LULËKUQET E KOSOVËS

0
2817
Antigona Fazliu

ZYMER MEHANI

NJË LULËKUQE PRANVERON

(Dëshmores Antigonë FAZLIU)

I

Ti, Atdhe qofsh i bekuar
Një shqiponje që e linde
E ke rritë në shkrepat tua
Antigonën- rreze drite

N’ Fushat e Kosovës vigane
Një lulëkuqe pranveron
Me kokë n’qiell seç lartësohet
Qenka lindë për lirinë tonë

Kur kushtrimin e dëgjoi
Të atdheut tonë arbëror
U rreshtua pas Flamurit
N’ UÇK me armë në dorë

Zemra e saj buçet si deti
Shpirti i saj si oqean
Si vullkan që sjell termeti
Sulet trimja për vatan

Lumë si prindërit që të patën
Shqipe mali moj trimëreshë
Jetë e mot të nderon kombi
T’ k’ndohet kënga besa-besë

Je stërmbesa e Kastriotit
E Qemalit mjekërrbardhë
Ti je motra e Zahirit
E Ademit legjendar

Lavdi motër jetë e mot
Që na solle këtë liri
Le t’shëndrit si meteor
Shpirti yt në përjetësi

II

Flatrat t’i këputën armiqtë gjakatarë
Drejt qiellit t’atdheut për t’mos fluturue
E rreze lirie, mos kërko të thanë
Të këputën moj Lule, të shanë e të vranë

Lulëkuqe e Kosovës ANTIGONË ti je
Për LIRI luftove o motër e re
Armiqtë gjakatarë i vraftë një rrufe
Se ata s’kanë mëshirë, s’kanë as turp, as fe

Gjaku yt moj GONXHE, u ngrit në flamur
Krenari e kombit do të mbetesh prore
Për Ty thur këto vargje – lule me kurorë
Se e fale jetën për këtë dhe arbëror

Motër, lavdi t’qoftë! Lumë që të ka KOSOVA..
SHQIPE DYKRENARE, Ti moj bijë shqiptari
Gatitu, te varri të nderon Çlirimtari,
Zahir Pajaziti dhe Adem Jashari

III

Lumë për ty që e dhe jetën,
Lumë si ti që shkrine vehten,
Që për nder e vend të t’parëve,
Për liri, t’drejta t’shqiptarëve
Derdhe gjakun tuj luftue,
Zoti e prind’ t’paçin bekue!
Lehtë të qoftë mbi varr ledina,
Butë të qofshin moti e stina,
Ak’lli, bora e suferina
E sa’ t’ këndojë n’mal ndonjë Zanë,
Dhe sa’ t’ ketë n’ det ujë e ranë,
Për sa t’shndrisin diell e hanë,
Mos t’harroftë motër e nanë!
Emri kurrë mos t’u harroftë
Brez pas brezi n’kangë u këndoftë
Gjaku yt që ka pikue
Zoti e dhashtë, që t’mbesë tuj vlue
Për t’ia ngrohë zemrën shqiptarit
Brez pas brezi e djalë pas djalit!

IV

LULËKUQET E KOSOVËS

(Shotës, Ganimetes, Ylfetes, Xhevës, Antigonës)

Ju jeni mbretëreshat e luleve
Në Fushat e mia

Harliseni me kokë drejt qiellit
Ju shtohet lavdia

Lulëkuqe ishit dhe jeni
Në kujtesë ju kemi

Gjaku Juaj s’venitet
Është dritë që kurrë s’fiket

Ju ratë për t’vërtetën
Kënga Jua pranveron jetën

N’histori të kombit prore keni mbetë
Jemi me Ju krenarë o Shqipe me fletë

V

LULËKUQET E KOSOVËS…

(Heroinave të kombit: Shote Galicës, Ganimete Tërbeshit, Ylfete Humollit, Xhevë Lladrovcit dhe Antigonë Fazliut)

Në fushat e paanë të Kosovës Kreshnike
Çelin dhe harlisen Lulëkuqet e Shqipes
Si të mbijnë nga shpirti, si të mbijnë nga zemra
Lulëgjaket ilirike me ngjyrat kuqezi

Në trollin tënd rrisin shtatin, e lashta
Dardani Lulëkuqe si gjaku dhembje e krenarie
Që veç Tokës Sate, Kosovë i kanë hije
Lulëkuqe qëndrese, Lulëkuqe LIRIE….

Dada Shotë me plis mbi vetull
E Ganimeti me të bukurin gërshet
Xhevë Ladrovci e Ylfete Humolli
Antigonë Fazliu me zemrën si det
U nisën në luftëra nën Flamurin Kuqezi
E në zemër plot guxim për t’ atdheut liri

Lavdi Ju qoftë motra t’ADEMIT e t’ZAHIRIT
Lavdi jetë dhe mot, mbesa t’SKËNDERBEUT!
Lulëkuqe u lindët dhe e rritët shtatin
Kosovës nënë ia shtuat hijeshinë
Lumë si ne që ju kemi, o bija të ARBËRIT
Me shkronja të arta na shkruat historinë!


E DI UNË…

(Dëshmorit të Kombit, Abedin REXHA-SANDOKANIT)

E di unë Se Ti je Diell…
Je dhe Hënë
Yll në qiell

Je dhe këngë
Je dhe flutur
E Ylber
Lule e bukur

Je dhe Shqipe
Në Flamur
Kala shkëmbi
Gur mbi gur

Je dhe fllad
E freski
Lot i dhimbjes-
Dashuri

Je ylber
Vetëtimë
Uturimë
Dhe bubullimë

E di unë
Që fale jetën
Për Atdhe
Për të vërtetën

T’kemi n’ zemër
Shumë të duam
Me gjak tëndin
Shtet ndërtuam

Lavdi, lavdi
O Dëshmor
Trim i trungut
Arbëror


ZEMËR FLAKË

Zemër flake
Ti je, liri…
Të fituam me guxim,
Me gjak e me plagë,
Sy më sy
E ballë përballë
Me gjakatarë
E me tradhtarë.
Ne jemi vetë liria.
Dje robër ishim,
Sot-ardhmëria.


TË DUA ATDHE

I.
Të dua ATDHE
Në gaz e në vaj
Kur qesh e kur qaj
Ngado që të shkoj
Ty të marr me vete
Kaloj male dete
Dhembjet t’i duroj
Të gjitha për besë
T’përqafoj e vdes

II.
Në ty, atdhe i dashur
U lindëm dhe u rritëm
Me zemër bujare
Dhe besën shqiptare
Ku gjuhë dhe flamur
I dashuri atdhe
I kemi besë dhe fe
Ku shqiptari është mbret
Nga deti në det
Plisbardhë n’ shekuj shqim
Lulëkuqe në lulëzim
Me besën dhe traditën
Për liri-sakrificën
Dhe do të të dalim zot
Si i madhi Kastriot
Se të kemi dashuri
Pasha këta dy sy
Në një çerdhe me shqipen
Shekujt na kalitën
Edhe pse plaga ende na lëngon
Edhe pse gjaku ende na pikon
Për ty çdo shqiptar
Kërkon Bashkim Kombëtar


NGA ÇERDHET E SHQIPES U NGRITËN SHQIPONJAT

Gjithçka u munduan t’na rrëmbenin
Por asnjëherë nuk mundën dot ne të na thenin
Qiellin u përpoqën t’na e bënin sterrë
Dhe lumenj e gurra donin për t’na i shterrë
E fare t’mos shohim madje dritë as diell
Donin kriminelët vdekjen për t’na e sjellë
Se ata s’kanë shpirt janë me zemër t’mjerë

Dhe Kullat prej guri- t’lashta shekullore
Donin t’na i rrafshonin – krenarinë arbërore
Dhe fushat pjellore t’na i linin të shkreta
Kudo vrisnin prisnin shponin me bajoneta
Ishin të tërbuar u pengonte e vërteta
Donin t’na i merrnin edhe tonat jetëra
Digjin vrisnin shtypnin me t’pamëshirshmet kthetra

Emrin e shqiptarit e urrenin shqim
Sytë u piknin gjak nga i madhi tërbim
Nga kjo tokë t’na shfarosnin përpiqeshin pa mbarim
Ëndrrat t’ia grabisnin donin popullit tim
Kudo sillnin tmerr vuajtje dhe trishtim
Se ata s’kanë Zot as fe as guxim
Shëmbëllejnë në hijena në ujqër e shtërpinj

Nga Çerdhet e Shqipes u ngritën Shqiponjat
Vargonjtë e robërisë i shkëputën fare
Me armë e me grushta zemrat guximtare
U ngritën për atdhe në luftë çlirimtare
Bij e bija t’denja të gatshëm për fitore
Në radhë të UÇK-së u rënditën prore
Ta nxjerrin këtë truall nga kthetrat gjaksore

Sot rreze lirie ngrohin dheun arbëror
Nga gjaku i dëshmorëve t’kombit tonë martir
Po shkëlqen liria-nuse me kurorë
Lulëkuqe kokëlartë n’Kosovën e lirë
Bijtë dhe bijat tona u jetësuan n’shtatore
N’Pllaka t’Përkujtimit dhe në Përmendore
N’Lapidarë t’krenimit për Liri Fitore