Krimi i organizuar dhe korrupsioni – gangrenë e Kosovës

0
1157
Demarkacioni Kosovë - Mal i Zi

Shkruan: IDRIZ ZEQIRAJ

Krimi i organizuar, Korrupsioni dhe Demarkacioni, padyshim, kanë qenë sfidat më të mëdha për Kosovën edhe gjatë vitit që lamë pas, 2016. Sfida e parë, krimi i organizuar politik – vrastar dhe ekonomik, korrupsioni, thënë shqip – hajnia zyrtare është e vjetër, e filluar në prag lufte, e vazhduar gjatë dhe pas luftës.

Si dhe pse nismoi krimi i organizuar dhe pse mbijeton, nuk mbaron?!
Kjo pyetje-dilemë vazhdon të përsëritët ndër vite, madje, jo pa habi! Sepse, në vend të ndëshkimit, cinikisht e kriminalisht, është shpërblyer, në mënyrën më unike, për të gjitha vendet dhe kohërat, duke i poshtëruar shqiptarët si komb dhe duke e turpëruar Evropën dhe botën, përkatësisht, Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, të angazhuara për siguri e ligj në Kosovën tonë.

Urtësia proverbiale e Rugovës,
fat për Kosovën

Serbia pushtuese e Millosheviçit, e trimëruar nga lufta masakruese në Bosnje, shtoi dozën e provokimeve për luftë kundër Kosovës, me një skenar të gatshëm, të huazuar nga Greqia në Çamëri, shpopullimin e dhunshëm të Kosovës. Por, ishte urtësia proverbiale e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili, edhe pse mendoi dhe përgaditej për luftë të mundshme me Serbinë, qysh në nismë të viteve ` 90-a, në pajtim me miqtë amerikanë, duke llogaritur raportin e forcave, i shmangej konfrontimit të parakohëshëm. Ai dhe LDK-ja, si lëvizje popullore e masive, mirë e organizuar, vepronte, në vijimësi, për ta bindur dhe nxitur Evropën dhe botën demokratike, për ta frenuar revanshizmin, në rritje, të Serbisë agresore.

“Të mbrohet pragu i shtëpisë”-, ishte porosia – kushtrim e Presidentit Rugova, në nëntor 1997, me rastin e një sulmi të policisë në Familjen e Shaban Jasharit. Celulat e çetave guerile, kryesisht, luftëtarë të LDK-së, në Dukagjin, Drenicë dhe LLap, të përfaqësuar, përkatësisht, nga kryeçetanikët: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, aktivizohen për rezistencë, mbrojtje të armatosur.

Shkelja e Marrëveshjes të Osllos,
tradhti ndaj Kosovës

Ndërkohë, ushtarakët profesionistë, të ikur nga Armata Jugosllave, të strehuar në Shqipëri dhe Evropë, intensifikojnë përgaditjet për luftë çlirimtare. Në kryeqytetin norvegjez, Osllo, u organizua një takim dhe u bë një marrëveshje për unitet veprimi të palëve në kundërthënie, pra, krahut institucional, të përfaqësuar nga LDK-ja dhe ekstrimit të majtë, LPK-së.

Si garantues i kësaj marrëveshjeje ishte Adem Demaçi, i cili, me zikzakët hileqare, hipokrite e ideologjike, e degradoi dhe e braktisi turpshëm. Veprimet përçarëse, në vijimësi, heshtja aprovuese e vrasjeve politike, e leckosën simbolin e rezistencës së dikurshme, e baltosën dhe e kthyen në hiç. Në këtë llumhane ideologjike e pasuan Demaçin edhe shumë ish të dënuar politikë, robër të ideologjisë staliniste, duke e vënë në dyshim edhe angazhimin fillestar politik të tyre. Të joshur pas posteve, u bënë rregëzinë e halabakëve të LPK-së të Mërgatës, disa syrësh hafije të Sigurimit jugosllav dhe shqiptar – njëherësh.

Krerët hafije të LPK-së, robër të
SHISH-it dhe të UDB-së

Krerët hafije të LPK-së, robër të Sigurimeve sekrete të cituara, morën urdhër për sabotimin e organizimit institucional të luftës çlirimtare. Të instruktuar nga garda pushtetare social-komuniste, e cila, pas përkalljes dhe përgjakjes të Shqipërisë, e prirë nga: presidenti Rexhep Mejdani, kryeministri Fatos Nano, (ky fundit u tërhoq shpejt nga intrigat, duke i konsideruar si njerëz pa vlerë e moral krerët e LPK-së), kryeparlamentari Skënder Gjinushi, ministri i jashtëm – Pakal Milo, stalinisti Ilir Meta, kreu i SHISH-it Fatos Klosi, me bandën e gjeneralëve ushtarakë, kishte hypur në kupolë të shtetit; pushtuan Redaksinë e Lajmeve për Kosovën, pranë Radio-Televizionit Shqiptar dhe filluan lehjet pa cenzurë. Pushtuesi u harrua, duke u zëvendësua me me anatemimin, mallkimin e LDK-së dhe Ibrahim Rugovës.

“Kthim prapa nuk ka”, – urdhëroi oficerët
e FARK-ut Komandanti Rugova

Faktori ushtarak institucional, me emërtimin adekuat – Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës -, (FARK), të kryesuara nga kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i luftës, i ndodhur në rrethana supër-specifike, i shantazhuar nga Qeveria Shqiptare dhe këlyshëria e saj, Lëvizja (LPK-ja), kërkoi takim dhe konsultim me Presidentin Rugova, të cilin e njihnin si Komandant të Përgjithshëm.

Ushtarakët profesionistë dhe atdhetarë të devotshëm, duke qenë fort të demoralizuar, nga situata e krijuar, refuzuese dhe provokative, për ushtarakët institucionalistë, në Shqipëri, shtruan pyetjen: “Çfarë të bëjmë?” Dhe, përgjigja ishte e prerë: “Ju jeni profesionistë, e dini çfarë bëni…Kthim prapa nuk ka!” Pastaj shtoi: “Ju jeni e ardhmja e luftës dhe e lirisë të Kosovës”, – qe përgjigjur Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës – (FARK), Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Dr. Rugova përgaditi strukturat e luftës

Krijimi i Ministrisë të Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ; dërgimi i djemëve të Kosovës për përgaditje ushtarake në Shqipëri, me marrëveshje me presidentin Ramiz Alia, në fillim të viteve `90-a; urdhëri – për të mbrojtur pragun e shtëpisë -, në vjeshtën e 1997-ës dhe – nuk ka kthim prapa -, urdhëruar ushtarakët profesionistë e institucionalistë, më 1998, është dëshmi vetëfolëse se Dr. Ibrahim Rugova, kurrë nuk e përjashtoi luftën.

Dhe, këto fakte të dokumentuara, me inçizime zënore origjinale dhe të shkruara e firmosura, në shumë dhjetra dokumente zyrtare, nga Dr. Rugova, demantojnë, madje bindshëm, të gjithë lehaqenët ekstremistë stalinistë, të ideologjisë së mykur sllaviste; se, kinse, “Rugova përjashtonte luftën dhe kërkonte vetëm autonomi për Kosovën!?”

Kolonel Ahmet Krasniqi – krijues
i infrastrukturës të luftës

Kolonel Ahmet Krasniqi, me kuadrin e tij ushtarak, me shkathtësi e profesionalizëm, krijoi infrastrukturën e luftës: hapi qendrat ushtrimore në Qerret të Kavajës; në Kolsh e Kalimash të Kukësit; në Viçidol e Papaj të Tropojës; në Drojë të Kurbinit. Në Kosovë u aktivizua guerilja, me burra e djem të përgaditur ushtarakisht.

Në Koshare, u krijuan brigadat për luftë ballore me armikun, nën komandën e ushtarakëve profesionistë, duke thyer suksesshëm kufirin dhe përgjakur ushtrinë pushtuese serbe. Ashpërsinë dhe lavdinë e Luftës të Kosharës, si kurorë të luftës çlirimtare në Kosovë, e përjetësojnë 114 dëshmorët e rënë, në mes tyre komandantët heroikë, Sali Çekaj dhe Agim Ramadani me shokë. Beteja fitimtare e Loxhës, e udhëhequr nga koloneli strateg e trim, Tahir Zemaj: lufta në Pashtrik, Prapaçan, Llukë dhe gjetkë në Kosovë, kishin vulën e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK).

“Komandantët” e “Rognerit” – pa asnjë
betejë të shënuar

Ndërsa, faktori tjetër “ushtarak”, me seli në “Rogner” e Bllok të zi, i cili u identifikua, falsifikueshëm, me “UÇK-në”, nuk arriti kurrë të organizohet për luftë kundër pushtuesit. Nuk ka asnjë betejë ballore të shënuar e asfare të fituar. Nuk ka arritur të shënojë asnjë aksion të suksesshëm. Përkundrazi, me provokime, në largësi dhe kot se koti, ka shkaktuar shumë qindra viktima, qytetarë shqiptarë të pambrojtur, duke “sjellë ujkun në torishtë”.

Unifikimi i faktorit ushtarak dështoi, edhe pse LPK-ja nuk ishte ndonjë faktor real, sepse ishte minor, i vogël, i papërfillshëm, më sakt, fiktiv. Por, mbijetoi si emër, në saje të propagandës lehaqene nga Tirana zyrtare e kohës. Megjithatë, mbajtën të njëjtën uniformë ushtarake. Arsyeja: ministri Ahmet Krasniqi ishte vullnet-mirë për pajtim dhe shpresonte për unifikimin, bashkimin, me synimin madhor, për ta krijuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, e cila mbeti një ëndërr fisnike, në mendjet dhe zemrat e popullit të Kosovës, në pamundësi realizimi asnjëherë, pas shuarjes të Kolonel Ahmet Krasniqit – Hero i Kosovës.

Milionat e fondeve u përdorën për vrasjet
politike dhe pasurim të “komandantëve”

Arsyeja tjetër, shefat e Qeverisë në Ekzil, Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, i dhanë milionat krerëve të LPK-së, krejt pajustifikueshëm dhe pa fije mbulese, sepse Lëvizja ishte më shumë simbolike, se sa faktike, ngaqë ajo nuk përfaqësonte forcë reale në luftë. Thënë troç, paratë e marra, qoftë nga Fondi legal, ligjor i 3%-shit, qoftë nga Fondi ilegal, i paligjshëm, me emërtesën emocionale “Vendlindja thërret”, nuk u përdorën kurrë për luftën.

Përkundrazi, mbetën xhepave të “komandantëve” pa ushtarë dhe u përdorën, kryesisht, për pagimin e bandave mërcenare në vrasjet politike dhe pasurimin marramendës të ideatorëve, organizatorëve, kryekriminelëve pushtetarë me bashkëpunëtorë, kryesisht, të dy partive-banda: PDK-së dhe AAK-së.

LPK-ja, lehaqenas, përvehtësoi
luftën e FARK-ut

Uniforma e njëjtë ushtarake, i mundësoi LPK-së së djeshme e PDK-së dhe AAK-së të sotme, ta përvehtësojnë luftën e pa bërë, të cilën, faktikisht, e bëri FARK-u i Kolonel Ahmet Krasniqit, Kolonel Tahir Zemajt, Sali Çekajt, Agim Ramadanit, Ekrem Rexhajt, Rrustem Bruçajt, Smajl Hajdarajt, FARK-u i gardës të komandantëve ushtarakë profesionalistë, (shkollarë të Akademive të zëshme ushtarake}, të Kosharës me shokë dhe ushtarët trima, anekënd Kosovës.

Përndryshe, nëse pas dështimit të unifikimit, do të bëhej edhe ndarja në FARK dhe “UÇK-e”, LPK-ja do të dilte jashtë loje, siç thotë populli “me buzë të kuqe”, pa asnjë meritë të luftës, ashtu siç është në të vërtetë ose, më sakt, me meritën e sabotimit të luftës!

“Komandantët” profanë i sakrifikuan
djemtë luftëtarë dhe popullin

“Komandantët”, që nuk kishin bërë as shërbimin normal ushtarak, u vunë në komandë të grupeve të luftëtarëve! Edhe pse kishte oficerë të karrierës, ata i detyruan të hapin kanale mbrojtëse, “rova”, me arsyetimin se kanë studjuar në Akademitë Ushtarake Jugosllave! Për rrjedhojë, mosnjohja e taktikave dhe strategjive të luftës, i sakrifikuan shumë të rinj, duke i përdorur si “mish për top”.

Grupe luftëtarësh, të ardhur nga LDK-ja, siç e pranon kuadri Fatmir Limaj, komandoheshin nga profanët, injorantët, kinse, “komandantë”! Ata i pykonin nëpër pika, në rrugët rajonale. Dhe, me sulmin e parë të motorizuar armik, vriteshin të gjithë, pa pasur shans e as mundësi rezistence apo shpëtimi, me përjashtim të “komandantëve”, të cilët strukeshin në vende të sigurta. Shembullojmë me vrasjen e dhjetra djemëve, të pykuar në pritën rrugore, në relacionin Istog – Radavc!

“Komandantët” profanë e hiçër, me injorancën e tyre, jo vetëm dështuan në mbrojtjen e qytetarëve të pa armatosur, por favorizuan armikun, për t`i vrarë e masakruar ata. Më së shumti e pësuan banorët e Lugut të Drinit, në komunën e Istogut dhe të Pejës, të cilët, këta “biçim komandantësh” i mbajtën, madje dhunshëm, me kërcënimin se “cilido që provon të largohet nga shtëpitë e tyre, do ta vrasim ne!”

Kur pushtuesit serbo-sllavë sulmuan furishëm këto fshatra, vranë e masakruan qytetarët e pambrojtur, ndërkohë që “komandantëte UÇK-së”, ia kishin “mbathur”, ikur me kohë. Grupe qytetarësh, kur mësuan se “komandantët”, tashmë, kishin kaluar kufinjtë e Kosovës, filluan largimin me traktorë e mjete tjera rrethanore. Por, përgjatë rrugës armiku i ndaloi kolonat, përzgjidhte burrat dhe djemtë, i arrestonte ose i ekzekutonte, madje në prezencë të familjes, siç veproi me djemtë e Kashicës të Istogut, 8 (tetë) syrësh i vrau me nga një plumb kokës, në rrugën Deçan – Gjakovë.

Në këtë plojë, masakër e ka hisen, pjesën e vet edhe i ashtuquajturi Drejtrori Politik i “UÇK-së”, Hashim Thaçi, i cili, me qëllim të sabotimit të luftës, intrigoi për largimin e Komandantit të Rrafshit të Dukagjinit, Kolonel Tahir Zemaj, ushtarak i karrierës, duke e zëvendësuar me një “komandant” të pashkolluar, lehtësisht i manipulueshëm, pa asnjë përgaditje as për luftë e aq më pak për komandë, pavarësisht vullnetit të mirë që mund të kishte, por që është krejt i pamjaftueshëm për një luftë frontale, ballore.

Për rrjedhojë, qytetarët e Rrafshit të Dukagjinit mbetën të pambrojtur, në mëshirën e fatit dhe e pësuan me vrasje masive dhe kidnapime numerike, sepse ushtarakët institucionalë u penguan, u përndoqën, deri në plumb, nga bandat e LPK-së. Dukagjini zënë vendin e parë me nurin e personave të kidnapuar ose, siç thuhet, të pagjetur, të zhdukur.

Dhe, për këtë duhet të japë llogari Hashim Thaçi me shokë, i cili me politikën sabotuese të kuadrit, e la pa komandë profesionale ushtarake Rrafshin e Dukagjinit. Trimëritë folklorike, që u mëvishën “komandantëve profanë, të pa ditur, në bisht të lahutës, janë kamuflim e fajeve faktike, tashmë, të bëra, madje me pasoja fatale për popullin, Kosovën.

Kolonel Tahir Zemaj ishte një strateg dhe organizator i shkëlqyer i luftës ballore. Nën komandën e tij u vunë oficerë të karrierës që nga Dardana, Llapi e Gollaku, Drenica dhe Dukagjini, të bindur në aftësitë e tij ushtarake. Betejën rrufe të Loxhës, beteja e parë ballore me pushtuesit serbo-sllavë, e fitoi me vetëm tre luftëtarë të vrarë: oficër Rrustem Bruçaj, nga Isniqi, ushtarët Lumni Surdulli nga Dardana dhe Enver Alaj nga Drenoci i Deçanit.

Në një tubim masiv, të organizuar gjatë luftës në Mannheim të Gjermanisë, Kolonel Tahir Zemaj, i tmerruar nga “komandimi” idiotesk dhe humbjet enorme në Kosovë, thoshte:

“Nëse vetëm një ushtar do të vritej, për dobësitë e mia komanduese, unë atë ditë do ta vrisja vetën”.

Pas fitores spektakulare të Betejës të Loxhës, në mungesë të armatimit të domosdoshëm për lufte dhe nevojës të domosdoshme të shpëtimit të popullatës, e cila kishte ikur nga zonat tjera të luftës dhe ishte strehuar në Pejë dhe përrreth saj, Kolonel Zemaj do t`u thoshte oficerëve dhe ushtarëve trima të tij:

“Në, sot, me luftë mund ta marrim edhe Pejën. Por, a mund ta mbajmë me armatimin e pakët që disponojmë?! As rregullat, ligjet e luftës dhe as Kanuni nuk lejon sakrifikimin e popullatës të pambrojtur, e cila nga ne, sot, pret shpëtimin. Andaj, ju urdhëroj të bëjmë të pamundurën, për t`i shpëtuar shumë mijëra qytetarë, që, tashmë, janë të skspozuar dhe të shenjëstruar nga armiku, në shenjë hakmarrjeje nga beteja e sapo humbur në Loxhë”.

Dhe, në koordinim me Komandantin e Rugovës, trimin dhe kuadrin e përgjegjshëm dhe besnik të Presidentit Rugova, Smajl Hajdaraj, organizuan mbrojtjen dhe shpëtimin e shumë mijëra njerëzve të rrezikuar me jetë. Shpifjet denigruese e tërësisht falsifikuese se, kinse, Tahir Zemaj “dezertoi” nga lufta apo “dorëzoi armët”, nuk kanë asnjë bazë reale.

Përkundrazi, janë shpifje të qëllimshme e thellsisht inatçore, nga ata që dështuan turpshëm, qoftë në luftë, qoftë në mbrojtjen e popullsisë të pambrojtur. Sepse, kundërshtarët e Kolonel Zemaj anashkaluan luftën kundër pushtuesit, Serbisë, duke vazhduar me luftën kundër Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe Ibrahim Rugovës, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Kundërshtarët kishin mbështetjen e Tiranës zyrtare dhe miratimin e heshtur nga ana e Serbisë, sepse i lidhte ideologjia komuniste sllaviste, ishin palë në koalicionin e majtë. Fundja, Kolonel Tahir Zemaj ka qenë institucionalistë dhe ka pasur një komandë supreme, urdhërat e së cilës i ka zbatuar.

SHIK-u terrorist u krijua nga
Tirana zyrtare dhe Serbia

Faktori “ushtarak” i LPK-së, ende pa filluar lufta, në ujdi, pajtim me SHISH-in e Klosit dhe UDB-në e Serbisë, krijuan organizatën e SHIK-ut, të cilët i ushtruan sigurimsat e Enver Hoxhës dhe disa të tjerë në Francë. Kjo ishte përgaditje speciale për atentatimin e kundërshtarëve politikë, me qëllim të marrjes të pushtetit më dhunë, praktikë kjo e huazuar nga OZNA (shërbimi sekret ushtarak jugosllav) dhe ai shqiptar, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sigurimsat e Enverit, bashkë me shtabin e “Rognerit”, pas çlirimit, hynë në Kosovë, u stacionuan në hotel “Theranda”, në Prizren e gjetkë dhe vazhdonin instruktimin e vrastarëve, madje, “para hundëve” të UNMIK-ut dhe të KFOR-it, për atentatimin e ushtarakëve dhe veprimtarëve të LDK-së të Ibrahim Rugovës.

Krimi i organizuar, vrasjet politike, filluan para luftës, më 1997, me vrasjen e Ali Ukës, gazetar dhe zëdhënës, i cili ndante dhomën me Hashim Thaçin. Ky i fundit u arrestua, me akuzën e vrasjes, në bashkëpunim, por, siç thotë Xhavit Haliti, “i telefonova një gjenerali shqiptar dhe e liroi Hashimin!” Deri në këtë shkallë ishte bashkëpunimi në krim i dy Sigurimeve kriminale shqiptare!!

Ekzekutimet zyrtare të ushtarakëve
dhe të veprimtarëve në Shqipëri

Krimet e para, SHIK-u i Kadri Veselit, në koordinim me SHISH-in e Klosit, i realizuan brenda territorit të Shqipërisë londineze: ministrin e luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, e ekzekutuan në Tiranë; veprimtarin e LDK-së në Zvicër dhe kuadrin ushtarak të Shtabit në Tiranë, Sadri Ramqaj, e zhdukën pa gjurmë; shefin e emergjencës të Lëvizjes, Ilir Konushevcin, së bashku me Dr.Hazir Malaj, nga Tropoja, i ekzekutuan në rrugën Qafë Mali – Fierzë, Tropojë; veprimtarët, kontribuesit për luftën – Vëllezërit Brahim dhe Rexhep Nikçi, bijtë e luftëtarit nacionalist të Rugovës, Sylë Mehmeti – Nikçi, burgaxhi politik, i vranë në pritë, në rrugën Kalimash – Kukës.

LPK-ja, me organizatën e saj kriminale e terroriste, në koordinim me Tiranën zyrtare komuniste dhe UDB-në, pasi refuzuan, pamundësuan unifikimin, bashkimin e faktorit ushtarak, me qëllim të sabotimit të mëtejmë të luftës për çlirim të Kosovës, vendosën për rrënimin e infrastrukturës të luftës, të cilën e kishte realizuar Ministri i Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi.

Për krijimin e pikave, kampeve ushtrimore ushtarake, është e nevojshme një hapësirë, fushë tokësore. Dhe, tokat në Shqipëri, pas viteve `90-a, kanë pronarë privatë. Për marrjen me qira të kësaj toke, gjithëherë, është gjetur për ndihmë ndonjë atdhetar i devotshëm e vullnetmirë. Njeriu që angazhohej për gjetjen e kësaj toke, ishte, njëherësh, edhe garantues i përdorimit, deri në mbarim të luftës, sepse përgaditja e ushtrimorës ka koston e vet materiale.

I tillë ishte Rushit Elezi, pinjoll i një familje të zëshme nga Kukësi, i cili, bashkë me të vëllanë Hajriun, mik i Dr. Berishës, u vunë tërësisht në shërbim të luftës të Kosovës. Dhe, pika ushtrimore nuk mund të merrej pa eliminimin fizik të bërësit të kontratës. SHISH-i dhe LPK-ja organizuan pritën dhe e ekzekutuan kontraktorin e ushtrimorës ushtarake në Kolsh dhe Kalimash, Rushit Elezin, në rrugën Kukës – Lajthizë. Banditët, duke vrarë dhe zhdukur ushtarakët kundërshtuesë të FARK-ut, pushtuan dy ushtrimoret.

Kështu vepruan edhe me kontraktorin e ushtrimores të Papaj, Muharrem Tafaj, (mik besnik i heroit Sali Çekaj), së bashku më Qazim Jakupin, (babai i këngëtarës të zëshme Leonora Jakupi), i aksidentuan për vdekje, duke i hedhur në humnerë, në rrugën Fierzë – Qafë Mali. Mëgjithatë, banda e LPK-së nuk arriti ta pushtojë ushtrimorën në Papaj, sepse, duke pasur parasysh shëmbullin tragjik të ushtrimoreve Kolsh e Kalimash, komanda vendosi t`i godasë, si qentë, kushdo që provon provokimin, pushtimin e ushtrimores më numerike për luftën.

Kolonel Tahir Zemaj – simbol i fitores dhe i trimërisë

Ushtrimorja në Drojë të Kurbinit, e komanduar nga Kolonel Tahir Zemaj, është provokuar deri me fluturimin e helikopterëve ushtarakë, sipër hapësirës të kampit ushtrimor. Kolonel Zemaj, që, tashmë, kishte edhe armatim të rëndë, ultimatoi banditët komunistë në pushtet, në Tiranë, se provokuesit do të shënjestrohen sikur të ishin shkijtë e Beogradit.

Provokimet e Tiranës zyrtare ndaj ushtrimores të Drojës, kontraktues i së cilës ishte autori i këtij shkrimi dhe dy nipërit e tij, irrituan 7.200 refugjatët e Kosovës, të strehuar në qytetin Mamurras dhe rrethinë si dhe kosovarët e shumtë të Mbretërisë në atë zonë. Ata u mobilizuan, madje kërkuan edhe armë shtesë nga Koloneli, për ta mbrojtur, qoftë edhe me forcën e armëve, ushtrimoren ushtarake. Kjo zemratë shqetësoi intriguesit kundra-kombëtarë në qeverisje.

I inatosur nga ky kërcënim meritor, ministri i brendshëm shqiptar, Petro Koçi, në një seancë të ngutshme, i kërkoi Parlamentit Shqiptar, ta përzejë Kolonelin Zemaj me gjithë ushtarët, të cilët ishin kontigjente për Kosharën dhe Kosovën. Ministri komunist Koçi, mbylljen e ushtrimorës ushtarake, e “arsyetoi” me shpifjen e qëllimshme se “Kolonel Tahir Zemaj, me ushtrinë e tij, po përgaditët për ta rrëzuar Qeverinë Socialiste dhe për ta kthyer Sali Berishën në pushtet!”

Për qëndrimin burrëror dhe trimëror të Kolenel Zemaj, kriminelët e LPK-së, në shenjë hakmarrjeje, do t`i vrisnin 4 (katër) bashkëluftëtarët e Kolonelit: Rexhë Osaj, Ramë Peja, Sinan Musaj, Bashkim Balaj.

Shtabistët e “Rognerit” i denoncuan dhe i vunë
në pritë të armikut luftëtarët e pabindur

Shtabistët e “Rognerit”: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Azem Syla, në pamundësi për t`i komanduar guerilasit trima në Kosovë, nëpërmjet të tretëve, i dekonspironin, i vënin në pritë të armikut, siç vepruan me kryeçetanikët Adem e Hamëz Jashari, Zahir Pajazitin e deri ke vrasjet grupore të 42 luftëtarëve, të prirë nga kreu i çetës, Mujë Krasniqi.

Kuadri i Lëvizjes, Fehmi Lladrovci, akuzoi krerët dallaveraxhi të LPK-së, si dezertorë dhe sabotatorë të luftës, që krijojnë shtabe fiktive në “Rogner”. Pas Fehmiut, do të shkonin në luftë edhe djemë të tjerë, të zhgënjyer nga krerët hileqarë të LPK-së, të cilët u vranë në rrethana specifike dhe enigmatike! Sabotimi ishte i dyfishtë: humbja e luftëtarëve me përvojë, dobësimi i rezistencës dhe efekti psikologjik se, dështimi është i pritshëm, nga vrasjet seriale në prita.

Faktori “ushtarak” i bandës të “Rognerit” ishte një “UÇK-e” e SHIK-ut dhe mund të mburret me funksionimin përfid, por, edhe trimërisht, në vrasjet e listuara të ushtarakëve dhe veprimtarëve të LDK-së. Fillimisht, në prani të pushtuesit serb dhe, pas luftës, në prezencë të faktorit ndërkombëtar! Listat emërore të viktimave të ardhshme, i hartuan në Tiranë dhe ato ishin një e fshehtë publike, gjysmë-legale, ashtu siç ka qenë edhe realizimi i ekzekutimeve numerike, në dritë të diellit dhe në pusitë në errësirën e natës.

Vërtet, Hashimi ka qenë larg luftës,
por shumë afër SHIK-ut, krimit

Shtabistët nuk kanë qenë pjesë e luftës. Gazetarja dhe prezantuesja e mirënjohur e Radio-Televizionit Shqiptar, Tefta Radi, së bashku me mjeshtrin e kamerës Agim Kuri, vite më parë, erdhën në banesën time, për ta realizuar një intervistë. Në bisedë e sipër, zonja Teftë, më tha se “Hashim Thaçi ka luftuar” dhe përmendi një reportazh që ajo kishte parë në Televizionin Shqiptar, gjatë luftës në Kosovë.

– Siguroje atë inçizim, të cilin e kam parë edhe unë, dhe shkojmë në malet e Matit, dhe të tregoj vendin, ku “luftonte” e “komandonte” ushtarët Hashimi. Prej aty fronti i luftës ishte larg 200 kilometra! Ne që i dinim truket falsifikuese filmike, kemi qeshur e gajasur, madje, deri në mbajtje të barkut, – kundëeshrova unë, duke sjellur edhe fakte të tjera të bollshme, se Hashimi nuk ishte pjesë e luftës.

Hashim Thaçi ka pranuar se “kam qenë larg luftës”. Dhe, kjo është vlerësuar korrekte. Sepse të tjerët, përfshi këtu edhe Kadri SHIK-un, sa herë përkujtojnë luftëtarët e rënë, madje të denoncuar nga ai me shokë, thonë: “Bashkëluftëtari im, iks – ypsiloni!” Vërtet, Hashimi ka qenë larg luftës, por, shumë afër SHIK-ut, krimit, siç është rasti i arrestimit, i prangosjes në burgun e vdekjes, në Kleçkë dhe i dajakosjes deri në përgjakje, të kryetarit të LDK-së të Malishevës, Jakup Kastrati dhe të veprimtarit Cen Drsku.

Ky i fundit, i pajtuar me persekutorin Hashim, për ta heshtur dajakun, e mohon torturën. Por, zoti Kastrati e demanton, madje bindshëm, bashkëvuajtësin Desku, duke pranuar dhe denoncuar, dinjitetshëm. Ilustrojmë me një fragment dialogu, të dy viktimave të Hashim Thaçit:

” – Kur Besa (Buçinca) – spikerica nxori syretin e “ushtarakut” (gjarpërit), i kam thënë Cenit (Desku):
– Ky është ai që na ka rreh! Ceni tha:
“- Jo mue nuk më ka rreh!”
– Cen, ky na ka rreh dhe na ka shkue gjaku deri në bythë…!”

Kjo barbari kriminale, e ushtruar mbi kuadrot e Ibrahim Rugovës, nuk duhet harruar dhe as heshtur. Përkundrazi, duhet denoncuar dhe ndëshkuar, në përmasën gjegjëse. Përmenda me emër vetëm dy syrësh, por ata janë shumë, janë me qindra, mijëra raste, të cilat njerëzit e tmerruar i heshtin, i kapërdijnë sikletshëm.

Gabim i madh, madje faj i pafalshëm, sepse heshtja e viktimave, është përligjje e krimit, pajtim dhe amnistim i krimeve. Aq më keq kur këto janë krime të llojit specifik, të veçantë, të paramenduara, të ngeshme, krime të qejfit, të cilat asnjë ligj, asnjë pleqnar, asnjë Kanun nuk duhet t`i amnistojë, t`i falë. Fundja, kush m… janë ata, që trimërohen në shoqërim të bandave të tyre.

Ulurima çjerrëse, neveritëse dhe skajmërisht rrugaçërore, në rrugë dhe media, me slloganët e rreme dhe lehaqene, si “lironi komandantët çlirimtarë”, “lironi ata që na sollën lirinë” dhe broçkulla të tjera, aspak reale, hiç të besueshme, janë të financuara dhe të dirigjuara nga agjensi dhe banda kriminale, që kanë përgjakur Kosovën, deri në konkurim të Millosheviçit.

Listimi, përzgjedhja e viktimave, ka qenë
i studjuar dhe plumbat e dajaku i tepëruar

Përzgjedhja e viktimave ka qenë e studjuar, madje, në grupe intime, një përzgjedhje selektive, që nga Presidenti Rugova, me bashkëpunëtorët e ngushtë si: profesor Fehmi Agani, Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Sabri Hamiti, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyçi, Ismet Rraci, Shaban Manaj, Idriz Rreci, Haki Imeri, Shefki Popova, Ekrem Rexha, Fetah Rudi, Agim Veliu, Adem Salihaj …, gazetarët e rinj, si Bardhyl Ajeti e Bekim Kastrati, e deri ke të tjerët pa listë fare, por veprimtarë të LDK-së, si Ramiz Hoxha i Bellanicës e Selman Binishi i Banjës të Malishevës. Pastaj të gjithë ata që kanë refuzuar haraçin për banditët e LPK-së, alias të PDK-së dhe partisë tjetër bandë – AAK-së.

Paslufta nuk ishte më pak e frikshme se sa lufta në Kosovën, kinse, të çliruar, sidomos për armatën e madhe të veprimtarëve të LDK-së të Ibrahim Rugovës. SHIK-u me strukturat e tij vrastare: Shqiponjat e zeza, policia ushtarake e “UÇK-së”, (kopjim tipik nga “OZNA” jugosllave), G-2-shi dhe degëzimet e tij, me uniforma ose pa ato fare, nën çatinë e Qeverisë të Përkohëshme, të krijuar nga Tirana zyrtare, me aleatët e saj Serbinë dhe Shërbim Sekret francez (DGSE), i infiltruar me agjentin Arnaud Danjean, eprori i Hashimit, ua ngrinë buzëqeshjen e lirisë qytetarëve të Kosovës.

Burgjet e shumta improvizuese rurale, kryesisht, podrume, shtalla e garazhe, kidnapime, arrestime, shantazhe, maltretime fizike e psiqike, rrahje, tortura e deri mbytje e vrasje në pusira, sipas listave emërore, të bëra në “Rogner”! “Pushtetin nuk e lëshojmë pa gjak”,- ishte vendimi i prerë i bandës të Qeverisë të Përkohëshme, e cila përfaqësohej nga dy partitë e sotme: PDK-ja dhe AAK-ja.

UNMIK-u sehirxhi, u bë pjesë e krimit

UNMIK-u, i kryesuar nga francezi, Dr.Bernard Kouchner, para gjithë kësaj ploje kriminale, vetëm qeshte, më sakt, zgërdhihej e puthej me Hashimin, sheleg e mik i një frengu tjetër, anëtar i Sigurimit francez (DGSE), konstatonte krimet e çdoditëshme, por nuk vepronte, as në parandalimin e tyre, e aq më pak të ndëshkonte kriminelët. Edhe KFOR-i “nuk përzihej në jetën civile” të Kosovës.

Krimet kulmuan deri në atë masë, sa më 22 qershor 1999, në Pejë, u arrestuan 5 (pesë) oficerë të Kosharës. U dorëzuan në zyrën e Prefektit të inkriminuar, Et`hem Çeku, i cili rekomandoi t`i dorëzoheshin “komandantit të UÇK-së të Dukagjinit”. Dhe, asaj nate u ekzekutuan 4 (katër) prej tyre, ndërsa i pesti arriti të ikë. Edhe pse denoncoi rastin në UNMIK, pas dy vjetësh u arrestuan vrasësit dhe u dënuan simbolikisht, sikur të kishin vjedhur e therur pula dhe jo vrarë oficerët, që kishin bërë luftën!!!

Vrasjet politike – një e fshehtë publike

Krimi i organizuar politik filloi 19 vjetë më parë, në Shqipëri, për të vazhduar në Kosovë. Krimet konsiderohen si – një e fshehtë publike -, me shantazhe e kërcënime paralajmëruese si dhe me një duzinë banditësh pjesëmarrës, në aksionin e një vrasjeje. Prandaj, qëllimshëm, nuk është ngulmuar në hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e krimeve seriale.

Themi seriale, sepse numri i deritashëm i vrasjeve të cilësuara politike arrin shifrën e 1.820 personave, përfshi këtu edhe vrasje brenda llojit, pra, kuadro dhe aktivistë të LPK-së, të cilët janë eliminuar, për të shmangur konkurrencën apo dëshmitarët në krime.

Ilustrojmë me vrasjen më domëthënëse të sabotimit të luftës nga LPK-ja, alias PDK-ja e sotme. Pista referuese e zbulimit të vrasjes të ministrit Ahmet Krasniqit: Hashim Thaqi i telefononte Kolonel Krasniqit, kur ai ishte në një darkë pune, duke e sharë me nënë dhe duke i thënë se “shpejt kam me mbaruar misionin me ty!” Bardhyl Mahmuti, i cili ishte kuadër i lartë i “UÇK-së” të SHIK-ut, në një takim masiv me mërgimtarët në Suedi, deklaronte: “Ahmet Krasniqi i ka ditët e numëruara, do ta vrasim”! Dhe e vranë. Kreu i SHISH-it, Klosi, aprovon dhe e pranon vrasjen e ministrit Krasniqi, në emisionin “Pa rrotulla”. Dhe, me gjithë këto fakte, me implikimin e drejtëpërdrejtë, të kuadrove të lartë politikë, nuk është hetuar vrasja e Kolonelit.

Kryeprokurori i Prizrenit: “Krimet që bënë shteti,
nuk zbulohen

Atentatimi i heroi të gjallë të Kosovës, Fetah Rudi, vrasja me aksident e tre atentatorëve, pas dy orëve nga koha e atentatit; eliminimi i shoferit që aksidentoi për vdekje tre atentatorët; e kuadrit rugovist – Rudi; zhdukja edhe e kamionit, që e bëri petë veturën e kuqe të atentatorëve, me praninë e tyre brenda saj; ngritja e memorialit tre atentatorëve, motivi dhe vlerësimi i tyre. Të gjitha këto, janë fakte, të cilat “flasin” dhe zbulojnë urdhërdhënësit, pasi dorasit, janë zbuluar po atë ditë, fatale të krimit. Është vlerësuar lart guximi qytetar i kuadrit të Rugovës, heroit Fetah Rudi, për denoncimin, madje me emër dhe mbiemër, të ideatorit të tentim-vrasjes. Nëse ai nuk e pranon akuzën, ai obligohet ta bëjë adresimin e duhur. Alternativë të tretë nuk ka.

Pothuajse, shumica e vrasjeve, me një hetim të pa ndikuar nga politika, mund të dëshmohet e zbulohet, pavarësisht vrasjeve të shumë dëshmitarëve, nga partitë e krimit: PDK-e dhe AAK-a.

Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, tha këto ditë: “Krimet që i bënë shteti, nuk zbulohen!” Më qartë nuk ka se si thuhet, kur krimi është në kupolë të shtetit dhe të pushtetit.
Dhe, këta kriminelë, pavarësisht, të qenit në pozitë apo opozitë, pushtetin faktik, me strukturat e tyre kriminale, të vendosura në pozita kyçe, e kanë ushtruar, që nga viti 1998 dhe vazhdojnë edhe sot, më 2017! Shikoje listën emërore të kuadrit të Ministrisë të Brendshme: ndërrohet i pari i kësaj ministrie, por, jo edhe të dytët apo të tretët, përjashto retushimet simbolike.

Drejtësia në Kosovë – bastion i mbrojtjes të krimeve

Drejtësia në Kosovë nuk ka funksionuar as edhe një ditë pas luftës. Arrestimet e bujshme, për krimin e organizuar dhe korrupsionin, kanë rezultuar me dënime simbolike, apo janë liruar “për mungesë provash”, edhe pse faktet dhe dëshmitë kanë qenë të bollshme!

Eprorja ime, për Prapavijën, Emergjencën e Luftës, krahu institucional, oficerja Sabahate Tolaj e Kosharës, tashmë, e ekzekutuar nga truproja e “komandantit të Dukagjinit”, në një bisedë të bërë, më 19 prill 2003, ke varrezat e dëshmorëve në Koshare, duke qenë në Hetuesinë Speciale të UNMIK-ut, më ka thënë: “Kam hetuar disa vrasje të cilësuara politike. Gadi në përmbyllje të provave faktike, për zbulimin ideatorëve dhe të autorëve të këtyre krimeve, UNMIK-u na e merr dosjen e gatshme dhe bindëse për prangosjen e kriminelëve, duke na urdhëruar të vazhdojmë hetimin e rasteve tjera! Arsyen e mos arrestimeve të vrasësve dhe të ideatorëve të tyre, asnjë herë nuk na është thënë, nga shefat tanë në UNMIK!?!”

Drejtësia në Kosovë, ka qenë dhe mbetet bastian i bërjes dhe i mbrojtjes së krimeve të partive të ekstremit të majtë, përkatësisht të parive-banda, PDK-së dhe AAK-së. Pushtetin faktik, mbi drejtësinë në Kosovë, e ka pasur dhe e ka SHIK-u i Hashim Thaçit dhe i Kadri Veselit, me bandat e tyre, pavarësisht qenies së tyre në pushtet apo opozitë.

Krimi i organizuar, vrasjet politike më Kosovë, identifikohet me organizatën kriminale e terroriste të SHIK-ut. Hija e këtij terrori është ngulitur në mendjen e strukturës të punonjësve të drejtësisë: që nga policia, prokuroria, hetuesia, të gjitha shkallët e gjykatave. Cilido syrësh, që provon ta mohojë këtë të vërtetë absolute, do të tregohej një sfidant, një trim jo i besueshëm, fiktiv, i rremë.

Gjykata Speciale dhe Rezoluta kontraverse,
kundërshtuese e kësaj Gjykate

Krijimi i Gjykatës Speciale, fillimisht, ishte një shpresë ngushëlluese. Por, mëfshtësia, ngadalësia vepruese e saj, për zbulimin e krimeve të pirguara dhe të stazhionuara, deri më tani, zhgënjen shumë. Me këtë ecje breshkore, nuk mjaftojnë dekadat. Përkundër, kërkohet një qasje shumë më efikase, këmbëngulëse e trimërore. Kupola e krimit në shtet dhe pushtet, po bënë gjithëçka, për ta sabotuar hetimin normal dhe të pandikueshëm nga politika.

Aprovimi hipokrit i kësaj Gjykate edhe nga PDK-ja, me frikën se ajo do të krijohet nga OKB-ja, me Rezolutën e fundit, të aprovuar nga Parlamenti, kinse, “në ruajtjen e vlerave të UÇK-së”, zbulon demagogjinë e kreut të SHIK-ut, Kadri Veselit me bashkëmendimtarë, pjesë të krimit faktik në Kosovë. Ai e “arsyeton” nxjerrjen e kësaj Rezulute të turpshme me, gjoja, “irritimin e popullit, për dënime pa fakte të ish-luftëtarëve.

Ky kryeeksponent i krimit në Kosovë, gënjen e mashtron opinionin. Populli në Kosovë po reagon dhe kërkon arrestimin dhe hetimin, pikërisht, të krerëve të krimit: Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin me bandën vrastare, që këta e kanë menaxhuar, në përgjakjen e Kosovës, përgjatë këtyre dy dekadave të fundit.

Mjerisht, votën aprovuese të kësaj palo Rezolute, e dhanë edhe shumica absolute e deputetëve të LDK-së, më sakt, të Isa Mustafës, duke e vënë në ankand dinjitetin e anëtarësisë të LDK-së, pa e pyetur dhe pa e përfillur fare atë!! LDK-ja duhet të distancohet dhe të lirohet nga matrapazët, pa fije parimësie dhe në kundërshti të plotë më përcaktimet fillestare, të bëra nga themeluesi i saj, Dr. Ibrahim Rugova.

Korrupsioni, hajnia zyrtare – ngulfatje e Kosovës

Korrupsioni, hajnia zyrtare, të cilin e mohon kryeministri, duke e minimizuar më shumë si një percepcion se sa realitet, është marramendës. Në reagimin e drejtë, idhnak e real, të dy ambasadorëve të dy vendeve mike të Kosovës, Amerikës dhe Anglisë, se korrupsioni është real dhe jo percepcion.Ishte bordi i MCC-së, në Amerikë, që privoi Kosovën nga marrja e 500 milion dollarëve, duke vulosur edhe vërtetësinë e hajnisë galopante zyrtare në Kosovë. Rrjedhimisht, “komandantët” luftë-pabërë, e kanë përdorë dhe vazhdojnë ta përdorin Kosovën si plaçkë lufte!

Raporti i GSJP-së me titull: “Konfiskimi i pasurisë të paligjshme në Kosovë”, konstaton se nga 16 milion euro të sekuestruara, vetëm 1 milion janë derdhur në buxhetin e shtetit! Për këtë akuzohen drejtëpërsedrejti prokurorët dhe gjykatësit! Por, çfarë mund të bëjë kuadri i drejtësisë në një shtet kriminal, që nga presidenti i vendit, kreu i legjislativit dhe me radhë…

Me bagazhin e krimeve të bëra, madje me hartime listash të viktimave të ardhshme, me gjakftohtësi unikale, çdo shtet demokratik në botë, do t`i shpallte të jashtëligjshme partitë-banda, PDK-në dhe AAK-në, partitë e krimit në Kosovën e përtokur nga kriminelët, tashmë, të kontrabanduar në krye të shtetit dhe pushtetit në Kosovë.

Evropa, Amerika, me EULEX-in dhe KFOR-in e tyre në Kosovë, ndodhet para një sfide-dilemë: luftimin e krimit apo dorëzimin para kriminelëve në Kosovë?!