ELTONA LAKURIQI: JO VETËM ME NJË LIBËR TË BUKUR POETIK…

0
1511

Eltona Lakuriqi dhe Murat Gecaj – Tiranë, gusht 2016

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Me Eltona Lakuriqin, ka disa kohë që njihemi. Pikëtakimi ynë kanë qenë veprimtaritë letrare në kryeqytet. Kështu, kemi marrë pjesë në përurimin e librave, që janë bërë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në Ministrinë e Kulturës ose në ndonjë vend tjetër. Më kujtohet tani, se kemi qenë edhe në ekspozitën fotografike, që çeli e reja Nerina Toçi, me banim në Siçili (Itali), në AK “Art Galery”, e cila administrohet nga çifti Vjollca e Azem Kuçana.

Ngjarje e rëndësishme e këtij viti ishte Panairi i Librit-2016, në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Aty kemi marrë pjesë në përurimin e një libri të bashkatdhetarit tonë, me banim tash mbi 50 vjet në Suedi, mikut të përbashkët, Sadulla Zendeli, i njohur nga të gjithë, “Daja”. Me atë rast, jemi njohur e kemi takuar botues dhe autorë librash, si nga Shqipëria, por dhe nga trojet tjera amtare e ngulimet shqiptare, në Evropë dhe në Amerikë e Kanada. Sigurisht, kudo kemi ndjerë kënaqësinë, që të sjellin veprimtari të tilla, letrare, kulturore e artistike.

Sigurisht, Eltona më ka njohur edhe me librat, që ajo ka botuar dhe për veprimtarinë e saj, me filialin e Radios “Mitrovica”, në kryeqytetin tonë. Aty ajo ka ftuar e ka biseduar me mjaft krijues, poetë e shkrimtarë, studiues dhe punonjës të arsimit, kulturës e arteve.
Pa e zgjatur, dëshiroj që, përmes këtyre pak radhëve, ta njoh lexuesin, sigurisht shkurtimisht, me librat, ku Eltona është autore…

2.
Ja, ndër duar kam librin e ri me poezi, të Eltona Lakuriqit, “Në artin pa unaza”(Durrës, 2016), të cilin ajo ma ka dhuruar, me një kushtim dashamirës. Librin në fjalë e ka redaktuar Brunilda Përvathi dhe nuk ka shumë faqe, por është botuar me teknikë të lartë dhe tërheqin vëmendjen, sidomos, ballinat e tij. Në hyrjen e librit, “Dy fjalë, në vend të parathënies”, kanë shprehur mendimet e tyre disa autorë të njohur, si: Nasho Jorgaqi, Armir Shkurti, Vllasova Musta, Fatmir Minguli, Suzana Varvarica-Kuka e Fatmir Gjata.

Po, ndër ta, është dhe Agim Bajrami, i cili shkruan: “E veshur me një mantel të brishtë dhe të tejdukshëm sinqeriteti, kjo poezi të krijon menjëherë një emocion njerëzor, metaforike. Por edhe e ngërthyer me sentence filozofike, ajo tenton të jetë konkrete dhe e prekshme, njëkohësisht…”. Me nota miradie për poezinë e Eltonës janë edhe afër katër faqe, që ka shkruar arsimtari e shkrimtari i njohur, Namik Selmani.

Poezia e parë e këtij vëllimi është “Humbur, pas botës së tij”, ku autorja na thërret, me simbolikën e vargjeve të saj: “Tjetërsohet shpirti, gati në përhumbje krahësh…/përpëlitet…/trembet…/merr jetë nga fryma, që lëshon kënga e zogjve”. E bukur është poezia vijuese, ku janë edhe këta vargje: “Më trembin ditët pa ty,/vetmia struket qosheve/të shpirtit,/lëshohet faqeve pa zë, duke më mbytur ëndrrat!?”

Për dashurinë shkruajnë e flasin, pothuajse, të gjithë poetët. Kështu dhe Eltona i shfaqë ndjenjat përmes vargjeve të saj, të frymëzuar e të lëmuar: “Nuk më lë loti të çmallem me ty,/teksa bie supeve, më lëndon shpirtin,/ të mbështetësh kokën, të puth në faqe./Ia ndiej frymën tënde…ritmin…”.

Te poezia tjetër vijuese, gjithashtu me këtë tematikë, lexojmë këta vargje, që flasin për brengat dhe zemrën e dallgëzuar të një vajze: “Ajo fluturonte nëpër ëndrra të bardha,/netëve rënkonte e trazuar për dashuri;/ajo donte të linte hapat pas,/atje ku hapat e tij i jepnin qetësi”. Për dashurinë e paarrirë, autorja shkruan: “Më mungon…/Po nisem, me hapa malli, për te ti,/dil e më prit, e imja dashuri”(Poezia “Më mungon, pafundësisht…ti”). Për peshën e fjalëve, poetja shkruan me pezmatim: “Ato më rëndojnë qepikëve të zinj;/ike…nuk e ndoqa hijen, kur zhdukej,/nëpër gjurmë lëngonte lëndimi im!?” Njeriu e do shpirtin e lirë, pa vargonj: “Heroike, pa titull, do ta quaj vetminë./Në mungesë të përjetësis,/do kujtoj kohën e shpirtit të lirë”.

Po nuk ndodhë gjithnjë kështu, se është një djalosh, i cili ia sjell vajzës, që dashuron, “bardhësinë e zemrës së tij” dhe: “Ai më fton në vetminë/e heshtur, pa fjalë;/mes ngricës së akullt të janarit, më jep jetë./Princeshë e borës, më quan parreshtur,/kur përqafohemi, mes flakës së zjarrit,/ngjyrë vjolë, e lehtë”.

Askush nuk e dëshiron vuajtjen, po kjo poete shkruan: “Më pëlqen të vuaj…/Mbase, kështu më duket se/më fort të dashuroj./Me valët e detit luaj, yjet që humba i vizatoj”. Domethënës janë vargjet e poezisë, nga e cila e ka marrë titullin ky libër:”Dy gota me fron,/dorë që pikturon,/dorë që shkruan./Në heshtje:dy gojë,/dy sy…/ Dy të dehur, në artin pa unaza,/betohen përjetë!…”.

Siç është e kuptueshme, në një recension si ky, nuk mund të bëhet analiza e detajuar e të gjitha poezive të një vëllimi poetik. Mendoj se e rëndësishme është që të themi se edhe poezitë vijuese të këtij libri janë shkruar me ndjenjë e frymëzim. Ato pasqyrojnë shpirtin e pasur poetik të autores Eltona Lakuriqi. Ndërsa dëshiroj të përmendi vetëm titujt e disa krijimeve tjera, pa u bërë komente përmbajtjes së tyre. Të tilla janë poezitë: “Mijëra mesazhe dashurie” (të cilët fluturonin mbi krahët e zogjve), “E, ku do ta gjej më, si kjo jetë?” (kur “dhuroi emrin më të bukur, Nënë”), “Jeto” (“Thuaj botës se jeta është e imja,/jo pranga zinxhiri!”), “Do fle” (“…kur të kem shkruar disa vargje për ty…”), “Pranvera erdhi”( e ”Bora u shndërrua në qilimin e shpresës…”), “Parfum”( që “të dehesha nga aroma e puthjeve”), “Përgjithnjë” (“Kur nata na zë rrugëve,/ mbështetem si fëmijë supit tënd,/ndez zemrën, në vend të yjeve,/frika largohet drithëruar, në tjetër vend”), “Mosha e dashurisë”(kur “Dashuria i shpërfill dimrat,/shpërfill acaret”), “Idhulli im” (dhe “të buzëqesh, jam pjesë e jotja,/t’i shoh ngjyrat, më pas marr penelin të pikturoj”). Ndërsa më tej: “Të besova sekretet e mia” ose “Flake ndrojten!”

3.
Natyrshëm, ndonjë lexues bën pyetjen: Cilët janë librat tjerë, që ka shkruar poetja Eltona Lakuriqi? Po të hapësh profilin e saj, në Facebook, lexon një njoftim që do të botohej libri “Maskat”(Durrës, 2015). Ai përmban gjihësej 54 poezi, ndër të cilat është ajo, nga e ka marrë titullin tërë vëllimi poetik, por dhe: “Stinët e jetës”, “E nesrmja do trokasë”, “Rojtare agimesh”, “Ti, o djalë, o djalë i ëmbël!”, “Për herë të parë, baba”, “Dashuria ime e përjetshme”, “Për sytë e tu, jam flutur”, “Merre frymëzimin tim”,”Me forcën e një përqafimi”, “Dashuri pa faj” etj. Pra, edhe në këtë vëllim poetik të mëparshëm, në tematikën e autores ravijëzohet qartë ndjenja gjithëkohore e gjithëbotërore, ajo e dashurisë.

Ndërsa po ndalem pak, vetëm te poezia e dhjetë e këtij libri, “Je ti…”. Po, vallë, çfarë magjie ka ai njeri, i cili po e ndryshon jetën e një vajze? Autorja na përgjigjet me vargje, që jetës së saj: “Po i jep ngjyra,/ende më të bukura se të ylberit./Po zbukuron ditët e mia,/ me lulet më të bukura,/që ekzistojnë../Po çelë kafazet e zogjve/ dhe po i bën të shtegtojnë…”. Dhe, në mbyllje të kësaj poezie, autorja shpërthen me vargjet: “Je ti,/që dua të më dashurosh,/gjithnjë kështu./Unë përherë do të të njoh,/si të tillë,/je ti muza ime poetike”.

Në një takim tonin të këtyre ditëve, para se t’i shkruaja këto radhë modeste, Eltona me tregoi se libri i tretë i saj poetik e ka titullin “Gotat blu” dhe është botuar në vitin 2015. Gjithashtu, përmbajtja e poezive të tij është, afërsisht, e ngjashme me dy të tjerëve. Pra, shprehen ndjenja e mendime rinore për dashurinë, me të bukurat e dritëhijet e saj.

…Sigurisht, kjo autore nuk e ka mbaruar me kaq misonin e saj letrar. Pra, ajo përsëri shkruan dhe, ndoshta, së shpejti do të kemi prej saj një libër të ri, gjithnjë e më të arrirë, në poezitë e saj. E urojmë për këtë gjë dhe e përgëzojmë miken krijuese Eltona Lakuriqi, për botimet e deritanishme, të cilët janë mirëpritur nga lexuesit tanë!

Tiranë, dhjetor 2016