A doni gështenja?

0
2196

Dionis Xhafa

Në qendër të Tiranës, në vendin e quajtur “Piaza”, medemek në gjuhën italiane, është një sallon i madh bastesh. Në fakt, këtë vend nuk është se e frekuentoj aq shumë, por se ma pret dhe mua mendja se mund të kapë ndonjë gjë në këtë vorbullë të zezë të thithjes së parasë dhe ndonjëherë në të rrallë edhe vendos ndonjë loto. Por, patjetër që jam i kujdesshëm. Kam kujdes se mos ndonjë ditë kthehem sikundër janë shndërruar disa burra aty, që i kam parë shpesh. Rrinë të bërë tapë tërë ditës dhe shajnë në mënyrë aq banale, sa s’mund të përshkruhet.

Aty vërtetë bëhet një ambient i ngrohtë dhe disi modern do thosha, por se e gjitha kjo ndodh duke qenë brenda atij ambienti edhe llumi, bixhozi, marrëzia e disa njerëzve që besojnë se dikush ka hapur një dyqan lotarie për të fituar ata. Mirë ata që vendosin ndonjë biletë me shumë minimale dhe që e kanë një punë, por nuk e kuptoj se ku i çon mushka ata persona që nuk kanë punë dhe se mendojnë se do të nxjerrin paranë që iu mungon prej punës së ndershme, në loto? E pra, barkderrë pa fund në atë vend, në një atmosferë mbytëse duhani, rakie dhe lloj-lloj pijesh të tjera. E aty çfarë ndodhi? Aty pikërisht erdhi një mysafir i ri, i panjohur.

Ishte një djalë, shumë i bukur, diku te 10 ose 12 vjeç. Po sa i bukur që ishte. Me flokët ngjyrë gështenjë dhe me sytë e kaltër. E kam vërtetë që më la mbresa, kaq i pashëm ishte ai djalë. Kishte veshur një bluzë të mirë dhe mendova sa e mbanka veten edhe pse kaq i varfër. Por, se kur u kthye nga pas, në fakt pantallonat nga pas i ishin bërë gjithë baltë. E dini se me ç’merrej ky djalë? Pikërisht djali në fjalë shiste gështenja. Po pra, gështenja në dimër dhe në atë vend. Zgjaste dorën si prej mëshire dhe thoshte: “A doni gështenja”. E, të të këputej shpirti.

Djali vinte rreth e rrotull e zor se ndokush ia varte për të shitur gështenjat e tij. Ishte kohë festash. Krishtlindjet dhe Viti i Ri ishin pranë. Vendi aty ishte ngrohtë e se për atë djalë ajo ngrohtësi ndoshta zgjaste shumë pak. Për shkak kjo se ai do të dëbohej jashtë, me të parën! Dhe për më tepër këta derra bastaxhinj edhe filluan të talleshin. I mori djali gështenjat me vete. I mblodhi dhe iku, bashkë me pantallonat e tij të bëra gjithë baltë. Sa i bukur ishte ai djalë, shumë i bukur, jo vetëm nga jashtë!