KU JE, DASHURI?!… – poezi nga ZYMER MEHANI

0
2023
Zymer Mehani - bibliotekë

KU JE, DASHURI?!…

I.
Je në zemrat
Djaloshare
Dhe të vashave
Mitare
Je në çantën
E shkollarit
Dhe në pushkën
E ushtarit
Je në penën
E poetit
Dhe në val’t
E bardha t’detit
Je në flatrat
E Shqiponjës
Dhe në ballin
E Kosovës
Je në duart
Punëtore
Dhe në viset
Stërgjyshore
Je kudo
Në faqe t’librit
Dhe në brigje
T’Llapit, t’Ibrit
Je në shpatë
Të Skënderbeut
Dhe në emrin
E Atdheut
Je në gjakun
E dëshmorëve
Dhe në djersë
Të minatorëve
Je në fjalë
Të arsimtarit
Dhe në emrat
E ditarit
Je në fletë
Të trëndafilit
Dhe në zërin
E trishtilit
Je në lodrat
E vogëlushëve
Dhe në çerdhet
E gushëkuqëve
Je në ledhatime
T’nënës
Dhe në rreze
T’diellit, t’hënës
Je në penën
E Naimit
Dhe në këngën
E bilbilit
Je në male
Plot me gurë
Dhe te Shqipja
Në Flamur
Je në zemër
T’xha Zymerit
S’ju gënjej,
Për fjalë të nderit

II.
Për ty u bëra lumë,
Ujëvarë,
Qiell pa re,
U bëra pranverë,
Diell,
Dritë
Dhe ylber.
Për ty u bëra det,
Valë e dallgëzuar
Dhe lulekurorë,
Zemër e shqetësuar.
U bëra dhe zog,
Dënesje dhe lot,
U bëra shumëçka
S’mund t’i numëroj dot…

III.
Ma thuaj emrin tim
Me zemër,
Me sy,
Me këngë,
Ligjërime,
Me t’ëmblën melodi.
Emrin tim ma thuaj
Me sy,
Me zemër,
Me shpirt,
Me zjarr dashurie,
Me lule pranvere,
Me dëlirësi miturake,
Me shigjetë rrufeje…
Ma thuaj emrin tim
Në dritaret e zemrës,
Në shtigjet e shpresës
Drejt dallgëve të jetës.
Emrin tim ma thuaj!
Ma thuaj… Mos harro!…

IV.
Vargu im, fluturo mbi kodra e lugje
Ti shko si puhiza tek imja burbuqe
Nxito, hec e hec, fare mos vono
M’i thuaj lules sime ”të dua si më do”
Një kurorë dëshirash çoja fluturim
Të ëmbla, të dëlira nga ky shpirti im
Ledhatoja butë, fytyrën engjëllore
Thuaj ”nga Ti m’ ndan veç vdekja mizore”
Ëmbëlsisht m’i thuaj trëndafiles sime
Të fala të dërgon një zemër e vrarë
Le t’mbesin kujtimet të vetmet ngushëllime
Së bashku me shpresën, një ditë për t’u pare
Porsi këngë e ëmbël dhe si melodi
Kumbon pa pushuar e shtrenjta dashuri
Për Ty, moj burbuqe, lule në behar
Do ta ruaj kujtimin – më t’shtrenjtin thesar.

V.
Të kërkova
në gonxhet e trëndafilit
Dhe në gurrat e dëlira bilur
Në muzgun e mbrëmjeve
E në agimet e zbardhëlluara
Të kërkova e s’u ndala kurrë
Emrin Tënd të artë
dhe më të bukur
Në zemër e gëdhenda me kujdes
Kujtimet për Ty nuk do të zbehen kurrë
Përshëndetje për Ty, kudo që të jesh

VI.
Kur Ty nuk të shoh,
S’qaj as nuk rënkoj,
As mendjen humbas
Se të dashuroj.
Por, kur kalon kohë
Unë Ty pa të parë,
Diçka më mungon,
Ndjej mallin t‟më marrë.
S’mundem asnjëherë,
Kur nuk të kam pranë,
Atë fytyrën Tënde
Në mendje ta kam.
Por fare pa e ditur,
Çdoherë e kam ndjerë
Se Ti n’zemrën time
Do t’mbetesh përherë.
Kur kjo dora ime
E kap dorën tënde,
Jeta fluturon,
Shndërrohet në ëndërr.
Papritur na zgjon
Rrahja e fortë n’krahnor,
Të pyes Ty a jemi
Përjetësisht dashnorë?!

VII.
Ti je e bukur
Si lulja me kurorë
Ti je e dëlirë
Si mali me dëborë
Ti je e dashur
Si zemra e nënës
Ti je e artë
Si shkëlqimi i hënës
Ti je e ngrohtë
Si rrezet e diellit
Ti je SHQIPE MALI
Që fluturon drejt qiellit.

VIII.
Të kam kërkuar
Në aromën e lules
Në zërin e bilbilit
Në valët e detit
E s’të gjeta dot
Sërish po të kërkoj
Në vezullimën e yllit
Në ngjyrat e ylberit
Në ushtimën e pyllit
Por prapë s’të gjeta
Do të të kërkoj prapë
Në gurgullimën e lumit
Në Ujëvarat e Mirushës
Në Liqejt e Lurës
Derisa të të gjej

IX.
Mes lules së këputur
E asaj të dhuruar,
– E di çfarë ka, Ti?
– Është një dashuri!
Mes syrit të bukur
E buzës së puthur,
– Kësaj si i thonë?
– Dashuri- gjithmonë!
Mes dy zemrash t’njoma
E shikimeve tona,
– E di çfarë ka, Ti?
– Ka veç dashuri.

X.
Sa larg paskan tretë
Ato rrugët tona,
Moj ARBORË!
Sa shumë lotoi qielli
Në dy zemrat tona,
Moj ARBORË!
Rruga deri te Ti
Ish plot dashuri,
Moj ARBORË!
Rruga deri tek unë
Ishte e afërt shumë,
Moj ARBORË!
Si brigjet pa urë
Sot janë zemrat tona,
Moj ARBORË!


DUA TË SHKRUAJ VARGJE

Dua të shkruaj vargje, atdhe, veç për Ty,
Për dashurinë ndaj teje, për prag e bajrak,
Për lulëkuqet Tua flatrash të harlisura,
Me kokë lart drejt qiellit, me erë lule-gjak!
Me fjalë ledhatare, ta përqafoj zemrën,
Kulla e fortesa të t’shtrenjtit vatan,
Atë fushë të paanë, ku mbretëronjë shqiponjat,
Ato male e kreshta-mburojë, istikam.
Fryn erë e tërbuar lulëkuqet t’i trazojë,
Vjershat don t’m’i tremb, vargjet t’m’i shqetësojë,
Që për Ty atdhe me mall dua t’i thur,
Për historinë tënde, Shqipe dhe Flamur.
Por lulëkuqet Tua drejt qiellit lartësohen,
E në zemrën time ushqejnë dashuri,
Maja e Lubotenit dhe Grykë e Rugovës
Na i miklojnë zemrat, na mbushin me freski.
Shpërthen lavë vullkani m’u ky shpirti im
Pa Ribashkim t’Kombit nuk gjen dot qetësim
S’do t’i ndali këngët, as poezitë prore,
Për ty Atdhe i dashur, për Ty tokë arbërore!


KOSOVË!

I.
KOSOVË-
Çerdhe e trimërisë
Kosovë-
Djep i Dardanisë

KOSOVË-
Vatër e Barotit
KOSOVË-
Gjaku i Kastriotit

KOSOVË-
Kulla e Jasharëve
Kosovë-
Zemra e shqiptarëve

KOSOVË-
Fjala e Besës
KOSOVË-
DASHURI e Abedin REXHËS

KOSOVË-
Uratë e Nënë TEREZËS
KOSOVË-
Besë e lidhur e Fehmiut dhe Xhevës

KOSOVË-
Shqipe e Flamurit
KOSOVË-
Betim i Komandant GURIT

KOSOVË-
Flamur i MARIGONËS
KOSOVË-
Pushkë lirie e ANTIGONËS

KOSOVË-
Tel i çiftelisë
KOSOVË-
Zjarr i dashurisë

KOSOVË-
Kënga lahutare
KOSOVË-
Shqipja Dykrenare

KOSOVË-
Gjaku i martirëve
KOSOVË-
Lule e ilirëve

KOSOVË-
Fushë me lulëkuqe
KOSOVË-
Kopsht me burbuqe

KOSOVË-
Kënga jonë kreshnike
KOSOVË-
Zemër heroike

KOSOVË-
Gërshet i Dadës Shotë
KOSOVË-
Më e bukura në botë

KOSOVË-
Besa jonë arbërore
KOSOVË-
Jona Tokë stërgjyshore

II.

KOSOVË-
Ti je zjarr që me kallë
KOSOVË-
Për ty kam shumë mall
KOSOVË-
Je peng që më mban gjallë
KOSOVË-
Për ty dhamë çikë e djalë
KOSOVË-
T’kemi gjak, që kurrë s’t’kemi falë
KOSOVË-
Shqipe e dykrenore në flamur
KOSOVË-
Fortesë shkëmbi gur mbi gur
KOSOVË-
Plis i djegur i Dadës Shotë
KOSOVË-
Vetull e vrarë e Shqiponjës Xhevë
KOSOVË-
Dashuria jonë e madhe, dritë e diell
KOSOVË-
Këngë e ndalur e Ylfetit
KOSOVË-
Gërshet i prerë i Ganimetit
KOSOVË-
Fuçi baroti, varr i sulltanit e i mbretit
KOSOVË-
Kullë e pamposhtur e Azemit
KOSOVË-
Këngë për liri e Komandant Ademit
KOSOVË-
Ti je ëndërr që më le pa gjumë
KOSOVË-
Ti je plaga ime që më kullon shumë
KOSOVË-
Besa-besë kurrë s’ të lamë në gjunjë
KOSOVË-
Me kokë në qiell- shqipe në flamur
KOSOVË-
Sa të rrojmë, do të duam shumë…
KOSOVË-
Imi lot dhe gëzim
KOSOVË-
Djepi dhe varri im!


ME TINGUJ TË ËMBËL

I
Në agun e parë
Ishe kënga ime
Me tinguj të ëmbël
Në sytë e Tu t’shkruar
Shpesh isha një lot
Më kujtohet si sot
Vargjet janë për Ty
I paç rreze dielli
Kurrë mos t’u errtë qielli

II
Ti je e bukur
Si lulja me kurorë
Ti je e dëlirë
Si mali me dëborë
Ti je e dashur
Si zemra e nënës
Ti je e artë
Si shkëlqimi i hënës
Ti je e ngrohtë
Si rrezet e diellit
Ti je SHQIPE MALI
Që fluturon drejt qiellit.

III
Ç’vlen fjala jonë
Po nuk qe e mveshur me çiltërsi
Ç’vlen zemra jonë
Po nuk qe mbushur me dashuri
Ç’vlen shoqëri jona
Po nuk qe e pasur me buzëqeshje
Ç’vlen jeta jonë
Po nuk qe e mbruajtur me përshëndetje

IV
Je krua që s’shter asnjëherë
Je dritë nga terri e ndjekur
Je shkëndijë- flakë e ndezur
E blertë si bulëzat në pranverë
Je aromë e lulemimozës në pranverë
Je rreze që nga qielli zbret
Je heshtë që shpon si shigjetë
Je fjalë- më e ëmbla në jetë

V
Hyre në vargun tim
Për atë fjalë
Dhe në poezinë time hyre
Për atë këngë
Tani të kam në zemër
Si një flakadan
Pa në pyetur ke hyrë
Aty të kam ndryrë

VI
Erdha të të shoh
E s’të pash dot,
S’më zë vendi vend
Se të kam ndërmend.
Poshtë e lart brodha,
Aspak nuk u lodha,
Por mundi m’shkoi falë,
Pse Ty s’të pash, vallë?!
Pa më thuaj Ti!
A mundem pa TY?!…

VII
Diell që ndriçon
Në shpirtin tim
Dritë plot bardhësi
Në çdo agim
Fanar që ndrit
Gjer n’pambarim


CILA JE?

(BASHKËSHORTES DHE BASHKËLUFTËTARES SË KOMANDANTIT ABEDIN REXHA-SANDOKANI, Trimëreshës Sanije Rexha)

Je trimëreshë –
Syshqiponjë
E betuar
N’flamur tonë
Je dhe lis
Degashumë-
Qëndrestare
Në furtunë
Je dhe yll
Që ndriçon
Anembanë-
Galaksion
Je pëllumbeshë
Në fluturim
Deshe paqen
Pa mbarim
Je dhe dritë
Me rreze t’ arta
Gjeraqinë-
Shqipe me flatra
Je dhe këngë
N’tel t’lahutës
Gisht gatitu
N’çark të pushkës
Je dhe lumë
Që gurgullon
Për atdhe
Jetën jetëson
Je dhe bjeshkë
Majeborë
Bijë e popullit
Arbëror
Je dhe besë
Fjalë e artë-
Krenari
Për gjithë shqiptar’t
Je dhe vuajtje
Për flamur
Qëndrestare
E fortë gur
Je dhe shoqe
E shtrenjtë motër
N’Besianë
N’Tiranë e n’Shkodër…
Je Shotë Galica
E timit fis-
Të rri bukur
I bardhi plis
Je Shqiptare
E bijë shqiptari
Për komb tonë-
Je vetë thesari


ENDE…

Ende kjo tokë dridhet nga ushtri e krajlit
Nga hapat e rëndë të çizmes së barbarit
E n’fushat e gjera të Kosovës vigane
Gjer në qiell harlisen lulëkuqet dardane

Dhe livadhet bleroshe e brigjet e vendit tim
Na joshin me bukuritë e tyre ty dhe mua shqim
Dhembjet që përjetuam në t’robërisë mynxyrë
Kanë mbetë në kujtesë, t’i harrojmë është vështirë

Llahtari që ndodhi përsëritet n’ëndrrat tona
Kur vritej e digje Nënë Kosovë e jona
S’e harrojmë kurrë gjakun që rrodhi pika-pika
E plagët ende janë t’kuqe dhe djegin si syri nga kripa

As lotët s’na janë terur që si litarë pikuan
Gjëmat dhe mallkimet e nënave tona s’i harruam
Ende digjen fshatra e rrënohen qytete
Ende kallen grunaja e hapen hendeqe

I shohim kur bijmë në gjumë, na kaplon trishtimi
Ende t’ndryrë në zemra janë buzëqeshja e gëzimi
Ende shkallmohen portat tona në stuhitë e natës
Ende vriten foshnjat tona nga bishat e Karpatës

Tëgjitha këto krime ne i shohim sërish
Kur jemi duke fjetur, ankthi gjumin prish
Era e shpërndan hirin në lulëzimin e pluhurit
E lulëkuqet harlisen me ngjyrë të purpurit

Si rektimë e ndrydhur që del nga gremina
Ende ndjejmë shqetësimin që vret si vetëtima
Ende zemrat tona janë copa e grima
U harroftë emri LUFTË, kurrë mos u dëgjoftë
Me paqe dhe liri njerëzimin Zoti e bekoftë