Në asnjë fushë të jetës, gjërat nuk ndryshojnë vetvetiu. E më së paku në punët e shtetit dhe të politikës. Ky mendim është aksiomatik. Ndaj, duhet një forcë njerëzore që t’i ndryshojë ato. Nga përvoja e dimë se, për të mirë apo për të keq, lëvizjet shoqërore i bëjnë njerëzit: sidomos ata që besojnë në ide, kanë respekt për njeriun, dhe bashkohen rreth parimeve e idealeve të përbashkëta. Ndryshe, shoqëritë që besojnë në teori të fatit, dhe që zgjidhjet për vetvete i projektojnë jashtë vetvetes, janë të predestinuara të përsërisin gabime të njëpasnjëshme. Ashtu siç po bëjmë ne shpeshherë.
Janë bërë shumë vite që kur sillemi vërdallë temave të njëjta, pa provuar të kërkojmë alternativa e të gjejmë zgjidhje. Tash sa vite kemi konsumuar debat të pafund, por jo për të kërkuar zgjidhje. Ma shumë shkruhet e flitet për të stigmatizuar, përbaltur, kritikuar dhe përbuzur dikë e diçka, sesa për të gjetur shtegdalje nga problemet e rënda e reale.
Tash e sa vite, kemi provuar dhe kemi lejuar, para syve tanë, një kulturë minimaliste të debatit. Ku flitet e shkruhet shumë dhe me mllef. Ku shkruhet e flitet kundër politikanëve, përbuzen akademikët, shpërfillen shkrimtarët e gazetarët, përçmohen profesorët e intelektualët, anashkalohen profesionistët e të dobëtit. Thjesht, kësisoj, shoqëria është shndërruar në një gërmadhë njerëzish të çorientuar, ku nuk e njeh qeni të zonë, dhe ku gjithsecili ka mendime për gjithçka dhe në çdo kohë.
Kjo kulturë e debatit, ka bërë që shoqëria jonë, në masë të madhe, verbërisht të besojë se zgjidhjet dosido do të vijnë nga jashtë, apo nga një forcë e panjohur. Si rezultat i këtij mendimi foshnjor, shumica më nuk beson në kapacitet e brendshme; pra në aftësitë tona për të bërë shtet, kulturë, arsim, gjyqësi, shëndetësi, media, etj., sepse “ne nuk jemi të zotë për asgjë”, dëgjohet kudo dhe përditë.
Pa dyshim, kjo është katandisje. Mirëpo, pyetja që shtrohet natyrshëm këtu është: kush e ka shkaktuar këtë katandisje?
Një gjë është e sigurt: deri te kjo gjendje nuk është ardhë për një ditë dhe as për një vit, dhe se nuk është vetëm një faktor, por janë shumë. Mbase, kryesori, mund të jetë niveli i ulët e debateve, injoranca me bollëk, gjuha neveritëse dhe pakontrolluar publike, që kanë minuar hapësirën publike dhe kanë ndihmuar që në sytë e tanë të rriten profetë të rremë (Frederik Rreshpja), që na premtojnë parajsën për çdo ditë, ndërkohë që ne ballafaqohemi, jo rrallëherë me ferr.
Për vite të tëra jemi ballafaquar me një apori debatesh pavlerë, ku mësymja kundër njëri-tjetrit, është bërë pa fije etike profesionale. Dhe kjo ka bërë që të konsolidohet e keqja, të promovohet angaria, mendimet stihike dhe personalitet që ndërrojnë mendime sa herë ndërrojnë stinët. Po ashtu, ky nivel i debateve, ka krijuar hapësira për gjithfarë karagjozësh, që të shfaqin mendime për çdo temë dhe në çdo kohë; duke ia filluar nga politika te shteti, nga historia te kultura, nga heronjtë kombëtarë te çështjet e mëdha botërore, nga ekonomia te sporti.
Jemi në fillim të vitit 2017-të dhe përplasjet vazhdojnë me të njëjtën gjuhë e me të njëjtin ritëm. Me të njëjtën logjikë përjashtuese, me të njëjtën propagandë, me të njëjtën intencë: të prodhohet sa më shumë amulli dhe të degdiset njeriu.
Ne e dimë se nga kaluara – qoftë ajo e largët apo e afërt – nuk mund të ndryshojmë asgjë. Mirëpo, një gjë është e qartë: përpara e kemi një vit të zbrazët, të cilin mund ta mbushim me lajme të mira, ide të shëndosha, respekt, humanizëm e solidaritet. Kështu ndihmohet uniteti shtetëror e kulturor, dhe në këtë mënyrë, ma së miri përmirësohet atmosferë e zymtë dhe kriza e besimit ndërmjet nesh.
Që të ndodh një gjë e tillë, nuk kërkohet kurrfarë shkopi magjik e as mrekulli. Nuk duhet forca të jashtme, por na mjafton gjuha, prej së cilës varet çdo gjë. Prandaj, është koha e volitshme, që ta fillojmë një betejë për njeriun, dhe kusht i domosdoshëm në këtë drejtim është angazhimi për ta rritë në opinionin publik gjuhën e dashurisë dhe minimizimi e gjuhës së urrejtës.
Dihet se fuqia ma e madhe për të ndryshuar diçka qëndron te ne, te mënyra sesi e përdorim gjuhën, te opinionet tona, sidomos ato publike. Nëpërmjet gjuhës mund të rritet kultura e besimit, respektit dhe solidaritet ndërmjet njerëzve, vlera e virtyte këto për të cilat kemi shumë nevojë.
Për çdo ditë po e i shijojmë frytet e gjuhës helmuese, që tani është kthyer kundër krejt sistemit; kundër çdokujt. Kjo gjuhë ka ndikuar pa masë që të rrafshohet çdo vlerë, sidomos ato që janë kalcium për një kombi a shteti. Për pasojë, vetëmjaftueshmëria është bërë sindrom endemik. Flasim shumë dhe dëgjojmë pak. Zgjohemi si europianë të zellshëm e patetikë, punojmë e veprojmë si anadollakë, ndërkohë që biem, pa pasë të qartë, vërtetë kush jemi!
Në fakt, kjo atmosferë ka krijuar ndjenja të përkohshmërie, sikur shtetin e kemi përkohësisht, për sot, prandaj edhe zgjidhjet për problemet serioze, gjithmonë i presim pa nguti dhe mundësisht nga jashtë.
Kjo atmosferë e zymtë shoqërore, gjithsesi të shpie te pyetja: a ka çka të thuhet ma shumë? Pyetja si e tillë shtrohet, sepse është krijuar përshtypja se janë thënë të gjitha, dhe më s’ ia vlen as të shkruhet e as të flitet: askush nuk dëgjon dhe shumëkush shpërfillë, nënçmon, linçon.
Me kamzhikë nuk zgjidhet asnjë çështje, porositin të diturit. Mirëpo me ide të reja dhe kreative, po.
Kriza e besimit na ka hutuar të gjithëve.
Prandaj është bërë krejt e natyrshme, te ne, të dëgjosh se si kundër shtetit, të flasin politikanët që e kanë bërë atë, kundër letërsisë, të flasin shkrimtarët, që e shkruajnë atë, kundër historisë, të flasin historianët që e bëjnë atë, kundër mediave, te flasin gazetarët që i bëjnë ato. Thjesht, kjo është një çoroditje shoqërore, të cilën duhet ta mposhtim.
Sot, shumëkush mëdyshet: çfarë bëhet me temat fondamentale, siç janë humanizmi, besimi i ndërsjellët në shoqëri, kultura e respektit dhe solidaritetit, vlera këto universale dhe të përhershme. Kemi mbetë duke i numëruar plagët shoqërore, kryesisht të lidhura me politikën, mirëpo, vetëdijshëm ose pa të, kemi “harru” se ka tema shumë ma të rëndësishme, që lidhen me njeriun dhe ontologjinë e tij, dhe që janë qenësore për ekzistencën tij. Dhe disa nga to, pa fije dyshimi, janë mungesa e besimit, respektit dhe solidaritetit. Sidomos solidariteti në punë, në parime, ide e ideale, ndërmjet njerëzve që kanë synime të përbashkëta.
Ne, në fakt, krekosemi se jemi shoqëri solidare, mirëpo, nëse e provojmë këtë, faktet na dalin të kundërta. Sepse, të jesh solidarë, domethënë të bashkohesh me idetë, qëllimet dhe veprimet e një tjetri, për të arritur një qëllim të përbashkët. Një gjë të tillë, gjer me sot, e kemi dëshmuar shumë pak. Dhe për këtë, ma së miri flet paaftësia për të qenë unik në tema jetike për shtetin e kombin.
Pa mëdyshje, nuk është normale që përbrenda një shoqëri askush të mos tregojë respekt për askënd. Prandaj, është koha që të fillojmë ta zvogëlojmë të keqen dhe ta rrisim të mirën. Përvoja e ka dëshmuar se kjo është filozofia ma e mirë për ta ndërtuar të sotmen, dhe sigurisht, rruga ma drejt kah një ardhme ma e mirë. Deri me tani, murtaja e gjuhës nuk na ka sjellë asnjë të mirë. Të këqija shumë. Ta provojmë me gjuhën e dashurisë, respektit dhe solidaritet për njëri-tjetrin.
Shënim: Kemi të bëjmë me një problem fundamental. Le Bon sqaron se te racat e ulëta dhe turmat vërehen këto fenomene, si: saktësi e ulët, mos mësim nga përvoja e jetës, mosrespekt për liderët e zgjedhur, dhe liderët e zgjedhur nuk e respektojnë popullin nga ku kanë dalë, organizim e drejtim i një niveli të ulët, etj. Nuk e di a ngjan ndonjë nga këto përshkrime, me ne shqiptarët në përgjithësi?! /AÇ