Prindër, Vaksinoni Fëmijët! Vaksinat Nuk Shkaktojnë Autizëm

0
1750

WeSpeakScience.com, 26 dhjetor 2016

Jemi në përfundim të vitit 2016 dhe mund të themi pa frikë që shkenca këtë vit ka bërë hapa gjigandë përpara. Një nga hapat më gjigandë të mjekësisë që nga fillesat e saj është zbulimi i vaksinave. Synimi i të gjithë zbulimeve shkencore është përmirësimi i jetës së njeriut. Ky ishte dhe vazhdon të jetë qëllimi i përdorimit të vaksinave. Megjithatë të gjithë kemi dëgjuar të flitet shpesh këtë vit për qëndrime të kundërta karshi vaksinimit të fëmijëve.

Një gjë që mund ta themi me siguri është se zbulimi i vaksinave ka revolucionarizuar mënyrën se si përceptohet shëndeti i njeriut dhe si aplikohet mjekësia.

Vaksina e parë është dokumentuar në vitin 1978, duke shënuar një kthesë të fuqishme në zhvillimin e mjekësisë. Ndikimi i vaksinave në jetën e njeriut ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë domethënës. Vlen të përmendet rëndësia që kanë patur vaksinat në çrrënjosjen e poliomelitit në vitin 1979 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të vijuar me çrrënjosjen e lisë në të gjithë botën në vitin 1980 e duke vazhduar në ditët tona me parandalimin e kancerit të mëlçisë dhe atij të qafës së mitrës.

Vaksinat konsiderohen nga shumë shkencëtarë si një nga sukseset më të mëdha në shëndetin publik dhe pa dyshim janë një ndikim i madh në zgjidhjen e shumë problemeve shëndetësore.

Pavarsisht ndikimit të jashtëzakonshëm që vaksinat kanë patur, jo të gjithë njerëzit ndajnë të njëjtat pikëpamje pozitive karshi përdorimit të tyre. Sot, shumë individë përfshirë prindër dhe politikanë kanë shfaqur hapur kundërshtinë e tyre karshi vaksinimit.

Në themel të kësaj lëvizjeje kundër vaksinimit qëndrojnë argumente që mbështesin idenë se vaksinat janë të panevojshme, jo efikase ose dhe të rrezikshme.

Si funksionojnë Vaksinat?

Kur një patogjen siç janë bakteret e dëmshme apo viruset infekton organizmin për herë të parë, sistemi ynë imun nxiton ta njohë atë si “invadues” bazuar në tiparet specifike molekulare të patogjenit (i njohur ndryshe si antigjen). Në përgjigje të këtyre antigjenëve, trupi ynë prodhon molekula të quajtura antitrupa që bëjnë të mundur që sistemi ynë imun të kapë dhe të vrasë patogjenin.

Kur organizmi takon një patogjen për herë të parë e ka të vështirë të mbledhë mjaftueshëm antitrupa për ta mundur infeksionin. Pikërisht në atë moment patogjeni ka mundësinë të sulmojë organizmin, duke na bërë të ndiejmë simptomat e sëmundjes. Pas takimit të parë të patogjenit me organizmin e njeriut, trupi ynë tashmë është në gjendje të memorizojë antigjenin, kështu që nëse i njëjti patogjen godet përsëri ne do të jemi në gjendje të paraqesim një mbrojtje më të fortë dhe më të shpejtë ndaj invadimeve të ardhshme.

Vaksinat e ndihmojnë organizmin të njohë patogjenin.Specifikisht vaksinat përmbajnë të njëjtët antigjenë si patogjenët, por në formë të dobësuar apo të vdekur, në mënyrë që organizmi të mësojë se si duket patogjeni dhe të prodhojë antitrupa në mënyrë të sigurtë dhe relativisht të kontrolluar. Në këtë mënyrë, kur organizmi të takojë patogjenin e vërtetë do të jetë tashmë i trajnuar dhe gati për ta eleminuar, përpara se ai ta dëmtojë.

Është e rëndësishme të dimë se vaksinat mbrojnë jo vetëm individët të cilëve u jepen, por të gjithë popullsinë. Kur numri i individëve të imunizuar (vaksinuar) në një popullsi arrin një prag të caktuar sigurohet “imuniteti i përgjithshëm”. “Imuniteti i përgjithshëm” mbron të gjithë popullsinë, përfshirë dhe ato që nuk janë vaksinuar. Përqindja e popullsisë që duhet imunizuar (vaksinuar) për të arritur “imunitetin e përgjithshëm”varion sipas llojit të sëmundjes, me prag nga 75-94% për sëmundjet e zakonshme.“Imuniteti i përgjithshëm” është thelbësor për mbrojtjen e atyre që nuk janë të përshtatshëm për t`u vaksinuar si foshnjet, gratë shtatëzëna dhe të rriturit me imunitet të kompromentuar.Kjo tregon se ndonëse vaksinimi duket si zgjedhje personale, në fakt mbron të gjithë popullsinë.

Figura 2. Formimi i imunitetit përmes vaksinimit. (A) Patogjenët si bakteret dhe viruset kanë sinjale molekulare të quajtur antigjenë (trekëndëshat e gjelbër) që mund të njihen nga sistemi ynë imunitar. (B) Vaksinat përmbajnë këto antigjene (ose një pjesë të tyre), pa pjesën e rrezikshme të patogjenit që shkakton sëmundje. (C) Pas injektimit të antigjenëve në organizëm, sistemi ynë imun gjeneron antitrupa (në formë Y) që njohin antigjenin. (D) Nëse një infeksion nga i njeti patogjen shfaqet në të ardhmen, sistemi ynë imun ka tashmë antitrupat gati. Organizmi ynë mund të njohë shpejt patogjenin bazuar në antigjenin e tij dhe mund të nisë një mbrojtje të shpejtë dhe efikase.

A janë vaksinat vërtetë efikase?

Edhe pse asnjë vaksinë nuk është 100% efikase, shumë prej tyre janë shumë afër efikasitetit absolut. Mund të përmendim 2 dozat e vaksinës së lisë së dhenve që janë 98% efikase kundrejt çdo lloj forme të lisë së dhenve. Për më tepër shumë vaksina kundër sëmundjeve vdekjeprurëse si ethet e verdha dhe fruthi janë mbi 95% efikase nëse administrohen sipas planit te caktuar.

Historia dëshmon në favor të efikasitetit të vaksinave!

Figura 3. “Imuniteti i përgjithshëm. (A) Kur asnjë individ nga popullsia nuk është vaksinuar, infeksionet mund të përhapen me shpejtësi, duke sjellë një shpërthim të tij. (B) Kur disa individë janë të vaksinuar, ato personalisht janë të mbrojtur. Megjithatë nëse numri i njerëzve të vaksinuar është poshtë pragut për “imunitetin e përgjithshëm”, infeksionet ende mund të përhapen. (C) Kur një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është vaksinuar, “imuniteti i përgjithshëm” arrihet. Parandalohen shpërthimet e infeksioneve dhe individët e pavaksinuar janë të mbrojtur.

Pavarsisht kësaj, individët që janë kundër vaksinave vazhdojnë të mbrojnë me argumente që kundërshtojnë fuqimisht vaksinimin.Ato pretendojnë se pakësimi i rasteve me fruth pak pas aplikimit të vaksinës ështe thjesht rastësi dhe masat e tjera si higjena e përmirësuar vetjake dhe publike janë përgjegjëset kryesore për këtë pakësim. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, logjikisht do të prisnim rënie drastike të numrit të individëve të prekur nga të gjithë sëmundjet afërisht në të njetën periudhë. Megjithatë rënia më domethënëse e numrit të të prekurve nga poliomeliti ka ndodhur pak pas liçensimit të vaksinës së poliomelitit në vitin 1955, shumë vite përpara fillimit të çrrënjosjes së fruthit.Një rast tjetër i ngjashëm është rënia domethënëse numrit të të prekurve nga rubeola pas vitit 1969, kur dhe vaksina kundër kësaj sëmundjeje u liçensua për herë të parë. Kjo hedh poshtë pretendimin se çrrënjosja e këtyre sëmundjeve është thjeshtë rastësi!

Ndërkohë që përmirësimet në higjenë janë pa dyshim një plus i madh, disponimi i vaksinave është në mënyrë të padiskutueshme çelësi i ndalimit të përhapjes së sëmundjeve.

Figura 4. Rastet në USA përgjatë viteve me fruth (sipër), rubeolë (në mes) dhe poliomelit (poshtë).Vijat e thyera përfaqësojnë vitet,kur vaksinat për sëmundjet e paraqitura janë liçensuar për herë të parë nga Administrata e Ushqimit dhe Medikamenteve (fruthi-1963, rubeola-1969, poliomeliti-1955).

A shkaktojnë vaksinat autizëm?

Një nga argumentet më popullore që sjellin personat që janë kundër vaksinimit është ai se vaksinat më shumë dëmtojnë se shërojnë, duke shkaktuar autizëm dhe dëmtime në zhvillimin e trurit, që dihet se pengojnë ndërveprimin social dhe komunikimin.

Ky argument u bë i famshëm nga kirurgu britanik Andrew Wakefield, “babai i lëvizjes kundër vaksinimit”. Në artikullin e tij të vitit 1998, të publikuar në gazetën mjekësore “The Lancet” Wakefield pretendoi për një lidhje mes autizmit dhe vaksinës sëfruthit, shytave dhe rubeolës (MMR). Ky artikull përshkruan një studim të bërë në 12 fëmijë të cilët kishin filluar të shfaqnin simptoma të autizmit, ashtu si dhe të problemeve gastrointestinale pak pas aplikimit të vaksinës MMR.

Pa kaluar shumë kohë nga studimi i Wakefield, shkencëtarë të tjerë kryen kërkime të pavarura të cilat hodhën poshtë gjetjet e Wakefield. Studime të tjera nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1994, Finlanda dhe Danimarka në vitin 2002 dhe Japonia në vitin 2005 në mënyrë të ngjashme kundërshtuan gjetjet e Wakefield. Në vitin 2014 shkencëtarët australianë analizuan rezultatet e kombinuara të 10 studimeve të mëparshme, të cilët në total përfshinin më shumë së 1.2 milion fëmijë dhe në mënyrë të ngjashme zbuluan se nuk ekzistonte lidhje mes vaksinimit dhe autizmit. Se fundmi një studim i publikuar në prill të vitit 2015 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka treguar dhe njëherë se vaksina MMR nuk e rrit rrezikun për të zhvilluar autizëm, madje as për ato që janë gjenetikisht të predispozuar për të zhvilluar këtë çrregullim.

Në vitin 2004 gazetari investigativ britanik Brian Deer prezantoi dëshmi që tregonin se Wakefield mund të ketë falsifikuar të dhënat në publikimin e tij. Argumentet kundër gjetjeve të Wakefield vazhduan të jenë në qendër të vëmendjes deri në janar të vitit 2010, kur Këshilli i Përgjithshëm Mjekësor e shpalli atë fajtor për shkelje serioze dhe “Lancet” tërhoqi artikullin origjinal të vitit 1998.

Popullariteti i vazhdueshëm i teorisë që mbështet lidhjen mes autizmit dhe vaksinimit ka marrë mbështetje nga shumë prindër të cilët kanë ndarë me publikun historitë e fëmijëve të tyre, të cilët filluan të shfaqnin shenja të autizmit pak pas vaksinimit.Fillesa e autizmit shënjohet në 2-3 vitet e para të jetës së fëmijëve që përkon me të njëtën moshë, kur fëmijët marrin shumicën e vaksinave.

Rritja e numrit të të diagnostikuarve me autizëm ka ardhur pjesërisht dhe si rrjedhojë e ndryshimeve në përkufizimin e autizmit.Përkufizimi i autizmit është detajuar dhe është bërë më përfshirës, prandaj dhe më shumë fëmijë po diagnostikohen me këtë çrregullim. Në të vërtetë të njëtat simptoma të cilat sot konsiderohen si “autizëm”, dekada më parë janë diagnostikuar si prapambetje mendore.

Një e dhënë interesante është ajo që vjen nga qyteti i Yokohamas, në Japoni. Në këtë qytet nuk është aplikuar vaksina MMR në fëmijët e lindur që nga viti 1993.Megjithatë, nivelet e autizmit janë rritur mes fëmijëve të pavaksinuar. Kështu që ndonëse shkencëtarët vazhdojnë të kërkojnë shkakun ekzakt të autizmit, një gjë mbetet e pandryshuar: Askush, akoma nuk ka gjetur një të dhënë shkencore bindëse që mbështet lidhjen mes vaksinimit dhe autizmit.Shumë, shumë, shumë studime e kanë konfirmuar këtë. Përmbledhja më e fundit sistematike e studimeve mbi vaksinën MMR, Cochrane përfshin 6 seri studimesh shkak-pasojë, 2 studime ekologjike, 1 studim klinik të tipit crossover, 5 studime klinike të pavarura, 17 studime kontrolli, 27 studime kohorte dhe 5 studime klinike të kontrolluara, të rastësishme. Më shumë se 15 milionë fëmijë u bënë pjesë e kërkimit në fjalë, por askush nuk mundi të gjejë të dhëna në favor të lidhjes mes vaksinimit dhe autizmit.

A sjell vaksinimi rreziqe të tjera përtej autizmit?

Këto dilema shpeshherë janë të arsyeshme.Shumë vaksina nuk rekomandohen për individë që kanë alergji serioze dhe për ato që kanë një sistem imunitar të dobësuar si pasojë e sëmundjeve si HIV/SIDA apo kanceri. Ndërkohë që vaksina sezonale e gripit mund të shkaktojë simptoma kërcënuese për jetën në njerëzit me sindromën Guillain-Barré. Në raste të rralla dëmtimi i shpatullës, i lidhur me administrimin e vaksinave që sjell dhimbje të zgjatur dhe ngurtësi mund të vijë si pasojë e injektimit shumë lart në krah të vaksinës.Megjithatë, pavarsisht se ekzistojnë situata të caktuara kur vaksinat mund të shkaktojnë efekte anësore të rënda, ato janë shumë të rralla.

Efektet anësore më të shpeshta të vaksinave, si shqetësimi në vendin e injeksionit, dobësia dhe temperatura janë të lehta dhe të përkohshme. Temperatura mundet ndonjëherë të përkeqësohet pas vaksinimit.Kjo gjendje ndonëse shqetëson shumë prindër, nuk është as kërcënuese për jetën, as nuk shkakton dëmtime të përhershme.

Figura 5.

Cilat janë shqetësimet më të mëdha që prindërit kanë në lidhje me vaksinimin?

Do ju rendisim më poshtë shqetësimet kryesore të prindërve në lidhje me vaksinimin dhe të vërtetat e shumëpritura.

1. Shqetësimi kryesor i prindërve është se shumë vaksina do të mbingarkonin sistemin imunitar të fëmijës.

E vërteta është se nëse prindërit e lindur në vitet 1970-1980 janë vaksinuar kundër vetëm 8 sëmundjeve, një 2-vjeçar sot mund të mundë deri në 14 sëmundje.Kjo bën që këta fëmijë të jenë të mbrojtur nga rreth 2 herë më shumë sëmundje nga çfarë kanë qenë prindërit e tyre.Thelbi qëndron tek përmbajtja e vaksinave. Antigjenët janë përbërja virale ose bakteriale e vaksinës që ndihmon sistemin imun të formojë antitrupa dhe të luftojë infeksionet e ardhshme, pra nuk e mbingarkon atë!

2. Shqetësimi tjetër ka të bëjë me pretendimin e prindërve se sistemi imun i fëmijëve të tyre është i paformuar, prandaj dhe është më e sigurtë shtyrja e aplikimit të disa vaksinave dhe aplikimi vetëm i atyre më të rëndësishmeve.

E vërteta është krejt ndryshe në fakt.Për shembull shtyrja me vetëm 3 muaj e vaksinës MMR rrit në mënyrë domethënëse rrezikun e konvulsioneve.Nuk ka dëshmi që mbështesin faktin se shtyja e vaksinave është e sigurtë.Ajo që dimë me siguri është se vaksinat e programuara janë të planifikuara të sigurojnë mbrojtjen më të madhe të mundshme.

3. Një tjetër shqetësim lidhet me përmbajtjen toksike të vaksinave, veçanërisht për përmbajtjen e mërkurit, aluminit, formaldehideve dhe antifrizës.

Po si qëndron e vërteta?

Shumica e vaksinave janë thjesht ujë dhe antigjenë, por kërkojnë praninë e përbërësve shtesë për të stabilizuar përzierjen dhe për të rritur efikasitetin e vaksinës.Prindërit shqetësohen, sepse disa vaksina dikur përmbanin timerosal, që zbërthehet në etilmërkur, i cili ndryshe nga se ndodh me metilmërkurin, që është neurotoksinë nuk akumulohet në organizëm.Megjithatë timerosali është hequr nga të gjithë vaksinat për foshnje që nga viti 2001 si një “masë paraprake”.

Vaksinat përmbajnë kripëra alumini për të rritur përgjigjen imune, duke stimuluar prodhim më të madh të antitrupave e në këtë mënyrë duke rritur efikasitetin e vaksinës. Edhe pse ato shkaktojnë skuqje dhe enjtje në vendin e injeksionit, përmbajtja e tyre është shumë herë më e vogël se ajo që përmbahet në qumështin e gjirit, që dëshmon se efektet afatgjata të tyre nuk ekzistojnë. Gjurmë të formaldehideve janë gjetur në disa vaksina, pasi përdoren për të inaktivizuar kontaminimin e mundshëm, por kjo sasi është qindra herë më e vogël se ajo që njerëzit marrin nga burimet e tjera si për shembull frutat.Në fakt trupi ynë vetë prodhon më shumë formaldehide nga se përmbahen në vaksina.

Megjithatë përbërës të caktuar në vaksina i ekspozojnë fëmijët ndaj disa rreziqeve.Antibiotikë si neomicina, që përdoret për të parandaluar rritjen bakteriale në disa vaksina dhe xhelatina, që përdoret shpesh për të parandaluar degradimin e përbërsësve të vaksinave me kalimin e kohës mund të shkaktojnë reaksione shumë të rralla anafilaktike, ndonëse janë ekstremisht të rralla. Për sa i përket antifrizës, thjesht nuk ndodhet në vaksina!

4. Një nga frazat që dëgjojmë më shpesh nga prindërit është se vaksinat nuk funksionojnë gjithsesi dhe për t`u bindur mjafton t`i hedhim një sy vaksinës së gripit të vitit të shkuar.

Në fakt e vërteta është se pjesa më e madhe e vaksinave janë 85-95% efikase.Gjithsesi vaksina e gripit është veçanërisht e ndërlikuar.Çdo vit, specialistët e infeksioneve nga e gjithë bota mundohen të parashikojnë cilët modele virusesh është e mundur të qarkullojnë gjatë sezonit të ardhshëm të gripit. Është e vërtetë që vaksina e vitit të kaluar kundër gripit ishte vetëm 23% efikase në parandalimin e gripit, por megjithatë edhe pse vetëm 23% efikase, qindra mijëra njerëz janë kursyer nga gripi. Konkluzioni është se vaksinat nënkuptojnë më pak vdekje, shtrime në spital dhe paaftësi!

5. Nuk do të ekzistonte një “gjykatë” për çështjen e vaksinave, nëse ato nuk do të ishin të rrezikshme. Sado qesharak të duket ky pretendim, është një nga shqetësimet më të mëdha të njerëzve.

E vërteta është se sado të sigurta të jenë vaksinat, sërisht shkaktojnë efekte anësore të rralla dhe të papritura.Megjithatë njerëzit nuk duhet të mbajnë mbi vete barrën e shpenzimeve financiare që lidhet me këto efekte.Pikërisht në këtë pikë u mendua krijimi i një strukture që kryen “rregullatorin” në çështjet që lidhen me vaksinat.

Ju mund të mendoni pse njerëzit thjesht nuk kanë denoncuar kompanitë farmaceutike? Në fakt jo se nuk ka ndodhur, por një çështje e tillë mund të fitohet vetëm nëse vaksina është defektive, që në fakt në të gjithë rastet e denoncuara nuk qëndronte. Ato thjesht përmbanin rreziqe të mirënjohura.Megjithatë denoncimet vazhduan, kjo bëri që kompani të caktuara, në një moment të caktuar të ndalonin prodhimin e vaksinave, duke sjellë mungesa të theksuara në treg.Fëmijët po mbeteshin të pavaksinuar. Në këtë moment hyri në lojë Kongresi apo “gjykata”. Fillimisht ai rriti mbrojtjen ndaj kompanive farmaceutike, duke mundësuar vazhdimësinë e prodhimit të vaksinave si dhe e bëri më të lehtë marrjen e kompensimeve nga prindërit.

6. Shumë prindër skeptikë mendojnë se vaksinat janë një mënyrë përmes të cilës kompanitë farmaceutike dhe doktorët të fitojnë para.

E vërteta është se kompanitë farmaceutike sigurisht që përfitojnë nga vaksinat, por vaksinat janë shumë larg përcaktimit si medikamente që sjellin përfitime të larta vjetore (blockbuster).Përveç kësaj është e arsyeshme që kompanitë të fitojnë, pasi ato rrallë finacohen nga shteti.Pothuajse të gjithë fondet e parashikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit për kërkime mbi vaksinat shkojnë për universitet.

Nga ana tjetër mjekët pediatër nuk përfitojnë aspak nga vaksinat. Madje disa prej tyre e kanë të vështirë t`i blejnë, magazinojnë dhe administrojnë ato!

7. Një shqetësim i prindërve lidhet me faktin se efektet anësore të disa vaksinave duken më të këqija se vetë sëmundja.

Në të vërtetë duhet 10-15 vite dhe shumë studime që vaksinat e reja të kalojnë 4 fazat e testimit të sigurisë dhe efikasitetit dhe të aprovohen. Më pas Administrata e Ushqimit dhe Medikamenteve kontrollon të dhënat për t`u siguruar se vaksinat bëjnë atë që thuhet nga prodhuesit. Më pas vendoset nëse do të rekomandohet nga mjekët apo jo. Asnjë kompani nuk do të investonte aq shumë para në një vaksinë që shkakton më shumë probleme shëndetësore, nga sa parandalon.

Është e vërtetë që efektet anësore si temperatura e lartë dhe dhimbje në vendin e injeksionit janë të pranishme, por efektet anësore më serioze janë të rralla.

Vaksinat, ashtu si çdo zhvillim tjetër mjekësor kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre.Historia dhe shkenca kanë treguan në mënyrë të vazhdueshme se avantazhet e vaksinimit janë qartazi shumë herë më të mëdha se disavantazhet. Për më tepër që këto disavantazhe mund të shmangen nëpërmjet studimeve të detajuara. Megjithatë mosbesimi karshi vaksinave ka vazhduar, pavarsisht dëshmive të bollshme se ato janë të sigurta, të fuqishme, efikase dhe nuk shkaktojnë autizëm.Pavarsisht të gjithë kundërshtive në lidhje më vaksinimin, asnjë përpjekje për të provuar inefikasitetin apo rrezikshmërinë e tyre përgjatë kohës dhe testimeve nuk ka patur sukses.

Shumë pyetje nga shkenca dhe mjekësia janë të ngatërruara dhe acaruese, por pyetja mbi vaksinimin nuk ka pse të jetë e tillë. Kjo sepse përfundimi mbi vaksinat është tashmë i njohur: e pafajshme, efikase, e fuqishme dhe tepër e rekomanduar!

Copyright: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Detina Zalli dhe Harmela Sinanaj (Universiteti i Mjekësisë, Tiranë).

Referencat:
1. http://sitn.hms.harvard.edu/flash/2016/to-vaccinate-or-not-to-vaccinate-searching-for-a-verdict-in-the-vaccination-debate/
2. http://www.parents.com/health/vaccines/controversy/8-reasons-parents-dont-vaccinate-and-why-they-should/
3. http://www.nytimes.com/2015/09/18/upshot/not-up-for-debate-the-science-behind-vaccination.html?_r=0
4. https://en.wikipedia.org/wiki/MMR_vaccine

Burimi i fotove:
1. Fig 1. https://celiac.org/celiac-disease/understanding-celiac-disease-2/celiac-disease-vaccinations/
2. Fig 2,3,4. http://sitn.hms.harvard.edu/flash/2016/to-vaccinate-or-not-to-vaccinate-searching-for-a-verdict-in-the-vaccination-debate/
3. Fig 5. https://celiac.org/celiac-disease/understanding-celiac-disease-2/celiac-disease-vaccinations/