Zymer Mehani
KUJTIM…
1.
Ato fusha t’ blerta
N’kujtesë më kanë mbetë
Në atë sy pranvere
T’bjerra e lënë shkret
I braktisëm fshatrat
Braktisëm qytet
Nga truall iliriku
Na dëboi armiku
2.
Treni i gjatë çante
Qanin zemrat tona
Trishtueshëm fishkëllonte
Linim vatrat tona
Agime t’përlotura
E muzgje të përbaltura
Fshatra pranverake
Shtëpi të përflakura
Armiqt e pamëshirshëm
Na dëbonin e përndiqnin
Me duar të përgjakura
Na prenin e vritnin
3.
Përndiqeshim e vriteshim
Se ishim shqiptarë
Fushat me lulëkuqe
I linim duke qarë
Të shtëpive tymëra
Në kraharor më shponin
Lulet e këputura
Në zemër më lëndonin
4.
Por, atdhe i dashur
Me zemër të plasur
Kam parë zi e tmerr
Në dritë e n’skëterrë
N’atë pranverë të mjerë
Buzë pleqsh për ujë t’etur
Sy fëmijësh të tretur
Me lodrat n’shtëpi mbetur
Me buzëqeshje t’helmuar
E mendje t’shkallmuar
Me qafë të këputur
E kokë të përulur
5.
Bijtë e Shqipes trime-
Ushtarët çlirimtarë
U betuan me besa-besë
Për vdekje a për jetë
Për luftën e drejtë
Nën Flamurin kuqezi
Për mua dhe për ty
Në truallin tënd të përgjakur
Të djegur e t’përflakur
Qëndruan burrërisht
Dhe vdiqën trimërisht
Se këtë tokë arbërore
E donin shqiptarisht
N’këtë qiell janë lartësuar-
Meteorë të pashuar
6.
Qante me lot mali
Për lisat e gjatë
Për një xixë shkëndije
Qante natë e gjatë
Dhe fusha lotonte
Për lulëkuqet e saj
Pamëshirshëm fishkullonte
Nga skaji në skaj
E keqja n’ty atdhe
Ngase ishim lindur
Shqiptarë të gjithë ne
7.
Ujqërit ulurinin
Dhëmbët i zgërdhinin
Seç na futnin tmerr
Këta derr-beterrë
M’kujtohet tani
Ajo lemeri
N’atë kohë të përgjakur
Ti Atdhe i përflakur
I tëri seç ishe
Nga kthetrat e asaj bishe
Kudo shkrumb e hi
Furtunë e stuhi
8.
Por, ne jemi shqiptarë
T’përbuzur e t’vrarë
Armikut idhnak
Kurrë s’i patëm hak
N’vështirësi qëndruam
S’u mbytëm- jetuam
Pa atdhe të mbetur
Nëpër botë të tretur
9.
E n’ty imi qytet
Në të bukurin shesh
Vërtitej një dreq
Me dreqërit e tjerë
Me lebeti e tmerr
T’shprazën për t’lënë t’mjerë
Nëpër rrugët tua
Gjaksori kaloi
E ne na dëboi
Donte t’na fsharosë
T’na presë e gjakosë
Gjarpërisht na kafshonte
Me helm na helmonte
10.
Tani seç më vijnë
Kujtimet pastaj
Për lanetë e djaj
E më bëjnë me vaj
Nga zemërimi qaj
Përmbi sy të nënës
Një mjegull u shfaq
Vuajtje ndjen në zemër
Për djalin e saj
Nga hidhërimi theu gishtat:
-Qofshin të mallkuara bishat
E mbuloi fytyrën
Dhe u mbyll në vetvete
Me grusht i ra gjoksit
U drodh si në ethe
Por nga gjoksi i saj
As zë as dënesje
As ah dhe as oh
As bërtimë e prekshme
Veç lotët i pikuan
Për faqesh i shkuan
Fytyrës së mekur
Për birin e vdekur
11.
Mali seç u shkund
Fusha seç u tund
E nëna s’u mund
N’mbrëmjen e purpurtë
Seç shkëlqeu një yll-
Djali i saj trim
N’zemër plot guxim
Mu para agimit
Me krahët e fitimit
Kënga mori udhë
E malet gjëmonin
Brigjet seç ushtonin
Dielli po ndriçonte
E ky trim lirie
I vdekur po jetonte
TY O TRIM LIRIE
(Ukshin Shaban Kosumit)
1.
Nëna të pat lindur
N’ Mavriqin gurak
Dhe të kish uruar
-O bir m’u bëfsh plak!
Të parin hap hodhe
N’ shkrepa të Dvorishtës
Ëmbëlsisht belbëzove
Fjalë të shqiptarishtes
Në këtë atdhe tonin-
Qielli i përflakur
I etur ky truall
I çarë dhe i plasur
Për rreze lirie
Shpesh ish i përgjakur
Ty, Ukshin o trim
Hero i kombit tim
Shpejt t’u rrit ai shtat
Porsi lis i gjatë
-Sërish vjen shtrëngata
Të pat thënë yt at!
2.
Ti o trim lirie-
Burim madhështie
Si fëmijë këmbëzbathur
As që e ke ditur
Se ky truall amtar
Krahun tënd ka pritur
Kur u burrërove
Sa shpejt e mësove
-Robëria s’ka fund
Pa gjak dhe pa mund
Për këtë popull t’ ndjekur
Por të fortë si hekur
Shumë herë n’asht i shpuar
Por kurrë i nënshtruar
Kur u dha kushtrimi
Ti, o Ukshin trimi
Porsi stuhi deti
Si dridhje tërmeti
UÇK-së iu bashkove
Të mori pranë veti
Hijenat gjakësore
E dhelprat djallëzore
Kot t’ pritën të ndalesh
Ty moj Shqipe malesh
Ti zemër-besnike
Errësirën godite
Atdheut i dhurove
Bardhësi – rreze drite
Sot je i pavdekshëm
I atdheut mburojë
Për ty trualli i Shqipes
Pati shumë nevojë
E balli të shëndriti
Gjithmonë nga guximi
Me sy vigjilentë
Kur zbardhëllon agimi
3.
Skëterra ishte mbi dritën
Atdheu të thirri, o bir
Nga shekujt e robërisë
Nga zgjedha e tiranisë
Ish mekur dhe dërrmuar
Molisë dhe katandisë
Porsi Shqipe mbi vargmale
Për të lirisë këngë
Hape krahët dhe shtegtove
N’ çdo cep, anekënd
N’ballë t’atdheut e përmbi supe
Ra shtrëngata e natës
Për t’na zhbi nga bjeshkët tona
Hijenat e Karpatës
Heshtjen as gjumin s’i deshte-
Ti o trim – i lirisë pishtar
Këngë e krismë kurrë nuk i ndale
Për atdheun- truallin amtar
Sot i qetë Ukshin pusho
Lavdi për ty o hero
Në përvjetorin e rënies së dëshmorit Mujë Krasniqi – KOMANADANT KAPUÇI
(14 dhjetor 1998, Malet e Pashtrikut)
I GJALLË DO TË MBETESH PËRHERË
Vitet fluturojnë ngadalë
të gjithë plakemi ngapak
por ty nuk të plakë koha
i dashuri komandant
I gjallë do t’mbetesh përherë
jo pse të kanë skalitur në gur
Porse gjakun ia dhurove
Shqipes dykrenore në flamur
Do të kalojnë vite, dekada e shekuj
Prore i ri do të mbetesh gjithmonë
E nga toka mëmë ti kurrë s’do të tretesh
Komandant KAPUÇI – krenaria jonë
PËR JU
(Vëllezërve të rënë, Mehdi dhe Fevzi Kosumi)
U k’putën yjet nga qielli
Edhe lulet u venitën
Gurra e Llapit krejt shteroi
Dielli ndali dritën
Mehdi trimi me Fevziun
Lidhën besën e dhanë fjalën
Nën Flamurin kuqezi
Për Kosovë jetën e falën
Shkrep rrufeja n’Halabak
Me rrebesh ra shi e breshër
Dy vëllezër atdhetarë
Të pandashëm falën jetën
Lumë si ju vëllezërit e mi
Që fituat pavdekësi
Për lirinë e shqiptarisë
Ratë në lulen e rinisë
Sot në shkolla për ju mësojnë
Thurin vargje ju këndojnë
Se atdheut i dolët zot
Do t’kujtoheni jetë e mot
Historia do të flasë
Djemtë e kombit s’i harron
Për ju kënga do t’buçasë
I madh e i vogël ju nderon
Lavdi ju qoftë o dëshmorë
Bijë të denjë të atdheut tim
Ishit lule me kurorë
Emrit Tuaj gjithmonë nderim
Nga libri: Fadil H Curri e Zymer Mehani “Gjuha e truallit tonë”, Prishtinë, 2016
NJË LULËKUQE PRANVERON
(Dëshmores Antigonë FAZLIU)
Ti, Atdhe qofsh i bekuar
Një shqiponje që e linde
E ke rritë në shkrepat tua
Antigonën- rreze drite
N’ Fushat e Kosovës vigane
Një lulëkuqe pranveron
Me kokë n’qiell seç lartësohet
Qenka lindë për lirinë tonë
Kur kushtrimin e dëgjoi
Të atdheut tonë arbëror
U rreshtua pas Flamurit
N’ UÇK me armë në dorë
Zemra e saj buçet si deti
Shpirti i saj si oqean
Si vullkan që sjell termeti
Sulet trimja për vatan
Lumë si prindërit që të patën
Shqipe mali moj trimëreshë
Jetë e mot të nderon kombi
T’ k’ndohet kënga besa-besë
Je stërmbesa e Kastriotit
E Qemalit mjekërrbardhë
Ti je motra e Zahirit
E Ademit legjendar
Lavdi motër jetë e mot
Që na solle këtë liri
Le t’shëndrit si meteor
Shpirti yt në përjetësi
TY, HASMI I KOMBIT TIM
T’u mbylltë goja me kapak
Dejtë e zemrës me farmak
Sytë t’u mbushëshin përplot gjak
Se ne kurrë s’të patëm hak
Lumturinë pse na e ndërpreve
Zemrat tona pse na i theve
Prapa n’kohë ne pse na ktheve
E fuqishëm na urreve
Sytë e tu dritë kurrë mos pafshin
Szhtatë rrufe në kokë të rafshin
Zemra jote t’u bëftë hi
N’votrën tënde mos t’leftë f’mi’
Zemrat tona na i lëndove
Fëmijët në shkolla na i helmove
Mos paç ti në sofrën tënde
Bukë as ujë as për sonte
Shkollat tona pse na i mbylle
Shpirtin tonë pse na e ndrydhe
Ajo dorë ty t’u thaftë
Për së kthjellti Zoti t’vraftë
Sytë e tu krejt t’u verbofshin
Veshët tu t’u shurdhofshin
Ty të rroktë edhe damllaja
E të zëntë e zezë belaja
Pse ti na e rrëmbeve paqen
Pse ti na e nxive faqen
E na hape n’ara varre
Nëpër fusha dhe në male
Ti o hasmi i kombit tim
Kurrë mos paç një çikë gëzim
Mos paç paqe asnjë grimë
T’rëntë në kokë një vetëtimë
JU LASHË…
Ju lashë male
Me dëborë
Të lashë ARBËR
Dhe ARBORË
Të lashë nënë
Diell e hënë
Të lashë atë
Kraha-thatë
Ju lashë fusha
Me lulëkuqe
Të lashë nuse
Buzëburbuqe
Të lashë motër
Faqekuqe
Ju lashë
Ara me ugare
E lumenj
Me ujëvare
Ju lashë varre
Të të parëve
Të lashë lopë
E manar
Të lashë shok
duke qarë
të lashë Llap
I dëlirë
Të lashë qen
Lidhë n’zinxhirë
Të lashë magje
Me pak miell
Të lashë vëlla
Dritë e diell
U largova
Me dëshirë
Kur të kthehem
T’ju shoh t’lirë