13.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

A duhet ta ndalojmë veshjen e burkës edhe në Shqipëri, apo do bëhemi edhe ne Arabi?

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

Nga Mentor Kikia

Gratë dhe vajzat e mbuluara me burka janë të kufizuara për të kryer shumë veprime, që gratë e tjera i kryejnë në normalitetin e jetës së përditshme.
Nuk frekuentojnë dot normalisht kafenetë apo restorantet si gjithë të tjerat.

Nuk e shijojnë plazhin dhe freskinë e detit, si gjithë të tjerat.
Nuk e shijojnë një park duke vrapuar, si gjithë të tjerat.
Nuk shkojnë dot në një event muzikor, koncert…

Nuk frekuentojnë dot një palestër.
Nuk shijojnë dot modën e veshjeve, si gjithë të tjerat.
Nuk shijojnë dot harenë e një dasme, apo eventi çfarëdo, si gjithë të tjerat.
Nuk shëtisin dot me biçikletë, nuk bëjnë ecje në shtigjet malore.

Ato nuk bëhen dot balerina, këngëtare, police, stjuardesa, kamariere, kushiniere në restorant, sportiste, akrobate, gjykatëse, prokurore, edukatore, mësuese, gazetare, spikere, prezantuese televizive, shitëse, oficere, parukiere, modele, aktore, përkthyese- guidë turistike, punëtore në bashki, mjeke, infermiere, recepsioniste, muzikante…

Këto, jo thjeshtë për shkak të paragjykimit, porse veshja e tyre është pengesë jo vetëm për arsye imazhi, por mbi të gjitha është pengesë për arsye komunikimi dhe veprimi. Ndërsa në shumicën e aktiviteteve dhe profesioneve, mbajtja e ferexhesë apo burkës është thjeshtë e pamundur(sporti, muzika, arti…).

Ndërsa unë rendis këto kufizime për vajzat dhe gratë që mbulohen, nuk e bëj sepse jam antimysliman, por sepse unë mendoj se këto janë privime të lirisë së gruas. Nuk kam asgjë me besimin dhe fenë islame, ritet dhe traditat e saj. Por me derivate të saj, që prodhojnë ngushtim të hapësirës dhe lirisë së njeriut. Unë nuk e di dhe nuk i pyes se cilës feje i përkasin shokët dhe shoqet e mia, apo njerëzit me të cilët punoj e ndaj shumë gjëra në jetë. Pasi unë i vlerësoj ata nga intelekti dhe karakteri që kanë si njerëz.

Por ka disa burra, që i detyrojnë gratë e tyre të mbulohen, dhe që tani janë gati të më shqyejnë, sepse unë po u kritikoj membranën që u ruan ndershmërinë grave të tyre. Sepse ata mendojnë se një grua e mbuluar është e ndershme, ndërsa një grua pa perçe nuk është e ndershme. Një grua që vishet bukur dhe krihet sipas modës në parukeri, është e përdalë. Një grua që zhvishet në plazh, është kurvë. Ndërsa mbulimi me copën e zezë është garancia e të gjithë virtuteve morale të gruas.

Unë e di se argumenti në këtë raste është se gratë mbulohen me vullnetin e tyre dhe se ato janë të lumtura nën atë pëlhurë. Por sërish unë mendoj se ky është produkt i nënshtrimit skllavërues ndaj fesë, që kushtëzon besimin me këtë veshje.

Unë e di se disa do të thonë; po murgeshat, a nuk mbulohen edhe ato me shami? Padyshim që po, por ato janë vetëm ca gra që shërbëjnë në institucione fetare, dhe ajo veshje nuk është një “uniformë” e detyruar për të gjitha gratë besimtare katolike.

Mbrojtësit e kësaj veshjeje, i referohen vajzave me tanga e bikini në rrugë, për të thënë: Më mirë të mbuluara, apo veshur me dy rripa? Unë them as njëra, as tjetra. Nuk janë vetëm këto dy alternativa. Ka edhe veshje normale, që e aplikojnë shumica dërrmuese e shoqërisë, pavarësisht se cilës feje i përkasin. Unë kam nxjerrë nga auditori, duke i sygjeruar të vishet, një studente që kishte ardhur me minifund në shkollë.

Kjo që kam shkruar nuk është një mandatë, as një deklaratë urrejtjeje, përçmuese e përçarëse. Eshtë një ftesë për diskutim. Ne si shoqëri duhet të flasim edhe për këto probleme. Nëse mund të korigjojmë gjë sot, duhet ta bëjmë sot.

Shqipëria mund të mos bëhet kurrë Europë moderne, por ama Arabi Saudite nuk duhet lejuar të bëhet kurrën e kurrës.

- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit