Fshehtësitë e kryevarrit

0
958

Gani MEHMETAJ

1.
– Si thua: më mirë është të dihet a të mos dihet varri i Gjergj Kastriotit? – më pyeti befas toger Hansi.
E shikova me habi, e dija ku do të dilte, por shtihesha sikur nuk e kuptoja, megjithatë iu përgjigja:
– Është mëkat të hapen e të mbyllen varret, si të qenë strehimore patatesh. Le të prehen eshtrat e njerëzve në paqe e qetësi të përjetshme, le të mbetet kujtimi për ta, – i thashë, ndërsa ngrija kokën lart si t’i kërkoja të falur Zotit për mëkatet e njerëzve. Më shumë e pata hallin e mëkatit të madh të hapjes së varreve, nisur para qindra vjetësh.

Pavarësisht interesimit të oficerit austriak, nuk doja t’i shtoja më shumë sesa që dihej botërisht për çastet e fundit të varrosjes, por edhe të zhvarrosjes së mbretit tonë. Qarkullonin versione nga më të ndryshmet që nga kronika e Barletit, secila duke e ushqyer tjetrën apo duke e mohuar të parën.

Disa kronika nuk e përmendnin kërkimin që ishte bërë në varrin e Skënderbeut, as zhvarrimin që thuhej se u bë më shumë se një herë. Hordhitë osmane, kur erdhën pas luftës së përgjakshme, e kërkuan varrin, disa thonë e gjetën: nxorën eshtrat, i bënë hajmali, i shpërndanë ngado që shkuan. Në ndonjë kronikë lexoja edhe hamendësime të tjera, që binin ndesh me zhvarrimin. Përbetimi nxirrte krye në ndonjë kronikë të vjetër, por më shumë me aluzione sesa të thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Kur për herë të parë e lexova, njëra prej këtyre hamendësimeve me rrëqethi. Pastaj e lashë në gjysmë. S’ta kapte mendja hamendësimin e kronistit françeskan. Dikur për këtë hamendësim mund të shkishërohej. Nuk ia thashë asnjërën nga teoritë që qarkullonin në botën shqiptare. Teoritë e huaja i dinte.

Prandaj, me sa kisha mundësi, përpiqesha t’i shmangesha bisedës së tillë, e kundërshtoja qëndrimin se gjërat me vlerë nuk duhej të rrinin në vendin, ku mund t’i ekspozoheshin rrezikut të zhdukjes a zhbërjes nga hordhitë që vinin e shkonin. Ndërkaq, ai synonte të më bindte se varri i mbretit tonë nuk duhej të rrinte i vetmuar. M’i vinte në pah aksidentet gjatë historisë: përdhosjet e varreve, plaçkitjet, fshehjet e gjurmëve të emrave të famshëm etj. Shpëtimi që e vinte në pah ai, nuk dallonte shumë nga plaçkitja, sepse thesari që ata e gërmonin, po arritën ta nxirrnin, nuk do të mbetej këtu, do të dërgohej në muzetë e tyre si trofe lufte a plaçkë, ashtu sikurse dërgoheshin dikur kolonat e gjata të skllevërve e të pasurive të rrëmbyera nga kolonitë. Nuk ia thosha kështu, por nuk pajtohesha me teorinë e tij të grumbullimit të gjërave të çmuara, në një ambient ku do të kishin mundësi t’i shijonin numër më i madh njerëzish. Nisa t’ia përmendja thesarin e mumiet e Egjiptit. I tregova për shumë gjëra me vlerë që u vodhën në tokat tona.

Tregu i vjetërsirave lulëzonte i papenguar edhe nën okupimin austro-hungarez. Prapë ai zhbironte për fatin e varrit të Gjergjit. Asnjëherë nuk ia pohova as nuk ia mohova ishte varrosur gjetiu mbreti ynë, apo aty ku shkruanin kronikat e kohës, në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Ai që i sigurt se varri i tij nuk u prek. Këtë iluzion e ushqeja edhe unë. Por, nuk ia thashë asnjëherë se ku e mendoja unë varrin e mbretit tonë, që binte ndesh me informacionin e tij. Shumica e kronikave e thoshin të kundërtën. Por athua varri ishte aty ku e thoshin kronikat e kohës apo gjetiu? Nuk arrinim ta zbërthenim as unë dhe as togeri.

Biseda me të nuk reshti gjithë pasditen, ai nuk e zhvlerësonte kronikën e Barletit, por hodhi mendimin se është shkruar për hir të një qëllimi më të lartë. Metodat i arsyetojnë qëllimet, ma thoshte thuajse ishte ushtarak i karrierës.

Ika në famullinë time. Rrugës takoja besimtarë, më ndalnin bashkëkombësit e fesë tjetër dhe më pyesnin të shqetësuar: – Atë ç’po ndodh me ne? – Nuk dija t’u përgjigjsha, por ua ushqeja shpresën:
– Ajo që ka nis nuk zhbëhet!

Pastaj lutesha për varrin e paprekur të mbretit tonë. Nuk e lanë të qetë në këtë botë, nuk e lënë të qetë as në botën e përtejme. Gjithnjë e kërkonin: disa për mburrje, të tjerët ta kapnin pas pesëqind vjetësh për t’iu hakmarrë.

Megjithatë diçka nuk shkonte si duhet. Dyshimi se ata që nga fillimi synonin kryevarrin, ndërsa antika a mesjeta e hershme ishte vetëm shkas, më bënte t’i shihja me dyshim. Gërmimet pranë katedrales së vjetër, aty ku supozohej se qe varrosur Gjergj Kastrioti, ma shtoi edhe më dyshimin. Hapja e gropës tjetër të gërmimeve në Kështjellë, e cila qe shndërruar në rrënoja, pavarësisht se edhe austriakët aty i bënë kazermat e improvizuara, ma forcoi bindjen. Ia thashë dyshimet superiorit në Shkodër, në takimin e parë. Një herë ia nisa një letër përmes korrierit të besueshëm, e kur ai ma kërkoi të takoheshim, atëherë ia shpjegova si ishte puna. Nuk m’u duk i befasuar. Ashtu sikurse unë, e priste një gjë të këtillë nga ekspedita austro- hungareze. Dyshimi na brente që nga fillimi, atëherë kur togeri na tha se hulumtimet arkeologjike do t’i niste në Lisus, në vend të Shkodrës.

– Biri im, – më tha Superiori, – ata do ta bëjnë të vetën, u dolëm ne në ndihmë apo jo. Duhem të tregohemi të matur, acarimet janë të dëmshme, – më qetësonte.

Pajtohesha me të. Në raporte të tilla s’kishte hatërmbetje, as inate. Togeri me grupin e vet do të kërkonte varret a kryevarrin, e ndihmuam ne apo jo.

Secila ushtri me të ardhur në Lezhë, niste nga varret, hapte e mbyllte varre dhe ia mbathte para ushtrisë tjetër. Popullata mbyllej nëpër shtëpi, ose ia mbathnin nëpër male, derisa kalonte stuhia e tërbimit të ushtrive.
Me arkeologun austriak vazhdonim të mbanim marrëdhënie të vakëta. Kur nuk bisedonin për varret a zhvarrimin, vinte në oborrin e kishës, netëve të gushtit. Nuk mungonte as ndonjë gotë verë e ftohtë e qilarit të vjetër. Fiku i kuq, ishte në të sosur, ndërsa atij i pëlqente shumë.

– Është fruta më e ëmbël në botë, i dalë nga Parajsa, – më thoshte: – i lëngshëm, e ngjitës. Nuk flisnin fare për luftën, as për politikën. Shihnim se austriakëve e aleatëve të tyre nuk u shkonin punët mirë, do ta pësonin fatin e perandorisë turke, por mbase me më pak pasoja. Si të mos na ndiqte jehona e krismës së topave, ne bisedonim për librat, filozofët e kohës dhe për verën e mirë, që prodhohej në këto anë. Me tregonte edhe për bisedat që bënte me të rinjtë, që studionin në Romë e Vjenë.
-Ndonjëherë kureshtjen e tyre e shndërroj në shaka me përgjigjen: kërkoja shpatën tjetër edhe më të gjatë se të parën, më tregonte duke i picërruar sytë.

Pastaj kthehej vrulltas nga unë: – E dini atë se asnjë vendës nuk e komentonte varrin e heroit tuaj. Sikur e ndrynin në vete ndonjë fshehtësi. Qytetarët kur afroheshin nga kureshtia, ditën e tregut, nuk flisnin fare, por kur i pyesja me përkthyes, ata rrëfenin legjenda për bëmat e heroit e jo për varrin apo varrimin.

-S’ka vorr mbreti jonë, ai asht në qiell, na vrojton, – më tha një malësor dhe iku në punën e vet, mjaft i zemëruar me pyetjen time, më fliste në natën e qetë të fundgushtit në oborrin e famullisë sime.
-Kjo ma forconte bindjen se varri duhej të ishte, pavarësisht që vendësit përpiqeshin ta mbronin edhe me mite, – tha i bindur në përsiatjet e veta.