NJË HIMN NDERIMI PËR RAMIZ KELMENDIN

0
1112

Xhemail Peci

Me rastin e shkuarjes në amshim të profesorit,
publicistit, veprimtarit dhe shkrimtarit Ramiz Kelmendi:

Njeriut që u bë Shembëlltyrë e që tërë jetën mbeti një Urti e Lartë

Në letrat shqipe, sa herë flasim me të, ajo me zjarr të shenjtë flet me ne: Shqipëria. Dhe kur sa herë i duhet të flas dhe sa herë i duhet të shkruajë, ajo flet vetë tek letërsia. Kur kohët janë ziliqare e kur thurin lajka me lule, dhe danajtë sjellin dhurata e stolira, po s’folët ju e po s’shkruat ju, për mua kush do flasë? Thellë shpirtit na flet zemërmira:

Ramiz, do nxjerrësh nga arkivat zërat e zemrës sime, dhe do hapësh edhe ca libra leximi. Do shkruash me majën e penës sate si anza vet, e do flasësh thellë nga frymëzimi, Do shkruash për zogjtë e mi, ashtu siç shkruan për fletët e Sibilave të Virgjilit. Unë do ta vë dorën në zemër, e ti do ta vësh zemrën në letër. O, do më shkruash prej shpirtit!

Kam etje në sytë dhe në bebëzat kam mall, e zemra më mbytet në vaj prej mallëngjimit. Nëpër fletët e gazetave nisi rruga ime kur shkruan me gjak dritës së kandilit. Kam një mall në shpirt, dhe një brengë në zemër e kam si flaka e vetë Qiririt. Nga Kongresi i Berlinit më thau malli e s’më shkroi kush si ti Letra prej Ulqinit!

Orakulli i Dodonës u nis të ma sillte një lajm e një kartë të ma falte si një ogur. Tek vijat e kufirit, degët e Lisit Ilir shtrydhën gjakun, e lotët më rodhën si krua: zgur! Do shkruash me shkronjat e shpirtit tim, edhe për Bashkëluftëtarët e Skëndërbeut! Ramiz, u shua Lahuta, ra heshtja, graniti u thye, ndaj penën rroke, o burrë i dheut!

Do flasësh hijshëm dhe me shije, e tok do të kesh edhe buzëqeshjen filozofike. Si Diogjeni: Lëshomani hisen e diellit, do ua thuash kur shfaqen zaret cinike. Do vishesh hijshëm si Lasgushi dhe do ecësh me gjithë takt, Pejës dhe Prishtinës. Do qeshësh lirshëm si Mitrushi, e fjalën si zambak në gjak, sikur lule mbirë në mes të stinës.

I kujt ishte ai zë, e nga vinte ai mall, ajo thirrje dhe ato klithma prej thellësive të zemrës?!…Mbi Penën e Artë ka rënë – bekuar e bardha e shamive të lokemadheve të Rugovës, përmbi penën e bardhë ka rënë zemërthirrja e breznive orëmira. Në magjinë e fjalëve, ka rënë bekimi i shenjtë i Lisit të Gjakut, ka rënë o nënë mbi të: Heshtja e Armëve!

Ka rënë e bardha e bukurive të Pejës, e tok me të gjakimi i Lasgushit për Drinin e Bardhë. Ka rënë, o mëmë, në zemër prej ditëve të burgut, shpresa se një ditë ka me zbardhë. Ka rënë shami e bardhë e Ajkunës e tok me të edhe Lumbardha e Anakreontit. Ka rënë Ujëvarë e Bardhë e Mirushës mbi penën e denjë, siç bie sipër fjalëve vetë bekimi i Zotit.

Do shkruash fejtone e do nxjerrësh pluhurit të harresës gjithë ato Letërkëmbime. Do nxjerrësh edhe Polemikat në Letrat Shqipe, e zemrën tok me penën ndër ligjërime: unë marrë nga zemra jote, ti merr nga zemra ime! Unë vie tek ti e ti vie tek unë, në urën e pesherëtimave rrethuar me gardh e hekura, populli s’duhet të bëjë gjumë!

Do ta falë dorën time të djathtë, se kam mall të më shkruash për Faik Konicën! E prapë ta falë dorën time të djathtë se e dua një mbishkrim edhe për Elena Gjikën. Kur i shkroi De Rada: Mirësisë engjëllore të zemrës suaj, e dua veç prej duarve tua! Ramiz, dy dashuritë si Perëndia t’i falë: Migjenin dhe Konicën në zemrën si krua.

Në shtegun e ballit si shtegun e malit, e dua ligjërimin e gjakut në fjalët e tua. Në thelpinjtë e zemrës i dua fjalët që si Drini i Bardhë, të rrjedhin aq fort për mua. Mes përmes Shqipërisë dua t’i bie, si Lasgushi e me të Fishtës atë gjuhë Perëndie, se me flatrët e fjalës sate sa lart e ngrite atë penë me rreze drite: e ngrite një Republikë të tërë Letërsie!

Zemërthirrjen e Petro Nini Luarasit, dua ta shkruajë prapë në ballë të kohës, kur tha se njëqind herë po të biem, sërish duhet të ngritemi. Shqiponjës kur flatrat i dhanë fatosat e kombit – Rozafa kur i mëkoi me qumështin e gjirit. Me penën tënde dua ta shkruajë se breznitë orëmira perënditë ilire i zgjojnë prej gjumit.

Ramiz, u nise për në Portën e Madhe të Letërsisë, kur i kishe vetëm 16 pranvera! Me firmën tënde Hija e Lirisë! Bardhësi Rugove mbolle në flatra fjalësh, se fryma jote e fundit sot e mot është: Fjala!. Sot kalove nga e njëjta Portë e u përcolle nga Republika e Lirisë! E Breznitë Orëmira të puthën ballin për tek përjetësia: Ramiz, thellë penës dhe zemrës sate, më e shenjta dashuri jam unë: Shqipëria!

Londër, 11 janar 2017