Abdurahim Ashiku
Mësohet se Edi Rama do ta ç’vendosë tryezën ovale të kryeministrisë në Peshkopi.
Ngjarje e madhe, e paparë ndonjëherë në historinë e Dibrës. Të tërë ministrat, me kryeministrin në krye, do të përshkojnë rrugën tërë kthesa e plotë me gropa luginës së Matit, të përpjetës së Qafës së Buallit, midis “dy Bulqizave” (pa kthyer kokën), Shupenzës, Maqellarës, të përpjetës së Qenokut, teposhtës së Llasenit…
Në sallën e bashkisë, po qe se mblidhen aty, do ta ndjejnë veten ngushtë ndaj do të dëshiroja që Çidhnakët, në hapësirën nga të dy krahët e Setës dhe të dy krahët e Drinit të Zi t’i lënë ngjitur në derën e bashkisë një ftesë që mbledhjen e Qeverisë ta bëjë aty ku bashkohet Drini me Setën, në atë truall ku u formua dhe mori vendimin për t’i dalë zot Dibrës “Qeveria e Arrasit”, qeveri që i tregoi sinorët Serbisë atyre viteve kur Londra e zezë e preu Shqipërinë si berri për kurrizi.
Është rasti i artë që të bëjnë histori e të bëhet histori.
Atje vendasit, burra të këtij Mali me emër të madh në historinë e Dibrës, do t’i tregojnë kryeministrit dhe qeverisë “Arat e Gjergjit të Gjon Dibranit”, Sinën si rrënjë e pashkulëshme, betejat e kryetrimit, (jo pak por 18 nga 25 beteja të mëdha fitimtare të tij), “Masakrën e Çidhnës”, “Kalanë e fshehtë të Skënderbeut”, heroizmin ndër shekuj të Dibranëve që AJO, qaedër gjeografike e shqiptarëve, të jetë SHQIPE dhe serbit t’i priteshin këmbët për ëndrrën e përjetshme që nëpërmjet Dibrës t’a këpuste për beli Shqipërinë për të dalë në Durrës.
Aty, pikërisht në atë vend, t’i kërkojnë Qeverisë të firmosë vendimin (si njëherë e një kohë në fillim shekullin e kaluar në “Qeverinë e Arrasit”) për të hedhë themelet për ngritjen e një statuje gjigande të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut që bota ta shohë në valë satelitore, siç sheh statujën e Krishtit në Brazilia. I takon sepse ai është quajtur “Kalorës i Krishterimit”, megjithëse në fakt Ai ishte “Kalorës i Arbrit”…
Aty, t’i kërkojnë Kryeministrit dhe Qeverisë që të shpallë solemnisht “VITIN E SKËNDERBEUT”…
E ku ka gjë më të bukur, më madhështore, më historike se pikërisht në trojet e Kastriotëve të Palit, Gjonit, Gjergjit… të shpallet një vit kaq madhështor për shqiptarët?
Derisa Edi Rama ka marrë me vete tërë Qeverinë e tij, e mira e të mirave, për të dhe për Dibrën, është që mos mbyllet brenda mureve të një ndërtese: (në fillim shtëpi lindjeje (!!!), më pas muze historik (!!!), e tash bashki) por të shkojë tek njerëzit për t’u dhënë kurajë të mos e braktisin vendlindjen, shpresë për sot e për të ardhmen.
Nga Sina, pas hedhjes së themeleve të “VITIT TË SKËNDERBEUT” do të desha të merrnin kallauz banorë të “Malit heroik”, “Mal” me shpatë, pushkë e kazmë e të ngjiten në Çidhën nga ku lugina e Drinit të vjen në pëllëmbë të dorës. Aty, pasi të dëgjonin ministrin Gjiknuri për Skavicën dhe Setën dhe Kumbaron për vlerat e virgjëra kulturore dhe arkeologjike, të merrnin vendimin që Seta të mos shkatërrohej e lugina e Drinit të mos zhdukej nga faqja e dheut nëpërmjet mbytjes me të gjitha vlerat historike e me bukurinë që ia ka falë Zoti.
Ministrat më të rinj në moshë e mira do të ishte të ecnin gjurmëve të heroizmit të pashoq të ndërtuesve të veprave ujore të Dibrës, ndërtuesve të kanalit të Setës, të ecnin dorë për dore (ndryshe rrezikojnë jetën) për të kaluar në Gurë-Lurë e më tej të ngjiten tek bukuria e bukurive të Lurës, Liqeni i Luleve.
Kryeministrit nuk ia rekomandoj të ecë asaj rruge. Nuk i plotëson kushtet e eksteriorit, është i gjatë dhe nuk e kalon dot rrugën “mbi një dërrasë mbi humnerë” edhe sikur të ketë veshur “atletike bio”. Atij i rekomandoj të marrë të përpjetën e Grykë Nokës duke menduar se si ta bëjë këtë “rrugë xhehenemi” në “rrugë xheneti”, se turizmi drejt Lurës pa këtë është topall.
Në Tajan të ndalet për disa minuta, t’i hedhë sytë luginë së bukur të Drinit të Zi nga Mireshi në Reç, malit më të lartë të Shqipërisë – Korabit, për tu takuar me të “Bukurën e Dheut” ashtu siç kishin bujte e ishin takuar misionarët e Luftës së Madhe Antifashiste Botërore, dy prej të cilëve do të deklaronin:
“Unë kam mbaruar Universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës“ shkruan Reginald Hibbert…
… “Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe të ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford“ – shkruan Julian Emery.
Se kush janë Reginald Hibbert dhe Julian Emery, nuk po zgjatem. Të gjithë i dinë dhe vepra e tyre tashmë është edhe në shqip.
Bjeshkëve të Korabit do t’i këshilloja të vinin njëherë tjetër futur në një kabinë traktori me zinxhirë për të marrë ajër të pastër në Bjeshkën e Zonjave e për të udhëtuar më tej Rrafshës së Korabit e bjeshkës së Ponairit…
Do të desha pastaj që konkluzionet e mbledhjes së Qeverisë t’i jepte para gazetarëve të terrenit në Fushën e Pelave, atje ku Gjergji i Gjon Dibranit rriste e mbarështonte pelat që i jepnin hamshorët mbi të cilën lëvizte trimëria shqiptare.
Më tej ta ndante Qeverinë në dy pjesë, njëra të shkonte drejt Varoshit, një ndër kalatë e Skënderbeut për të ra në Mat e tjetra nëpër Fushë Lurë – Krejë-Lurë e Mirditë për të vendosë se Dibra ka nevojë jo vetëm për Rrugën e Arbrit por shumë e më shumë për rrugët që sjellin qytetërim, turizëm, zhvillim të këtyre zonave që askush nuk u kujtua se janë pjesë e trojeve shqiptare.
Do të desha që Edi Rama dhe Qeveria e tij të ulen në odën e miqve të ndonjë kulle dibrane, mbase në atë të Çidhnës në “Tre Poda”-monument kulture, mbase në kullat e Lurës- monumente trimërie e bujarie, kudo ku t’u dalin përpara e ta ftojnë ashtu si dinë të ftojnë dibranët, të ulen e ta pinë një kafe të pjekur ashtu siç dinë ta pjekin, ta bluajnë, ta ziejnë në prush e ta shërbejnë në filxhanë “pa bisht” malësorët e atyre maleve.
Dibrës duhet t’ia pish kafen ulur këmbëkryq…
Jo në këmbë, kulluar në ekspresë modernë…
Jo …Erdha dhe ika, pa sy e pa veshë…
Athinë, 8 nëntor 2017