Publikuar në Shqiptari.EU http://www.shqiptari.eu/
Publikuar më: 14 Mars, 2016
Kryesia e Degës së LDK-së është e shqetësuar për rrjedhat e ngjarjeve në Kosovë pasi brenda LDK-së ende nuk kemi një lider që do t’u printe proceseve dhe reformave brenda LDK-së, andaj LDK-ja është në krizë, bile të thellë.
Nën udhëheqjen e kryetarit Shefqet Dibrani, kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër mbajti mbledhjen e saj të rregullt në të cilën u diskutua për rrjedhat politike në Kosovë, veçmas për ato pas zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Të pranishmit kishin mendim se Kosova po kalon nëpër sfida të mëdha, kurse LDK-ja ka rënë në një kolaps që do zgjidhje urgjente. Ne i kemi përcjell zhvillimet e fundit në Kosovë, veçmas ato që lidhen me seancën për ta zgjedhur Hashim Thaçin President të Kosovës, zhvillime këto që pasqyrojnë gjendjen reale që e kemi brenda vet LDK-së, prandaj si rezultat i saj edhe në nivel Kosove. Në mbledhje u çmua lart vendimi i 5 deputetëve për të mos marrë pjesë në seancë, për të cilët u tha se ata janë heronj të demokracisë, kurse u shpreh mllef dhe zhgënjim sidomos për ata deputet që kishin deklaruar se janë kundër dhe nuk do ta votojnë kurrë Thaçin për president, kurse atë ditë me prezencën e tyre dhe me votimin e tyre e plotësuan kuorumin duke e zgjedhur president njeriun, me një bagazh dyshimesh dhe të njohur si përçarës.
Ishte mendim i kryesisë se duke i shikuar gjërat në retrospektivë, Dega e LDK-së në Zvicër, bashkë me të gjitha strukturat e saj e ka dhënë maksimumin e mundshëm për të mos ndodhur kjo që ndodhi, prandaj u tha se Dega e LDK-së në Zvicër ka qenë mjaft aktive në këtë plan, gjë që kryetari shfrytëzoi rastin për t’i falënderuar për mbështetjen e përhershme që ia kanë bërë atij dhe proceseve në përgjithësi. Kryesia vlerësoi se pavarësisht nga rrjedha e proceseve ne duhet të ndjehemi krenar për vizionin tonë. Ne bashkë me nëndegët dhe disa nga aktivistët që kanë dal me shkrime individuale kemi krijuar jo vetëm një mozaik, por një platformë me koncept të qartë. Edhe pseka hasur në vesh të shurdhër duke mos u përfillur, kryesia e Degës mendon se ato deklarata, apele e komente e kanë pasur efektin e tyre.
Në këtë mbledhje u debatua edhe për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, kurse LDK-ja, sidomos grupet e pakënaqura me kreun e LDK-së nuk janë askund të përgatitura, gjë që u elaborua shumë mundësia dhe mënyra e daljes nga letargjia e udhëheqësve nëpër degë dhe nëndegë.
Po ashtu në mbledhje u diskutua për hartimin e një platforme dhe për koordinim e aktiviteteve me nëndegën e pakënaqura në Kosovë, me individët që janë deklaruar si të pakënaqur dhe me pesë deputetët të cilët duhet mbështetur dhe përkrahur në këto procese nëpër të cilat po kalon LDK-ja. Të gjithë ishin të bindur për nevojën e ngutshme që ka LDK-ja për një reformim të brendshëm, për krijimin e një opozite të guximshme brenda LDK-së e cila do të duhej t’i mblidhte energjitë e shkapërderdhura, dhe sipas mundësive ta thërriste Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së duke kërkuar përjashtimin e Isa Mustafës dhe klanit rreth tij nga partia. Ky grup duhet të ishte në gjendje të përballej edhe me zgjedhjet e mundshme, të cilat sipas të gjitha gjasave do të ndodhin.
U arrit një pajtueshmëri se duhet të dilet publikisht me krijimin e një bërthame, e cila do t’i ndryshonte rrjedhat politike brenda LDK-së.
Gjithsesi Kryesia e Degës së LDK-së është e shqetësuar për rrjedhat e ngjarjeve në Kosovë pasi brenda LDK-së ende nuk kemi një lider që do t’u printe proceseve dhe reformave brenda LDK-së, andaj LDK-ja është në krizë, bile të thellë, u vlerësua nga kryesia.
Po ashtu u paraqit ideja nëse Dega e LDK-së do të mund të krijonte një Fond mbështetës për këto procese, përndryshe do të dështojmë komplet, duke ia hapur rrugën degradimit të mëtutjeshëm të LDK-së, sepse u tha se edhe brenda LDK-së janë krijuar grupe milionerësh të cilët po luajnë me fatin e LDK-së dhe të Kosovës.
Zofingen, 12.03.2016.
Nga procesverbali i mbledhjes.
Komisioni për Informim