E përgatiti Prof. Zymer Mehani
X.
Hivzi Sulejmani në romanin “Fëmijët e lumit tim” e paraqet Lulen, të shoqen e Bardhit, si revolucionare dhe grua me përvojë jetësore. Ajo ka qëllimet dhe idealet e përbashkëta me Bardhin dhe është bashkëshorte dhe bashkëudhëtare e jetës së burrit, e cila interesohet mjaft edhe për punën dhe mendimet sekrete që e mundojnë Bardhin. Por ajo është edhe grua praktike, e cila vëren se “koha ka sjellë ndryshime” dhe se edhe ata si individë duhet të ndryshojnë. Ajo nuk e ka kundërshtuar asnjëherë mendimin apo qëndrimin e Bardhit.
Nuk e kundërshton as tash, por e qorton për idealizmin e tij, për qëndrimin e tij thuaj statik dhe ndoshta të papërshtatshëm për këtë kohë. Pra, Lulja është figurë pozitive, por edhe me kundërthënie, e prirur që të adaptohet sipas kërkesave të ditës, por edhe e përmbajtur në prakticitetin e saj të femrës, meqë, në esencë është revolucionare dhe me botëkuptime shumë më afër atyre të Bardhit.
Edhe më tepër e ndërlikuar dhe kundërthënëse është figura e Xhixhës, e cila, vetiu, në saje të ndjenjave fisnike dhe të arsyes, në saje të modestisë dhe të simpatisë ndaj atyre që nuk janë mendjemëdhenj – bën një kthesë vërtet të madhe dhe të papritur. Ndonëse e lidhur për Tushin me pasion dhe ndjenja rinore, e këndej edhe e kredhur në një jetë të cilën ai ia imponon – Xhixha e zbulon të vërtetën, neveritet nga vrazhdësia e Tushit, të cilin shumë kohë e duroi, nga mendjemadhësia e tij prej mikroborgjezi, nga shpotitjet dhe prirja për organizimin e shpifjeve kundër njerëzve të pastër dhe të pafaj, kundër atyre që janë krenarë e nuk i përulen dot dhe, i braktis të gjitha me vendosmëri. Nuk çan kokën për kërcënimet e Tushit. Andaj, përpjekja e saj që t’i kthehet jetës që ka për kuptim më të lartë lirinë dhe punën, është simbolike dhe e bukur. Rezonimi dhe vendimi i saj e bëjnë këtë figurë njëmend impresive dhe karakteristike për ecurinë dhe kuptimin e veprës.
XI.
Në romanin “Murgesha” të Nebil Durakut paraqitet Mara, jeta e saj, krijimi i familjes dhe shuarja e saj nga tërmeti. Në qendër të veprës është Suzana dhe jeta e saj, dalja e saj nga katakombet e errëta të manastirit në dritë jete, e jo mëkëmbja e një familjeje njëherë artificialisht të shkatërruar e mandej po ashtu artificialisht të takuar në kushte “të përshtatshme” për ta vazhduar jetën e ndoshta edhe dashurinë. Pak më shumë kujdes autori i kushton Parasevkës, por edhe atë e vëren më tepër nëpërmjet të të dhënave dhe situatave komike, si kryemurgeshë, duke lënë pas dore tiparet e saj si njeri, dridhjet e dhimbjet eventuale të shpirtit, rininë e Fatmir Gjata në romanin e njohur “Këneta” përshkruan fatin e rëndë jetësor të Rinës. Rina, fqinja e dashur e Stavri Larës, meqë ky kaloi një kohë të gjatë në luftëra, është martuar.
Sado që e bren dashuria e sinqertë për Stavrin, Rina nuk e shpreh atë që e ndien e as nuk e emndon prishjen e jetës me Aleksin. Rina keqtrajtohet nga Aleksi. Ai e izolon Rinën, e mbyllë në shtëpi me vjehrrën, e heton, e vështron me dyshim etj, kështu që e tërë kjo shndërrohet në një dramë të vërtetë familjare, e cila e ngjall ecurinë e romanit.
Fati i rëndë jetësor i Rinës dhe dilemat e saj të arsyeshme dhe artistikisht të objektivizuara me mprehtësi, mandej karakteri i ndërlikuar i Aleks Mushës, të cilit ajo i takon si grua e ligjit, dhe karakteri i Stavri Larës, të cilit Rina i takon me vullnetin e dashurisë së parë dhe të sinqertë, është në qendër të këtij veprimi tjetër.
E lidhur me vargonjtë e botëkuptimeve dhe të zakoneve patriarkale e prapanike, me martesën, me marrëdhëniet burrë e grua, Rina nuk mund të vendosë të ndahet nga Aleksi, ndonëse jeta me te për shumë arsye është bërë e padurueshme. Rina e Aleksi janë dy karaktere antipode dhe dy temperamente fare të kundërta. Kanë dy botëkuptime që s’përkojnë fare njëri me tjetrin. Në fund me tradhtinë që bën Aleksi ndaj Rinës, kësaj të fundit i hapet rruga drejt dashurisë së parë, drejt Stavrit, i cili e mirëpret dhe vazhdon jeta e tyre e lumtur.
XII.
Në romanin “Me valët e jetës” Vedat Kokona me siguri të madhe artistike dhe të dukshme dhe me një prirje të dalluar të realistit lartëson shëmbëlltyrën e femrës. Posaçërisht karakteristike dhe e shquar, me të gjitha tiparet jetësore fisnike që e lartësojnë gruan shqiptare, është shtjelluar shëmbëlltyra e Ollgës. Grua bujare, nënë zemërbardhë, e kujdesshme dhe e dashur, bashkëshorte e ndershme besnike dhe e zonja që të jetë mbështetje e vatrës dhe shoqe e jetës, nikoqire, krijesë me të gjitha të mirat që mund t’i mendojmë te një njeri, e qëndrueshme, e gjerë, trimëreshë, inteligjente ndonëse e pashkollë, me etje të dukshme për ta shkolluar djalin, me një gjerësi botëkuptimesh dhe me karakter të fuqishëm – Ollga Mëhilli na mbetet e skalitur në kujtesë si një nga figurat më të plota dhe më të dashura të femrës sonë.
Pranë saj, e paraqitur me pasion e dashuri në një mënyrë tjetër, por po aq të suksesshme, si shëmbëlltyrë të plotë dhe e dashur është Hesmaja – një tip gruaje me të gjitha tiparet e larta të femrës familjare, të gruas që e don dhe e nderon burrin, që e lartëson dhe, ngase në atë frymë është edukuar, nuk i kundërshton as në çaste kur ai është i vrazhdtë apo indifferent ndaj saj. Edhe Ollga edhe Hesmaja, në një mënyrë të veçuar dhe kuptimplote, e mëshirojnë fatin e gruas shqiptare të së kaluarës, në kushte jete patriarkale dhe të varfër. Faqet që autori ua kushton këtyre të dy shtëpiakeve, dy nënave fatlume dhe prore besnike, janë kuptimplote dhe impresive, pa dyshim, ndër më të bukurat që e dëshmojnë fatin e femrës në letërsinë tonë.
Me origjinalitet e përkushtim, me invencë e bukuri të shquar janë transponuar edhe shëmbëlltyrat e dy vashave të reja, Sofika Nerënxës dhe Manushaqe Kamberit, të cilat janë mishërim i qenies dhe i figurës së re të femrës së asaj kohe, më të dijshme dhe më aktive, me flakën e ndjenjave jo vetëm kur kemi të bëjmë me dashurinë, por edhe më gjerë, madje edhe me hijen e fatit të vjetër që ende i përcjell, i pezullon dhe u kanoset. Sidomos është e qëlluar, e bresshme dhe e bukur shëmbëlltyra e Sofikës,e cila ndonëse jetësore është thuajse e paqenë, si ndonjë ide fluturake, si ndonjë melodi që e përshkon dhe e hijeshon veprën dhe na angazhon plotësisht, thuajse veprën e lexojmë më shumë për të gjurmuar rrugën jetësore dhe fatin e saj.
Për paraqitjen e femrës është mjaft karakteristike edhe shëmbëlltyra e Frosinës, e cila, ndonëse episodike, është dëshmi e pozitës së mjerë, e jetës së dhunshme dhe e fatkeqësisë së femrës në të kaluarën.
XIII.
Edhe shkrimtari Rexhep Qosja në romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e ndërton personazhin e femrës. Trashja, një grua imbecile, e lënë dhe e përdalë, mendjepakë, mentalisht e vdekur, por fizikisht e gjallë; është kufomë e gjallë në të cilën rron dhe fshihet si enigmë jete flaka e gjakut dhe dëshira për të jetuar. Ajo është simbol ‘mjerimi e ndyrësie’, e denjë për ta ankuar, për ta vajtuar fatin dhe lindjen e saj si të tillë.
XIV.
Murat Isaku në romanin “Plagët” e portretizon bashkëshorten e Kelmend Gajrisë, Arifen si një grua tipike që është e privuar nga çdo e drejtë, e përbuzur dhe e fyer, prore e heshtur, madje edhe kur mbetet e ngrirë në borë për ta ruajtur oborrin e shtëpinë.
E bija e Kelmend Gajrisë dhe e Arifesë, Gjata është vashë e edukuar në frymën patriarkale dhe atdhetare, motër tragjike dhe bijë krenare dhe e përbetuar e babait të vet, krijesë e re, e cila e shtyrë nga rrethanat dhe edukata, përpiqet t’i ndrydhë ndjenjat e vrullshme rinore dhe kur ato shpërthejnë vetvetiu.
XV.
Te romani “Rreckajt” po të këtij autori kemi Përroskën, e cila nuk është paraqitur me tipare të mjaftueshme të malësores dhe mbetet nën hijen e personazheve të tjerë. Në fakt ajo është e vetmja figurë femre në roman. Autori vetëm e ka konceptuar figurën e saj dhe pastaj për të nuk kujdeset, nuk e përsosë dhe nuk e shfrytëzon.
Ciladoqoftë formë e shkruar e romanit, personazhet luajnë rol qëndror dhe konstituojnë gjeneratorin e rrëfimit. Përmes personazheve lexuesit kanë mundësi të vlerësojnë origjinalitetin dhe autenticitetin e ngjarjes.
XVI.
Shega, heroina e romanit “Shkrumbnajë e dashuri”, paraqet stoicizmin e femrave shqiptare, të cilat në mënyrën e tyre ishin pjesë e kontributit për çlrimin e atdheut. Më 8 qershor të vitit 1999, vetëm katër ditë para çlrimit të Kosovës, Shega psiqikisht dhe fizikisht është e molisur, e lodhur, e dërmuar, por ende ka vullnet për ardhmëri. Eshtë e dërmuar nga torturat fizke që forcat serbe kanë ushtruar mbi të dhe në anëtarët më të dashur të famijës së saj. Janë përjetime të një populli të tërë, që janë bartur brez pas brezi e më në fund të përjetuara personalisht.
Adem Demaçi hyn thellë në brendësinë shpirtërore të Shegës, duke ia zbuluar fshehtësitë e saj shpirtërore përmes shikimit, qëndrimit, lëvizjeve dhe veprimeve të saj. Narratori i lë hapësirë lexuesit të kuptoj dhe vetë logjikojë se në çfarë gjendje shpirtërore janë personazhet e tij, siç mund të vërejmë në këtë përshkrim që ia bënë Shegës: “Ajo jetonte në pritjen e tmerrshme, me ethe në zemër e në bark. Ajo jetonte më shpirt të trazuar deri në pafundësi. Ajo edhe kur ishte bashkë me Mimozën, sikur nuk shihte gocën fare. Ajo ngulte vetëm shikimin në një pikë dhe ashtu qëndronte deri në ngacmimin e parë që vinte nga jashtë…“.
Eshtë një përshkrim me një mjeshtri të rrallë artistike ku personazhin e vet, autori Adem Demaçi na e jep nga të gjitha këndet fizike dhe shpirtërore. Shega është në pritje, mirëpo pritja e saj nuk është pritje e zakonshme, nuk është pritje e një dëshire të kërkuar më parë e që duhet t’i plotësohet, por ajo është në pritje të diçkaje enigmatike që nuk varët prej saj. Eshtë pritje e tmerrshme që përgjigja e saj mund t’ia shkatërrojë të gjitha dëshirat dhe endrrat e saj. Eshtë pritje që i shkakton ankth që nuk e lë të qetë duke ia trazuar shpirtin skajshmërisht.
Shikimi i saj i ngulur vetëm në një pikë është simptomë se Shega vuan nga çrregullimet e stresit post-traumatike, si pasojë e torturave sistematike të saj dhe familjes së saj, që forcat serbe kanë bërë mbi të dhe popullin e pafajshëm. Si mund të sherohet Shega nga çrregullimet e stresit post-traumatik ?! Për ta nxjerrur nga kjo situatë shumë komplekse, autori Adem Demaçi duket se ka lexuar literaturë të psikologëve të njohur botëror, andaj përsonazhën e tij paraprakisht e fut në relacione më Azemin. Shega një femër e sinqert dhe e dashuruar në Azemin, i rrefehet të fundit për ato që ka përejtuar nga serbet.
Rrëfimi është terapia më e mirë për lehtësimin dhe sherimin e stresit post-trauamtik, e sidomos kur përballë është njeriu që dëgjon më kujdes çdo fjalë e fali. Azemi është i vetëdijshëm se të refuzonte dashurinë e saj, pas dhunimit të shumfishtë që ia kanë bërë ushtarët serbë, Shega do përfundonte në vetëvrasje. Pikërisht në çastin kur Shega mbyllet në dhomë dhe më ushkurin e saj përgatitët t’i jepë fund jetës, është Azemi i cili ia ofron dashurinë e tij.
Azemi është ai që sakrifikon vetën për interesin e përgjithshëm kombëtar dhe njerëzor. Kur Shega dëshiron të bëjë vetëvrasje Azemi për ta parandaluar vetëvrasjen ia fal zemrën e tij. Azemi është i qetë, i përvluar për çlirimin kombëtar, i guximshëm, trim, i paluhatshëm në vendimet e tij dhe në momentët e vështira të individit dhe popullit, është i gatshëm të flijojë vetën.
Mimoza dhe Heli janë pjesa e padukshme e ndërdijës së Azemit dhe Shegës. Janë hija e jetës së Azemit, të cilët amanetin e brezave të shkuar e tashëm, do ua pëercjellin gjeneratave të ardhshme.
Janë e kaluarja dhe e ardhshmja, për të cilët jeta nuk ka asnjë kuptim pa dashuri dhe pa atdhe. Jeta e tyre në të kaluarën ishte e mbushur me aktivitete kombëtare e si pasojë Heli perjetoi burgosjen, torturat më bestiale, kurse në anën tjetër Mimoza të cilën paramilitarët serbë e dhunojnë të ahri i Haki Cakës.
Romani “Në kërkim të dashurisë”, i autores Behare Rexhepi është ndërtuar pikërisht mbi ato koncepte letrare të cilat i kemi njohur që më parë, por sigurisht është plotësuar edhe me përvoja të reja të këtij tipi të shkrimit romanor, me personazhe e struktura të reja ndërtimi e rrëfimi, të cilat e bëjnë esencën formësore dhe përmbajtësore të këtij romani. Ky roman është përpjekje që përmes një fabule, jo shumë të zakonshme, të sjellë artistikisht atë që e bënë përditshmërinë e një gjenerate gjimnazistësh të qytetit të Prizrenit me të gjitha preokupimet e tyre: gjinore, të dashurisë, mësimit, drogës e kriminalizimit, të jetuar nga një brez adoleshentësh të sotëm.
LITERATURA:
Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Pejë, 1997; Hasan Mekuli, Romani shqiptar, Libri shkollor, Prishtinë,2000; Grup autorësh, Letërsia bashkëkohore shqiptare 4, Libri shkollor, Prishtinë,2001; Behare Rexhepi, Në kërkim të dashurisë, Prishtinë, 2005; Fatos Arapi, Dikush më buzëqeshte, Prishtinë, 1980; Anton Pashku, Oh, Rilindja, Prishtinë, 1971; Rexhai Surroi, Besniku, Rilindja, Prishtinë, 1967; Murat Isaku, Plagët, Rilindja, Prishtinë, 1974; Murat Isaku, Rreckajt, Rilindja, Prishtinë, 1979; Nazmi Rrahmani, Malësorja, Rilindja, Prishtinë, 1982; Vedat Kokona, Me valët e jetës,I,II, Rilindja, Prishtinë, 1969; Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rilindja, Prishtinë, 1974; Adem Dema, Shkrumbnajë e dashuri, LSHK, Prishtinë, 2012; Nebil Duraku, Murgesha, Rilindja, Prishtinë, 1967; Dhimitër Xhuvani, Midis dy netëve, Rilindja, Prishtinë, 1967; Adem Demaçi, Gjarpinjtë e gjakut, Jeta e re, Prishtinë, 1958; Hivzi Sulejmani, Njerëzit, Rilindja, Prishtinë, 1974; Hivzi Sulejmani, Fëmijët e lumit tim, Rilindja, Prishtinë, 1974; Fatmir Gjata, Kënëta, Naim Frashëri, Tiranë, 1981; Ismail kadare, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Naim Frashëri, Tiranë, 1962.