Me erën e vjeshtës

0
2387
Vjollca Shurdha - Vorrei

Vjollca Shurdha

Gezimi qe provova teksa mora nder duar librin “Me erën e vjeshtës” te autorit Angjelin Lazri dhe e shfletova eshte i papershkrueshem, edhe pse e pata lexuar ne e-mail. Te faleminderit mik i shtrenjte Angjelin. Po bashkengjis parathenien time bere ketij vellimi ne menyren me te gjere e origjinale:

Parathënie

Thjeshtësia instiktive e emocioneve përbën forcën krijuese të autorit Angjelin Lazri i cili prezantohet me librin e radhës titulluar “Me erën e vjeshtës“. Dhënia zë erës dhe formave të saj, është baza primare mbi të cilën ndërton teorinë e tij poetike në këtë vepër. Domosdoshmëria për të komunikuar çon dorën e autorit, në valë të lirë. Parë me sytë e poezisë tradicionale, vëmë re sesa i pranishëm është poeti të krijojë sythe dhe prominencë ritmike:
Tretet vargu im tek bie mbi fletë,/me erën e vjeshtës/udhëve të fatit/…Dhe unë me të /në heshtje,/tretem mallit!

Sjell tek lexuesit një buqetë krijimesh plot aromë mirësie e njerëzie.Përcjell nëpërmjet tyre paqen, rrezet diellore që depërtojnë kudo, erërat që fryjnë e me freskinë e tyre ngarkojnë energjikamente por… të shkruara qetësisht, të ardhura butësisht, të perçeptueshme fortësisht!

Sa do të doja të falja,/njerëz që faljen nuk njohin!/Sa do të doja fjalën të mbaja,/se kurrë më s’do t’më shohin …/Sa do të doja të harroja/fytyrat e tyre, fjalët pa mend./Të isha gabuar, sa do të doja!/T’i kisha këmbyer për tjetër kënd./Sa do të doja t’u flisja,/me zërin e së vërtetës, përballë!/Sa do të doja të mos i shihja/më pas me bishtin ndër shalë./Sa do doja, të buzëqeshur t’i kisha,/të tejdukshëm, ku shpirti u buron si ujë!/Sa do të doja të mos ua shihja/gëzimin mbi hidhërimin e tjetërkujt./Sa do të doja të mos i kisha njohur në jetë!/Ndoshta, vetë dhimbja do të ishte më e lehtë …

Një përmbledhje poezish ku poeti shpreh, emocione, gëzim, tronditje, dëshpërim të pranuar me forcën burrërore. Kohëve të vështira si zgalem fluturoi drejt së panjohurës; pa iu trembur syri, pa u gjunjëzuar para askujt, ku ndershmëria i shndrrin në djersën e ballit: këtë e gjejmë në:

IBRET
Ishin kohë të vështira për gjithkënd./Nuk vinte buka, vritej fjala e lirë,/koka e “krisur” në litar zinte vend,
nuk i dilte zëri njeriut të mirë …/…Erdhi liria. Të gjithë ndërruan marrsh,/…Nuk lash’ mal pa shkelur, edhe zbathur./Gomone e netë rrugësh pa strehë kalova./Gjer më sot, me djersë e pa asgjë të falur,/s’u ankova kurrë, veç jetës iu gëzova.

Kultura poetike e operave të Lazrit njeh situata ekselente që rrallëherë gjejmë tjetërkund… Gjurma stilistike është imediatamente e njohur, sepse i është drejtuar e drejtohet gjithmonë publikut me intensionin e qartë edukues; – të të qënit NJERI – ku e përshtat më së miri ndërmjet rrugës së fantazisë e realitetit.

U zunë retë atë natë të ftohtë,/me vetëtima e bubullima sa deshën./Sa ulët qiellit kishin rënë, sa poshtë!
Doemos, t’ma prishnin buzëqeshjen./…Sa më mori malli për ato ditë të rralla,/kur qiellit të kaltër treteshin retë e bardha!

Nëse poesia është pasqyrë shpirtërore autori Angjelin Lazri është sigurisht një poet ku së bashku bëhen kori i kulturës së vendlindjes së tij (Dragusha) dhe vlerat e saj të forta që janë zbehur në mënyrë të heshtur. Si në një lojë pasqyrash reflekson këtu të vërtetën e turbullt duke prognostikuar shtjellat e ardhshme, bashkëngjitur bashkëkohores moralitetin e thellë filozofik! Mbrapa banalitetit të përditshëm qëndrojnë veprime që në këtë vepër bëhen material.


është veshur në mermer/kodra e Frashnjetit/Lapidarë mbi lapidarë./Histori e paparë!/Dikush po ngre kalanë me gurë,/ndërtesë me kate./Për së gjalli në shpellë/e së vdekuri në pallate …/Dragusha ime po lutet në dhe të futet./Mezi pret të vdesë!/Se për të jetuar,/s’i paska ngelur kund shpresë!
Besimi dhe dashuria janë dy binarë që kanë udhëtuar paralelisht në jetën e tij. Besimi është domosdoshmëri për të “pranuar “tragjeditë, dhimbjet e thella që lenë shenjë të pashlyeshme në shpirt :

Dhimbja, (humbja e nipit) kjo dhimbje e madhe i tronditi zemrën aq sa teksa shkruan, lotët nuk përmbahen, penën s’e mban dot …dridhet ajo dorë e fortë burrërore e poetit:

ENGJËLLI I VOGËL ERGI
Mora të shkruaj për ty, o engjëll,/por fleta e bardhë m’u ngjye me lotë./Nga dhimbja, s’e mbajta dot veten …/Fjalët për ty s’i shkruajta dot …/Ishe aq i bukur në këtë jetë,/o bir i nënës që veç të qan!/Drita, që dritë kund s’i ka mbetë,/kur ty s’të ka më pranë!/Mes yjesh nëna, shpesh do të kërkojë/engjëllin e vogël që s’zinte vend./Atë yll që për jetë do të vezullojë,/do ta qajë sa të tundet lis e shkëmb!/Do të lutet me emrin tënd!

Tërë libri është i përfshirë nga nuanca ngjyrash poetike ku në çdo faqe gjejmë rrahje zemre, gjejmë jetën që ushqehet me ëndrra e shpresa .Çdo fletë është e mbështjellë me pelerinën e dashurisë: Dashuri për fëmijët, për familjen që e ka epiqendër, dashuri vëllazërore, miqësore, memoria e të shtrenjtëve, për tokën e tij, për historinë, dashuria për natyrën… përshkon çdo gjë dhe çdo gjë merr kuptim. Shpalos kështu poeti një hartë poetike duke na marrë përdore e vizituar vende që adhuron, duke na evokuar gjatë leximit të zbulojmë ndjenja të pakontaminuara nga materializmi. Ironik, naiv, i ëmbël me vetëdije të plotë autori ndërron regjistër duke i dhënë jetë, shpirt, histori, domethënie edhe diçkaje që duket e parëndësishme. Asgjë nuk ka rëndësi nëse nuk mendojmë t’ia japim atë. Në operën e tij Lazri i drejtohet shpesh erës, e në fëshfërimën e saj gjen prehje mendimesh:

Fëshfërimat e erës/ç’më japin një ndiesi …/Fjalët, pëshpëritjet,/më mirë kurrë të mos i di!

Përpos gjuhës së pasur metaforike të gërshetuar më së miri; përdorimi me përpikmëri i krahasorëve i jep finalen reale e mbush zemrën me ngazëllim. Pra autori metaforizon pa metamorforizuar për asnjë hir. Gjatë leximit përjetohen çaste ylberike duke lumturuar shpirtrat që jetës i duan anën e butë, ku në heshtje të komprendueshme përcillen mijra mesazhe jetësore.

Në këtë vepër në mënyrë artistike poeti dëshmon dhe njëhere përpos artit… mirësinë e tij njerëzore! Parimisht duhet vlerësuar shkrimi për artin e të shkruarit dhe jo kush e ka shkruar por konkretisht vlen të theksoj: Ka shumë rëndësi që një autor nuk duhet të jetë ndryshe realisht… nga çka shkruan artistikisht, (e kam fjalën për bukurinë shpirtërore) përndryshe do ta quaja fallsitet jo fjalë artistike.

Autori Angjelin Lazri është piksëpari- NJERI – në të gjithë parametrat e këtij termi… Vargjet e pjekura e origjinale bëjnë që çdo poezi të jetë jo vetëm fantazi e imagjinacion por që përputhet me realitetin ! Shkruar plot bukuri rrëmbyese ngjyrash (–melodiçitet–tonalitet-realizëm) do ta përcaktoja poetin Angjelin Lazri – Poet Bashkëkohor që projekton jo me retorikë por me largpamësi e identifikim në vlera.

Përmbledhja poetike është shkruar me një metrikë të saktë e harmonioze ! Disponimet e ndryshme në të cilat janë ekspozuar mendimet krijojnë një marrëdhënie ndërpersonale me lexuesit, në kujtimet e njëjta të tyre, në natyrën, në ndjenjat personale të ngjashme. Lirizmi origjinal e figuracionet e pasura artistike nxjerrin në pah qëllimin kryesor të poetit që është: Të ndërtoje ura shkëmbimi në të cilat ngjashmëritë a të rrallat asonanca të kontribuojnë në thurjen konkrete të raportit human, përtej fletëve të shkruara në libër, përtej një të thjeshte semantikë.

Vulgariteti, meskiniteti, çdo ves që nuk hyn në kategorinë njerëzore, nuk janë dhuratë që e jep natyra nga lindja; bëhet pjesë, përftohet e vihet në akt nga një ekzistencë mizerie gjatë jetës.Vargjet poetike të autorit Angjelin Lazri qëndrojnë jashtë çdo deforme humane. Ato sjellin kristalinën e vesës së mëngjesit e puhizën aromë-mirë. Vallzojnë me erën, me erën e ngrohtë njerëzore, fluturojnë me të duke u shpërndarë një e nga një në duart e publikut artdashës, ku do të ndjejnë pëshpërimën e lehtë që vjen ngrohtësisht“Me erën e vjeshtës”.

Vjollca Shurdha
Poete-shkrimtare–përkthyese
Itali

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar.