KRIJIMTARIA LETRARE E SHKRIMTARIT TEODOR LAÇO ROMANI “MJEGULL”

0
1742
Teodor Laço - Mjegull

Shkruan prof. Zymer Mehani

Në krijimtarinë e shkrimtarit Teodor Laço kritika ka veçuar vërtetësinë dhe prirjen për zhbirime psikologjike të botës së njeriut të mirë e altruist, vizatimin e karaktereve me penelata të holla, lirizmin që nuk mungon as kur subjekti shtjellohet në situata konfliktesh, përshkrimin poetik të natyrës. Metafora e tij më shprehëse duket se kërkohet te bardhësia e borës dhe trishtimi i mjegullës.

“Mjegull” është një roman i vendosur në sfondin e luftës italo-greke.

Krijimtaria letrare e shkrimtarit Teodor Laço Teodor Laço, ndër emrat më të njohur në letërsinë shqiptare, përfaqëson në të njëjtën kohë një nga ato dukuri të rralla kur shkrimtari lëvron me sukses në disa fusha të letrave. Kemi sot përmbi 50 vepra që mbajnë emrin e tij: përmbledhje me tregime e novela, romane, drama, komedi, skenarë filmash, publicistikë. Një begati, që do ta kishte zili çdo shkrimtar i madh. Kjo mori veprash letrare në shumë plane, përbën një pasuri të madhe letrare jo thjesht e vetëm për Teodor Laçon, por më së pari për kulturën mbarëshqiptare. “Ai u bë i njohur si prozator serioz me romanin “Tokë e ashpër”, që merrej me kolektivizimin e bujqësisë në zonat malore” (R. Elsie “Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Pejë, 1997, f.411)

Teodori hyri në letërsi përmes prozës së shkurtër. Tregimet e tij të para lajmëruan kritikën shqiptare dhe lexuesit se po qasej një talent i madh. Në tregimet e tij të hershme, krahas vizatimeve brilante të natyrës, erdhi njeriu i thjeshtë, me botën e tij të vockël a të madhe, por në njëfarë mënyre në një dritë të re, ku gjithmonë do të gjendej pak shpresë për nesër, një përfytyrim ndryshe, grishja për një zgjidhje më të mirë. “Ajri i ftohtë i mesnatës” do të shënonte një pikë kulmore në krijimtarinë e autorit. Më pas, ai do të përfshihej edhe në tema të angazhuara (“Tokë e ashpër”,) por do të punonte edhe në ngastra të tilla, ku disi i “bëhej bisht” realitetit “delikat” dhe parimeve e kërkesave të ngurta të soc-realizmit; (“Lëndina e lotëve”).

Ndër vite, krijimtaria e tij e zgjeron edhe më shtratin. Ai skaliti figura që u bënë dhe mbetën proverbiale.

Stili i shkrimtarit përsoset sidomos në librat “Portat e dashurisë”, “Një ditë dhe një jetë”, “Zemërimi i një njeriu të urtë”, për të marrë përmasa të tjera në “Vit i hidhur”, “Vrasja e buzëqeshjes” si dhe “Një dritare në Kremlin” e “Kthimi i amerikanëve”.Vangjush Saro ‘’
Një moment të rëndësishëm në krijimtarinë e tij, shënon padyshim libri “Bashkëjetesë me kohën”, ku ai rrëfen jetën e tij përtej vitit ‘97, sigurisht në një kuadër të gjerë të zhvillimeve komplekse në Shqipëri.

Është interesante të nënvizohet se, pas përmbysjes së komunizmit, pavarësisht nga pjesëmarrja tepër aktive në proceset politike të demokracisë, si kryetar i një partie të spektrit liberal, si deputet i Kuvendit Popullor për 12 vjet, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitet 1994 – 1997 dhe ambasador në Federatën Ruse më 2006 – 2008, ai nuk rreshti asnjëherë përkushtimin ndaj letërsisë, duke botuar veprat më të mira të krijimtarisë së tij si romanet: “Një vit i hidhur”, “Ishulli i mëkatarëve”, “Vrasja e buzëqeshjes”, vëllimet me tregime “Vdekja e nëpunësit X” dhe “Trokitje në shpirt”, dramat “Kambanat e muzgut”, “Vrasësit i lamë pas”, librat me shënime publicistike “Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar”, “Një dritare, një Kremlin”
etj.

Veprat e tij, sidomos në gjininë e tregimit, janë përfshirë në botime antologjike si në “Description of a struggle”, në tregime të zgjedhura nga autorë të vendeve, që dolën nga komunizmi (Londër, 1994), “Balcan beauty, balcan blood” (SHBA, 2007), në Francë, Itali, Rusi, Bullgari, Greqi, Turqi, kurse romani “Anul tristeii” në Rumani etj. Romani “Mjegull”, sipas autorit, është vepra që ka dashur një akumulin dhe përsiatje prej 30 vjetësh. Teodor Laço është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit l dhe është shpallur “Nderi i Qarkut Korçë”.

Ndërkaq, një pjesë e krijimtarisë së Teodor Laços është përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja; (anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht, rumanisht, turqisht, bullgarisht, greqisht).

Romani “Mjegull”

Romani i shkrimtarit të njohur Teodor Laço vjen me një titull provokues: “Mjegull”. Ngjarjet dhe personazhet që përjetojnë në faqet e tij një kohë lufte, janë një mori e tërë. Mësa duket, duke iu shmangur trajtimit më të shpeshtë të prozës sonë të gjatë në vitet e fundit, që merret me fatin e dy-tre figurave, autori ka preferuar të fokusojë një pamje mozaikale. Aty do të gjesh njerëz të zakonshëm të një qyteze të vogël, me virtytet e veset e tyre, dashuri që përfundojnë në lidhje të lumtura ose tragjike, besimtarë zemërdhembshur dhe aventurierë, patriotë dhe sahanlëpirës, ushtarë dhe oficerë italianë dhe grekë, dezertorë nga fronti, deri tek figurat eminente të kësaj lufte, të sjella duke gërshetuar trillimin artistik me kronika të kohës. Ndoshta ka qenë kjo gjetje mozaikale që sjell befasi të shpeshta, e cila të mban nën trysninë e kureshtjes.

Ky nuk mund të quhet një roman i mirëfilltë historik, por koha kur zhvillohet subjekti është zgjedhur për të ringjallur me mjetet e letërsisë një rrethanë të jashtëzakonshme historike, kur një popull bëhet pre dhe viktimë e luftës së të huajve. Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, vendi ynë u bë një shesh lufte për ushtritë e huaja. Nga kjo gjendje kaotike, kur të tjerët, pasi të kanë pushtuar shtëpinë nisin sherrin midis tyre, autorit i lindi titulli, që mund të quhet metafora e romanit. Është një kohë kur askush nuk sheh me qartësi jo vetëm të nesërmen, por edhe të sotmen.

Në fshatin tipik malor, mjegulla është bashkudhëtare e jetës në çdo fund vjeshte. Bie, mbulon pas perdes së saj gjithçka, pastaj befas fryn një erë dhe e merr me vete, dhe sërish shfaqen kodrat, pyjet, shkëmbinjtë, rrugicat, shtëpitë … gjithçka që ka jetuar me ty dhe që të dukej pak më parë se do të zhdukej përgjithmonë. Kështu ndodh edhe me personazhet e romanit në fjalë, prandaj në atë situatë që s’mund të quhet ndryshe veçse dramatike, autori ka kërkuar edhe lirizmin e dashurive, edhe humorin që nuk resht së qeni bashkë me njeriun, në çdo kohë.

Për romanin “Mjegull” shkrimtari Teodor Laço pati thënë se e ka mbajtur në projektet e veta letrare për më shumë se 30 vjet.

Sipas shkrimtarit gacmimi i parë që mori, ende i pakristalizuar se ç’lloj zhanri do të ishte, është vërtet goxha i hershëm. Në subkoshiencën e tij, jetonte që nga fëmijëria ajo, ndërkohë kur fëmija fikson kujtimet e para. Dhe, nga ana emocionale, tregon shkrimtari, ato i vinin me ngulm nga ato ditë e net kur, të fshehur në një bodrum, dëgjonin shpërthimet e gjyleve, vizgëllimat e shrapnelave, uturimën dhe bombat e avionëve. Shkrimtari rrëfen “Kam qenë rreth katër vjeç dhe kur binte qetësia, mua më vinin të thosha një vjershë me ca vargje komike që ma kishte mësuar një plakë e fisit tonë: “Që këtu gjer në Kostur, hëngri dyzet pllavushka me qull!” Pllavushka në anët tona quajnë tasat.

Më vonë, kam mësuar se në malet rreth Dardhës është bërë një nga betejat më të përgjakshme të asaj lufte.” Në vitin ’71, në një intervistë shkrimtari Teodor Laço thotë se romani i tij i dytë do të jetë “Sezoni i mjegullës” për luftën italo-greke. (Gazeta “Drita” nr.3. Tiranë, 1971).

Por … intuita dhe njohja e kërkesave të censurës i thoshte se do të qe e pamundur të kapërcente disa pragje për të vërteta që nuk duheshin thënë, për mungesën e heroit pozitiv apo rolin e ideve komuniste, dhe gjepura të tjera që do ta futnin në hullitë e skemave. Kjo vetëdije, mund ta quajmë edhe autocensurë, autorin e shoqëroi gjithmonë. Ndërkohë, në shënimet e veta shtoheshin detaje, kujtime njerëzish, figura të reja … Më vonë u njoh me materiale të rëndësishme historike, si libri i kryekomandantit të trupave greke Aleksandër Papagos: “Greqia në luftë”, kujtimet e Jakomonit, Konti Cianos….Atëherë, le të qëndrojmë më parë te faktet historike, pastaj tek fiksioni. ato të vërteta, që ndonëse të interpretuara sipas pikëvështrimeve të tyre nga kujtimet e figurave që i përmend shkrimtari, ishin konfliktet.

Luftërat gjithmonë kanë disa shkaqe thelbësore dhe fillojnë me disa pretekste apo sebepe. Në Luftën e Parë Botërore, “sebepi” ishte vrasja e Arqidukës Franc Ferdinand në Sarajevë. Në luftën italo-greke, “sebepi” ishte vrasja e një blegtori çam që u pagëzua si patriot i madh shqiptar. Në propagandën e kohës dhe në kujtimet e tyre, gjerarkët e fashizmit i bien fort borieve të luftës për shkak të irredentizmit të shqiptarëve. Vatra e nxehtë, sipas tyre, ishte Çamëria ku popullsia shqiptare përndiqej e persekutohej. Por, faktet flasin ndryshe.

Musolini kishte urdhëruar që të përgatitej plani i sulmit mbi Greqinë që në verën e viti ’39, fill pas pushtimit të Shqipërisë, pra në një kohë kur as që bëhej fjalë për një çështje çame. Komanda italiane në Shqipëri, bëri çmos të provokonte incidente brenda kufirit grek, në trevat e Çamërisë, por nuk gjeti terren dhe as mbështetje, përveçse midis ndonjërit prej krerëve të partisë fashiste shqiptare. Për më tepër, edhe batalionet shqiptare që u mobilizuan për të luftuar përkrah italianëve dezertuan që ditët e para, duke ua lehtësuar në një farë mënyre mësymjen trupave greke në frontin e Devollit.

Më i njohuri ndër këto dezertime ka qenë ai i batalionit që komandohej nga majori Spiro Moisiu. Dezertorët shqiptarë i mbyllën në kampin e Shijakut, kurse ata që kërkuan të luftojnë përkrah grekëve, duke e ditur se e drejta ishte në anën e tyre, nuk u pranuan dhe u internuan në Kretë. Në zonat e luftës, njerëzit shpirtërisht ishin me viktimën, por nuk mund të bëheshin mish për top, aq më tepër kur “pushtuesit” e rinj filluan të sillen si të vjetrit, duke shpallur në disa raste metimet e hershme për Vorio-Epirin. Këto ishin disa të vërteta historike, që për shkak të konjukturave politike, shkrimtarin e penguan gjithashtu për ta shkruar më pare romanin në fjalë.

Atëherë, nga kjo që u tha mund të themi se historia është vetëm sfondi për temën e romanit, kurse kryesor mbetet fiksioni. Sigurisht ky ka qenë synimi kryesor i autorit, që të përshkruajë fatet e shqiptarëve në rrethanat e kësaj lufte ku ata nuk ishin palë, dhe megjithatë ishin po aq viktima të saj. Duke i vendosur ngjarjet në një qytezë imagjinare turistike që quhet Darsin (disa e identifikojnë me fshatin e shkrimtarit, por kjo qytezë gjendet edhe në romanet e autorit “Lëndina e lotëve” dhe “Pushimet e kolonelit” me tema që quheshin të së “kaluarës”), qytezë që i bie fati i mbrapshtë të gjendet në mes të zjarrit, dëshironte të shpërfaqë jo vetëm marrëdhëniet midis tyre dhe të huajve, por sidomos përjetimin e një situate absurde, ku karakteret zbulohen me anët e tyre të skajshme. Sepse, në ka një provë mbi të gjitha provat ku njeriu shfaq thelbin e tij, kjo pa mëdyshje është lufta.

Aty dallohet trimi nga frikacaku, bujari nga neqezi, altruisti nga meskini dhe së fundi, atdhetari nga i shituri.

Megjithëse tabloja e romanit është mozaik, aty hetohet e dallohet mbi të tjerë, figura e një njeriu të gjymtuar, paksa misterioz, që quhet Dodon. Me këtë figurë shkrimtari ka dashur të shprehë mençurinë dhe zgjuarsinë e njeriut të thjeshtë, të rrahur me vaj e me uthull. Ai është, siç thonë, shpirti i shoqërisë. Nuk është një hero, bën edhe gabime, për shembull bëhet shkes për një martesë të pagoditur duke cenuar dashurinë e dy të rinjve, mirëpo ka sensin e vetëqortimit, është i hapur, dhe kur duhet gjen zgjidhjet më të dobishme për qytetarët e tij.

Më të grimcuar shkrimtari e ka pasur këtë personazh edhe tek romani satirik “Pushimet e kolonelit”, për të cilin shkrimtari thotë “dhe nëse do të më kërkonin ta identifikoja si prototip, do të kujtoja një njeri të jashtëzakonshëm nga fshati im, që nëpër fletë kalendarësh mbante gjithë kronikën e asaj që ndodhte, që mblidhte folklorin e Devollit te Sipërm dhe na mësonte ne më të rinjve kitarën dhe këngën. Ky njeri quhej Koçi Zdruli”. Ja një koment nga shënimet e tij. U fol se një djalë nga fshati fqinj që i binte xhazit, duke qenë çakërqejf, provokoi një femër. Nuk i bëri asgjë në ato pak çaste që mbeten vetëm, por e dënuan me pesë vjet burg. Komenti i tij: “Petri i xhazit, agresion. Pesë minuta qejf, pesë vjet burg. Qeveri e fortë!”

Copëzimi i romanit në shumë personazhe, për më tepër ndërhyrja me kronika historike, përbën ndonjë risi në këtë gjini.

Struktura e çdo vepre, mënyra e thurjes së saj, ndonëse nuk është një qëllim në vetvete, mbetet të jetë tepër e dobishme për të shprehur brendinë. Metimet për forma novatore në letërsinë botërore, por edhe tek ne, hasen shpesh në letërsinë e shekullit të fundit. Besoj se kërkime të tilla formale duhen mbajtur në optikën e çdo shkrimtari. Disa romane derdhen lehtësisht në kallëpe të provuar më parë nga autori, disa të tjerë të kushtëzojnë të mendosh e të provosh deri sa ta gjesh.

LITERATURA:
Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Dukgjini, Pejë, 1997; Robert Elsie, Një fund dhe një fillim, Buzuku, prishtinë, 1995; Vangjush Saro, Shënime për krijimtarinë e teodor laços, Tiranë, 2010; Teodor laço, Mjegull, Tirana Times, Tiranë, 2009.