Kolec Traboini
DYZET E GJASHTË
Ata ishin 46
e tash prej tyre nuk janë më asnjë
se kështu desh dhuna e armikut
mbi krye në mort vdekja na qëndroi 100 vjet
racën tonë ta shuante nga faqja e dheut.
U desh 100 vjet që gjaku të derdhej lumë-
100 vjet që vreshtat të mbilleshin me eshtra
e varret e burrave nuk gjendeshin kurrë
deri sa erdhi marsi i vitit 1999
derisa u shfaq shpresa nga qielli
po nga toka tmerri vazhdonte.
Vandalët s’i lodhte etja për gjak
erdhën me tanke, me armë, me urrejtje
erdhën me kafshëri të pafund
mizorë që nuk gjendeshin në botën
njerëzore.
Ata ishin 46 e tash nuk janë më.
Të huajt na thonë: duhet të harrojmë
se armiqtë u dashka t’i kemi miq, anipse
as falje e pendim kurrherë s’kanë treguar.
Ah, jo, për at’ Zot, nuk mund t’i harrojmë ata
djem e ata burra, fëmijë a pleq të moshuar
që pas Masakrës së Belegut
ende një varr nuk e kanë.
Qenka më e lehtë të rindërtosh një qytet
se sa të shërosh plagët e një shpirti
ndaj nuk mund t’i harrojmë
ata prej të cilëve mbeten veç emrat
në lapidarin e masakrës
së 29 marsit 1999.
U vranë e u zhdukën këta burra:
Haxhi Kadriaj, Ali Kadriaj, Shaban
Kadriaj, Smajl Ukëhaxhaj, Qazim
Hulaj, Ragip Morina, Tafë Dinaj,
Shaban Nitaj, Nekë Binakaj,
Shaqë Binakaj, Hysni Binakaj,
Zymer Binakaj, Shefqet Belegu,
Hamid Zukaj, Hazir Zukaj,
Rexhep Neziraj, Sadri Zukaj,
Brahim Zukaj, Sadri Vishaj,
Gëzim Vishaj, Fatmir Vishaj,
Naim Vishaj, Mujë Vishaj,
Malë Vishaj, Nezir Vishaj,
Zenel Vishaj, Ramë Kilaj,
Sundim Mazrekaj, Sahit Mazrekaj,
Arif Mazrekaj, Hajdar Mazrekaj, Ali
Mazrekaj, Beqir Dervishaj,
Daut Aliçkaj, Bashkim Hadërgjonaj,
Arif Hadërgjonaj,
Xhevdet Hadërgjonaj,
Muhamet Hadërgjonaj, Naim Tolaj,
Mehmet Tolaj, Isa Tolaj, Xhevat Tolaj,
Misin Tolaj, Jetmir Mazrekaj ishte 19
vjeç, Hysni Vishaj, 17 vjeç.
Faton Vishaj, ish veç një fëmijë ende
s’qe bërë burrë, por u vra me plumb
në kokë si burrat pasi ia rrëmbyen
nga duart nënës.
Ju mund të thoni çfarë të doni, diplomatë
të huaj – mbillni ullinjtë e paqes na thoni
e ne do t’i mbjellim ullinjtë
se luftën kurrë s’e kemi dashur
në këto troje arbërore
ku erdhën, na vranë e na dogjën.
Mund të na thoni: “Mos shihni pas!
Harroni plagët e luftës!”
por plumbat që kemi në gjoks
nuk është e lehtë t’i harrojmë.
Kemi aq dhimbje se vetë zemra
na peshon si plumb
se ata ishin 46
e tash nuk janë më askund!
________
Kjo ishte një nga tre poemat tragjike të librit “ODEON – për gjëra që ngjasin, Kolec Traboini, Pantheon Books Edition 2016
Foto: Selfie, Washington DC mars 2016