Përgatiti prof. Zymer Mehani
1. Jeta
Zef Serembe u lind më 6 mars 1844 në fshatin arbëresh San Kozmo Albaneze të Kalabrisë ose Strigari, si i thonë vendësit, ku zakonet dhe gjuha shqipe janë ruajtur deri sot. Fshati ndodhet mbi një kodër të veshur me vreshta, me portokalle dhe limonë, me pamjen e detit Jon nga lindja. Kjo natyrë e ëmbël dhe e ashpër, që të kujton deri diku Shqipërinë, u bë një element me rëndësi i veprës së poetit.
Ndërkaq, lëvizja kombëtare në Shqipëri u fuqizua, u shpeshtuan kontaktet e arbëreshëve me këtë lëvizje. Edhe Serembe tregoi interes të gjallë ndaj përpjekjeve për liri të vëllezërve përtej detit. Por, edhe lëvizja kombëtare në Itali po merrte përpjestime të gjera. Ishte koha kur Garibaldi po triumfonte kudo në Italinë e Jugut dhe arbëreshët po i përgjigjeshin me zjarr thirrjes së tij.
Personaliteti i Serembes si krijues u formua në vitet e zjarrta të lëvizjes kombëtare italiane të viteve 1848-1860, ku i ati mori pjesë aktive, aq sa u dënua me vdekje në mungesë nga qeveria burbone dhe u detyrua të endej maleve si komit. Që në moshë të njomë, Zefi i vogël njohu tiraninë politike dhe padrejtësitë shoqërore, gjë që u dha vjershave të tij vulën e pakënaqësisë nga realiteti, frymën e revoltës aq të fuqishme.
Në zhvillimin e talentit, që i lindi herët në mënyrë të vetvetishme dhe në brumosjen e Zefit me ndjenja patriotike e liridashëse luajtën rol të rëndësishëm studimet në kolegjin e Shën-Adrianit, ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Varfëria dhe shëndeti i keq e detyruan Seremben të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes. Ndërkaq lëvizja kombëtare në Itali po merrte përpjestime të gjera.
Ishte koha kur Garibaldi po triumfonte kudo në Italinë e Jugut dhe arbëreshët po i përgjigjeshin thirrjes së tij.
Serembe u bë këngëtar i kësaj lëvizjeje, i shtyrë jo vetëm nga ndjenjat liridashëse, po edhe nga prirja për të parë tek ajo një shprehje të trimërisë së arbëreshëve dhe një shpresë për pjesëmarrjen e tyre të mëtejshme për çlirimin e atdheut të të parëve. Ndërkaq, lëvizja kombëtare në Shqipëri u fuqizua, u shpeshtuan kontaktet e arbëreshëve me këtë lëvizje. Edhe Serembe tregoi interes të gjallë ndaj përpjekjeve për liri të vëllezërve përtej detit. Madje, ai ishte i pakënaqur nga dobësia e kësaj lëvizjeje dhe i hodhi shigjeta, satira të dhimbshme në vjershën “Vrull”, kurse në një vjershë kushtuar Dora d’Istrias poeti ngriti zërin për lirinë e Shqipërisë, hodhi kushtrimin për luftë të armatosur dhe për bashkimin e shqiptarëve.
Një figurë origjinale dhe e ndërlikuar, që spikat në letërsinë tonë është ajo e Zef Serembes. Vepra e tij pasqyron atë etapë të Rilindjes kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov, prandaj dhe tema patriotike merr nën penën e tij një tingëllim kushtrues të hapur dhe aktual. Nga ana tjetër, në krijimtarinë e tij gjeti shprehje atmosfera e pakënaqësisë që kishte lindur tek arbëreshët në vitet 1860-1870, kur bashkimi i Italisë jo vetëm që nuk solli ndryshimet shoqërore të shpresuara, por, përkundrazi, e thelloi mjerimin e tyre. Poezia e Serembes pasqyron kontradiktat e kësaj kohe.
Në këto vite Serembe shëtiti nëpër fshatrat arbëreshe të Siçilisë e të Kalabrisë, i ra anembanë Italisë, duke u lidhur më tepër me zakonet, me folklorin, me të folmet e ndryshme të arbëreshëve, me ndjenjat dhe ëndërrimet e tyre, me ndjenjën e madhe të çlirimit të atdheut të të parëve. Po nuk gjeti asgjëkundi qetësinë e shpresuar. Gjatë këtyre shtegtimeve ai improvizonte poezi dhe i recitonte ato kudo që vinte, si një poet popullor. Disa prej këtyre vjershave qarkulluan si poezi popullore.
Gjurmë të thella të dhimbshme në shpirtin dhe krijimtarinë e poetit la dashuria e pafat për një fshatare arbëreshe, që më vonë kishte emigruar në Brazil, ku edhe vdiq pas pak kohe. Dëshira për të parë varrin e kësaj vajze si dhe shpresa që të përmirësonte gjendjen e vet ekonomike, e bënë poetin të nisej më 1875 për në Brazil. Po edhe këtu Serembe u zhgënjye shpejt, sepse pa korrupsionin e thellë të oborrit, jetën e degjeneruar të aristokracisë braziliane. Pa kaluar as një vit ai u kthye në Itali, duke pasur si pasuri të vetme një trastë dorëshkrimesh. Gjatë këtij udhëtimi të vështirë thuhet se poetit i humbi pjesa më e madhe e këtyre dorëshkrimeve.
Në fshat, i rënë nga shëndeti dhe nga gjendja shpirtërore, Serembja nisi përsëri jetën e varfër të mëparshme.
Zhgënjimi në jetën shoqërore dhe në jetën personale u bë shkak që Serembe të kalonte në këtë periudhë një krizë misticizmi, e cila ndikoi për keq në krijimtarinë e tij. Po interesi i tij për lëvizjen kombëtare në Shqipëri ishte gjithnjë i gjallë dhe në këtë lëvizje ai përqëndroi të gjitha shpresat e mbetura.
Pikërisht në këtë kohë, më 1883, Serembe botoi librin “Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera prej shqipes”.
Megjithëse vjershat italisht kishin të meta nga ana e formës dhe niveli i përkthimit në italisht të krijimeve shqip nuk qe i kënaqshëm, libri ngjalli entuziazëm në rrethet letrare të kohës.
Duke mos mundur të duronte gjatë atmosferën mbytëse që sundonte në Italinë e Jugut edhe pas zhdukjes së tiranisë së Burbonëve, poeti u nis sërish për në Brazil dhe për në Amerikën e Jugut.
Aty e mbyll krijimtarinë e tij letrare me dy poezi, që dëshmojnë se ai nuk e humbi kurrë shpresën te Lëvizja Kombëtare Shqiptare.
Pra, më 1887, Zef Serembe emigroi nga Kalabria e tij në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u mundua ta nisë jetën për së pari në Buenos Aires. Mirëpo, natyrën e tij të ndjeshme e mposhtën fatkeqësitë e jetës dhe më 31 dhjetor 1901 ai e mbylli jetën në San Paolo të Brazilit, në një gjendje çmendurie.
“Jeta e Serembes është më e dhimbëshmja e letërsisë shqipe dhe figura e tij ndër më origjinalet.”
2. Vepra
Pa dyshim, krijimtaria letrare e Zef Serembes përbën njërin ndër kapitujt më interesant të letërsisë shqiptare të shekullit XIX.
Studiuesi i letërsisë, Latif Berisha thotë se “Nëse nga vepra letrare kërkohet që ajo, në radhë të parë, të bëhet vetëvije e zgjuar e njeriut dhe zëdhënëse e preokupimeve karakteristike të kohës në mënyrën e vet specifike, atëherë mund të themi se krijimtaria poetike e Zef Serembes e arrin këtë cak në shkallën më të lartë” dhe, me të drejtë është thënë se botën subjektive të heroit romantik me shpirt të trazuar e sjell në romantizëm poezia e Zef Serembes.
Ali Aliu, studiues i letërsisë, mendon se “poezia erotike e Zef Serembes qëndron në kulmin e poezisë shqipe të këtij lloji!”.
Dashuria, vëren Ali Xhiku: “është kryemotiv i romantikëve, si kundërqëndrim ndaj klasicizmit të ftohtë dhe estetikës racionaliste, si mposhtje e arsyes prej ndjenje”. Klara Kodra, një tjetër studiuese e veprës së Serembes, te ai veçon psikologjizmin dhe introspeksionin (…), “kështu që fraza “jam i vetëm / i vetëm jam” endet në gjithë poezinë e tij. Serembe mbështetet edhe në këngët popullore të dashurisë të arbëreshëve të Kalabrisë, me çka ndërton edhe një tipar të përbashkët me romantikët evropianë”. Klara Kodra gjen në veprën e Serembes edhe ndikime të poetëve të huaj, si p.sh. të Dantes, Lamartinit, Myserit etj.
Zef Serembe shkroi vjersha, poema, drama. Po për shkaqe të ndryshme vetjake dhe ekonomike, vetëm një pjesë e vogël e krijimtarisë së tij ka arritur gjer te ne. Në të gjallë ai botoi vetëm: “Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja”, në italishte e shqipe, Kozencë, 1883. Ky libër ngjalli entuziazëm në rrethet letrare të kohës, megjithëse kishte disa mangësi, përsa i përket formës artistike; “Kthimi i ushtarit”, baladë lirike, vargje vetëm në italishte, Nju Jork, 1985; dhe “Sonete të ndryshme”, Napoli, një përmbledhje tepër e rrallë prej dyzet e dy tingëllimash në italisht, të pajisura me një hyrje, të gjitha të ngjeshura në katër faqe me shkronja të imëta.
Një vjershë doli gjithashtu në gazetën e Xhyzepe Skiroit “Arbri i ri”, më 31 mars 1887. Nga vjershat në gjuhën shqipe, tridhjetë e nëntë iu botuan pas vdekjes në përmbledhjen “Vjersha”, Milano, 1926, nga i nipi Kozmo Serembe. Krijime të tjera i janë gjetur në dorëshkrime dhe arkiva të ndryshme në vitet e fundit“. “Shumë nga veprat e Serembes (vjersha, drama dhe një përkthim i Psalmeve të Davidit), të cilat ai vazhdimisht i rishikonte e i ripunonte, humbën gjatë ndërrimeve të shpeshta të vendbanimit.”
Një pjesë e madhe e krijimtarisë së tij nuk u ruajt, për ç‟gjë një pjesë e fajit i takon vetë poetit, sepse ai shpesh improvizonte vargje të bukura, por nuk i ruante ato, kurse disa mija vargje, siç rrëgen ai vetë, i humbën fatkeqësisht, kur u kthye nga Brazili në Itali. Kulti i natyrës, një veçori tjetër e romantizmit, assesi nuk mungon te Serembe, por jeta e tij shpirtërore e bujshme e pengoi shpesh që ta shijojë natyrën, ashtu siç donte.
Prandaj edhe kemi antiteza me të vërtetë të bukura në poezinë e tij, natyra e bukur në njërën anë – Dhembja shpirtërore e poetit në anën tjetër.”
“Serembe qe poet me talent. Kishte lehtësi të madhe për të improvizuar vjersha dhe kujtesë të fortë për t‟i mbajtur mend.
Gjente rast të frymëzohej kudo që të ndodhej, në dasmë e në gosti, në vizitë e ndër udhëtime; po kujdesej pak për t‟i ruajtur ato që krijonte.”
Zef Serembe është natyrë e lirikut të lindur, natyrë e nuancave intime të lirikës, i cili, si shumë shpirtra të shqetësuar të romantikëve, është një shpirt shtegtar që do t‟i bjerë kryq e tërthor tërë Evropës dhe Amerikës Latine, duke kërkuar prehje dhe qetësi, duke ikur dhe kërkuar shpëtim nga marrëzitë dhe agresiviteti i ambientit të vet. “Është liriku më i kulluar i kësaj periudhe të poezisë shqiptare…poet ndaj të cilit kurrë nuk mund të jesh indiferent” – thotë Rexhep Qosja.
… “Ai qe një poet i ndjenjës, e sidomos i vetmisë e i zhgënjimit. Në vargun e tij ndihen disa nga anët më intime të poetëve italianë Françesko Petrarka, Dante Aligieri dhe Xhakomo Leopardi, të cilët i kishte lexuar dhe adhuruar të gjithë.