Besa, besëprerja, tradhtia dhe Maqedonia

0
1271

Dionis Xhafa

Zgjedhjet politike të parakohshme në Maqedoni duket se kanë befasuar të gjithë. Askush thuajse nuk e kishte parashikuar këtë rezultat në vota të partive, shqiptare dhe maqedonase. Ka habitur fakti se LSDM-ja opozitare ka shkuar shumë pranë afër partisë së Nikola Gruevskit, VMRO-DPMNE-së. Kjo, sepse në zgjedhjet e tjera ishte partia nacionaliste maqedonase ajo që kryesonte me vota në mënyrë dërrmuese. Nga ana tjetër, tronditje ka pasur edhe në kampin politik shqiptar, teksa BDI është “shfryrë” dhe se ka mbështetjen vetëm të gjysmës së elektoratit që ka pasur herët e tjera, kurse terren ka fituar një parti që quhet BESA. Ndërkaq, disa deputetë ka fituar edhe “Aleanca për Shqiptarët” e ndarë prej PDSH-së, si dhe vetë Partia Demokratike Shqiptare.

Me një kalkulim të thjeshtë që bënte profesori universitar Florian Bieber, BDI-ja, edhe pse ka humbur terren politik karshi forcave të tjera dhe të reja shqiptare në Maqedoni, sërish ka gjasa të mbetet faktor kyç për të përcaktuar të ardhmen politike të vendit. Kjo, pasi sërish është partia më e madhe ndër shqiptarët, edhe pse ka marrë vetëm 7 për qind të votave këtë herë, ndryshe nga hera e fundit, ku kishte arritur të mbledhë 14 për qind të votave. Bieber thoshte në analizën e tij, në mënyrë qartësisht thuajse të saktë, se nëse Maqedonia kërkon të bëhet pjesë e BE-së në të ardhmen dhe që shteti të jetë vërtetë ligjor, duhet që BDI-ja si parti më e madhe ndër shqiptarët, të mos bënte koalicion më me VMRO-në, pasi ky është edhe koalicion qeverisjeje korruptive, edhe prodhon vetëm nacionalizëm, përkundrejt faktit se BDI promovon gjoja internacionalizmin. Kjo dëshmon qartë se VMRO qëndron mbi BDI-në dhe merr vendime, thuajse duke mos e përfillur Bashkimin Demokratik për Integrim. Një zgjidhje mund të jetë ajo që BDI të bëjë koalicion me VMRO pra, që e kemi parë se çfarë kostosh të rënda ka për Maqedoninë, një koalicion ky që prodhon plot të këqija, me një parti maqedonase rurale, nacionaliste, me vlerat e ulëta të nacionalitetit dhe jo të njerëzores.

Zgjidhje e mirë mund të ishte, optimale pra mund të ishte koalicioni mes BDI-së dhe LSDM-së ose ndoshta edhe partitë e tjera në opozitë shqiptare mund të formojnë kaolicion me VMRO-në ose me LSDM-në. E gjitha është skenar që nuk njihet mirë sesi mund të përfundojë. Por se alternativë mbetet edhe ajo se mund të kemi kaolicion të gjerë pra, ku të përfshihen parti politike shqiptare dhe maqedonase, e krijuar në njëfarë mënyre nga ana e ndërkombëtarëve. Një gjë është thuajse e sigurt: VMRO në qeverinë e Maqedonisë do të thotë varrezë për këtë shtet, pasi partia e djathtë maqedonase di vetëm ta çojë në regres këtë vend. Partitë e tjera janë paksa më ndryshe, madje mund të provohen edhe ata që janë të reja si BESA e “Aleanca për Shqiptarët”, pasi janë gjak i ri, për shkak se BDI dhe PDSH janë tashmë parti të konsumuara.

Shkurt, VMRO është helm në qeverinë e Maqedonisë dhe se a do vazhdojë ky helm që mbyt këtë shtet, pritet të shihet. Por, se interesant është fakti se një parti e re si BESA arriti të dalë e dyta në mesin e partive politike shqiptare. Si ka mundësi? Kush është BESA dhe si është e mundur që mori 5 deputetë, sapo hyri në skenë? A ishte kjo parti politike, e cila realisht e ka frikësuar Ali Ahmetin, pasi ky i fundit dilte në konferencë për mediet, duke thënë që “mos të përçahet vota e shqiptarëve”. A ka lidhje kjo parti me fenë islame dhe në veçanti me pushtetin në Turqi? Ia vlen të ndalemi pikërisht te BESA.

Besa, a mund të ketë besëprerje?

Fillimisht duhet thënë se meriton një përgëzim të veçantë fakti se doli në skenë një parti e re, e cila arriti që të dalë përballë një partie të vjetër dhe të bërë kallkan nga pushteti si Bashkimi Demokratik për Integrim. Po, BESA ishte pjesë e një lëvizjeje anti-establishment në Maqedoni, në mesin e shqiptarëve dhe kjo gjë duhet pranuar. E dyta pikë e mirë dhe e fortë e kësaj partie politike, e cila mirret vesh se ka sfond fetar, është fakti se shumica dërrmuese e pjesëtarëve të saj ka gjasa të jenë me moral, që do të thotë se këta nuk prekin femrat dhe vajzat, duke qenë shembull nga kjo pikë, një problametikë e mprehtë e shoqërisë shqiptare kjo. Ka gjasa që femrat, gratë t’ia kenë dhënë votën BESA-s, edhe për këtë shkak dhe kjo është vërtetë gjë e mirë. (Fatkeqësisht, muslimat abuzojnë me vajzat e gratë më shumë se tjerët edhe nën moshë, madje /AÇ)

Sigurisht që edhe në mesin e këtyre pjesëtarëve të kësaj partie mundet të ketë njerëz që nuk kanë moral, por se merrej apriori se janë më moralistë, duke qenë se besojnë se nëse shkojnë në botën tjetër apo kur të jenë atje, do të ketë një Zot që do t’i gjykojë. Kjo është pjesë e një morali të shëndoshë politik. Jo vetëm kaq, por se këta pjesëtarë të kësaj lëvizjeje dhe partie, nëse vërtetë ndjekin këshillat e fesë, edhe nuk prekin fondet publike, edhe nuk korruptohen. Gjithnjë nëse ia dalin t’iu përmbahen parimeve të pastra fetare. (Më besimtar se këta është Erdogani, por po dalin histori korrupsioni të tij me të birin, etj. Kudo kui sundon feja, morali bie… /AÇ) Për këtë gjë BESA duhet përgëzuar realisht, pasi është partia e vetme që shfaqet ndryshe nga partitë e tjera. Është fakt se partitë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, sikundër edhe njerëzit janë tepër ateistë dhe pikërisht ateizmi mbart në vetvete rrezikun se duke qenë se këta njerëz nuk besojnë, është shprehja se ata thonë: “do të bëj çfarë të bëj, askush s’do më gjykojë në botën tjetër”. (Zakonisht, njerëzit racionalë, që nuk besojnë në fe, por në arsye, janë edhe më të pakorruptuarit. Prandaj edhe vendet me besim më pak në Zot, kanë edhe zhvillimin më të madh dhe janë më të rregulltat si vende. /AÇ) Por, se morali mbetet sidoqoftë personal. BESA ishte një lëvizje anti-establishment, pra. Por se nga ana tjetër, kjo parti politike ka gjasa të ketë lidhje me pushtetin në Turqi dhe më gjerë, duke besuar edhe në forma të tjera të islamit, në rryma që janë radikale të tilla si salafizmi apo vehabizmi.

Po ashtu ka gjasa që pjesëtarë të saj të jenë adhurues edhe të Vëllazërisë Myslimane, e cila është shpallur me vendim gjykate në Egjipt si antikushtetuese. BESA mund të shihet edhe si krijesa e parë e ndikimeve të Erdoganit në trojet shqiptare, qoftë kjo për mirë apo për keq. Organizatat e huaja në trojet tona janë vazhdimisht prezente dhe Erdogani gjithashtu ka ndikimet e veta. Sigurisht që parësore për të mbetet fakti që përhap myslimanizmin në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni. Feja islame sidoqoftë mbetet e pastër, në mos e vetmja që nuk ka ndryshuar. Mirëpo, të bësh lëvizje fetare, të ngresh vizion partiak duke u bazuar në fe, kjo është problematike. Kjo sepse e tillë lëvizje do të thotë të infektosh shtetin laik me ndikime fetare, duke e bërë njësh moralin fetar me ligjin, çka janë realisht dy gjëra të kundërta.

BESA pra problematikë ka këtë që është lëvizje në thelb fetare, duke mos iu kundëvënë askush myslimanizmit, sigurisht. Personalisht, duke mos qenë kundër fesë, do të preferoja që organizatat fetare të investojnë thjesht te besimtarët, pa qenë nevoja që të formojnë parti politike, pa qenë nevoja për të tentuar të formosh parti dhe me to të infektosh apo të kapësh shtetin. Kush e njeh Maqedoninë dhe ka udhëtuar, e sheh se pjesa perëndimore e saj, ku gjenden zonat e shqiptarëve, është sikur të jetë ndonjë Rabat, Mosul apo Bagdad. Këtë gjë nuk e vë re fort në Tiranë apo në Shqipëri. Kjo pra, do të thotë se ndikimi prej islamit në ato zona është vërtetë, i thellë dhe ata banorë e kanë fenë të përbashkët me kombësinë, duke mos gjetur mënyrë për t’i ndarë, ndoshta kjo edhe si mburojë ndaj maqedonasve, që kanë qenë dhe mbeten ortodoksë.

Pavarësisht këtyre, BESA mbetet parti anti-establishment, duhet vlerësuar për rezultatin e arritur dhe çfarë është më e rëndësishme: nëse vjen në pushtet të mbajë premtime. Nuk dihet nëse BESA, në rast se bëhet edhe me partitë e tjera të vogla shqiptare, apo ku i dihet edhe me vetë “djallin” për të BDI, hyn apo jo në koalicion me VMRO-në. Nëse do të hynte në koalicione me këta parti, sidomos VMRO dhe BDI, BESA do të shënonte besëthyerje, pasi si parti anti-establishment goditi fort këtë binom, që e ka shkatërruar të ardhmen e Maqedonisë, sidomos atë evropiane, me gurë të rëndë në shpinë të Shkupit, bllokimin e vendit nga Greqia për anëtarësim në BE dhe në NATO. Duhet përshëndetur rezultati i BESA-s dhe duhet parë nëse do të qëndrojë me besë, përballë faktit se mund t’i tregohet karrigia e pushtetit, me BDI-në në koalicion apo me VMRO-në.

A tradhtuan shqiptarët?

Ka pasur një shkrim të Marin Memës, ku ky thoshte se shqiptarët që kanë votuar për LSDM-në kanë tradhtuar. Në fakt, mund të jetë paksa e rëndë kjo gjë, por se shqiptarët tradhtuan apo shqiptarët janë tradhtuar prej partive të veta, që ia kanë dhënë votën social-demokratëve maqedonas? Shqiptarët kanë “tradhtuar” prej faktit se ata janë poshtëruar nga BDI-ja, e cila bëntë koalicion me VMRO-DPMNE-në, e kjo e fundit e vazhdon varrimin e Maqedonisë, duke fryrë nacionalizmin dhe nga ana atjetër, Greqia e ka bllokuar Shkupin që mos të shkojë as në NATO dhe as në BE? A shqiptarët janë duke tradhtuar, kur ata nuk kanë më besim te asnjë parti politike shqiptare se mund të zgjidhë hallet e tyre? Kishte nga ata lajme bombatike që Dibrën përpiqeshin ta shihnin si një fortesë shqiptare, e cila po binte në dorën e maqedonasve. Kjo është dashakeqe, sigurisht.

LSDM kishte kandidatë shqiptarë dhe për më tepër është një parti politike, që ka thënë se nuk ka për të parë ngjyrat e etnisë, por se ka për të punuar për qytetarët. Dibranët, shqiptarët nuk votuan për VMRO-në, e cila në syrin tim është partia politike më e egër, shoviniste, me tipare të ish-Partisë Socialiste të Serbisë të udhëhequr nga Millosheviçi në Serbi, një parti që duhet të dalë jashtë medoemos nga skena politike në Maqedoni. VMRO është varrmihësja e Maqedonisë, më tepër se askush tjetër! Është VMRO, e cila kishte për kandidat në gjirin e saj një njeri si Johan Tarçullovski, që më parë ka qenë në Hagë dhe që në konfliktin e armatosur me shqiptarët në vitin 2001, si oficer policor në Forcat Speciale të Maqedonisë kishte vrarë shqiptarë. E pra, ka një dallim tepër të madh mes VMRO-së dhe LSDM-së.

VMRO-ja është sikundër elektorati i vet, që përfaqëson mbarë popullin injorant maqedonas që jeton nëpër fshatra, që besojnë verbërisht te fuqia magjike dhe e rrejshme e nacionalizmit gruevskian, që grushtin duhet t’ia japësh në ballë një ditë e më herët e VMRO duhet zhdukur njëherë e mirë si parti, në mos të kishte Komisione Etike, ta hiqnin edhe ligjërisht. Se nuk ka logjikë normale njerëzore, nuk ka logjikë të shëndetshme njerëzore, që të besojë se është parti normale politike. Një VMRO e cila të jep si kandidat për deputet një njeri si Tarçullovski, një njeri që është vemja e nacionalizmit gruevskian dhe që anëtarët e partisë së vet e kanë bërë heroin e marrë të nacionalizmit të kohëve moderne. Jo, LSDM nuk është njëlloj si VMRO. Kjo e fundit është llumi fshataresk maqedonas, që s’di ç’është njerëzorja dhe fryti i harmonisë!

Maqedonia është shteti i diskutuar

Nga të gjitha republikat që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, në pastë republikë më të diskutuar mbetet Maqedonia. Me këtë emër, pra Maqedonia njihet vetëm brenda kufijve të vet edhe nga disa shtete, edhe fqinje, ndër to edhe Shqipëria. Ndërkombëtarisht njihet si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, e detyruar për shkak të presionit grek, që ia ka spostuar edhe agjencën për në BE e në NATO Shkupit, pasi nuk ka pranuar të ndryshojë emrin kushtetues. Maqedonia ka shumë gjasa të mbijetojë si republikë në të ardhmen vetëm nëse ngrihet ndoshta si ndonjë komb artificial, që arrin të ketë mirëqënien dhe ku njerëzve mos t’ua ndjejë shumë për kombin. Për shembull të jetë si SHBA-të, ku amerikan nuk është askush, por se edhe ai me ngjyrë të zezë edhe me të bardhë e quan veten amerikan. Kjo rrjedh nga fakti se është krijuar një lloj kombi fals, me hymn gjithashtu të ngritur e të krijuar, duke bashkuar njerëz me raca e etni të ndryshme dhe se këta më shumë i lidh mirëqënia ekonomike e jo kaq fati i kombit të veçantë.

Kurse Maqedonia, mundet të shpëtojë nëse në pushtet vijnë forca progresiste, që pak e vënë theksin te nacionalizmi, duke lënë mënjanë përkatësinë etnike dhe fetare dhe duke u përqëndruar në reforma dhe në ekonomi të fuqishme. Kështu, sot për sot, sa kanë dalë në skenë, vetëm LSDM është paksa më përparimtare duket së jashtmi se forcat e tjera. Maqedonia, me parti në pushtet si VMRO, që jep vetëm nacionalizëm dhe mbytje e izolim për republikën, e ka shumë të diskutuar fatin e vet. Aq më të keq mund ta ketë fatin, nëse nacionalizmi i Gruevskit bashkohet edhe me rryma të fesë islame në politikë, duke bërë një republikë çorapësh, që iu vjen era ndot. Maqedonia me VMRO sidomos, por edhe me parti me sfond fetar, që duan të ç’ekuilibrojnë ligjet laike të një vendi, mund të ketë fatin fatal të vetëshkatërrimit.

D.Xh