Leximi i lektyrave shkollore nga nxënësit

0
3149

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Leximi i lektyrave shkollore ndikon pozitivisht në zhvillimin e nxënësve dhe formimin e tyre kulturor, pedagogjik, moral dhe shoqëror. Nga leximi i lektyrave shkollore nxënësit përfitojnë jo vetëm njohuri, por i zhvillojnë shprehitë e të lexuarit (kulturën e leximit), të cilat i përcjellin gjatë gjithë jetës. Nxënësit që lexojnë vazhdimisht lektyra shkollore janë në gjendje të zhvillojnë punë më të mirë me shkrim dhe të kenë kulturë më të madhe të të shprehurit, ngase përfitojnë jo vetëm njohuri, por e zhvillojnë edhe gjuhën e komunikimit dhe i zgjerojnë edhe njohuritë e përgjithshme.

Një faktor me rëndësi për leximin e lektyrave shkollore është interesimi i nxënësve për të lexuar, i cili mund të shtohet nëse lexohet vazhdimisht dhe lektyrat që lexohen janë interesante dhe aktuale përn xënësin. Interesimi i nxënësve për të lexuar lektyra shkollore vitet e fundit është më i vogël, ngase më tepër janë dhënë pas mjeteve të informimit elektronik, internetit televizionit etj., dhe lektyrat nuk ngjallin interesim për ta, nuk janë interesante dhe atraktive në krahasim me programet me karakter informativ, edukativ dhe argëtues që ofrojnë mediumet elektronike.

Zhvillimi i teknologjisë informative ka bërë që nxënësit ta harrojnë librin dhe të kalojnë kohën më shumë para kompjuterit dhe televizorit, duke u fshehur mbrapa “kulturës kompjuterike” të shekullit në të cilin jetojmë. Rëndësia e të lexuarit të lektyrave shkollore nga nxënësit ndërlidhet me disa aspekte: Gjatë leximit të lektyrës shkollore nxënësit mësojmë gjëra të reja që më parë nuk i kanë ditur, e kanë të përqendruar vëmendjen jashtë problemeve dhe rutinës se përditshmërisë, pas leximit nxënësit mundohen të ndërlidhin kuptimin e veprës që kanë lexuar me përvojat e tyre shkollore ose jetësore dhe me këtë rast nxitet të menduarit etyre kritik. Po ashtu, nëpërmjet leximit të lektyrave nxënësit e pasurojnë fjalorin, përvetësojnë ose rrisin nivelin e leximit të drejtë, zhvillojnë imagjinatën dhe njohin aspekte të ndryshme të jetës.

Mund të themi se lektyrat shkollore nuk lidhen vetëm me aspektin e shprehisë së leximit, marrjes se njohurive, si obligim në shkollë, por ato kanë rëndësi edhe jashtë saj, për formimin kulturor, pedagogjik, moral dhe shoqëror të nxënësve. Përzgjedhja e lektyrave nuk është një punë e lehtë, ngase ato duhet të jenë sa më të qëlluara dhe në pikëpamje të vlerave edukative, pedagogjike, të cilat do t’u ndihmonin nxënësve në përmirësimin dhe pasurimin e gjuhës, por në këtë aspekt në shkollat tona ka mjaft dobësi, pasi nuk kanë një unifikim për këtë.

Në përzgjedhjen e lektyrave shkollore kontribut pozitiv e japin mësimdhënësit, të cilët i udhëzojnë, i ndihmojnë dhe këshillojnë nxënësit çfarë të lexojnë, cilat lektyra shkollore janë të rëndësishme për t’u lexuar, në bazë të planit dhe programit mësimor.