VEZIRE MEZINI (GJIRAKU): ME KËNAQËSINË E PROFESIONIT, MËSUESE DHE EDUKATORE E BREZIT TË RI…

0
2000

(Dekoruar nga Sali Berisha, ish-President i Republikës së Shqipërisë, në vitin 1994, për ndihmesën e dhënë për arsimin në Kosovë, me Urdherin ”Naim Frasheri”, klasi i parë dhe me “Medaljen Presidenciale”, nga ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 2012)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Mësuesja veterane Vezire Mezini ka lindur në Prishtinë (Kosovë), në vitin 1924. I jati, Halil Gjiraku, për veprimtari atdhetare u përndoq nga regjimi mbretëror serb dhe u detyrua ta lërë vendlindjen, së bashku me familjen prej 6 antarësh (gruaja Belgjyzari dhe katër fëmijë, më i vogëli gjashtëmuajsh dhe më i madhi 5 vjeç). U vendosën në Tiranë, ku pas dy muajsh Halili vdiq, i sëmurë në spital. Tre fëmijë i dërgoi Kryqi i Kuq, në Strehën Vorfnore, në Tiranë.

Vezirja e kreu shkollën fillore dhe, pastaj Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë”, në Tiranë. Në dhjetor 1942, e emëruan mësuese në vendlindje, pra Prishtinë. Dha mësim në shkollën “Hasan Prishtina”, ku ishte drejtor Dervish Bejleri. Bashkë me Veziren, atëkohë, në Kosovë shërbenin shumë mësues nga Tirana, si: Reshat Bajraktari, Hasan Dylgjeri, Selman Kasapi, Shaqir Hoti, Agllai Plaku, Petraq Nase, Hysen Kola e Fatime Kola etj. Natyrisht, kishte edhe vendës, si Nimete Kabashi, Vitore Luka, Nica e të tjerë.

Vetë Vezirja, tani tregon: “Të gjithë e bënin punën me përkushtim, për t´u dhënë nxënësve sa më shumë dije dhe për t´i ushqyer atyre ndjenjat kombëtare, përmes mësimit, këngëve, vjershave, valleve etj. Edhe pse mjetet mësimore ishin të mangëta, po ashtu orenditë e papërshtatshme për moshën e fëmijëve, këta mësonin me zell dhe etje për dije. Kishte raste, kur prindërit sillnin në shkollë edhe djem ose vajza, që s´e kishin mbërritur moshën shkollore, duke u lutur t´i pranonim ata. Ëndërrën, që s´e patën realizuar prindërit vetë, donin ta plotësonin për fëmijët e tyre. Ata prisnin të shihnin në duart e fëmijëve, me padurim, Abetaren e Gjuhës shqipe.

Një ndër nxëënësit e mi ishte Adem Demaçi, që ndonëse i vogël, ngulte këmbë për ta pranonim në klasë. Më pas, ai më befasoi me zgjuarësinë dhe zellin e tij. Shumë vite më vonë (1991) Ademi erdhi e më takoi në shtëpi, në Tiranë dhe pastaj në vijim, sa herë vjen në Shqipëri. Mbaj mënd edhe nxënës të tjerë, si gazetarin Rashid Krasniqi, që ishte tek unë gjatë krizës së luftës në Kosovë, së bashku me familjen; Hajredin Bytyçin, veprimtar i flaktë për lirinë e Kosovës, vdekur para disa vitesh, në Izmir të Turqisë etj.

Në maj 1943, u zhvillua një demostratë e madhe në Prishtinë kundër pushtuesve italianë. Unë, së bashku me shoqen time, Agllai Plaku, gjithashtu mësuese, mbanim lart Flamurin Kombëtar, në krye të vargut të demonsntruesve. Atë kohë, u njoha me një të ri kosovar, Adem Selimi, (vdekur më 2001, në mërgim, në Australi ). Ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Zagreb dhe punonte në zyrën e bujqësisë, në Prishtinë. U fejova dhe u martova me të. Linda një djalë, Bardhylin, i cili u bë mësues, sikurse unë. Ademi u bashkua me të gjithë luftëtarët e lirisë, që nuk e donin më zgjedhën sllave në Kosovë, por kërkonin bashkimin me Atdheun amë. Për ca kohë, dola edhe unë me të në mal. Por duke qënë shtatzënë, u tërhoqa në fshatin e tij të lindjes, Gllavicë.

Dy javë pasi linda djalin, më burgosën në Ferizaj, bashkë me foshnjen, sigurisht për shkak të Ademit. Kur më liruan, mora rrugën për në Tiranë, por kjo qe bllokuar, prandaj punova ca kohë mësuese në shkollën ” Bajram Curri” të Prizrenit, ku ishte drejtor Tajar Hatibi. Kur më kërkuan në organet e punëve të brendëshme të Jugosllavisë, që të pajisesha me dokumente të atij shteti, nuk pranova, por u nisa drejt Tiranës, së bashku me djalin. Si unë, vepruan edhe shumë arsimtarë të tjerë, që kishin ardhur nga Shqipëria, në Kosovë, për të shërbyer.
Më emëruan mësuese në fshatin Shullaz të Krujës. Atje, përveç mësimdhënies, zhvillonim kurse kundër analfabetizmit, luanim pjesë teatrore etj. Mësimin e zhvilloja në një dhomë të vogël përdhese, pa banka dhe dritë të mjaftueshme.

Ajo kishte qenë, më parë, teqe dhe rreth e përqark saj ishin varret e fshatit. Unë banoja në shtëpinë e kryetarit të këshillit, Hysen Tare. Në atë kohë, në fshat hynin, herë pas here, siç i quanin atëherë, “diversantë”. Një natë, disa syresh, me ballë ose qafë të lidhur me shami të kuqe, me kostume kombëtare, hynë në shtëpinë ku banoja, duke thirrur: “Ku është mësuesja?!” Madje, ata i ranë me tytën e pushkës derës së dhomës, ku flija, duke më urdhëruar ta hapja derën, sa më parë. Nuk pata kohë as të vishesha, vetëm pallton e hodha krahëve. Shkuam në dhomën e miqëve. Ishte dimër e bënte ftohtë. Po dridhesha nga frika, nga ndonjë e papritur e keqe, isha vetëm 22 vjeçe… Më kërcënuan se, po t´i vazhdoja veprimtaritë e mija jashtëmësimore, ata do hakmerreshin. “Nuk ke punë me gratë dhe vajzat e fshatit”, më thanë.

Të nesërmen, më thirrën në Degën e Punëve të Brendëshme të Milotit dhe më kërkuan t´ua përshkruaja ngjarjen. Më hoqën vërejtje, se pse nuk i kisha vënë në dijeni dhe pse u kisha lexuar fshatarëve një trakt kundër qeverisë, të ngjitur në një shtyllë të rrugës. Pas ca kohe, më transferuan në qytetin e Krujës, ku më 16 tetor 1947 erdhën e më arrestuan brenda në shkollë, dy policë të degës së punëve të brendëshme. Më akuzuan se, gjoja, “për punë armiqësore, bashkë me një grup arsimtarësh”. Burgosën bashkë me mua edhe Zenel Sopotin, mësues në të njëjtën shkollë, ku isha unë, dhe ku drejtor ishte Abdyl Keçi.

Në mars 1948, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, më liruan, pa dalë në gjyq. U emërova, menjëherë, në një shkollë fillore, në qytetin e Krujës. Vitin vazhdues, më transferuan në fshatin Kashar. Më 1949, u rimartova me Mahmud Mezinin ( vdekur më 1982), arsimtar si unë, pasi nuk dija asgjë për ish burrin tim, të cilin e konsideronin të zhdukur. Bashkë me Mahmudin dhe djalin, shkuam të punonim arsimtarë vullnetarë në Tropojë dhe mandej në Mallakastër (1949-1951).

Që nga viti 1951 e deri më 1972, vit kur dola në pension, kam shërbyer në shkolla të ndryshme të kryeqytetit tonë, si “Hasan Vogli”, “Kongresi i Përmetit”, “Migjeni”e “Luigj Gurakuqi”. Në vitet e fundit punova edukatore kopështi ( nr 16, 4, 3, 23 ), pasi kisha pesë fëmijë dhe nuk mund t´u përgjigjesha si duhet kërkesave të shkollës.

Tani, në moshë të thyer, jetoj me pensionin dhe ndihmat, që më japin fëmijët e mi të mbarë. Sigurisht,përherë e sjell ndërmend edhe udhën e jetës sime plot zik-zake, por me kënaqësinë e profesionit, që të jep puna e edukatores dhe mësueses së brezit të ri”.

…Më lart u njohëm, përmes rrëfimit të vetë mësueses veterane të arsimit tonë kombëtar, Vezire Mezini (Gjiraku), me vështirësitë dhe vuajtjet pambarim në jetën e saj, por duke qenë përherë e papapërkulur dhe me ndjenja të larta atdhedashurie e pasioni për profesionin e nderuar të mësueses dhe edukatores. Nga zemra i urojmë asaj: Shëndet sa më të mirë, jetëgjatësi dhe gëzime e lumturi, bashkë me njerëzit e saj më të dashur!
Tiranë, dhjetor 2016