Të mbytesh në një pikë qumësht!

0
1629

Drama e prodhimit Made in Albania

Prodhimi në Shqipëri ndodhet sot në nje gjendje kritike por kriminalizimi i parlamentit, informaliteti endemik i shoqërisë dhe drejtësia e padenjë për besim, të ndjekura nga një Media shpesh partiake e jo etike, e kanë larguar vëmendjen e publikut nga prodhimi. “Prodhimi ? Kush merret me të në Shqipëri përveç naivëve?” dëgjon rëndom në Tiranë. Por ai është në bazë të zhvillimit të çdo vendi dhe gjendja e tij është tregues i pa neglizhueshëm i ekonomisë.

Klara Buda, 07.01.2016

Kjo gjendje kritike e prodhimit ka ardhur si rezultat i gabimeve të njëpasnjëshme të qeverive të mëparshme, në këto 25 vjet tranzicion. Arsyet – një sekret Polishineli – paaftësia dhe korrupsioni kanë sjellë si pasojë: mungesën e politikave për mbështetjen dhe zhvillimin e prodhimit vendas, çmimet e larta të shërbimeve dhe konkurencën e pandershme të rënduar edhe nga marrëveshje të pafavorshme.

Qëllimi i këtij shkrimi është të tregojë, vështirësitë deri në pamundësi të prodhimit në Shqipëri dhe humnerën në të cilën bie investimi i bërë në të.

Njësia e prodhimit test që do të analizojmë është një kuti qumësht i pasterizuar / sterilizuar.

Kostoja e një kutie qumështi të sterilizuar, ambalazh tetrapak në bazë të të dhënave mesatare të marra në tre burime të ndryshme, të ndërmarrjeve të paketimit të qumështit në vend, është si më poshtë :

Shërbimi / Litër Çmimi në Lekë
Qumësht prej fermës 48.00
Ambalazhi Tetrapak 18.00
Kosto Anekse 9.80
Fuqi Punëtore 5.00
Mbledhja dhe shpërndarja 15.20
Total 96.00

Vërehet se kostoja që i shtohet çdo litri qumështi nga shërbime si : grumbullimi tek fshatari, transporti në fabrikë, pasterizim/ sterilizim, amballazhim, ruajtje në frigorifer, transport në pikën e shpërndarjes është 48.00 Lekë. Pra çmimi në grumbullim, 48.00 Lekë (34 – 40 Lekë, në ferma të mëdha) dyfishohet duke arritur në 96.00 Lekë. Çmimet e larta të shërbimeve vijnë si rezultat i çmimeve të larta të karburantit, elektricitetit etj., Në Shqipëri, çmimet e mësipërme rezultojnë më të lartë se në Kosovë e Maqedoni dhe në vendet fqinje (sipas raportit të fundit të Bankës Botërore).

Deri dje, kostoja e lartë e kutisë së qumështit ekuilibrohej disi, me informalitetin, blerje pa TVSH etj,. Aktualisht, marrja e masave për formalizimin e ekonomisë e ka vështirësuar tregtimin e saj. Tregtarët e vegjël nuk po munden ta blejnë më. Nuk ka tregues të saktë mbi shkaqet. A është ulja e fuqisë blerëse në përgjithesi që ndikon në këtë kolaps apo çmimi i lartë i prodhimit të vendit në lidhje me atë të importit ? Në kushtet e deklaratave optimiste të pushtetit është vështirë të vlerësohet me saktësi se cilat janë pasojat, dhe se ku po shkohet.

Në rrugën për Europë, Shqipëria ka ratifikuar një numër marrëveshjes dhe ligjesh. Ne do të shënojmë vetëm ato që lidhen me njësinë tonë test.

Konkurenca në rend ngritës vjen nga:

1- Qumështi i pa kontrolluar, më i lirë por me rrezik për shëndetin, që shitet me bidona në rrugë.

2- Qumështi i importuar nga Kosova, Bosnja – Herzegovina, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia, i bërë i mundur nga marrveshja CEFTA[1].

3- Qumështi i ardhur nga Europa, kryesisht Italia, është konkurenti më i madh. Prania e tij në tregun shqiptar, madje mund të jetë fatale për kutinë e qumështit tetrapak « Made in Albania ».

Qumështi që vjen nga vendet fqinje të rajonit dhe Europa ka një kosto prodhimi më të ulët dhe me gjithë transportin dhe doganën, arrin të shitet me çmime konkuruese në krahasim me prodhimin vendas. Por ndërkohë që qumështi që vjen nga vendet e Europës Qendrore nuk mund të ndalohet pa negociata për shkak të CEFTA-s, ai i ardhur nga Italia, nuk e ka këtë mbrojtje. Per momentin nuk ka asnjë marrëveshje që e detyron Shqipërinë që të importojë nga Italia apo vende të tjera të Europës.

Qumështi Made in Albania në botën globale

Cfarë do të sjellë hyrja në Europë për prodhuesin e kutisë së qumështit ? Në Europë, prodhimi i qumështit financohet nga shteti, dhe për pasojë, ka çmime më të ulëta se prodhimi vendas në Shqipëri. Për shembull : pas liberalizimit të kuotave që kufizonin prodhimin e qumështit në Europë, rritja e prodhimit të fermave të mëdha moderne e ka ulur çmimin e një litri qumësht në 32,2 Lekë (23 cents Euros) dhe po shkatëron fermerin e vogël europian.

Siç e thamë më lart kostoja e një litri qumësht është mesatarisht 96 Lekë në ndërmarrjet shqiptare të përpunim paketimit.
Pra qumështi me cilësi i prodhuar në Shqipëri është tri herë më i shtrenjtë se në Europe 32,2 Lekë !

Me hyrjen në Europë dhe në kushtet e marrëveshjes së tregtisë së lirë, prodhuesi vendas do të gjendet përballë importit të qumështit shumë më të lirë të financuar nga shtetet e fuqishme europiane dhe nuk do të mund të jetë konkurues. Prodhuesit shqiptarë nuk mund të shesin dot më prodhimin e tyre në vend, pra hyrja në Europë do të shënonte edhe fundin e tyre. Europa ka norma cilësie të cilat janë konformë me mesataren e zhvillimit të vendeve të saj. Shqipëria për të hyrë në të i ka ratifikuar shumë syresh, pa i shqyrtuar më parë nëse vërtet mund t’i plotësojë. Kjo do të sjellë herët a vonë, problemin në tryezë. Do të duhet të kontrollohet prodhimi i qumështit që në silazhin që ha lopa dhe kjo do të ngrejë edhe më shumë koston aktuale të prodhimit, përpos një problematike të komplikuar, që nuk mund të analizohet këtu.

Po a ka shteti një aksion në ndihmë të prodhuesit shqiptar ? A egziston një strukturë, një ekip që të ndjekë prodhuesit që përpunojnë qumështin e vendit dhe punësojnë shqiptarët? A llogaritet dhe ndiqet kostoja e një litri qumësht të pasterizuar/sterilizuar ? Sa është fuqia blerëse e këtij prodhimi ? Sa është defiçiti që krijohet duke e shitur prodhimin me çmim më të ulët se kostoja e prodhimit ? Përgjigja për këtë seri pyetjesh është : jo !

Pasterizimi apo sterilizimi i qumështit është një proçes i thjeshtë, i mundur tani edhe në vendin më të varfër të botës. Nëse për shkak të çmimeve të shërbimeve aktuale kostoja del më e lartë se sa mund ta përballojë konsumatori shqiptar, shteti duhet ta ndihmojë prodhuesin ta rikuperojë këtë vlerë të shtuar, deri sa të ndërmerret rregullimi një nga një i të gjithë këtyre hallkave të proçesit të prodhimit.

Kjo praktikë (siç e treguam më lart) ekziston në vendet e Bashkimit Europian që për të stimuluar e mbështetur prodhimin vendas e financojnë atë që nga ferma deri në industrinë e paketim përpunimit.

Mbështetja e këtij lloj prodhimi në vështirësi të dukshme është një detyrë urgjente e shtetit me qellim që të ndihmohet prodhimi, të mbahen investitorët aktualë dhe të tërhiqen të rinj. Nuk ka rrugë tjetër ekonomike për të zgjidhur këtë gjëndje me të cilën përballet prodhimi i qumështit në Shqipëri.

Por ajo që është më shqetësuese, kur flet me prodhuesit që ndeshin përditë këto vështirësi, ata as nuk e mendojnë se shteti mund të ndihmojë. Pra në mënyrë unanime të gjithë e dinë se shteti nuk dëgjon nga ai vesh e nuk shikon nga ai sy. Pra papërgjegjshmëria e politikës, pamundësia e qeverisë për të zgjidhur aktualisht problemet e trashëguara të kësaj natyre që ndesh prodhimi, të shoqëruara nga nepotizmi ekstrem janë të njohura dhe të pranuara si « të këqija?», të natyrshme nga shumica e popullsisë.

Kutia e qumështit dhe produkteve të tij ka thithur disa miliona euro, në fabrikat bashkëkohore të paketimit të saj dhe disa vite punë, por prodhimi vendas ende nuk po shkon dot tek konsumatori shqiptar.

Fakte Shqetsuese

Fabrika që prodhonte qumështin “Fast”, e blerë nga një investitor gjerman u mbyll pas tre vjet prodhimi me humbje.

Cili është fati që i pret fabrikat e tjera të paketimit dhe përpunimit të qumështit? Do të shkatërrohen edhe investime të tjera – duke e ngritur apo vërtetuar rrezikun e investimit në Shqipëri ?!

Një përfundim dhe masa të mundëshme

Pamundësia e shitjes së prodhimeve të domosdoshmërisë së parë për shkak të kostos së lartë të prodhimit të tyre është një dështim real i prodhimit në Shqipëri.

Për momentin do të duhet të kontrollohet sasia e qumështit që vjen nga Europa (kryesisht Italia) për të cilin nuk ka asnjë obligim me marrëveshje që të lejohet në Shqipëri. Çmimi i tij në prodhim është shumë më i ulët sepse subvencionohet nga shteti (fermeri dhe fabrika e paketim përpunimit).

Tregtimi i tij në Shqipëri mbështet prodhimin e huaj dhe me çmimin konkurencial shkatërron prodhimin vendës.

Ky është një rreth vicioz në të cilin gjendet përpunim paketimi i qumështit në Shqipëri. Ai meriton vëmëndjen e Qeverisë.

Fakti që konsumatori shqiptar nuk ka fuqi blerëse të përballojë as një litër qumësht të pasterizuar, të prodhuar në vend është një fakt i drames në të cilën gjendet prodhimi shqiptar dhe fuqia blerëse në vend. Ai është vdekjeprurës për investitorët aktualë dhe ata potencialë, që duan të vijnë në Shqipëri.

[1] Marrveshja CEFTA (Central European Free Trade Agreement) e qarkullimi të lirë të mallrave e vendeve të Europës qendrore, e firmosur nga Shqipëria në 1996, ku që prej Korrikut 2013 janë ende pjestare, vetëm Shqipëria, Kosova, Bosnia – Herzegovina, Macedonia, Moldova, Montenegro dhe Serbia. Ajo përfundon me futjen e vendit përkatës në Europë

/klarabudapost/