HASAN QYQALLA: LE TA VAZHDOJMË PËRKRAHJEN, MBËSHTETJEN DHE PËRPARIMIN E LETËRSISË, KULTURËS DHE ARTIT TONË KOMBËTAR…

0
1682
Murat Gecaj, foto

(Flet kryetari i “Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë, në Mërgatë”)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1. U takuam dhe u njohëm bashkë, në ceremoninë e organizuar, në kryeqytetin tonë Tiranë, kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e nderoi me Dekoratën e lartë, “Nënë Tereza”, bashkatdhetarin e biznesmenin e njohur në Gjermani,Xhelil Musa. Çfarë mbresash përjetuat, me atë rast?

– Ishte një kënaqësi e veçantë për mua, si pjesëmarrja në atë ceremoni të bukur, por edhe sepse, atë ditë, u takova me shumë kolegë e miq, që ishin të pranishëm.Ndër ta, ishte Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi… Më ngjante se, ajo dekoratë, ishte vlerësim edhe për punën e shumë nga ne emigrantët, që ndodhemi, me jetesë e punë, si në Gjermani dhe në shtete tjerë të Evropës e më gjerë. Prandaj, në emër dhe të “Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë”, që përfaqësoj, e falënderoj përzemërisht, Presidenetin e Republikës së Shqipërisë, për nderin, që iu bë kolegut e mikut tonë, por dhe ne, të gjithë emigrantëve!

2. Për sa kam dijeni unë, është viti i tretë, që nga koha, kur u krijua dhe zhvillon veprimtarinë e saj, LKSHM… Çfarë dshironi t’u tregoni lexuesve, për udhën e përshkuar, deri tani?

– Gjatë kësaj periudhe, jemi përpjekur që të zhvillojmë veprimtari sa më të efektshme, me përmbajtje atdhetare, kulturore e artistike etj. Sigurisht, detyra më të shumta kemi ne, që ndodhemi në Gjermani, si unë e bashkëpunëtorët tjerë, Fran Tanushi e Mentor Thaçi. Po, gjithashtu, janë dalluar edhe veprimarët tjerë të Lidhjes sonë, si në Austri, Belgjikë, Suedi, Angli, Itali, Greqi e tjerë.

3. Si ka qenë ndihma e bashkëpunimi juaj me dikasteret përkatëse, si në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë?

– Sigurisht, nuk është aq e lehtë të kemi një ndihmë efektive dhe bashkëpunim frytdhënës. Megjithatë, po përmendi këtu praninë e ministrit të Diasporës, në Republikën e Kosovës, Valon Muratin, i cili ishte i pranishëm në takimet tradicionale, “Nëntori Poetik”, që organizohon në qytetein Mynhen të Gjermanisë. Pra, edhe ky fakt,sikur e përligjte shprehjen e urtë popullore, se “Në jetë, njerëzit u ngjajnë fjalëve; në se nuk i vë në vendin e vet, ato e humbin kuptimin”. Pra, ne presim që edhe në të ardhmen t’i kemi ende më pranë, si qeveritarët e Kosovës, por dhe të Shqipërisë.

Anëtarë të “Lidhjes së Krijuesve Shqiparë, në Mërgatë” (Hamburg-Gjermani, mars 2016)

4. Për lexuesit tanë, dëshirojmë të dimë, sigurisht shkurt, se cilat kanë qenë veprimtaritë kryesore, të cilat janë organizuar, në v itin 2016?

– Po, veprimtaritë janë enë të pashkëputura edhe pse Lidhja jonë e shtrinë punën e saj në tërë hapsirat botërore. Veprimtaritë kanë nisur që në muajin janar, duke bashkëpunuar me disa shoqata atdhetare e kulturore. Po përmendi këtu: Shoqatën “Kadri Zeka”, në Kirchheim Teck dhe Shoqatën “Bardhosh Gërvalla”, në Ludvigsburg. Së bashku me ato, organizojmë takimet “Flaka e Janarit”, kushtuar vllëzërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Me këtë rast, ashtu siç do të veprojmë edhe sivjet, jepet program i pasur, kulturor e sportiv dhe “Ora Letrare, me karakter garues. Për fituesit, familja Gërvalla dhuron një komplet librash të Jusuf Gërvallës. Pastaj vazhdojnë takimet tradicionale, “Pavarësia Poetike”, që vitin e kaluar u mbajtën në Hamburg të Gjermanisë. NJë gjë e tillë u mundësua, falë gadishmërisë së atdhetarit, veprimtarit, humanistit e biznsmenit të njohur Xhelil Musa. Dëshiroj të përmendi këtu se, vitin e kaluar, kemi qenë të ftuar në takimin tradicional-potik, “Guri i Hyjneshës Ilire-Thana”, në Uskanë. Me atë rast, u nderuam me “Mirënjohje”.

Më tej, vazhduam me pjesëmarrjen në veprimtrinë “Malli Poetik”, i organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve “Naim Frashëri”, në Fushë-Kosovë. Aty, nga një juri profesionale dhe me një konkurrencë të fortë, merituam Çmimin e Parë. Tradita e LKSHM ka vazhduar edhe me takimet e krijuesve, “Promenadë Mërgimtare”, që vitin e kaluar u mbajtën në “Mondial Park”, afër Prishtinës, ku interesimi dhe pjesëmarrja e krijuesve ishte mjaft e kënaqshme. Natyrisht, të larmishme dhe të shpeshta kanë qenë edhe veprimtaritë verore. Kemi marrë shumë ftesa dhe, prandaj, shpesh herë jemi ndarë në grupe, duke nderuar kështu organizatorët, për kujdesin e vëmendjen, që tregojnë për krijuesit e mërgatës.

Kështu, morëm pjesë në takimet tradicionale, “Gost Fest”, në Gostivarë, me koordinatore bijën e asaj ane, poeten e mirënjohur, Miradie Maliqi. Ajo veprimtari do mbahet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve, si për organizimin, pritjen dhe gadishmërinë e përzemërsinë, jo vetëm të artdashësve, por edhe krytarit të Komunës, Nevzat Bejta… Ma atë rast, patëm edhe një konferencë për shtyp, në media. Karvani i LKSHM, vazhdoi më tej, me takime edhe në Tetovë, Shkup etj.

5. Po gjatë vjeshtës, ku dhe cilat ishin veprimtaritë kryesore, që u organizuan nga LKSHM?

– Ndër veprimtaritë më të bukuara, përmendim “Nëntori Poetik- 2016”, që u organizua në Mynhen, falë kujdesit të sekretarit të LKSHM, Fran Tanushi dhe Shoqatës Kosovare-Bavareze. Aty u përkujtua edhe piktori Akad. Gjelosh Gjokaj, me fjalë nga krijuesit Mentor Thaçi e Halil Kçiku. Megjithatë,mendoj se arritje kulmore, për vitin që lamë pas, ishte botimi i Antologjisë “Vargje për Nënën”, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Meritojnë falënderime anëtarët e këshillit redaktues: Prof. Nehas Sopaj, Anton Marku, Migena Arllati, Demir Gjergji dhe Sadik Krasniqi, ashtu si dhe recenzentët: Prof. Zejnepe Adili-Rexhepi dhe prof. Frrok Kristaj, si dhe autori i pikturës së Nënë Terezës, në ballinë, prof. Miftar Memeti.

6. Antologjinë kushtuar Nënë Terezës e veçuat, ndër veprimtaritë tjera…A e keni bërë përurimin e saj dhe në cilat vende?

– Po, përurimin e parë e bëmë në Shtutgart të Gjermanisë dhe e vazhduam në vendlindjen e Nënë Terezës, pra në Shkup, si dhe në Tiranë e në Prishtinë. Kishte mjaft kërkesa dhe për përurime tjera, por u shpërndanë shpejt 500 kopjet e botuara. E falënderojmë nga zemra sponsorin e kësaj Antologjie,intelektualin, veprimtarin e biznesmenin e mirënjohur, nga Bad Neuenahr-i i Gjermanisë, Ramiz Muharremin, president i Firmës “R.M. Bau GmbH”! Më pas e porositëm shtypshkronjën për botimin e 500 kopjeve tjera, bazuar në kërkesat e shumta pr këtë Antologji.

7. Tani, ku po e përfundojmë këtë Bisedë, për të cilën ju falnderojmë përzemërsisht, a dëshironi të shtoni diçka tjetër, si për Lidhjen e veten?

– Pa u vetëkënaqur për arritjet tona, gjatë vitit 2016, mendoj se u shënuan disa veprimtari të bukura e frytdhënëse, të cilat janë objektiva të Lidhjes sonë. Po kështu, mund të them edhe për veten, sepse u shpalla fitues i Çmimit Vjetor për poezi, nga redaksia e revistës së njohur mbarëkombëtare “Mirëdita”, me kryetar Pjetër Markun, si dhe meritova Çmimin e parë, në takimet tradicionale “Malli Poetik”, në Fushë-Kosovë.

Gjithashtu, ishte nder për mua dekorimi nga Bashkia e Kërçovës, pastaj “Emblema” e Komunës së Gostivarit, nga kryebashkiaku i atij qyteti, Nevzat Bejta. Ndërsa, nga Kryesia e LKSHM, me rastin e 40-vjetorit të krijimtarisë letrare dhe 5-vjetorit të lindjes, u nderova me një dhuratë modeste, që ishte befasi e këndshme për mua, sepse treguan kujdesin e tyre.

Në mbyllje, i përshëndes dhe i uroj nga zemra, tërë krijuesit dhe artdashësit e botës mërgimtare shqiptare dhe gjithë bashkëkombësit tanë, për Vitin e Ri, me dëshirën dhe shpresën, që ta vazhdojnë përkrahjen, mbështetjen dhe përparimin e letërsisë, kulturës dhe artit tonë komëbtar, si forma shumë të domosdoshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit shpirtëror shqiptar.

Uroj, gjithashtu, jetëgjatësi për LKSHM-në dhe le të vazhdojmë kështu, të bashkuar e me synime të qarta, drejt së ardhmes, gjithnjë me veprimtari sa më të dobishme për bashkatdhetarët tanë, kudo që ata ndodhen, nëpër botë!

Dhjetor, 2016