme këto pika të dobëta aq sa nuk na e merr mendja. Për fat të mirë vetë Zoti i ka shenjtëruar që të shfaqet lavdia e Tij.
Në Leximin e Parë thotë: Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme, le të galdojnë shkretëtira e të lulëzojë si lili! Iu dhurua lavdia e Libanit…

Në jetë shpeshherë jemi mësuar t’i përjashtojmë pikat e dobëta, t’i ndrydhim, t’i anashkalojmë, t’i paragjykojmë.

Pikat e dobëta, vëllezër e motra, ato “Thembrat e Akilit” që kemi zbuluar në vetën tonë dhe tek të tjerët, është e mundur të mos jenë më një pengesë siç ka ndodhur deri tani, por një mjet i fuqishëm, një mundësi unike për të arritur maksimumin e aftësive tona. E në fund për të arritur realizimin tonë të plotë, që në gjuhën e përshpirtërisë e quajmë shenjtëri.

Sekreti për të arritur këtë është që ta vëmë në praktikë direkt këtë mësim në jetën tonë të përditshme. Sepse, siç mund ta dimë, në jetë, shumë njerëz e dinë se çfarë duhet të bëjnë, por pak prej tyre bëjnë atë që dinë.
Gjatë jetës sime kam studiuar shumë dhe nuk isha i lumtur, i plotësuar, kam pasur shumë miq që më vlerësonin, por nuk isha i lumtur; megjithëse mes vuajtjesh të shumta kam pasur edhe shumë përkrahje, mbështetje në çdo mënyrë e prapë më mungonte plotësia. Vetëm takimi personal me Krishtin ka mbushur çdo boshllëk ekzistencial timin!

Ne kemi marrë këtë Lajm të mrekullueshëm, është Lajmi i Mirë i shpëtimit i shëlbimit. Misteri i Lindjes së Jezusit që po afron, e shpreh më së miri këtë që thashë më sipër. Ai vetë u bë “Thembra e Akilit”, u bë i vogël, i fundit, u boshatis vetë që të na mbushë neve, që të na japë plotësinë. Ai u bë i vogël që neve të na bëjë të mëdhenj. Por a e dini çfarë mrekullie ka ndodhur me ardhjen e Tij në tokë? Kur Vetja e dytë e Trinisë Shenjte ka ardhur në kraharorin e Virgjërës së Shenjtë, nuk ka ardhur vetëm sepse të gjitha turmat e Engjëjve të Shenjtë dhe e Shenjtërve të Qiellit e kanë ndjekur, kanë ardhur me të që ta adhurojnë, sepse Engjëjt e Shenjtërit shkojnë gjithkund pas Mbretit të tyre. Jezusi, erdhi të shenjtërojë e të përdorë për të bërë mrekulli pikat tona më të dobëta.

Mendo sonte cila mund të jetë “Thembra jote e Akilit”! Mendo sa mrekulli mund të ndodhin falë saj! Sepse thotë një shprehje: Vetëm në terr mund të shihen yjet!

Jezusi i Nazaretit erdhi në botë që ta shëlbojë atë, erdhi në mesin tonë që të na shpëtojë shpirtin, trupin dhe krejt jetën tonë. Madje iu duk pak e gjithë kjo: Ai vendosi të qëndrojë në mesin tonë, me atë praninë mistike që është kur dy ose tre mblidhen në Emrin e Tij të shenjtë. Ai është në mesin tonë nëpërmjet Eukaristisë me Trupin dhe me Gjakun e Tij realisht. Ai, në një mënyrë apo në një tjetër, Ai është në zemrat tona, brenda nesh, dhe vepron në atë masë që ne e lejojmë të veprojë.

Por Ai është i Gjithëpushtetshëm a e dini këtë? Ai mund të bëjë çdo gjë, mund të veprojë mrekulli, shërime, mund të mbushë me hire e me dhurata. Ai është si një gjigant, më lejoni ta quaj “Gjiganti Hyjnor” brenda nesh. Dhe a e dini se cili është rreziku më i madh? Se ne e burgosim Atë brenda zemrës sonë. Është brenda nesh Jezusi, por shpesh herë është si në burg. Aty është i mbyllur dhe nuk mundet të veprojë. Nevojitet “të lirojmë Jezusin nga burgu ku e kemi mbyllur”! Tani, menjëherë!

Vlerëso, pra, veten tënde, vlerëso dhuntitë që Zoti të ka bërë, vlerëso Veprën e Hyjit në ty, vlerëso Zotin që është në ty e në vëllain që të rri pranë, e do të ndodhë ajo mrekullia e profetizuar që në Besëlidhjen e Vjetër: Shkretëtira do të lulëzojë… Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi, do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm…do t’i shoqërojë gëzimi e hareja…

Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 14.12.2019