Shkruan: Florim Zeqa, 13.01.2018
Sikur ne shqiptarët të kishim afinitetin e bashkimit, dashurisë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit siq e kemi të zgjuar ndjenjen e urrejtjes, të ndarjes dhe përçarjes sot do të ishim njëri ndër popujt më të civilizuar të botës dhe faktori kyq i të gjitha zhvillimeve politike jo vetëm në Ballkan por në mbarë kontinentin Evropian.
Lufta e fundit, e në veqanti paslufta na i nxori në shesh të gjitha dobësitë tona.
Mbështetjen e fituar ndërkombëtare në saje të një lidershipi të urtë dhe të përgjegjshëm, vizionarë dhe pragmatik siq ishte presidenti historik, Ibarhim Rugova, për çlrimin e vendit nga robëria shekullore dhe pavarësimin e shtetit tonë nga Serbia, gradualisht jemi duke e humbur me këta mistrecët e vegjël, kusarët dhe matrapazët politikë, të cilët jo vetëm që nuk marrin gjë vesh nga politika, e gërryen shtetin duke plaçkitur çdo gjë publike dhe shtetërore.
Vënja e interesit personal para interesit të shtetit ishte prioritet i të gjitha qeverive të paluftës, respektivisht i 6 legjislaturave të deritanishme të Kuvendit të Kosovës, ku të zgjedhurit e popullit (deputetët) në vend të mbrojtjes së interesave të qytetarëve u shndërruan në instrument të pushtetarëve, duke mos qajtur asnjëherë hallin e qytetarëve, fatin e parasë publike dhe as të ardhmen e shtetit.
Si pasojë e kësaj situate, e kemi këtë gjëndje tejët dëshpruese dhe të pashpresë në vendin tonë. Kështu pra, jo vetëm nga “çlirimtarët” por edhe nga “institucionalistët”, për afro 20 vjet rresht shteti i Kosovës u trajtua si plaçkë lufte e jo si atdhe i politikanëve qofshin ata në pushtet apo opozitë.
Sindromi i ndarjes fatkeqe të subjekteve politike fillon pas shkuarjes në amshim të presidentit historik Ibrahim Rugova, gjegjësisht me LDK-në në Kuvendin e VI-të zgjedhorë të saj, ku ndodhi ndarja e dhimbshme e këtij subjekti politik i cili edhe në ditët e sotme po lëngon nga ajo ndarje fatkeqe.
Pas kësaj, patëm ndarje dhe shthurje totale të subjekteve të vogla politike, derisa ndodhi ndarja tjetër e subjektit të madh politik-PDK-së, ku eskponentët dhe themeltarët e këtij subjekti politik u ndanë për të formuar një nismë të re politike, e cila edhe pas shumë viteve ende ndodhet në margjinat e saj, si një nga subjektet më të vogla politike në vend.
Fuqizimi i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit nacionale të qershorit të vitit të kaluar ishte surpriza më e këndshme dhe shpresa për një ndryshim jo aq shumë të dëshiruar nga popullata por si e vetmja mundësi për largimin e së keqës së instaluar në këtë vend tani e 19 vite më parë.
E thash pikërisht kështu, pasi bashkimi i LDK-së në qeverisje me uzurpatorët e shtetit u kishte dhënë fund të gjitha shpresave të qytetarëve për ndryshime pozitive në vendin tonë.
Kështu, Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh politik, i pasprovuar deri më tani në qeverisjen qendrore kishte mbetur shpresa e vetme për ndryshimin e kursit qeverisës në vendin tonë.
Qeverisja teknokrate në komunën e Prishtinës në njërën anë dhe dualizmi në udhëheqjen e VV-së i shkaktuan tronditjen më të thellë këtij subjekti politik (organizate politike), e cila për të mos thënë të pamundur, do ta ketë të vështirë të rimarrë veten pas “apokalipsit” të dorëheqjeve, ndarjeve dhe përçarjeve të thella në këtë subjekt politik.
Përderisa dorëheqjet në VV shihen qartë se janë të orkestruara, enigmë mbetet dirigjenti i tyre, gjegjësisht shkaktari i “apokalipsit” në këtë organizatë!
Ndarja e “shapit nga sheqeri” i vetmi shpëtim për VV-në
E kam thënë edhe në një rast, po e përserisë prapë, tërheqja e zotit Albin Kurti nga posti i kryetarit të VV-së ishte akt i pamenduar mirë, konseguencat e të cilit veprim po i vuan sot VV-ja, me ç’rast Kurtit i doli gjithçka nga kontrolli!
Në anën tjetër edhe hapja e dyerëve për të gjithë të arratisurit nga partitë e tjera, çoi në grumbullimin e llumit nga të gjitha anët “lumit”!
Kur kësaj i shtohen edhe personat me dosje të dyshimta, të akuzauar për korrupsion dhe krim të organizuar gjersa ishin në partitë e tjera e rëndoi akoma më tepër situatën në këtë subjekt politik.
Dorëheqjet e figurave qendrore dhe kryetarit të VV-së, nuk është se janë akte morale as ndërgjegjësimi, por janë ngatërrim i koncepteve politike dhe ambicieve për krijim të monopolit politik në LVV.
Si do që të jetë, LVV-ja dhe lideri i saj Albin Kurti ndodhen para një sprove historike, të pastrimit të kësaj organizate nga figurat e dyshimta, të lidhura me korporatat e inkriminuara biznesore dhe të korruptuarit politik apo të mbetjes peng i oligarkëve ekonomik, këtij sindromi kancerogjen të shkatërrimit të shtetit dhe ekonomisë vendore.
Vetëm ndarja e “shapit nga sheqeri” mund ta shpëtoj VV-në nga katandisja e mëtutjeshme dhe kthimin e besimit në elektoratin e saj. Në të kundërtën, kjo organizatë e profilit të majtë politik përveq rënjës enorme në elektorat rrezikon shthurjen totale të saj.
Pasojat e sindromit ndarës të skenës politike kosovare, të kësaj klase politike të korruptuar, të shantazhuar nga Serbia dhe nënshtruar nga bizneset e inkriminuara, do t’i i vuan popullata me varfëri dhe izolim akoma më të gjatë ndërkombëtarë.
Për fund edhe një konstatim hipotetik, partitë në pushtet dhe opozitë, rivale të VV-së duke e parë fuqizimin e saj nga zgjedhjet nacionale të 11 qershorit 2017, kur ky subjetk doli fitues moral i zgjedhjeve përballë dy koalicioneve të mëdha, mund të jenë të implikuara subjekte vendore dhe ndërkombëtare në minimin e saj si nga brenda ashtu edhe nga jasht!
Në Kosovën e pasluftës të gjitha partitë politike me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje u bënë “Përrallë me tupan”, duke vrapuar pas pushtetit në gjysëm shtet!
I vetmi subjekt politik i cili u qendroi besnik parimeve dhe elektoratit të saj, është Lëvizja Vetëvendosje, duke mbrojtur parimet dhe deklarimet publike, elemente këto që mund ta mbajnë këtë subjekt akoma unik dhe kredibil para elektoratit kosovar.
Po ashtu enigmë mbetët fakti, se si do të funksionoi LVV-ja pas “apokalipsit”, a do të mbetët edhe më tutje organizatë apo do të profilizohet si parti politike e qëndres së majtë!
Pavarësisht, zgjidhjes që do të gjejnë drejtuesit e saj në të ardhmen, “apokalipsi” LVV-së përveq freskisë, do t’i sjellë edhe pastrimin nga jashtëqitjet e partive tjera, ristrukturimin dhe reformimin më substancial seqë ka ndodhur deri më tani tek subjektet tjera politike.
Rasti i fundit i përçarjes dhe dorëheqjeve në LVV e dëshmoi katërçipërisht se kuantiteti asnjëherë nuk e garanton cilësinë dhe suksesin e një subjekti politik.
Janë parimet e shëndosha, demokracia e brendshme dhe qëndrueshmëria në veprime që përcaktojnë të ardhmen e sigurtë të subjekteve politike.
Situata e krijuar në skenën politike, ku përveq LVV-së, era e përçarjeve të thella po fryen edhe në PDK shkaku i Speciales, …përderisa AAK-ja nuk dihet se në cilën pjesë të “oqeanit” do të lundroj pas dështimit në shfuqizimin e Gjykatës Speciale, …kurse LDK-së i mungon guximi dhe fuqia vepruese në zbardhjen e vrasjeve të veprimtarëve të saj gjatë dhe pasluftës shkaku i mungesës së reformave të brendshme, të cilat edhe do t’i kthenin namin që kishte dikur në skenën politike kosovare!
Andaj, pashmangshëm rrjedh konstatimi logjik; do të ishte iluzive t’u besohet tutje partive politike dhe liderëve që nuk janë të zotët të realizojnë reforma brenda subjekteve që drejtojnë, e lërë më të krijojnë konsensus ndërpartiak për tema madhore për vendin.